Një vit pas ngjarjeve dramatike të fillimvitit 2011, është i qartë bilanci politik: nga treshja e politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy të humburit e mëdhenj, në cilësi dhe sasi. I pari humbi fillimisht katër mbështetës të vrarë, më pas mbështetjen e ndërkombëtarëve e në fund edhe Bashkinë. Fitoi vetëm beteja dytësore dhe 20 mijë përkrahës në Tuiter, të cilët jo domosdoshmërish mund të votojnë për të.
I dyti sajoi puçin e fillimisht fitoi kohë e pastaj fitoi Bashkinë, por më pas humbi mbështetjen e ndërkombëtarëve e shumë shpejt do humbasë dhe disa nga “heronjtë” e tij të 21 Janarit. Parahyrje këto për humbjen që mund t’i vijë në zgjedhjet e ardhshme.
Por, për më keq, “Berisha” fitoi reputacionin e një qeverie që në rastin më të mirë mbron politikisht vrasës dhe hajdutë upperclass.
Paradoksalisht në këtë bilanc njëvjeçar pas 21 Janarit, Meta ishte i vetmi që fitoi. Fitoi më shumë vota më 8 maj se, më shumë se atij, i duhej Doktorit që të provonte se LSI-ja merrte më shumë vota se para skandalit të videos. Ndaj PD-ja çuditërisht u tkurr dhe LSI-ja u rrit. Meta fitoi pastaj lirinë se, më shumë Doktorit dhe jo Ilirit, i duhen votat e LSI-së në Parlament.
Dhe po të zgjedhësh t’u besosh akuzave të Priftit, këto ishin vetëm fitime ekstra për arkën politike të Ilir Metës, i cili pas një viti ndoshta do fitojë edhe një kaç më shumë.
Natyrisht një vit më pas e humbura e madhe është Shqipëria. Ajo humbi kohë, humbi statusin e vendit kandidat, humbi katër shtetas të pafajshëm. Humbi sistemin e drejtësisë, rrënoi reputacionin e të “Bukurës së Dheut”, dhe uli sytë e bukur e të turpëruar përballë syve me tualet të rënduar, të kryegardistit (nga dhuna e 21 janarit), dhe të Sashenkës (nga qejfi i zgjatjes së pensionit).
Një vit pas “ngjarjeve në Bulevard”, koha e krizës shqiptare ka mbetur në vend. Çka tregon se 21 Janari ishte kulmi i mbetur përgjysmë i saj. Ajo çka pasoi ishte përpjekje hipokrite për të mos e parë problemin në sy dhe për të zgjidhur vetëm tensionin momental. Mjaft të radhitësh disa fakte të thjeshta.
Në zgjedhje lokale palët u futën pa marrëveshje dhe pa garanci e korrigjime kodesh, çka polli superkrizën skandaloze dhe po aq të papranueshme për opinionin publik sa 4 vrasjet e bulevardit, në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës. Futja politike në zgjedhjet lokale, nga ana tjetër, ishte kosto shtesë që pagoi Rama personalisht në Tiranë, pasi mazhoranca mobilizoi me kuç, me maç e me Kaç, që ta mundte atë. Dhe kur nuk ia doli, nxori Agim Llupon e KQZ, që në mes të Bulevardit, në vitin 2011, ekzekutoi Live para kamerave, votën e lirë të shqiptarëve.
Por hipokrizia vazhdoi kur Rama pranoi si qengj rezultatin dhe bëri Kurban gjithë lëvizjen opozitare trevjeçare, duke vendosur ta spostojë atë në Tuiter. Nuk di sepse. Shpresoj që së paku të ketë një plan.
Por një vit më pas, i pandreqshmi i madh mbetet Kryeministri. Mbeta i shtangur nga ripërsëritja e kërcënimit të 23 janarit, por mendoj se më shumë se me Ramën dhe manifestimin e tij, kishte lidhje me ekspertizën e pritshme të FBI, e cila ka mbërritur që më 10 janar dhe pritet t’u vërë prangat disa VIP-ave të ngjarjeve në Bulevard. Tensioni i Kryeministrit është gjithsesi i kuptueshëm. Ai vetë ka pranuar se ka urdhëruar masat mbrojtëse rreth Kryeministrisë si dhe se ka dhënë urdhrin policisë të mos zbatojë mandat arrestet për 6 gardistët. Sot, është i pafuqishëm ta bëjë këtë, se refuzimi i provave të FBI-së do ta bënte atë fajtorin kryesor jo vetëm politik, të “dhunës së pafalshme”, siç thanë amerikanët, më 21 Janar. Sot një vit pas atyre ngjarjeve, kam frike se bilanci politik i Kryeministrit është jo i mirë.
Berisha është i kapur në grackë, se ndërsa harxhoi gjithë bateritë për gjyqin e Ilir Metës, nuk e gëzoi dot as dy ditë lirinë e tij, se shpejt do t’i duhet të dorëzojë pa kushte në qeli disa prej atyre që i quajti ‘heronjtë e 21 Janarit’. Por ndryshe nga Rama, besoj Berisha e ka një plan, dhe, mesa e njoh unë, mund të kemi edhe surpriza. Dhe prej tij, ato jo gjithmonë janë të këndshme.
Për momentin më i fituari është Meta. Vetë u lirua nga ankthi i burgut, megjithëse ishin video e tij me Priftin dhe paralajmërimet e tij nga selia e LSI-së para 21 Janarit, që nxitën më shumë se gjithçka dhunën e të dyjave palëve atë të premte të zezë. Ishte Ilir Meta që një vit më pas, në të njëjtin sfond, që i bëri dëmin më të madh të gjitha palëve: opozitës, se i zvetënoi kalin e betejës kundër korrupsionit, por edhe qeverisë, të cilës i mori erzin në publik dhe detyroi Berishën të bënte cirk publik dhe disa akrobaci zinxhir, që t’i siguronte atij pafajësinë. Iliri mbetet i madh: realizoi dy premtime të tijat të 2009-s: një jo publik, se do të shkatërronte e linte Edi Ramën në opozitë; dhe atë publik, se do të çonte Sali Berishën më herët në pension. Paradoksalisht ai po i bën më shumë dëm Doktorit duke i hyrë në qeveri, sesa po të shkonte në opozitë. Paradoksalisht gjithashtu ama, LSI po i sjell më shumë dëm qeverisë sesa opozita e Ramës.
Ndryshe nga dy të parët, që mund të kenë ose jo plan, Ilir Meta jo vetëm që kishte një plan, por edhe e realizoi atë. E futur në vlerë absolute dhe e vendosur në pjesëtore relative, kjo e bën atë fitimtarin e bilancit të një viti pas 21 Janarit.
Megjithatë, ngjarjet me gjasë do marrin një tjetër rrjedhë.
Sot, kur ekspertiza e FBI-së ende nuk është publikuar, ndërkombëtarët po flasin thuajse hapur për një skenar zgjedhjesh të parakohshme. Që ndoshta i kërkon edhe Berisha vetë. Mesa duket, i bindur t’i japë fund më shpejt dhe me nder krizës që opozita e kulmoi, por nuk e zgjidhi më 21 Janar 2011. Mesa duket, edhe këtë krizë, me stilin e tij, do ta zgjidhë Berisha.
Kësaj radhe ama, si gjithmonë, një “dorë” po ia japin sërish amerikanët.
- Home
- Bota
- Emigrantet
- Foto Lajm
- Histori
- Kosovë
- Kulturë
- Malësi e Madhe
- Politikë
- Shendeti
- Sidebar
- Sport











