Më 7 tetor 2017, në bibliotekën publike “Marin Barleti”, Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, me mbështetjen e Konsullit të Nderit të Austrisë në Shkodër, biznesmenit artëdashës Gjergj Leqejza, organizoi manifestimin letrar “Vjeshtë në Shkodër”. Morën pjesë shkrimtarë, artistë, studiues e kritikë letrarë si dhe krijues nga shoqata “Art Club” e Ulqinit. Më së pari, moderatorja e këtij manifestimi, aktorja e teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku ftoi para mikrofonit shkrimtarin e shquar shqiptar Zija Çela-Nderi i Kombit, i cili përmes episodesh mjaft interesante përshkroi rrugëtimin e tij se si u bë shkrimtar. Pas fjalës së tij, që u dëgjua me interesim nga të pranishmit, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Skender Temali, i dorëzoi çertifikatën e mirënjohjes, me një dedikim ku nënvizohej se Shkodrës ku lindi e kreu gjimnazin, ai i kushtoi mjaft vend në veprat e tij. Shkrimtari falnderoi për nderin që iu bë dhe tha se Shkodrës çdo krijues i mbetet boxh.
Një çertifikatë mirënjohjeje, Mjeshtri i Madh Fadil Kraja i dorëzoi në emër të shoqatës edhe z.Gjergj Leqejza, i cili përshëndeti nga foltorja e auditorit. Një çertifikatë e tillë iu akordua edhe zj.Keti Bazhdari, themeluese e “Cati Foundation”-“Aleanca Civile per Integritet”, e cila si artëdashëse, i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme shoqatës për mirëfunksionimin organizativ të saj. Me duartrokitje u prit edhe dhënia e çertifikatës së mirënjohjes drejtorit të bibliotekës publike “Marin Barleti”, z. Gjovalin Çuni, e cila iu dorëzua nga shkrimtari shqiptaro-amerikan, Shyqyri Mollaj.
Më pas, manifestimi vazhdoi me recitime të poezive origjinale të pabotuara nga poetët pjesëmarrës dhe me një recension të studiuesit të mirënjohur Zija Vukaj të antologjisë së re të sapo doli nga shtypi “Pena e Shkodrës”, volumi i tretë, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës me përfaqësimin e 50 shkrimtarëve e studiuesve letrarë, anëtarë të shoqatës. Kjo antologji iu dhurua pjesëmarrësve dhe për nder të tyre u shtrua një koktejl në bar “Venecia”, ku u bashkëbisedua për planet e tyre krijuese. Këtu shkrimtari Zija Çela dhuroi me autograf vëllimin e tij “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, kushtuar birit të tij të humbur, Dritanit, por të mbetur si një nga shqipëruesit më brilantë nga italishtja, mes të cilëve dhe të kollosëve Dino Buxati, Luigi Pirandelo, e mjaft vëllimeve të tjera.
Ky manifestim do të pasohet me promovimet, së shpejti, të vëllimeve “Burrat vdiqën, rrofshin gratë” e “Zoja e Berishës” të Prelë Milanit”, Zbukuruesi i qytetit” e “Kur të vijë ajo ditë” të Shyqyri Mollajt dhe “Shtjellë letrare” e Zija Vukajt.