Thu, April 17, 2014

“Afërdita përsëri në fshat” i Sterjo Spasses

Jeta dhe librat / Romani i vitit 1955, nga veprat më të propaganduara të letërsisë shqipe në Kampin komunist, del në qarkullim si botim i shtatë. Shndërrimi i Sterjo Spasses nga romancieri i parë modern i letërsisë shqipe në autorin e respektueshëm të metodës së realizmit socialist

Elsa Demo -

Ndër titujt e rinj që qarkullojnë nga kjo javë në libraritë e Tiranës, është romani “Afërdita përsëri në fshat” i Sterjo Spasses (botimi i shtatë). Është kujdesur për këtë punë, si gjithnjë, biri i autorit, Ilinden Spasse që e takuam në vendin ku për afro shtatëdhjetë vjet ka jetuar familja Spasse. Në truallin e shtëpisë me qerpiç është ngritur prej pak kohësh një pallat me mjedis të qetë ku, në orë të caktuara, dëgjohen kambanat e kishës katolike në Rrugën e Kavajës.

Ajo shtëpi ishte blerë me paratë e Çmimit të Republikës i shkallës II, 100 mijë lekë, që Spasse i pat fituar më 1953 për romanin “Ata nuk ishin vetëm”.

Një shtëpi po aq e vjetër sa romani “Afërdita përsëri në fshat”. Romani ishte botuar më 1955, fillimisht në tri numra të Revistës “Nëntori” me titullin “Për jetën e re”. Fitoi Çmimin e parë me rastin e 10-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe autori u shpërblye me 75 mijë lekë. Me të dalë në qarkullim “përsëri filluan vërshimet e letrave, e kritikat pozitive, lavdërimet dhe urimet… Ky ishte romani me të cilin Sterioja ishte lodhur më pak, e që pa dritën e botimit menjëherë e pa asnjë telash”, shkruan Ilinden Spasse në kujtimet “Im atë, Sterjo!” (1995).

Zoti Ilinden ka vendosur mbi një tavolinë të vogël mjaft botime të “Afërditës…” në vendet e Kampit komunist. Në gjuhën bjelloruse qarkulloi në 5000 kopje, në gjuhën ukrainase në 15 mijë kopje, u botua në greqisht më 1959, në bullgarisht etj. Por kampion është Kosova me ribotimet e “Rilindjes” e cila do të realizojë edhe botimin e veprës komplete të Spasses. E shikojnë “Afërditën…” edhe lekturë shkollore për të rinjtë e Kosovës. “Afërdita… nuk është përkthyer në asnjë gjuhë perëndimore” shton Ilinden Spasse 70-vjeçar. “As “Pse?”-ja nuk është përkthyer veçse vonë, në maqedonisht. Ka vepra që janë përkthyer në 20 gjuhë…”

Burri që sa qe gjallë i ati, ka punuar shumë ngushtë me të aq sa ta quajnë sekretari i Sterio Spasses, sqaron se botimi i shtatë i “Afërditës përsëri në fshat” nuk ka asnjë ndryshim nga botimi i parë, i cili i rri besnik dorëshkrimit.

Kur shkruhej romani, Ilindeni ishte 12 vjeç dhe kujton se kapitujt e fundit i ati i pati shkruar gjatë udhëtimit dyjavor me vapor në Bashkimin Sovjetik. Këtë kapitull trashëgimtari nuk e veçon për ndonjë qëllim, ndërsa po veçojmë diçka e që është fjalia përmbyllëse e romani:

“Mbi Grykas e mbi Pishë, si mbi të gjitha fshatrat e Shqipërisë, do të ndrisë ylli i kulturës bashkë me begatinë.   Dhe kraharori i Afërditës u mbush e u mbush me një gëzim të papërmbajtshëm dhe i erdhi që këtë gëzim t’ua shpërndante edhe të tjerëve, edhe natyrës, e të gjithë së bashku të këndonin këngën e ndërtimit të socializmit, këngën e jetës së re.”

“Patjetër që është roman i realizmit socialist. Kjo është historia e letërsisë”, thotë i qetë i qetë zoti Ilinden. “E veçanta e tij është që ka personazhe bardhë e zi, po edhe personazhe të lëkundur. Në romanin “Afërdita” që e mbaroi më 1939 dhe u botua më 1944, personazhi është thjesht një mësuese e cila shkon nga qyteti në fshat dhe tregon tërë ambientin dhe përpjekjet e saj për të emancipuar shoqërinë e viteve ‘30. Ndërsa te “Afërdita përsëri në fshat”, po kjo Afërdita ka dalë partizane dhe kthehet përsëri në fshat me ideale të tjera. E mira e këtij romani është që pasqyron periudhën e reformës agrare dhe arsimore që u zhvilluan në të njëjtën kohë. Kjo ishte një luftë mes konfliktesh, midis të pasurve dhe të varfërve, midis besimit dhe mosbesimit, midis ndërhyrjeve nga jashtë edhe nga brenda. Më duket se është nga romanet më të mirë të asaj periudhe.”

Ky emër, Afërdita hyn në letërsinë e Spasses, fillimisht nën hijen e Gjon Zaverit, në romanin “Pse?” 1935. Është vajza më e mirë e katundit me të cilën kërkojnë të martojnë Gjon Zaverin, një intelektual i tërhequr dhe i vetëpërjashtuar nga Korça e viteve ’30. Gjoni martohet pa dashuri me Afërditën dhe një ditë kryen vetëvrasje.

Në romanin e dytë “Afërdita” 1944 ajo është protagonistja që mendon se do të ndryshojë botën që e rrethon.

Studiuesit e letërsisë e cilësojnë “Pse?”-në romani i parë modern i letërsisë shqipe. Edhe “Afërdita” i përket periudhës së modernitetit të Spasses. Kur vjen puna për të gjykuar letërsinë që Spasse shkroi pas lufte, ka studiues si Sabri Hamiti që e dallojnë qartë atë nga periudha pararendëse e kulmeve artistike të cilat Spasseja “nuk i përsëriti asnjëherë me veprat e mëvonshme”. Hamiti vlerëson risitë që solli ky autor në gjininë e romanit. “Pse?”-ja, i shkruar gjatë kohës që Spasse punonte mësues në Deviçan të Gjirokastrës, inauguron romanin social me një shtresë të fortë psikologjike duke artikuluar edhe pikëpamjet e ndjeshmërisë së një brezi.

Ndërsa në romanin e dytë kemi një heroinë e cila zbulon jetën në realitetet shqiptare “por edhe bën përpjekje të jashtëzakonshme për ndërrimet e tyre. “Utopia e romanit të dytë që lartëson aktivizimin, është në kundërshtim të plotë me romanin e parë. Personazhi i Afërditës është më tepër një tip i idealizuar që ka shenjat e misionares në jetën shoqërore… Afërdita nuk ka jetë personale. Ajo jeton për të tjerët dhe me të tjerët.”

Hamiti shton (Letërsia moderne shqipe, UET Press, Tiranë, 2009) që mund të flitet për ndërrime të mëdha edhe në konceptet e vetë autorit: kemi një Gjon Zaver meditant dhe një Afërditë militante, të dy parë në raporte me realitetet e vendit. Afërdita, sipas tij është një heroinë sociale e ndërrimeve, por më shumë një heroinë morale. Kështu, veprat që Spasse shkruan mbas Luftës së Dytë Botërore, “nuk lidhen as tematikisht dhe as me stil me veprat e periudhës së parë të krijimtarisë së tij letrare”.

Te “Afërdita përsëri në fshat” personazhi flet me këtë gjuhë:

“Një ditë, duke kuvenduar te lëmi i Shemos, ashtu vetëm siç kishte qëlluar rastësisht, Stefani, sipër e sipër, u përpoq t’i nxirrte ndonjë gjë, duke e pyetur me tërë sinqeritetin e vet:

- Vërtet, Afërditë, si u bë që erdhe përsëri këtu si mësuese?

Ajo e vështroi me habi, pastaj sakaq vuri buzën në gaz.

- Më pëlqen mësuesia, më pëlqen të jetojë me fshatarët, më pëlqen t’u ndihmoj me sa mundem e t’i shoh të lumtur, shumë të lumtur. Pastaj a ka gjë të më të bukur e më fisnike sesa të punosh për popullin e me popullin.”

Kanë ndërruar konceptet e vetë autorit thotë Hamiti.

Në faqet e ditarit “Kuvendim me nipin”, letra që Spasse ia shkuan djalit të Ilindenit nga udhëtimi i tij i vitit 1975 nëpër Maqedoni e Kosovë gjejmë një përshkrim me interes për realitetet artistike që prekte Sterio Spasse para dhe pas Çlirimit e që kanë ndikuar në shijet e tij:

“Para Çlirimit jam dehur dhe entuziazmuar nga arti realist italian duke vizituar galeritë e arteve të Romës, Firences, Napolit, Peruxhies e gjetkë, arti i pikturave e i skulpturave, por njëkohësisht edhe arkitekturave. Mikelanxhelo, Rafaeli, Botiçeli, Tiziani, Giotto, Peuxhino e dhjetëra të tjerë artistë të mëdhenj të Rilindjes italiane e botërore më kanë hyrë aq fort në zemër… Që atëhere më magjepsi edhe flamandezi Rembrand edhe Van Gogu, edhe… Ou edhe sa të tjerë! Pas Çlirimit u deva me artin rus e të përbotshëm në muzetë “Ermitazh” dhe Ruski Muze në Leningrad, e në Galerinë “Tratjakoskaja” dhe në muzeun “Pushkin” të Moskës… disa herë më radhë kur shikoja veprat e Matisit e të Pikasos.”

Një shkrimtar i ushqyer me perlat e artit ikonografik botëror do të shkruajë pas Çlirimit për shenjtoret e Grykasit. Sepse kërkohej një letërsi e re, një roman i ri? “Letërsia jonë e re atëherë sigurisht që nuk i arrinte t’i plotësonte kërkesat e nevojat tona”, shkruan te “Koha e Kujtimeve”, Nasho Jorgaqi, bashkëkohës i Spasses. Ndoshta duhet shkruar “nevojat tona të reja”. Këto nevoja si fillim i plotësonte letërsia e përkthyer, kryesisht letërsia sovjetike, e përfaqësuar nga Gorki, Majakovski, Shollohovi, Fadajevi, Ehrenburgu. Por revistat e Lidhjes së Shkrimtarëve “Literatura e jonë” (më vonë “Letërsia jonë”) ku një nga penat ishte edhe e Spasses, shpallte hapur nevojën për një letërsi të re që kolonë mbajtëse duhej të kishte ideologjinë e partisë. “Kishim përqafuar një ideal që na frymëzonte për të ndërtuar një botë të re, ndërsa në Bashkimin Sovjetik ishte krijuar dhe një art i frymëzuar nga përpjekjet për të sulmuar qiejt”, shkruan jorgani, një protagonist i mjedisit letrar të asaj kohe.

Pikërisht në revistën “Letërsia jonë” botohen fragmente nga “Çlirimtarët” dhe më pas “Harbutët” i Spasses (botuar me titullin “Ata nuk ishin të vetëm”) dhe të dy u hodhën njëherësh në qarkullim. Kështu “inauguruan romanin shqiptar të realizimit socialist”. “Ata nuk ishin vetëm” u përkthye në frëngjisht, ndërsa në Bashkimin Sovjetik thuhet se qarkulloi në 200 mijë kopje.

Pa botuar

“Babait i thanë dikur përpunoje “Pse?”-në dhe ai nuk e bëri. Ishte vepra e tij më e dashur, vepra e rinisë. Thonë që “Pse?”-ja është kryevepra e tij”, thotë Ilindeni. Por ai nuk e fsheh keqardhje që në festat për 100 vjetorin e pavarësisë, nuk e sheh gjëkundi të përmendur ciklin e romaneve “Rilindësit” të Sterjo Spasses. “Sepse është i vetmi shkrimtar që ka shkruar për periudhën e Rilindjes në aspektin historik ekonomik social.” Është cikli i romaneve për “luftën heroike të popullit shqiptar kundër sundimit turk dhe shovinizmit të fqinjëve gjatë kohës së Rilindjes”.

Ilinden Spasse ka përgatitur bibliografinë e të atit e cila ka rreth 3000 zëra dhe mbi 1500 personazhe. Vetëm nga “Rilindasit” ka 900 e sa personazhe. “Ndoshta do ta botoj për 100 vjetorin e Spasses, më 2014. Çdo gjë që kam botuar për babanë e kam bërë me paratë e mia, “Pse?”, “Afërdita, përsëri në fshat”, “Të fala nga fshati”, “Simfoni e pambaruar”. Edhe vetë i kam shitur. Po kjo është një torturë. Ndihmë nuk kam. As Korça, si bir i Korçës që ishte Sterjo Spasse, nuk ka bërë gjë.”

Zoti Ilinden flet dhe për një roman që Spasseja e ka lënë të papërfunduar. “Roman për vitin e parë të pas Çlirimit. Mua më pëlqen pasqyra reale e kësaj periudhë 1945-‘47”. Them që po të ishte i realizuar, babai do ta kish botuar.”

Spasse u lind në Gllomboç të Prespës më 1914 dhe vdiq në Tiranë më 1989. Mësimet fillore i nis greqisht në vendlindje dhe i vazhdoi shqip në Goricë të madhe e në Korçë. Kreu Normalen e Elbasanit ku kishte profesorë Aleksandër Xhuvanin dhe Simon Shuteriqin. Studimet e lartë të pedagogjisë i kreu në korrespondencë në Firence. Botoi shkrimet e para në revistën “Normalisti”, bashkëpunoi me revistat “Zëri i Korçës”, “Abc”, “Rilindja”, “Bota e Re”, ku botonte shkrime letrare e kritike. Bashkë me Ismail Kadarenë kreu kursin e lartë të letërsisë në Bashkimin Sovjetik.

Shkroi: “Pse?” 1935, tregimet “Kurorë rinie” 1938, romanet “Afërdita” 1944,  “Ata nuk ishin vetëm” 1952, “Afërdita përseri në fshat” 1954, “Buzë liqenit” 1965, “Zjarre” 1972, “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978) dhe “Kryengritësit” (1983) etj.

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Leave a Reply

 
 

RADIO ALBDREAMS

 
Flash required

TV ALBDREAMS

 

SHKODRA

Foto Galeri

ARSHIVA ALBDREAMS