Perkthyesja e lidereve. Belushi, Topit: Do të të bëj yll në Hollivud
Edhe Berisha është shumë i saktë ndoshta ngaqë është doktor ai i kupton emocionet e përkthyesit dhe të lë kohë dhe unë ndjek çdo timbër të zërit të tij dhe futem në kohën e duhur. Kam përkthyer për Fatos Nanon, ai është shumë erudit, dhe të zë frika se çfarë do të thotë.
Ka pasur një jetë si një përrallë. Bija e një aristokrati, që do të kalonte një jetë me sfida, por asnjëherë e mundur. Përherë në kërkim të realizimit të një ëndrre, të cilën qysh fëmijë i ati i saj ia injektoi. Dashuria e madhe për anglishten, dashuria e madhe për gjuhën shqipe, të jetuarit nën diktaturë dhe më tej, shoqëruesja e turistëve të huaj në Shqipëri që do të rizgjonte pasionet e saj të hershme. Dolores Dhima është padyshim nga ata njerëz që ka një jetë më se interesante. Me një eksperiencë të pashoqe, ajo ka përkthyer thuajse për gjithë liderët shqiptarë, një copëz të atyre kujtimeve do ta sjellë sot në këtë intervistë për "Bulevardi VIP".Dolores, ju jeni një përkthyese e njohur, si lindi dashuria tek ju për gjuhët e huaja?
Do ta nis rrëfimin tim që fëmijë. Progresin në jetën time ia dedikoj qytetit tim të lindjes, Korçës dhe babait tim (nëna më la katër vjeç). Rininë time të hershme e kalova në Korçë dhe Tiranë dhe unë në atë kohë njihja vetëm këto dy qytete dhe mendoja se e gjithë Shqipëria është Korça dhe Tirana. Jam rrethuar që fëmijë nga libra të trashëguara nga babai im. Në atë kohë korçarët e tjerë kërkonin që fëmijët t'u studionin gjuhë të tjera dhe nuk e di pse babai im nguli këmbë që unë të mësoja anglisht që në moshë të vogël. Kështu, më prezanton me disa miq të tij, që më vonë nga Enver Hoxha u quajtën edhe armiq të popullit. Mes tyre ishte edhe Anton Frashëri. Në fakt unë isha më e vogla nga të gjithë njerëzit që bënin mësime private dhe ai filloi të më mësonte anglisht kur ende nuk ishte futur anglishtja si gjuhë e huaj në shkolla.
Dhe ju e keni mësuar që në atë kohë anglishten me mësime private?
Po, pasi ndahesha nga babai im që ishte erudit, shkoja tek profesori im, i cili kishte vetëm një dhomë me disa mure që ishin gati duke rënë dhe të gjitha muret ishin të rrethuara me libra dhe ai më thoshte që, "do ta lë në testament që kur të vdes, këta libra të jenë të tutë". Këtu fillonte dhe kontradikta ime, shkoja në shtëpi dhe thosha, kur do vdesë profesori, që unë t'i marr librat dhe pastaj qaja, sa keq unë po kërkoj të vdes një njeri që unë e dua shumë, pasi e doja siç doja babain dhe gjyshen time që më rriti. E doja barazisht këtë njeri dhe ai më thoshte që unë do të të bëj si veten time, ai dinte gjashtë gjuhë të huaja dhe më thoshte që sa herë dilja jashtë shtetit, në çdo vend që shkoja kisha qejf se i flisja gjuhët kudo që të shkoja dhe unë thosha, po një ditë do bëhem e tillë unë? Me këtë ëndërr u rrita, që dikur të mësoja gjuhët dhe të shëtisja vendet. Imagjinoni për një vajzë të vogël në kohën e diktaturës të ketë ëndrra të tilla, është diçka e paimagjinueshme, megjithatë unë rrojta me një ëndërr të tillë. Gjithashtu ai ishte edhe sekretar i Fan Nolit dhe çuditërisht ai vazhdonte të mbante korrespondencë me të. Dhe në atë kohë të diktaturës, Fan Noli i dërgoi atij një Bibël, të cilën ma ka treguar. Ai gjithashtu më ka treguar se çfarë është Amerika. Mësova shumë nga ai njeri dhe nga babai im.
Ju keni vazhduar më tej studimet për anglisht?
Qëlloi që për herë të parë u hap shkolla e gjuhëve të huaja dhe fatmirësisht unë shkova në vitin e parë të gjuhëve të huaja në shkollën e mesme për anglisht. Ishte e vështirë në atë kohë, por babai arriti të më çonte mua në shkollë, por vuajti shumë represione prej kësaj, pavarësisht se ai kishte dhënë shumë për vendin dhe për luftën, përsëri nuk i largohej epiteti 'Bej'. Kështu që unë vazhdova të studioj librat i pata pasion, mbarova shkëlqyer me mësime, kishim pedagogë shumë të mirë dhe kam admirim për ta, si për shembull Mira Shuteriqi, Drita Draçini, Muhamet Kapllani etj, të cilët për mua ishin idhuj. Kështu e kam mbaruar unë shkollën, në një kohë që kisha mësuar përmendësh gjithë Shekspirin dhe kjo mund të duket çmenduri. Më pas unë u punësova në Sarandë, sepse u njoha me tim shoq, i cili ishte sarandjot. Në fillim më mbajtën tek Ministria e Jashtme, pastaj urgjentisht më çuan në Sarandë, bëheshin propozime për të më mbajtur pedagoge, por dikush foli që unë isha mbesa e tradhtarëve, kështu që unë nuk munda kurrë të jap në fakultet atë që kisha dëshirë. Doja shumë të jepja leksionet e letërsisë anglo-amerikane, e kisha ëndërr të jepja Shekspirin, por nuk munda, kështu që për të realizuar ëndrrën time torturoja nxënësit e vegjël duke u mësuar Shekspirin, por ata e mësuan dhe u bënë shumë të mirë.
Ju keni qenë edhe shoqëruese e grupeve turistike, si e kujton këtë eksperiencë?
Unë jetoja në një qytet të vogël dhe ishte sikur unë të isha internuar, sepse të vija të takoja njerëzit e mi në Tiranë, duhet të bëja 10-12 orë rrugë e duhet të rrija në radhë për një biletë autobusi; kur hipje në tren, nuk dije ku të lije fëmijën, e kështu që kur më thanë të shoqëroja grupet turistike, unë e pranova me shumë gëzim. Edhe për faktin se do të kisha mundësi të takoja njerëzit e mi e njëkohësisht do të takoja një botë tjetër, të cilët me mua do të flisnin sinqerisht. Në fakt unë nuk e kam dashur kurrë diktaturën, por mund të them se disa gjëra ishin të mirëorganizuara dhe për të mundur në atë kohë botën borgjeze, duhej treguar një imazh i mirë i vendit ndaj turizmi ishte shumë mirë i organizuar. Kur vinin turistët i çoje në restorantet më të mira, siç ishte hotel "Dajti" në atë kohë, në Berat etj, në vende ku ishin shefat më të mirë të kuzhinës etj, shoferët e Albturizmit po ashtu shumë të edukuar, etj.
A ishit e vërtetë me ta për t'u thënë ndonjëherë se jeta reale nuk ishte ashtu?
Më kapte tundimi ndonjëherë. Merrja mikrofonin dhe u thosha "Mirë se erdhët në Shqipëri! Shqipëria është një vend shumë i bukur... Shqipëria ka arritur emancipimin e grave...", sepse ashtu duhej të flisnim dhe turistët më kurajozë më pyesnin: "Ç'emancipim flet moj zonjë, kam ardhur që nga Saranda në Tiranë dhe gjithë rrugës pamë që tokat i punonin vetëm gratë, nuk pamë asnjë burrë"... dhe pastaj kur u flisja për ritmet e zhvillimit të ekonomisë ata më thoshin "çfarë thua, nga Saranda në Tiranë ne pamë vetëm autobuzë publikë nuk pamë asnjë makinë". Kështu që detyrohesha që t'i tregoja ndonjërit se si ishte realiteti, por përsëri ishte frikë se thosha mos është ndonjë agjent yni ky që më pyet... Megjithatë ato ishin dritare për mua.
Po pas ndryshimit të sistemit si vijoi jeta juaj?
Unë vendosa të realizoja ëndrrën time, ato ëndrra që unë i kisha pasur që fëmijë, të shëtisja botën. Gjatë diktaturës studiova dhe gjuhë të tjera të huaja, ky studim ishte me dhimbje se pata dëshirën të bëja dhe tre fëmijë dhe librat e mi të gjuhëve të huaja janë me njolla vaji, njolla patatesh se bëja disa punë njëherësh. Më pëlqeu të jepja provim frëngjishten dhe mbrojta romanin "Shën mëria e Parisit" dhe aty mora 10, ndërkohë isha me tre fëmijë me prindërit e burrit në familje dhe u them të gjithëve, njeriu e gjen kohën kur nuk ka kohë, në momente dhimbjesh njerëzit prodhojnë gjëra të mëdha. Pikërisht në ato momente unë kam bërë gjëra shumë fondamentale. Punoja dhe si inspektore në shkollë dhe ishte një punë e bukur. Pastaj hapa agjencinë time turistike, ndër të parat, dhe përpiqesha të prezantoja një imazh tjetër të Shqipërisë. Bëja reportazhe me temën "Sa të dua o vendi im". Pastaj fillova të punoj si përkthyese simultante në konferenca, ky ishte kulmi i pasionit tim. Aty mund të tregoja talentin tim, dëshirën time për gjuhën por njëkohësisht mund të luaja bukur me gjuhën shqipe. Ne kemi një gjuhë shumë të bukur dhe nuk e dija se sa e bukur ishte para se të nisja përkthimin simultan. Pastaj të qenit si përkthyese ka edhe sfidën e vet nuk je thjesht përkthyese, në anglisht quhet interpretuese sepse nuk përkthen vetëm por interpreton mendimin e tjetrit. Dhe të jesh një interpretues i mirë duhet të kesh edhe dhunti të tjera, të kesh kapërcyer frikën nga skena do të të duhet të flasësh përpara gazetarëve, por megjithatë ke emocion të përkthesh artistë.
Tek këta të fundit le të ndalemi pak. Ju keni përkthyer Jeams Belushin. Na tregoni ndonjë detaj të marrëdhënies suaj me të...
Belushi flet pa letër, lëviz interpreton nuk është e thjeshtë. Unë u lidha shumë me atë njeri, pata frikë dhe para se ta përktheja atë në skenë ishte presidenti, trupi diplomatike, etj aty ai do të merrte nënshtetësinë shqiptare. Jeams Belushi të çlironte nga gjithë emocionet, më lehtësoi nuk shikonte nga audienca por më pa mua drejt e në sy, si për të thënë mos ki frikë dhe unë u çlirova. Ai fliste lirshëm e madje kthehet nga presidenti dhe i thotë: "Je shumë i bukur, do të të bëj yll Hollivudi". Dhe siç fliste ai, fillova të flisja dhe unë të lëvizja si ai, po bëhesha si ai, harrova frikën, harrova gjithçka, kalova në një ekstazë... ishte emocionuese.
Po nga përkthimet me politikanët, çfarë do të veçonit?
Kam përkthyer edhe kryeministrat, presidentët e vendit tonë dhe janë përkthime emocionuese. Si politikanë shpesh kam ndeshur me kritikat që u bëjnë njerëzit por mua më kanë respektuar. Shoh që meshkujt shqiptarë po bëhen shumë kavalierë. Kam përkthyer për Fatos Nanon, ai është shumë erudit, dhe të zë frika se çfarë do të thotë. Tjetër është përkthimi në kabinë, nuk merr vesh njeri kur gabon, por kur je përballë gazetarëve dhe të përkthesh atë nuk është e lehtë. Dhe njëherë më ndodh që ai thotë një fjali "arti ynë është i ngjizur në shakullin e besës shqiptare". Hajde të të kujtohen fjalët "ngjizur" apo "shakull" në ato momente. Lavdi zotit unë i kujtova dhe e bëra menjëherë, por kur mbaruam më falënderon kryeministri në atë kohë dhe më thotë isha i vështirë? Dhe i tregova se ku i gjete në një fjali fjalët ngjizur dhe shakull. Edhe Berisha është shumë i saktë ndoshta ngaqë është dolktor ai i kupton emocionet e përkthyesit dhe të lë kohë dhe unë ndjek çdo timbër të zërit të tij dhe futem në kohën e duhur.
Ju keni përkthyer edhe gjatë eksodit të kosovarëve. Si e kujtoni?
Më thonë që duhet të përkthej në TVSH drejtpërsëdrejti kur shqiptarët po dëboheshin nga Millosheviçi, duhet të përktheja drejtpërsëdrejti CNN, ABC sepse korrespondentët shqiptarë nuk mund të shkonin në atë zonë, dhe më tepër u mbuluan nga reporterët e huaj shumë të guximshëm. Kështu që unë këto dueht të përktheja dhe kisha dhe kërshërinë sesi do të raportohej kjo ngjarje nga reporterët e botës ky genocid ky krim i madh. Ishte fatkeqësi ajo që ndodhi por ishte edhe ana tjetër pozitive që kishte shumë dhimbje bota për kosovarët dhe këtë dhimbje unë duhet ta përktheja. Njëkohësisht ishte dhe drejtoi Edi Mazi që më dha të drejtën që unë të komentoja dhe ajo ishte ëndrra ime. Kështu që unë veç interpretimit edhe komentoja.
Çfarë gjërash ju kanë mbetur në mendje nga ai transmetim?
Ato përkthime ishin natën unë filloja në 12 të natës dhe shkoja në mëngjes në shtëpi dhe isha gati ta bëja ata gjë pa u paguar sepse aty ishte shenjë patriotizmi jo e atij patriotizmi që na detyronin të bënim punë të detyruar, por ishte diçka që unë e bëja pa më detyruar askush. Më kanë mbetur dy gjëra ne mendje, në atë kohë ishte z.Ilir Meta kryeministër dhe unë kap papritur që fillon të flasë Bill Klinton dhe u them zonjave të teknikës, ju lutem më lidhni sepse po flet Bill Klinton, - më thonë është duke folur kryeministri shqiptar, - u them që po flet Bill Klinton shumë mirë për Shqipërinë dhe atëherë më lidhin direkt me z.Bill Klinton. Ai ka mbajtur një nga fjalimet më të bukura, por ajo që më mbeti në mendje është kur i thotë serbëve që "ju vërtetë keni një të kaluar për sa kohë ajo e kaluar fillon të gllabërojë, skllavërojë tokën duhet harruar!" Ishte e paharrueshme. Një moment tjetër kur kam përkthyer dhe kam komentuar është; unë përnatë isha mësuar të përktheja karvanët që vinin nga Kosova, çdo natë vinte një karvan, atë natë reporteri interviston vetëm një vajzë, ajo po ecet vetëm në atë që thuhej "Toka e askujt", kur e pyesim dhe i themi pse nuk je me të tjerët, pse nuk je me karvanin, ajo thotë më mbajtën ushtarët dhe më përdhunuan. Kjo ka qenë shumë e tmerrshme! Por unë jam një grua shumë kozmopolite dhe kur më bënë një kërkesë për të bërë paraqitjen e një skenari për një dokumentar së bashku me të nderuarin Ylli Pepo, unë paraqes një skenar "Nëna ime armike". Unë që bëra këto përkthimet, përkthimet në Hagë, kisha dëshirë që të vinte një ditë dhe njerëzit të bashkoheshin sepse në fëmijërinë time më ka dhënë një ndihmë shumë të madhe e vetmja grua serbe që ka jetuar në Korçë dhe ajo është sjellë si nëna ime dhe unë për këtë e bëra një skenar dhe e quajta "My enemy mother", ndoshta do të vijë një kohë që nënat do t'i bashkojnë këto kombe.
Për sa i përket përkthimeve në Hagë, në çfarë periudhe keni përkthyer?
Kam përkthyer në kohën kur sapo ishte arrestuar Millosheviçi, por nuk ndenja shumë sepse nuk duhej ta lija vajzën time maturante vetëm, përktheva për pak kohë.
Dhe juve nuk ju lejua që të tregonit asgjë mbi ato përkthime?
Unë mund të them vetëm kaq, që unë përktheva në Hagë për një periudhë të shkurtër kohore, në kohën që ishte Millosheviçi gjallë dhe vetëm kaq, sepse unë jam përkthyese profesioniste dhe kodi ynë thotë që përkthimi duhet të jetë konfidencial. Më vjen keq që nuk thuhen dot të gjitha, por është ajo shprehja: "Hap një vrimë e foli pusit", kështu që unë këto gjëra i bisedoj vetëm me Doloresin.



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment