Seks, dollarë dhe këngë
Është pasardhësja e Paris Hilton për çmenduritë që lidhen me alkoolin dhe episodet erotike (por jo për drogat). Ka arritur suksesin me fintet e saj seksi. Autoportreti i autores së këngës më të shkarkuar në internet
“Për 22 vjet jeta më ka tërhequr zvarrë me këmbë, por tani më takon mua të luaj me të dhe do ta bëj me shumë kënaqësi”. Këto janë fjalët dhe mendimet e Kesha Sebert, krijesa e egër e San Fernando Valley, nga Kalifornia. Suksesi planetar i hitit të saj, “Tik Tok” (është kënga më e shkarkuar nga interneti e të gjitha kohërave), dhe ai i albumit “Animal” (një bestseller botëror) kanë për të shijen e ëmbël të hakmarrjes. “Ndihem si personazhet e Quentin Tarantino. Ata që nuk shfaqen kurrë marrin fitoren dhe e dinë se si të bëjnë keq”, i thotë këto fjalë e bindur. Ajo që të bie menjëherë në sy është fakti se ka veshur disa centimetra stof që e mbulojnë në pikat më strategjike. Qëndron e palëvizur në një kolltuk të hotelit “Princi i Savojas” në Milano.
Keni vapë apo është vetëm çështje look-u?
Sot jam më shumë se e veshur. Nëse do të më takonit në ndonjë diskotekë do të shihnit se rrobat e mia do të ishin krejtësisht të padukshme.
Keni marrë mësime nga Paris Hilton? E dimë që keni marrë pjesë në një nga puntatat e spektaklit të saj, “The simple life”.
Paris nuk ka ndonjë gardërobë të madhe. Kur më ftoi në shtëpinë e saj, kontrollova të gjithë dollapët e saj dhe për fat të keq nuk kishte asgjë të të mbetej merak. Kështu që i lashë një kujtim “në repartin e dimrit”. Shumë “Jack Daniel’s!”. Që prej asaj dite nuk më telefonoi më kurrë.
Thuhet se edhe Prince nuk dëshiron më t’ju shohë në vilën e tij në Beverly Hills…
Aty nuk është se bëra dëme. Thjesht mora pjesë në një mbrëmje për t’i dhënë një kasetë me këngët e mia. Isha pak centimetra larg tij, por truprojat zbuluan se nuk kisha bejxhin e hyrjes dhe më fluturuan jashtë sikur të isha ndonjë hajdute. Unë e bëra vetëm që ai të arrinte të dëgjonte këngët e mia.
Thuhet se ju keni pikë referimi një stilist pak të veçantë: Keith Richards, pjesëtarin e grupit “Rolling Stones”, një burrë 66-vjeçar, i veshur si një anije piratësh…
E adhuroj mënyrën e tij të të veshurit me lecka që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në fakt, Keith ka stil dhe klas.
Mendoj se ju jeni e para në botë që i bëni komplimente për mënyrën e veshjes…
Ai është një burrë i vërtetë, i egër sa nuk ka ku të shkojë. Nga pamja e jashtme duket si i përgjumur, por sipas meje ka një instinkt kafshëror të jashtëzakonshëm, sidomos kur nuhat aromë femre.
Seks, alkool, keni diçka për të shtuar edhe rreth temës së drogës?
Ajo nuk më intereson. Droga është një lojë e rrezikshme ku e paguan ti në të gjitha kuptimet. Ndërsa me seksin është ndryshe: mund të jetë mërzi ose ekstazë. E bukura vjen kur humbet vërtet kontrollin dhe bën ato gjëra që më pas të vjen turp t’i kujtosh, por që ua tregon me detaje të limituara shoqeve, ndërsa shijon një birrë. E dini, femrat i tregojnë gjithçka njëra-tjetrës, po absolutisht gjithçka.
Do t’ju pëlqente të ishit e paanshme si Madonna?
Ajo është një gjeni. E ka kuptuar e para që meshkujt nuk arsyetojnë me kokë. Ju lutem mos më bëni të them se me çfarë arsyetojnë.
Adoleshenca e vështirë duket një stereotip që përshkon biografitë e të gjitha vajzave të reja të famshme amerikane. Në rastin tuaj ka diçka të vërtetë?
Jam bijë e një nëne që ka qenë shumë e re kur më lindi mua. Kemi jetuar për vite nëpër baraka dhe ka pasur raste që për një javë ose dy kemi qëndruar në varrezat e makinave, të strukur në një qoshe. Ka ndodhur që u kemi kërkuar për të ngrënë asistentëve socialë, sepse nuk kishim asnjë dollar në xhep. Ju mjafton kaq?
Thonë që ju jeni biseksuale. Është e vërtetë?
Kam kaluar net të paharrueshme me vajza të tjera dhe jam kënaqur shumë, por nuk do ta quaja veten biseksuale. Nëse nuk ha mish për një javë, nuk do të thotë se i jam kthyer kuzhinës vegjetariane. E keni të qartë konceptin? Seksi është një arenë e lirë, për fat të mirë.
Në thashethemet që thuhen për ju nëpër gazetat rozë, asnjëherë nuk flitet për ndonjë të dashur tuajin...
Tani jam vetëm, por kam pasur një histori të rëndësishme, me një tip të rrallë. Ishte nga ata meshkuj që fillimisht të ulin në një tavolinë, pastaj kujtohen të të thonë mirëdita.
Ishte tipi juaj ideal?
Nuk do të thosha ideal, por perfekt për këtë fazë të jetës sime. Për fat të mirë karriera më ka ndihmuar. Më ka ndodhur të dal edhe me një tip të kollarisur e të parfumosur dhe kur u kthye në shtëpi mbante erë si buall, sepse shkuam në disko dhe qëndruam deri në mëngjes. Pra, siç e shihni nuk jam në fazën “më elegante” të jetës sime.
Sa ngjasojnë këngët tuaja me muzikën që luhet në disko?
Shumë. Muzika dens elektronike e albumit tim të parë është kolona zanore e mënyrës se si unë jetoj tani. Kur të jem më pak e egër dhe transgresive atëherë këtë gjë do ta shihni të pasqyruar edhe në disqet e mia.
Mendoni se jeni më shumë seksi apo e zgjuar?
Çfarë pyetjeje! Nuk ka dyshim që jam më shumë e zgjuar. Herët ose vonë bukuria është e destinuar të venitet, ndërsa truri është motori i jetës sonë. Dhe unë e kam shumë të fortë motorin. E dini se cila është arma sekrete e femrave të mëdha që kalojnë një jetë gjithmonë në majë? Të joshin me trup dhe të bëjnë për vete me tru.


del.icio.us
Digg
Comments (1 posted):
Post your comment