AlbDreams.net: JERUSALEMI QYTETI I SHENJTË I TRI RELIGJIONEVE JERUSALEMI QYTETI I SHENJTË I TRI RELIGJIONEVE ================================================================================ AlbDreams on 07 February, 2010 09:54:00 JERUSALMEI... edhe pse aq shpeshherë nga adhuruesit e tij të verbër u quajt “perëndim i paqes”, kurrnjëherë ky qytet i mundimeve të Krishtit, i kryqëzimit dhe i vdekjes së tij, për 2000 vjet me radhë, nuk qe i lidhur me kuptimin e paqes. Në asnjë vend të shenjtë mbi rruzullin e tokës nuk kanë rrjedhur aq lumenj gjaku, sa në këtë qytet të vogël mbi kodrinëzat e madhërishme të Judesë. Tri religjionet e mëdha të botës, ajo hebreje, e krishterë dhe islame e zgjodhën për qytet të adhuruar. Askund nuk u bënë aq shumë lutje sa në këtë qytet. Nga fillimi i erës së re, qyteti plot 11 herë u pushtua, 5 herë duke u rrënuar plotësisht deri në dhe, por të mbeturat e tij akoma ruajnë kujtimet nga e kaluara (edhe pse arkeologët thonë se Jerusalemi biblik prehet 20 m. nën shtresën e trash të dheut). Nga fillimi i epokës sonë, Jerusalemi u bë lodër e historisë. Së pari legjionet romake e bënë shkrumb e hi, duke djegur çdo gjë të kulturës hebraike. Në vitin 614 e rrënuan persianët. Më 637 e pushtoi kalifi Omer (Ymeri). Më 1072 vërshuan selxhukët: kurse më 1099 kryqtarët. Sulltan Seladini e rrëmbeu më 1187 nga kthetrat e kryqtarëve; kurse më 1617 muret e tij i sulmuan turqit osmanë. Më 1917 hynë trupat angleze në të. Sakaq, më 1948 jordanezët dhe izraelitët kacafyteshin marramendshëm për qytetin e shenjtë. Nën trysninë e madhe të Kombeve te Bashkuara u arrit pajtimi dhe secili kundërshtar mbajti pjesën, të cilën veç e kishte pushtuar. Kështu, u krijua një kufi i rastësishëm dhe absurd, i cili ndau atë që mijëra vite ishte një tërësi. Muri i Vajit është mbeturina ndoshta më karakteristike e kohës së lashtë. Kjo është mbeturina e fundit nga tempujt hebraik, të cilët i asgjësuan romakët. Ai përbëhet nga katrorët gjigantesk prej guri, 1.80 m. Është i lartë 18 metra dhe i gjatë 48 metra. 11 shtresa gurësh janë mbuluar pothuaj plotësisht me dhe, kurse 14 rende gurësh ende mund të shihen. Por tragjedia shekullore e qytetit të shenjtë nuk goditi vetëm simbolet e kulturës hebreje. Vendet e shenjta të krishtere përjetuan të njëjtin fat, si ato hebreje. Kalvari dhe Varri i Shenjtë, për të krishterët, janë vende, rreth të cilave, si rreth ndonjë qendre, sillet çdo gjë në Jerusalem. Kalohet nëpër labirintin e rrugicave dhe, befas, njeriu gjendet para fasadës romake të Varrit të Shenjtë. Do mbresa të mugëta janë gjëja e parë që të imponohen në këtë vend. Në mes të pallatit gjigant, prehet në një rreth kapela që lidhet me ngjarjen e shenjtë, kishëza me varr. Njëra nga kapelat qëndron mbi murin e Golgotës. Nën kapelën kishtare ndodhet kapela e vogël prej mermeri, me parakopsht, e ashtuquajtura “Kapela engjëllore”, prapa së cilës ruhet varri i Krishtit, një vend i vogël në të cilin më së tepërmi mund të qëndrojnë katër vetë. Aroma e temjanit mbushë ajrin. 43 shandan të shtrenjtë, pa nda ndriçojnë hapësirën. Para varrit gjunjëzohen me respekt pelegrinë, të kredhur në lutje. Ky, pra, është guri, mbi të cilin, sipas Biblës, në varr qëndronte trupi i Shpëtimtarit. Pesë fe të ndryshme: greko-ortodokse, romako-katolike, siriane, kopte e jakobine, si dhe një bashkësi e vogël kishtare siriane, e kanë ndarë të drejtën mbi kishën e Varrit të Shenjtë. Ata xhelozisht vigjilojnë mbi kapelat, me llamba e kontribute vullnetare. Në vetë varrin përfaqësuesit e këtyre religjioneve ndërrohen me plan, rreptësishtë duke pasur kujdes që kontributet as rastësisht të mos hedhen në pjatën e adhuruesve të religjionit tjetër. Por, që në Jerusalem, aq herë të djegur e të demoluar, të përcaktohen saktë vendet e shenjta është tejet vështirë dhe do të duhej punë identifikuese shkencore. P.sh. vetëm Rruga e vajit, nëpër të cilën, sipas rrëfimeve biblike, Krishti bartte kryqin e tij, dhjetëra herë gjatë shekujve ka ndërruar vendin. Kurse tabelat tregojnë 14 vende të mundshme. Vetëm në kopshtin Getemon, rrëzë kodrës së ullinjve, akoma është qetësi, si para 2000 vjetësh, prej nga shihet horizonti i largët mbi qytetin me shumë murana të lakuara. Nëpër portin e artë të murit kryesor, thuhet, hynte Krishti me gomarin e tij në Jerusalem; prandaj, gjithnjë deri në shek. VIII, patriku grek i Jerusalemit, çdo vit, në vigjilje të Kërshëndellave, hynte në qytet në të njëjtën mënyrë. Pastaj, arabët e murosën derën, meqë u frikësoheshin parashikimeve të lashta, sipas të cilave një pushtues krishterë, nëpër atë portë, një ditë, do të hynte në Jerusalem. Por, Jerusalemi nuk është vetëm për hebrenjtë dhe të krishterët qytet i shenjtë. Edhe myslimanët e kanë ndër tri vendet e shenjta, pas Mekës dhe Medinës, meqë, sipas legjendave islame, mu nga Jerusalemi, mbi kalin me krahë, Burakun, Muhamedi fluturoi në parajsë. Kjo ka ndodhur në një vend të shenjtë, të cilin e nderuan edhe hebrenjtë, në Haram-ash-Sharif. Mbreti Davit në atë vend të egër ngriti altarin e flijimit, kurse Solomoni, 960 vjet p.e.r. ngriti tempullin e parë hebrej. Dhe mu në atë vend arabët, nën protestën e fuqishme të hebrenjve, ndërtuan përmendoren e madhe të fluturimit të Muhamedit në qiell - kjo është Xhamia prej Guri, kuriozitet i qytetit të Jerusalemit. Ajo kurrë nuk shërbe si xhami, edhe pse shpesh për të u përdor emri xhamia e Omerit. Me kupolën e saj të punuar në ar, ndërtesa paramendohej si kurorë e shkrepit të shenjtë, kurse falje aty nuk pati asnjëherë. Për atë qëllim, në këndin juglindor të qytetit u ndërtua xhamia magjepse, Al -Aksa. Tetë palë shkallë çojnë nga të gjitha anët kah kjo ndërtesë. Në ditën e gjykimit, thotë një legjendë myslimane, do të jetë nga këtu e deri në Kodrinën e Ullinjve e ngrehur një qime kali. Të gjithë besimtarët e mirëfilltë do të kalojnë të ekuilibruar nëpër të, kurse mëkatarët do të hedhen në mallkimin e përhershëm. HASAN HAMËZBALAJ