Home | Histori | Mizoritë e Spaçit“Po deshët, na falni jetën, jemi të rinj”

Mizoritë e Spaçit“Po deshët, na falni jetën, jemi të rinj”

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Nga Arkivi Qendror i Shtetit publikohet për herë të parë diskutimi që është zhvilluar ndërmjet anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me kryetar Haxhi Lleshin dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, të cilët diskutuan për revoltën që shpërtheu në burgun e Spaçit në vitin 1973 dhe dhuna që vijoi pas saj. Ekzekutimi i katër të rinjve dhe ridënimi i 8 të tjerëve

Ka një moment kur edhe dora më e ftohtë mund të dridhej. Kur dikush lyp mëshirë, ai edhe mund të falet, por jo në gjyqet komuniste, madje as në sallën e Kryesisë së Kuvendit Popullor, ku njerëz të veshur me pushtet flasin për pushkatimin e katër të rinjve, sikur të flitej për gjëra të zakonshme, për punë të rëndomta shteti. “Të pushkatohen”. Procesverbali i mbajtur për gjyqin e revoltës në Spaç dhe ekzekutimi i të ashtuquajturve autorë të saj, zbardh elemente të reja të makinës diktatoriale. Lehtësia me të cilën jepeshin vendimet me vdekje nga Haxhi Lleshi (kryetar), Rita Marko, Myslym Peza, Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo, Spiro Moisiu (anëtar), të cilët pas asnjë mëdyshje dënuan katër të rinj me vdekje. Asnjë zë kundër. Asnjë dyshim kur Rita Marko thotë, pavarësisht përgjërimit: “Ju lutem bëni mëshirë, jemi të rinj”, “Dhe unë jam dakord që këta (4) të dënohen me vdekje (pushkatim)”.

Nga Arkivi Qendror i Shtetit publikohet për herë të parë diskutimi që është zhvilluar ndërmjet anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me kryetar Haxhi Lleshin dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, të cilët diskutuan për revoltën që shpërtheu në burgun e Spaçit në vitin 1973 dhe masat që u morën për ta ndaluar atë. Gjatë shqyrtimit vendoset përfundimisht se katër nga të burgosurit që morën pjesë në revoltë, do të pushkatohen, ndërsa 8 të tjerët do të ridënoheshin me 25 vite burg. Përpara se të vendosej përfundimisht për fatin e të dënuarve për revoltën në burg, katër prej tyre që ishin dënuar nga Gjykata e Lartë me vdekje, kanë bërë kërkesë pranë Presidiumit, për faljen e dënimit. Katër të dënuarit me pushkatim si dhe tetë të ridënuarit, të gjithë ishin djem të rinj nga mosha 20-35 vjeç.

Ministrisë së Punëve të Brendshme

Prokurorisë së Përgjithshme


Ju njoftojmë se Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e tij të datës së sotme, shqyrtoi dhe vendosi të refuzonte kërkesat për faljen e jetës personave, Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi, Hajri Pashaj, të cilët me vendim nr. 1, të datës 24.05.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë i dënon me vdekje këta persona.

Procesverbal, mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973, ora 13:30. Morën pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Rita Marko, Myslym Peza, Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo, Spiro Moisiu (anëtar).

Kryetari: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Çela: Në kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshin rrethin e Mirditës, të burgosurit rreth 500-600, në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmë politike. Kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre e tjera. Mbasi plasi revolta, kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike, kundër pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte se tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politikanë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër pushtetit popullor. Kjo revoltë ishte që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta e parë nga disa kërkesa doli një revoltë politike e sigurisht të nxitur nga disa elementë kryesorë. Kërkesat me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj që hedh parulla: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Rroftë Evropa e lirë”. “Juve ju është ngushtuar rrethi”. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar ku u vu ligji i tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Ne nuk do të dorëzohemi, do përdorim armë. Mbas kësaj nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua, një pjesë e mirë u tronditën nga frika. Në orën e caktuar u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave, kështu që u bë një përleshje me ta dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prunë në Tiranë, në orën 11 u zhvillua gjyqi nga të cilët katër veta i dënoi me vdekje. Nga 12, katër me vdekje.

Kryetari: Po atje filluan punë?

Aranit Çela: Sot atyre u është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre (4) dhe u është thënë se në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren më të vogël, do kenë përgjegjësi. Siç duket, situata u qetësua dhe turni i parë doli në punë. Tani gjyqi u zhvillua me 12 që janë nga kryesorët, por nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër, d.m.th 8 (të dënuar). Me 25 vjet burg ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që (4) të dënoheshin me vdekje që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj.

Kryetari: Tani shpjegimet janë të mjaftueshme, prandaj si mendoni të bëhet me këta të katër, me pushkatim?

Aranit Çela: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.

Kryetari: Për këtë vendosni ju, ku t’ju vijë më mirë.

Rita Marku: Dhe unë jam dakord që këta (4) të dënohen me vdekje (pushkatim).


Kërkesa për falje dënimi

Katër të dënuarit me vdekje kanë bërë lutje për faljen e dënimit pranë Presidiumit më datë 24.05.1973 (kërkesa për falje u është refuzuar të gjithëve), të cilët kanë shkruar si më poshtë:

Skënder Daja: “Nuk kam krijuar grupe, nuk kam dashur të bëj revoltë. Atë ditë unë bëra si bënë të tjerët, kishim frikë se mos na rrihnin. Jam i ri, do punoj dhe do sillem mirë, kërkoj mëshirë”.

Palë Zefi: “Po deshët, na falni jetën, jemi të rinj”.

Dervish Bejko: “Ju lutem bëni mëshirë, jemi të rinj”.

Hajri Pashaj: “Ju lutem, po e patë të arsyeshme ju, na falni jetën”.

Republika Popullore e Shqipërisë

Gjykata e Lartë

Tiranë

Vendim

Relacion i Gjykatës së Lartë dhe procesverbal i mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Republikës Popullore të Shqipërisë. Për gjykimin, dënimet e pjesëmarrësve të revoltës së Spaçit “kampin e burgut Spaç, të rrethit Mirditë si dhe dënimet me vdekje të këtij grupi”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, janë deklaruar fajtorë për krimet kundër shtetit, Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe në bazë të neneve 72, 73, 76 dhe 67 të Kodit Penal të RPSH-së, janë dënuar me vdekje, pushkatim.

Kryetari (Aranit Çelo)

Vendim në emër të popullit

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal përbëhet nga:

Ilmi Telegrafi, anëtar i Gjykatës së Lartë

Imer Alika
, ndihmësgjyqtar i Gjykatës së Lartë

Mithat Gaskova, ndihmësgjyqtar i Gjykatës së Lartë

Me asistencën e sekretarit Ylli Mahmutaj dhe me pjesëmarrjen e prokurorit Zaim Myftari.

Comments (1 posted):

vitor on 17 February, 2010 03:31:30
avatar
Keta ndytesina te kombit shqiptar na kane udhehequr per pesedhjete vjet, aq ma keq ka lloj njerzish(bagetish) qe votojne per te bijte e tyne.

Keta kane kene komunistat tane,
**** ** *** *****. Drite pacin ata qe u vrane prej ktyne injorantave.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0