Home | Histori | NJË ZA “USHTON” EDHE SOT: “A KA SHQIPNI EDHE PER MUE..?!”

NJË ZA “USHTON” EDHE SOT: “A KA SHQIPNI EDHE PER MUE..?!”

Font size: Decrease font Enlarge font
image

DON LAZER SHANTOJA:Ti, s’ don ma t’ vajtojmë... Rreth e rrotull Saj Ti, do, të vallzojmë... Ti, po, m’ fton të këndojmë... Në liqe t’ Shkodres s’Ate... “Mbi të bukrat vala...Eni të lundrojmë...”.

65 VJET MA PARË...

Askush nuk ia njohti zanin predikatarit të vet në Tiranë!..

Askush nuk e njohti Burrin e cunguem dy kambësh me sharrë druevari, madje, edhe Nana e vet dyshoi, a asht apo, nuk asht djali em Ky, i zhytun në një brrakë pislleku në një qeli të Tiranës...?! I nguli sytë e Saj si Shqipja, në Fëtyrën e qeshun të djalit të vet...e, Burrnisht, kërkoi:

“Ma vritni, ju lutem ma vritni, banje këte mirësi...mos e leni kështu djalin..!”, u tha, Bija e Rozafës, xhullinjve komunistë...dhe, ata, ia plotësuen “dëshirën...”, plot 65 vjet maparë...

Me datën 5 Mars 1945, në orën 5.00 të mengjezit, Don Lazër Shantojën bashkë me një nga Atdhetarët ma të devoçëm të Shkodres Sulçe Beg Bushatin, i pushkatuen në Tiranë, brinjë Lanës.

Ja, kush ishte Ky “armik i popullit” që, “zani i Tij” ushton...edhe sot, që prej vitit 1924:

 

Zani i të vdekunit!

Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi revolucionin e Francës së vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai Popull që ka një histori të mërzitëshme!”

Po kje, se, qetësia e monotonia e ndolljëve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë, Shqiptarët e sotëm do të ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatërresash, trathëtinash, ambicionesh, partishë kaq të mëdha, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk ia gjenë askund shoqën në botë.

Sot me hapjën e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të re e ngulë një cak të rinj, që ka me shënue një epokë në historinë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na Shqiptarët dëshrojmë dhe prëtëndojmë me ditë tek e fundit se ku jemi! Do të flasim me letra të hapuna! Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndolljëve të vjetëve të shkueme: lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbassodi jo, ma, era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme.

Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të filloi me u ba ma monotone! Do ta dimë edhe na njëherë atë “ubi cosistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, pasiguri të vazhdueshme ekzistenca e jonë nuk mund të vazhdohet ma.

Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bame dyqan për fitimin ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: mjaft ma qëndroi livall kulloset ku, rend mbas rendit u lëshuan politikanët e improvizuem; mjaft duruam porsi fushë eksperimentale për aventurierët kozmopolitë; mjaft pësoi e bame skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft!

 Sot Popullit i ka ardhë shpirti në fyt: sot Populli do me ditë kategorikisht:

A ka a nuk ka Shqipni?

Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i janë përgjigjë endè!

Se ka Shqipni sot e beson, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangarpaguemi, por Populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik....nuk mund ta besojë kurrë!

Janë disa vite që Shteti ynë i rinj valëzon nëpër udhën e haptë të lirisë. Si lexohët në një prej vjershave ma të bukura e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijës që udhton me një të vdekun mbrendë”. Në barkën e Shtetit tonë të rrënuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër, përveç, një trup të vdekun.

Ky i vdekun asht Populli!

Qeveritarët tonë deri sot, u kujtuan me mbajtë Shqipninë e...,  mbytne Popullin!

Por, ky Popull, sot flet! Prej gjumit të vdekjës ngritë zanin me shpresë, por edhe me guxim e kërcënim, pyet:

A ka Shqipni edhe për mue?

Po, kje se, Misët e Kuvendit Kushtetues, me ligjët që do të bajnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me iu përgjigjë kësaj pyetje, atëherë, ajo Mbledhje, nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farsës dhe fillesa e një tragjedisë!

Hyu mos e prëmtoftë!

                                               Y. (Don Lazër Shantoja).

 

Nga gazeta “Ora e Maleve”, Viti II. Shkoder, e Shtunë, 19 Janar 1924. Nr. 4.

 

 

■“...Prej gjumit të vdekjës ngritë zanin me shpresë por, edhe me guxim e kërcënim, pyet:

 

            A ka Shqipni edhe për mue?...”

 

■Përgjigje nga Fritz Radovani:

 

E di mirë Don Lazër, se çka jé tue më pvetë,

E di mirë Don Lazër, se ku Ty t’kanë tretë,

E di mirë Don Lazër, se çka pret prej meje,

E di mirë Don Lazër, se çka t’ndriste mendja,

E di mirë Don Lazër, se çka priste gjuha,

E di mirë Don Lazër, se çka asht fjalëshpata,

E di mirë Don Lazër, se çka të gufoi zemra.

E di mirë Don Lazër, se çka të thante buzën,

E di mirë Don Lazër, se çka t’prishë buzëqeshjën.

E di mirë Don Lazër, se kush t’ vërboi sytë,

E di mirë Don Lazër, se kush desht me t’mbytë.

E di mirë Don Lazër, se kush t’ theu dy krahtë,

E di mirë Don Lazër, se kush s’ desht gojëmjaltë,

E di mirë Don Lazër, se kush ti sharroi kambët,

E di mirë Don Lazër, se kush ti theu dhambët,

E di mirë Don Lazër, kush desht me t’ zhigatë...

E di mirë Don Lazër, se n’ç’kjamet të pau Nana,

E di mirë Don Lazër, se çka i lypi hasmit ....

E di mirë Don Lazër, se çka i the’ Asaj...

E di mirë Don Lazër, si t’ngushlloi Nanë-locja,

E di mirë Don Lazër, si s’e lanë me të prekë...

E di mirë Don Lazër, edhe ku, Ajo...ka vdekë...

E di mirë Don Lazër, si shunglloi Rozafa,

E di mirë Don Lazër, si n’për gji t’mkoi tamth...

E di mirë Don Lazër, si t’vajtoi me ankth,

E di mirë Don Lazër, si belbzoi Tirana,

E di mirë Don Lazër, sesi ushtoi Dajti,

E di mirë Don Lazër, sesi u skuq Lana... 

E di mirë Don Lazër, se kush të trathtoi Ty,

E di mirë Don Lazër, sesi kryet pat thye...

E di mirë Don Lazër, kush t’shporoi Ty n’parzëm,

E di mirë Don Lazër, Zemërshqipja,...u shue.

E di mirë Don Lazër, kush armët desht me t’fye,

E di mirë Don Lazër, se n’ Kryq mori shenjë...

E di mirë Don Lazër, ...Flut’rove me Enjë...

E di mirë Don Lazër, pse, pat Shqipni për Ty

E di mirë Don Lazër, ata ujq t’kanë shkye!

E di mirë Don Lazër, se  Ajo,... asht barka Yte...

E di mirë Don Lazër, se bash brinj Rozafës...

 Ti, s’ don ma  t’ vajtojmë...

 Rreth e rrotull Saj Ti, do,  të vallzojmë...

 Ti, po, m’ fton të këndojmë...

      Në liqe t’ Shkodres s’Ate...          

         “Mbi të bukrat vala...Eni të lundrojmë...”.

 

            Melbourne, Mars 2010.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0