Home | Kronike | KE: “Të hetohen zgjedhjet, opozita në Kuvend”

KE: “Të hetohen zgjedhjet, opozita në Kuvend”

Font size: Decrease font Enlarge font
image

“Këshilli i Evropës propozon një tryezë të të gjitha partive politike për zgjidhjen e situatës”

Këshilli i Evropës i bën apel opozitës dhe qeverisë shqiptare për të gjetur gjuhën e dialogut, me qëllim daljen nga kriza politike që ka pllakosur vendin. Në një draftrezolutë që do të diskutohet më 28 janar në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg, i kërkohet qeverisë të ngrejë një komision hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve të 28 Qershorit, ndërsa opozitës i bëhet thirrje urgjente të kthehet në Parlament, nga ku së bashku me mazhorancën të punojnë për realizimin e reformave të rëndësishme. Asambleja kërkon që autoritetet shqiptare të zbatojnë rekomandimet që erdhën pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, dhe të realizojnë ndryshimet ligjore në bashkëpunim me komisionin e Venecias. Ky komision i kërkon presidentit të Republikës, Bamir Topi, të luajë rolin e ndërmjetësit, në gjetjen e një konsensusi për ti dhënë fund bojkotit të opozitës, si dhe për ndreqjen e problemeve të zgjedhjeve të shkuara. KE këshillon një tryezë të të gjitha partive politike për zgjidhjen e situatës. Ajo tregohet e gatshme të kontribuojë për zgjidhjen e kësaj situate. Draftrezoluta prej 14 faqesh përmban 10 pika që paraqesin problemet dhe shqetësimet e BE-së në lidhje me Shqipërinë dhe më pas dhe tre rekomandimet konkrete për zgjidhjen e krizës. Kjo draftrezolutë është hartuar nga dy reporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshare dhe Jaakko Laasko, të cilët vizituan Shqipërinë në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.
Draftrezoluta
1. Asambleja Parlamentare disaprovon krizën politike dhe institucionale, e cila ka paralizuar politikën shqiptare, në vijim të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, ku Partia Socialiste në opozitë bojkoton Parlamentin dhe konteston legjitimitetin e Qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike. Në një Parlament ku mazhoranca qeverisëse nuk ka 3/5 (tre të pestat) e votave të duhura për të kaluar reformat kryesore kushtetuese, ky bojkot bën që reformat më shumë të nevojshme të jenë të pamundura. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tyre të integrimit evropian.
2. Asamblesë i vjen keq që ky bojkot ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, delegacioni i ri shqiptar pranë Asamblesë nuk është caktuar ende dhe anëtarët e delegacionit të vjetër, përfaqësues të opozitës, nuk marrin pjesë më në aktivitetet e Asamblesë.
3. Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar dhe rekursi tek bojkoti, në mënyrë të veçantë pas rezultateve të zgjedhjeve, përbën një problem të ripërsëritur në Shqipëri, që seriozisht pengon funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit.
4. Asamblesë i vjen keq se në mungesë të një dialogu domethënës parlamentar, retorikat e zjarrta po përdoren nga të gjithë ata që janë përfshirë të to. Kjo situatë mund të destabilizojë vendin.
5. Asambleja kujton se Shqipëria ka aplikuar formalisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 28 prill 2009. Më 16 nëntor 2009, Këshilli ftoi Komisionin Evropian të paraqesë opinionin e tij mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Megjithatë, në situatën aktuale, progresi i vendit drejt integrimit evropian është bllokuar. Është domethënëse që Shqipëria, jo si tre vendet e saj fqinje, nuk është kualifikuar ende në liberalizimin e vizave nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
6. Asambleja shpreh gatishmërinë e saj për të ofruar një ndihmë për të arritur zgjidhjen në Shqipëri dhe të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me organizata të tjera ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje të krizës politike. Mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti shqiptar, Bamir Topi, për të mbledhur së bashku partitë politike. Në këtë këndvështrim, konsideron se një tavolinë e rrumbullakët, ku të marrin pjesë të gjitha partitë politike për të vendosur bazat për të rivendosur dialogun parlamentar.
7. Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të procedojnë me reformat jetike dhe shumë të nevojshme dhe të shënojnë progres në drejtim të integrimit evropian, një qëllim i përbashkët për të gjithë. Në mënyrë të veçantë, kërkon që qeveria të ngrejë pa vonesë, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, si dhe në të njëjtën kohë i kërkon opozitës të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë tërësisht në punimet parlamentare.
8. Asambleja u kërkon autoriteteve shqiptare të implementojnë rekomandimet e Komitetit ad hoc të Byrosë, që ka vëzhguar zgjedhjet e qershorit 2009, për të përmirësuar, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, kuadrin legjislativ zgjedhor dhe të përmirësojnë kapacitetet e administratës zgjedhore, në mënyrë të veçantë në sa vijon:
8.1 Regjistri i gjendjes civile dhe regjistri zgjedhor dhe në këtë kontekst, nevoja për ti gjetur zgjidhje problemit të së drejtës e votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë;
8.2 Rregullimi i mbulimit nga mediet dhe përdorimi i fondeve publike në fushatat zgjedhore, të cilat disavantazhojnë parti politike jo të përfaqësuara në Parlament;
8.3 Rregullat e transparencës ndaj pronësisë së medieve dhe zbatimit me efektivitet;
8.4 Mënyra e zëvendësimit të anëtarëve të komisioneve të niveleve të ulëta, çka është e papajtueshme me një administratë zgjedhore të paanshme dhe profesionale;
8.5 Kushti i paqartë për të përfshirë gratë në listat e kandidatëve, që duhet riparë, në mënyrë për të garantuar që kandidatet gra të jenë në një pozicion të zgjedhshim;
8.6 Nevoja për të shfuqizuar garantimin e të drejtave të veçanta në zgjedhje për partitë politike që janë në Parlament.
9. Asambleja fton zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri të ngrenë një grup të përbashkët për të ekzaminuar të gjitha rastet e presionit mbi njerëzit gjatë fushatave elektorale dhe të vendosin përgjegjësi për secilin nga kundërvajtësit apo shkelësit e ligjit elektoral.
10. Në mënyrë që të mbështetet procesi i zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojnë presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit dhe përpjekjeve për të rivendosur dialogun politik dhe ti jepet fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e demokracisë parlamentare, Asambleja vendosi ti kërkojë:
10.1 Presidentit Topi, në qoftë se ekziston ndonjë rrugë për të ndihmuar përpjekjet e tij në arritjen e pajtimit;
10.2 Komitetit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë, nëse mund ti sugjerojnë Asamblesë veprime të tjera;
10.3 Grupeve të saj (Asamblesë) politike të ushtrojnë influencën e tyre tek përfaqësuesit e partive politike shqiptare;
10.4 Komitetit Presidencial së bashku me bashkëreporterët e Komitetit Monitorues të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur pas sesionit së janarit 2010 të Asamblesë.

Draft-rekomandimet
Çfarë propozohet të bëhet për kalimin e krizës


1. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i referohet Rezolutës.... (2010), që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, përmes së cilës dizaprovon krizën politike dhe institucionale që ka paralizuar politikën në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, ku Partia Socialiste në opozitë bojkoton Parlamentin dhe konteston legjitimitetin e qeverisjes së Partisë Demokratike.
2. Duke kujtuar se Këshilli i Evropës ka detyrën statusore për të ndihmuar një shtet anëtar, i cili kërkon të tejkalojë një krizë të rëndë politike në pikëpamjen kushtetuese dhe demokratike, Asambleja rekomandon se Komiteti i Ministrave:
2.1 të përfshihet në mënyrë aktive, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në terren (në Shqipëri), në kërkim të një zgjidhjeje politike të kësaj krize dhe të mbështesë përpjekjet për të mbledhur të gjitha partitë politike në një tavolinë bisedimesh;
2.2 konsideron monitorimin e zhvillimeve në Shqipëri, mundësisht duke përfshirë këtë çështje në axhendën e Grupit të Raporterëve për demokracinë (GR-DEM), si një mundësi për të propozuar çdo aksion tjetër të Komitetit të Ministrave, nëse do të kërkohet sipas situatës;
2.3 angazhimin në dialog me Asamblenë për mënyrën se si Organizata mund të kontribuojë për një zgjidhje të krizës aktuale.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0