Zbulohet varri masiv i 80 viktimave të komunizmit
Alibeaj: Si e gjeta në Ballsh varrezën e përbashkët.
Kërkoi për 20 vjet me radhë eshtrat e gjyshit dhe xhaxhait të pushkatuar nga komunistët, por pas shumë kërkimesh, ra në gjurmët e një varreze masive në Ballsh. Janë plot 80 të ekzekutuar nga diktuara diku afër një përroi, në kufirin që ndan fshatrat Usojë dhe Kalenjë, në zonën e Fierit. Enkelejd Alibeaj, i cili lindi në një barakë prej kallamishteje në internim, në Seman, do të donte që mes atyre eshtrave të ishin edhe ato të të afërmve të tij. Por ai ndjehet mirë, pasi në fund të fundit, një mundësi të tillë do ta kenë familjarët e tjerë të viktimave të komunizmit. Ekskluzivisht për “standard”, ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti i PD-së në Qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj, tregon për kërkimet e pafund, që e çuan deri tek varreza masive në zonën e tij elektorale. Ai disponon listën e plotë, me afro 80 emra të ekzekutuar gjatë kohës së diktaturës në këtë burg dhe të groposur në varrezat e repartit 309/1 në Ballsh. Përbri çdo emri është një numër që korrespondon me vendndodhjen në varrezë. Por z.Alibeaj nuk shmang dot historinë e tij familjare, që nis me pushkatimin e gjyshit në ‘43-shin, me xhaxhanë një vit më pas, internimin për 42 vjet me radhë në Shterpas të Fierit dhe pse vendosi të studiojë për drejtësi. Z. Alibeaj, që e ka të vështirë t’iu kthehet atyre ditëve plot ankth dhe frikë, ndonëse drejtoi Ministrinë e Drejtësisë dhe aktualisht deputet i PD-së, ende nuk ka mundur të gjejë eshtrat e gjyshit ballist, dhe të marrë dëmshpërblimin si ish-i përndjekur politik. Sepse diktatori u fshiu edhe emrat, u fshehu dhe trupat, por nuk mundi dot të zgjasë pafundësisht mizorinë mbi jetë të pafajshme...Z. Alibeaj, fundjava juaj e zakonshme, është pranë elektoratit fierak?
Çdo fundjavë, shkoj dhe bëj takime në zonën time elektorale, por këtë herë vajtja ime në Fier ka një domethënie tjetër.
Cila është ajo?
Një varrezë e përbashkët me 80 kufoma që i përkasin ekzekutimeve të kohës së diktaturës. Ju po thoni se keni zbuluar një varr masiv të viktimave të komunizmit? Po, po, tamam kështu është. Kam arritur të identifikoj 80 njerëz të pushkatuar në kohën e diktaturës. Kam arritur të gjej emrat, pozicionin ku ndodhet varreza e përbashkët. Dhe ku ndodhet konkretisht kjo varrezë? Ndodhet në Usojë, një fshat në Fier. Aty ka qenë një burg në kohën e diktaturës. Bëhet fjalë pikërisht për kufirin mes fshatit Usojë dhe Kalenjës, afër një përroi që ndodhet në atë zonë.
I përket zonës suaj elektorale?
Po, ndodhet në zonën time ku jam zgjedhur deputet.
Si arritët deri tek gjurmët e varrezës?
Kërkimet e mia filluan në maj të vitit 2009. Atëherë isha ministër i Drejtësisë dhe bashkë me strukturat lokale nisëm nga puna, e cila u ndërpre fillimisht për shkak të fushatës elektorale të qershorit dhe zgjedhjeve parlamentare. Kështu që e rinisa sërish punën time të nisur dhe po bashkëpunoj me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë dhe familjarë të viktimave për listimin e plotë të emrave.
Ku keni arritur deri tani?
Kemi gjetur listën e njerëzve të pushkatuar, vendlindjen, ditëlindjet, akuzat dhe arsyet e vrasjeve. Kemi listën e plotë me numrat rendor, për të cilën u deshën kontaktet me banorët deri dhe hapjen e arkivave. Përbri çdo emri është një numër që korrespondon me vendndodhjen në varrezë. Kemi skicën e plotë të vendndodhjes së varrezës. Figurojnë emrat e të afërmve tuaj në listën që dispononi? Për fat të keq jo. As emri i gjyshit, as i xhaxhait. Në listë janë të burgosur nga e gjithë Shqipëria, nga veriu dhe jugu, por jo emrat e tyre.
Ju vjen keq për këtë?
Sigurisht, por ndjehem mirë që u arrit të gjenden eshtrat e 80 të pushkatuarve të tjerë, të cilëve familja ka mundësi t’iu bëjë një varr. Keni kontaktuar me ta? Momentalisht po procedojmë me gjetjen e familjarëve, të personave të pushkatuar dhe më pas me zhvarrosjen e të varrosurve. Jemi në kontakte të vazhdueshme për të plotësuar të gjithë informacionin që duhet. Dhe kur keni vendosur ta hapni varrezën? Më datën 21 maj, në shenjë simbolike të ditës së revoltës së ish-të burgosurve politikë në burgun e Spaçit. Disponoj listën e plotë me afro 80 emra të ekzekutuar gjatë kohës së diktaturës në burgun e Ballshit dhe të varrosur në varrezat e repartit 309/1 po në Ballsh. Ky burg ka funksionuar deri në vitin 1990, ashtu si ai i Spaçit dhe Burrelit dhe ka pasur të burgosur politikë. Z. Alibeaj, ju vetë vini nga një familje e persekutuar nga diktatura, me një gjysh dhe xhaxha të pushkatuar.
Ua keni gjetur eshtrat?
Xhaxhait po, kurse gjyshit jo. Bashkë me familjen time kemi 20 vjet që s’kemi lënë vend pa kërkuar dhe njeri pa pyetur, por deri tani nuk dimë asgjë.
Përse janë akuzuar?
Gjyshi im, Bektash Alibeaj, nga Cakrani i Fierit, ishte një nga eksponentët e Ballit së bashku me bejlerët e zonës, kurse xhaxhai im, Avni Alibeaj, ishte një nga drejtuesit e batalionit të Ballshit, po në Fier. Në tetor të vitit 1943, komunistët rrëmbejnë gjyshin dhe e pushkatojnë diku në rrethinat e Fierit, në një fshat, Daullas, si anti-komunist. Ata erdhën në shtëpi, e morën dhe nuk e kthyen kurrë më. Edhe sot nuk e dimë vendndodhjen e varrit të tij.
Çfarë ndodhi me xhaxhanë tuaj?
Xhaxhai im bashkë me Zylyftar Zeleshnjën drejtonin çetën e Ballit në Skrapar dhe u kapën nga komunistët, po në Skrapar, në vitin 1944, pra një vit pasi kishin vrarë gjyshin. Të dy i morën dhe i lidhën me tela me gjemba. Xhaxhai në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç. I pushkatuan që të dy. Si arritët të gjenit eshtrat e tij? Mundëm t’i gjenin eshtrat vetëm në vitin 1993. Na tregoi një plakë nga Skrapari, që në atë kohë ajo kishte qenë një vajzë shumë e re dhe kulloste delet në momentin që i kishte parë komunistët dhe dy të arrestuarit e tyre të lidhur me tela e gjemba. Ajo kishte qenë duke bërë triko dhe në momentin që i kishte parë u kishte thënë komunistëve: “Pse këtë të riun?” ... dhe i kishte rënë lëmshi në tokë. Xhaxhai ishte përkulur dhe ia kishte dhënë në dorë. Pasi e kishin shtyrë komunistët, ajo vajzë, vetëm pas disa çastesh kishte dëgjuar të shtënat e armëve. Pra, i kishin vrarë që të dy me plumba pas koke.
Shoh që ju bëheni keq kur e tregoni historinë e tij, kaq i dhembshur ishte momenti i gjetjes së eshtrave?
Ishte shumë i rëndë, ndoshta edhe për faktin se ne i gjetëm të dy trupat të lidhur njëri me tjetrin bashkë me telat me gjemba. I kishin hedhur në një gropë ku nxirrej qymyri. Telat me gjemba i kishin në kokë. Ishte tmerr t’i shikoje... (për një moment hesht).
Cili ishte reagimi më pas i komunistëve ndaj familjes suaj, që tashmë kishte dy meshkuj të pushkatuar? Fillimisht familjes sonë ia sekuestruan të gjithë pasurinë (ishin bejlerë) dhe në vitin 1948, të gjithëve na çuan në internim në Selenicë të Vlorës. Në atë kohë im atë ishte vetëm 10 vjeç, ndërsa xhaxhai tjetër, 8 vjeç. Hallat ishin pak më të rritura. Në Selenicë qëndruan vetëm 2 vjet. Në vitet ’50-të, komunistët ndërtuan një kamp përqendrimi në Shtepas, kuptohet qartë nga emri, posaçërisht për internimin e kosovarëve dhe i rrethuar nga çdo anë me tela me gjemba. Aty e çuan edhe familjen time. Më vonë, Shtepasi mori emrin Semani i ri. Përveç kosovarëve dhe ne, aty erdhën edhe të internuar të tjerë nga të gjitha rrethet e vendit. Në vitin 1973, shteti në atë kohë filloi të ndërtonte disa banesa, por prindërve të mi nuk u dha shtëpi, edhe pse jetonin bashkë me xhaxhanë në një dhomë. Kështu që ata nisën të ndërtojnë pa marrë leje një shtëpi me kallamishte, ku linda unë dhe më pas im vëlla.
Kur e kuptuat se ishit një i deklasuar?
Kam qenë në shkollë, në klasë të parë. Mësuesja ime bashkë me disa fëmijë të tjerë e nxori emrin tim në tabelën e nderit, si nxënës i dalluar në mësime. Por kjo nuk zgjati shumë. Emri im u hoq nga aty, për të mos u vënë më asnjëherë. Për këtë, pyeta prindërit e mi në shtëpi, se pse m’u bë kjo padrejtësi dhe ndonëse në shtëpi ata kishin frikë të flisnin, e kuptova se diçka nuk shkonte... Ju si fëmijë e ndjenit frikën që kishin prindërit tuaj? Mbaj mend që çdo dy javë, në kamp kalonte një “Zuk” i Degës së Brendshme. Në momentin që e shikonim që vinte, të gjithë mblidheshim në shtëpi dhe dëgjoja nga prindërit: “Na erdhi radha...”. Pra ishte frika se do të na merrnin dhe nuk dihej se ku do na çonin.
Deri në çfarë viti qëndruat në internim?
Familja ime qëndroi atje deri në vitin 1992, por unë ika që andej në vitin 1987, sepse ma ndanë shkollën përgjysmë dhe s’më linin ta vazhdoja. Kështu që prindërit menduan të më sillnin fshehtas në Tiranë, tek një kushëri i familjes, ku u strehova dhe munda të bëja klasën e 8-të dhe më pas shkollën e mesme tek shkolla “10 korriku”.
Mësuesit e shkollës në Tiranë, e dinin se ju ishit një “armik i popullit”?
Fillimisht jo. Madje mësuesja kujdestare, që s’dinte gjë ngaqë mësoja në mësime, më pyeti se çfarë do të studiosh më pas... Por pas një jave, dikush nga zona ku kisha familjen të internuar kishte çuar në shkollë një letër dhe tregonte se kush isha dhe nga ç’familje vija. Kur letra mbërriti në shkollë, më erdhi zysha kujdestare dhe më tha: “Po ti pse s’ke treguar se kush je...”. Kështu që u detyrova të largohesha dhe fati im ishte se në shkollën e mesme “10 korriku”, ishte drejtor një kushëri i nënës sime, i cili më mori dhe bëri çmos të më ruante nga “letrat” që mund të vinin nga Fieri.
Po nëna juaj, çfarë familjeje i përkiste?
Edhe nëna ime vinte nga një familje e pasur, nga Pobrati i Beratit. Gjyshi i saj, Islam Pobrati Shehu, ka qenë bejlerë, kurse i ati i saj, Hamza Pibrati, u burgos dhe u dënua në vitin 19949 si agjent i grekëve, këtë akuzë i vunë komunistët. Fillimisht e mbajtën brenda 5 vjet dhe pasi e nxorën, e riarrestuan në vitin 1986. Dhe akuza ishte qesharake, se gjoja kishte mbledhur shokët e tij dhe kishte festuar vdekjen e Enveri Hoxhës në prill të 1985-ës, bashkë me tre dajat e mi, të cilët i çuan në burgun e Spaçit. Kështu që u dënuan sërish deri sa erdhi koha e demokracisë dhe u lirua.
Çfarë rrjedhe mori jeta juaj më pas?
Pasi mbarova shkollën e mesme në Tiranë, në vitin 1991, pasioni im ishin shkencat ekzakte. Fillova studimet një vit për fizikë. Por në vitin 1992, sapo fitoi zgjedhjet PD-ja, u ndanë disa bursa për fëmijët e ish-të përndjekurve politikë. Nga kjo përfitova dhe unë një bursë për në Fakultetin Juridik, duke i ndërprerë studimet për fizikë.
Ju thatë se kishit pasion fizikën, por a mos ishin studimet për juridik një lloj sfide për të vendosur më në fund drejtësi?
Dikur kishim frikë nga prokurorët, gjykatësit, hetuesit dhe të studiuarit për drejtësi është arsyeja për të mposhtur frikën dhe jo një zgjedhje e lirë e imja.
Sot pas 20 viteve të rrëzimit të diktaturës, si ndjeheni kur rikujtoni ato kohë të vështira?
Dua të them vetëm një gjë. Familja ime kur erdhi nga internimi në Tiranë, në kohën e demokracisë, u vendos diku afër burgut 313. Dhe sa herë kaloj aty, nuk guxoj të hedh sytë nga frika...
Por ju arritët të bëheni edhe ministër i Drejtësisë shqiptare, por që nuk mundët të merrnit dot dëmshpërblimin e viteve të burgut të gjyshit dhe xhaxhit tuaj. Përse?
As që bëhet fjalë. Unë si ministër i Drejtësisë u mora me të gjithë ish-të përndjekurit politikë, por vetë si person nuk përfitoj dot dëmshpërblimin e viteve të burgut. Kjo, për faktin se as për gjyshin dhe as për xhaxhanë nuk ekziston asnjë dokument, as që janë arrestuar dhe as që janë pushkatuar. Dhe pa këtë dokumentacion, dëmshpërblimi është i pavlefshëm.



del.icio.us
Digg
Comments (4 posted):
Po jo vetem dhimbje. Edhe deluzion e hidherim i shpirtit.
Dhe thuhet se ne Shqipri ka fituar demokracia!!!
Vetem dhimbje, mashtrim e tradheti.
E si munde te kete qetsi ne ate vend ku eshte mbushe ne çdo pellembe ne eshtna te pa fajshmish, te hedhun ashtu pa meshire e çnjerzisht, si qen te ngordhun e, ku kriminelet nuk tregojne asnje shenje pendimi.
Nazistet kurre nuk kan vra, torturue e mbyte me kaq gjakftohtesi viktimat e tyne.Gjermani gjermanin kurren e kurres.
Por shqiptari shqiptarit ja bani aqe sa nuk do kishte guximin tja bente as Sllobodani.
Nuk munde te kete qetsi e paqe pa drejtesi.
Toka shqiptare ne çdo pellembe te saje therret per kete...jo hakmarrje,drejtesi veç drejtesi...
Po kush do çoje drejtesin ne vend???
Sala,Rama apo Ruçi????
...hej sikure te kisha nje grusht te forte...pat thirre Migjeni.
E t'ja rrasi ne koke politikes injorante...ket e them une...
E.M.
Ish ministri, jo vetem si i demtuar qe eshte, por dhe me mire do te ishte te tregonte planin e kerkimeve te pushkatuarve, bashkpunimin me organet e pushtetit ne komuna, me elemente e deshmitare dhe jo me fushate, por si pjese perberse e planit te pergjithshem qe rrjedhe nga ligjet e vendimet e marrura nga qeveria.
Te mos kujtoje ndonjeri se keto shkrime, intervista i vlejne vetem te persekutuarve; kure jane te sinqerta, ne kohe, ne hapsire dhe qe permbushin kerkesat e plota te perndjekurve, ja vlejne gjithe popullit shqiptare. Une mendoj se eshte problemi me kryesore per shoqerine shqiptare, per keto njerez qe diktatura i persekutoj. Presidenti qe perfaqeson unitetin e popullit, duhej ta merrte si detyre e obligim per ta cuar deri ne fund, jo vetem kur ja kujtojne.
Une, disa here kam sugjeruar ne komentet e mija, se shperblimi i te denuarve mund te behet shume kollaj, duke vendosur nje takse te vogel per tere shqiptaret qe kane ikur nga Atdheu per arsye te ndryshme. E para duke e legalizuar me akte normative. Cdo njeri do te ishte dakort per kete ndihme qe mund ti behet qeverise ne keto kriza ekonomike. Kam tash 2-3 vcjet qe e sugjeroj dhe asnje nuk me ka atakuar,ofenduar, e sulmuar per kete mendim. Ceshtja e shlyerjes se te burgosurve politik ka nje fillim dhe nje mbarim. Ata te mos perdoren vetem kure tu rezikohet pushteti; sepse edhe qeveria qe do te vinte, ka nje detyrim per te plotsuar.
Eshte gabim dhe mashtrim i madh, kur luhet me fatkeqsine e tyre, kure ne themelet e qendreses per te mbajtur pushtetin(kushdo parti qofte), padrejtesisht, ndersejne e vene ne levizje te denuarit politik; duke hiperbolizuar urrejtjen qe kane ndaj socialistes.
Une mendoj se te denuarit politik nuk kane organizate as drejtues; sepse nuk di ndonjerin prej tyre te jete ne poste drejtuese. E kam pare listen qeverise me grada e tituj, por asnje prej tyre te jete i denuar i ideollogjise. Turp dhe iazik u qofte te tera qeverive, prandaj dhe i marrin nepergoje, se jane nje, e majta dhe e djathta.
Tu marre shkas nga kto ngjarje tragjike te koheve te fundit, te gjetjes se eshtnave ne varret masive viktima te barbarise çnjerzore komuniste, deshiroj t'ju propozoj si ma poshte:
-Ne emen te Albdrems-it, tu shtue ne funde edhe emrat tane,(te gjith atyne qe e shofin te arsyeshme e deshirojne, te çojne emnat e tyne) ti drejtohemi qeverise demokratike me nje thirrje, ne qofte se rrjedhe nje pike gjak demokracie ne damaret e saje, ti propozojme ngritjen e nje ministrie emergjente, me detyre te vetme gjetjen dhe rivarrosjen me dinjitet, ne menyre civile e njerzore, alla kristiançe, te gjitha viktimat e barbarise çnjerzore komuniste.
Eshte gjeja ma e vogel qe demokracia duhet te bejne per te mbylle ket plage te rende çnjerzore.
Nje gje e tidhe nuk ka nevoje per hapje dosjesh apo investime madhore, mjafton hapja e dokumenteve dhe ndigjimi i deshmitareve, gje e cila nuk munde te behet pa vudhnetin e mire te qeverise.
Shpresoj ne perkrahjen tuaj dhe te lexuesve te Albdrems-it te kesaj inisiative.
Pershendetje te gjitheve. E.Miculi.
Post your comment