Zbulohet një varr masiv me eshtrat e 19 viktimave të komunizmit
Shqipëria është vendi i fundit në Europën Lindore që nuk i ka hapur ende arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit.
Zërat prej shumë vitesh se në Dajt, janë pushkatuar me dhjetëra njerëz, nuk mund të quhet më një fantazi e shthurur, por është një e vërtetë që brezat e rinj duhet ta dinë.Që atje ka pasur ngjarje të rënda, kryesisht vrasje politike, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi; por që atje të kishte edhe trupa të ekzekutuar shumë vite para pluralizimit në Shqipëri. E hëna ka qenë dita më e populluar e luginës së pabanuar përtej Dajtit. Dhjetëra makina policie, hetues e prokurorë, por edhe thuajse të gjithë përfaqësuesit e medias ishin nisur në zonën, ku u gjetën eshtrat e 19 personave, të cilët dyshohet se janë pushkatuar nga regjimi komunist.
Vendi ku u gjetën eshtrat ndodhet në komunën e Linzës, rrezë malit të Dajtit, 50 m larg arkivës së Bashkisë së Tiranës.
Personi që ra i pari në gjurmët e tyre e eshtrave është rreth të 50 tave. Ai nuk do të identifikohet, ndërsa i pyetur, sesi mund të identifikohej në media thotë se “më quani si të doni. Unë kam hallet e mia. Jam biznesmen dhe nuk kam asnjë mundësi të jem përballë mediave, apo interesave të të tjerëve. Kam kërkuar për eshtrat e tim eti, të vrarë diku rreth viteve 1990. Pas kërkimeve për disa ditë me radhë gjeta edhe eshtra të tjera. Njoftova Policinë dhe kaq është e gjitha”.
Vetëm këto fjali mundëm të shkëpusim nga personi që kishte gërmuar për disa ditë në Dajt, ndërsa aty mësuam se një oficer policie ishte vënë si truprojë, pa ditur se për çfarë arsyesh. Eshtrat në qese plastike nuk ishin të lidhura as me pranga dhe as me ndonjë mjet tjetër, por thjesht kanë qenë të futura në qese të zeza. Ne disa prej skeleteve janë gjetur edhe sende personale si orë, varëse etj. Dyshohet se eshtrat i përkasin personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist për agjitacion e propagandë. Në vendin ku u gjetën eshtrat, pa dyshim që kishte edhe njerëz kuriozë. Një prej tyre, sikur ta dinte pyetjen u përgjigje se “këtu ishte vendi, ku pushkatoheshin njerëz nga regjimi i egër komunist".
Shqipëria është vendi i fundit në Europën Lindore që nuk i ka hapur ende arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit. Për pasojë, të dhëna të sakta mbi të burgosurit politikë të vrarë nga regjimi nuk janë përpiluar ende. Shoqatat e ish të burgosurve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan gjatë regjimit komunist nga viti 1946 deri në vitin 1991.
Dy dekada pas rënies së komunizmit, mijëra familjarë të të burgosurve politikë të ekzekutuar ende po kërkojnë se ku prehen të afërmit e tyre. Një debat vijon prej shumë vitesh nëse duhet apo jo të hapen arkivat e shërbimeve sekrete. Ndërkohë, autoritetet shtetërore nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar familjarët e viktimave që të gjejnë eshtrat e të ekzekutuarve. Shumë ish të burgosur politikë dhe familjarë të viktimave besojnë se bashkëfajësia e elitës politike dhe intelektuale të ditëve tona dhe ish-udhëheqësisë komuniste do të thotë se vështirë se do të ketë ndonjëherë një proces të pavarur për të hedhur dritë mbi krimet e një prej diktaturave më brutale në botë.
Rrëfen juristi Skënder Haluca: Di një varr tjetër në periferi të Shkodrës
Juristi Skënder Haluca, që prej vitesh është në stafin e zyrtarëve të Avokatit të Popullit ka mbetur i shokuar nga lajmi i publikuar për gjetjen e një varri masiv në Dajt. Zbulimi i varrit masiv ka risjellë edhe njëherë në kujtesën e shqiptarëve krimet e komunizmit dhe detyrimin e shtetit për t’i kthyer të zhdukurit pranë familjeve të tyre.
Haluca, i cili është i prekur direkt nga diktatura, pasi regjimi komunist e burgosi dhe më pas i vrau babain thotë se “ky varr nuk është i vetmi dhe kjo bazohet në dëshmitë e familjarëve të viktimave të pushkatuar nga komunizmi të cilët kërkojnë prej shumë vitesh të afërmit e tyre. “Një rast është në periferi të Shkodrës pranë antenave të Radio Shkodrës, ku janë varrosur Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, dy persona të ekzekutuar pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984.
Familjarët e tyre i zbuluan pas shumë vitesh kërkimesh në gjithë vendin.
Tjetër rast është një person në pyllin e Sodës në Vlorë, ku familjarët gjetën eshtrat e dikujt tjetër dhe i qajnë sikur të ishin të familjarit të tyre dhe ky nuk është rasti i vetëm”, thotë komisioneri Skënder Haluca. Sipas tij, Avokati i Popullit ka nisur një hetim prej dy vitesh për gjetjen e të zhdukurve prej regjimit komunist.
Por ka ardhur koha që nismat për hapjen e varreve dhe kthimin e eshtrave pranë familjes, t’i marrë shteti e jo më familjet. “Ne i kemi rekomanduar kryeministrit Berisha të ngrejë një komision hetimor në përbërjen e të cilit të jenë përfaqësues nga SHISH, prokuroria, Avokati i Popullit, dhe mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, pasi këta duhen për të identifikuar eshtrat. Me kryerjen së shpejti të analizës së ADN në Shqipëri, kjo gjë s’do të jetë më problem”, thotë Haluca, ku nuk e fsheh trishtimin për çfarë ka ndodhur, por edhe për shumë familje që ende nuk kanë asnjë shenjë nga të afërmit e tyre.
Shpërblim për ata që do të dëshmojnë
Qeveria do të vendosë shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë me informacione. Do të paguhen të gjithë ata që kanë dijeni për njerëz të ekzekutuar, të cilët ende konsiderohen të zhdukur. Këtë e bëri të ditur kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Pohimi i kryetarit të qeverisë erdhi pak orë pasi në zonën e malit të Dajtit, gërmimet rastësore të një banori vendas, çuan në zbulimin e eshtrave të disa shtetasve që rezultoi se ishin vrarë me plumb pas koke dhe ka dyshime të forta se janë viktima të pushkatimit nga regjimi komunist. “Varri i përbashkët i zbuluar është një apel për shoqërinë shqiptare”, theksoi Berisha dhe shtoi: “Nuk i ekzekutoi serbi dhe as pushtuesi, por ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta trajtojmë në mënyrë më serioze dhe më të vendosur këtë çështje, pasi në vendet e tjera ish-komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave, për gjetjen e trupave”. Berisha shprehu keqardhjen për faktin se “nuk dihet ku prehen eshtrat e shumë njerëzve, intelektualë të cilët ekzekutoheshin vetëm e vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror.
“Nuk mund të them për kohën e ekzekutimit, por e sigurt është se ata janë ekzekutuar me plumb pas koke, janë gjetur të gjitha kafkat me një vrimë plumbi”, deklaroi Berisha. Pas kësaj, shefi i qeverisë shqiptare paralajmëroi se do të kërkohet mbërritja e pajisjeve për të kryer kërkime të tjera për të gjetur eshtra eventuale në zonën e Dajtit. Sipas kryeministrit, “ngritja e një task-force, e cila të mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor, për besimin te Zoti, besimin te vendi, besimin te vlerat, është i domosdoshëm”. Ai përmendi dhe faktin se merr shumë kërkesa nga qytetarët që duan të dinë fatin e njerëzve të zhdukur në periudhën e regjimit komunist. Po ashtu Berisha propozoi ngritjen e një instituti, i cili “synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarisë së regjimit komunist”. “Instituti ka gjithashtu të drejtën e dërgimit në prokurorinë e vendit, të materialeve të cilat faktojnë krimet e rënda, por nuk ka të drejtë as të ketë seksione prokurorie dhe as gjykate”, - tha Berisha. Megjithëse Parlamenti i Shqipërisë miratoi vitin e kaluar një ligj që synon të ndalojë ish-zyrtarët e lartë të komunizmit, si edhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, kritikët thonë se ai ligj, përveç faktit që nuk i hapte dosjet për publikun e gjerë, u hartua qëllimisht keq, në mënyrë që të dështonte në Gjykatën Kushtetuese. Një ligj tjetër i ngjashëm i miratuar në vitin 1995, u konsiderua gjithashtu i pavlerë dhe u hodh poshtë. Gjykata Kushtetuese e anuloi ligjin e fundit të lustracionit vitin e kaluar. Pavarësisht kësaj, asnjë deputet i Parlamentit të Shqipërisë, përfshi edhe disa deputetë që kanë qenë të burgosur politikë, nuk propozoi kurrë një ligj për t’i ngarkuar qeverisë detyrën e gjetjes dhe identifikimit të eshtrave të të pushkatuarve.
Familjarët e viktimave thërriten për ndihmë
Policia e Tiranës doli në orët e mbrëmjes së të hënës me një variant zyrtar të eshtrave që u gjetën në Dajt. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, eshtrat janë gjetur nga familjarë, në një luginë në fshatin Qerret të Komunës së Dajtit, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të Ish-Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.
Në këqyrjen e vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç eshtrave të gjetura nga famijarët, më datë 08 shkurt 2010 u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore – thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë. Janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit, pjesëtarë të familjeve të viktimave të regjimit komunist që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmëve të tyre të pushkatuar. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës dhe në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore vazhdon puna për kqyrjen e të gjithave eshtrave dhe mbetjen kockore, të cilat ndodhen në Morgun e Tiranës. Po vazhdon puna, për kryerjen e të gjitha ekzaminimeve kriminalistike, mjekoligjore dhe antopologjike, për identifikimin e tyre. Nga deklarimet paraprake, - thotë Policia, bëhet fjalë për skeletet e 19 personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e regjimit komunist. Ndërkohë, ekspertë të Policisë së Tiranës kanë nisur hetimin edhe në arkivën sekrete të Ministrisë së Brendshme, me synim gjetjen e dokumenteve që do të lehtësonin identifikimin e eshtrave që u gjetën në Dajt. Sipas të dhënave të deritanishme, në arkivën e Ministrisë së Brendshme janë dokumente të viteve 1980 e më pas dhe jo ato para viteve 80.
Në këtë mënyrë, pritet që ekspertët e Policisë të nisin një hetim edhe në arkivën e shtetit, me qëllim gjetjen e të pushkatuarve në Dajt nga sistemi diktatorial.



del.icio.us
Digg
Comments (6 posted):
te ekzekutuar ne malin me Gropa" (sipas "gazetes gojore" te asaj kohe,sic thote vete ai).........
Sot,kur mori vesh per varret masive u kujtua!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!...........
Saliu i do shume te persekutuarit...sidomos ata qe nuk jane gjalle........................
"Kur te shoh me sy - me merr malli per ty!",thote populli...
Mirepo Sali Berishes i vjen edhe frymezimi ne keto raste:"...demokracia nuk mund te flere mbi varre..." ,cfryn
ai me tersellim...
He,se na kujtove vete,mesoje atehere dhe dicka nga ne populli per demokracine qe ty te digjet xhani:
DEMOKRACIA NUK DO TE FLERE GJITHASHTU,AS MBI VULLNETIN E POPULLIT TE "groposur" NE KUTITE E VOTIMIT TE 28 QERSHORIT 2009!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
DHE DIJE MIRE,PER TE MBULUAR KETE KRIM
NUK DO TE TE VIJNE NE NDIHME AS TE GJALLET DHE AS TE VDEKURIT.............
edhe sot e kesaj dite i merret jeta me ligj nga shteti personave, kur ata shkelin ligjet,dhe ne demokraci madje,ne amerike.
dhe, ata te ekzekutuarit, edhe do te varrosen diku.
ne shqipri ligji nuk e lejonte qe kufomat ti merrte familja,ne amerik po,
ky esht ndryshimi i vetem i fatit te te ekzekutuarve te mijevjecarit te kaluar ne shqipri nga te ekzekutuarit e ketij mijevjecari ,ne amerik.
...koh mijvjecaresh!.Por turp , turp per qeverine demokratrike qe ne keto2)vjet zberi asgje per ata q ja u treten edhe vorret e tash mburren se jemi demokrat Jane mekomunista se te Enverit.
Vetem shikoni se kush eshte prokurori i kesaj ceshtje: nipi i Hysni Kapos...!!!
Mas 20 vjetesh u kujtuan se ka mbi 5000 te pushkatuar qe nuk u dihet varri??!!
Me ben te me rrenqethet trupi kur shoh se me cfare dinjiteti u trajtuan keto eshtra duke i fut neper thase plasmasi mare e mrapsht si kocka bagtish...po kaq kulture kemi ne te shkretet,,,turp,,,
Post your comment