Një nga këngëtaret që shoqëroi Partinë Demokratike në të gjitha mitingjet elektorale Elvana Gjata/Pas çdo mitingu, si të kisha fituar një çmim...
E bukur sa më s'ka, kënga që shoqëroi fushatën elektorale të Partisë Demokratike. Ashtu si dhe vetë këngëtarët që e interpretuan atë. Një prej tyre, Elvana Gjata, që hijeshoi dhe lezetoi të gjitha mitingjet e organizuara cep më cep të Shqipërisë. Por, jo pak emocione përjetoi edhe bukuroshja 22-vjeçare, duke i krahasuar të 30 koncertet me fitimin e 30 çmimeve... E priti me shumë kënaqësi ftesën e bërë nga stafi drejtues. Nuk njihet si militante e kësaj partie, por simpatia dhe pesha e bindjeve të saj, kuptohet lehtë që anojnë djathtas. Ndryshe nuk do t'i kishte refuzuar ftesat e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
I qëlloi që të dilte në skenë edhe dy herë në ditë, duke përshkuar mijëra kilometra nga Hasi në Sarandë, por përherë është ndjerë e freskët dhe energjike, si të ishte para konkurimit në një natë finale festivali. As vetë nuk e ka besuar se do të kishte kaq shumë fansa. Kurrë nuk i shkonte ndër mendje të përjetonte në Has të Kukësit, ato emocione të fuqishme. U prit me duartrokitjet dhe thirrje të pandërprera sapo nisi të këndonte. Pas disa sekondash, të rrinjtë që mbanin ndër duar posterat e fushatës, iu turën për të përqafuar këngëtaren e tyre, aq shumë të adhuruar. Si të ishte dhënë e njëjta komandë, filluan të ngjiten në skenë edhe të rinjtë pjesëmarës në miting. Më shumë se gjithë ditët e tjera, aty ndjeu ndihmën e Sajmirit, njërit prej shoqëruesve të grupit të këngëtarëve. Madje u prek edhe nga gjesti i tij i shkëlqyer. Sajmiri, si vetë emri, nuk ofendoi askënd nga fansat, por duke i mbajtur të gjithë në shpinë, i krijoi lirshmërinë për të vazhduar këngë. Një mirëkuptim që shkonte aq natyrshëm me mesazhet demokratike që u përcollën në atë tubim masiv popullor. E nxitur nga surpriza që Hasi i fali kaq shumë fansa fanatik, këndoi edhe një këngë tjetër nga repertori i saj. Kësaj radhe interpretoi "Ani, ani...", duke dashur t'u thotë se edhe unë jam dashamirëse dhe adhuruese e motiveve të trevës suaj.
Të shumta janë mbresat që ajo ka ndjerë në këtë turne të jashtëzakonshëm turistik. Kështu, ndërsa udhëtonte drejt Delvinës, ndalon dhe hyn në një farmaci për të marë një qetësues. Një kokër kërkoi, një pako iu afrua. Por dhe për atë s'pati nevojë, se e shëruan fjalët e farmacistes:
- Oh, çfarë fati pata për të përqafuar zemrën time që e dua aq fort. Jo, jo! Nuk do të paguash! Ti më qetëson gjithmonë me këngët e tua dhe unë të mos të të qetësoj një herë...?! Paç shëndet dhe të ndihmoftë Zoti, moj bijë! E përqafoi duke mos e lënë të ikte pa bërë me të edhe një fotografi.
Flasim për emocionet që ndjeu nga adhuruesit e vet, por jo pak herë, shpalosi edhe ajo simpatinë dhe entuziazmin e vet me pjesëmarrësit në mitingje. Veçanërisht në Tropojë. Për një çast të gjithë u elektrizuan nga ajo ndjesi që bashkëqytetarët i shprehën birit të vet. Tek shikonte atë mall që dilte nga shpirti, ata lot që dilnin nga sytë, harroi që ishte pjesë e grupit të këngëtarëve duke u bërë një me tropojanët. Po se mos vetëm në Bajram Curr! Kudo që shkonte Sali Berisha, asaj i dukej sikur e prisnin tropojanët... E njëjta dashuri, e njëjta mirënjohje, e njëjta mbështetje për vazhdimësinë. Por më fatlume se kjo masë e madhe njerëzish, quante vetveten që iu dha ky shans. Për të arritur kulmin në mitingun e organizuar në Tiranë, pranë stadiumit "Selman Stërmasi", kur të gjithë këngën e këndoi nën përqafimin e Sali Berishës. Disa herë ndjeu ngrohtësinë dhe ledhatimin e tij. Po aq herë ngatërroi edhe tekstin e këngës nga emocionet. Përhumbej, në kërkim të fotoreporterit që do ta fiksonte në një nga kujtimet më të bukura të jetës.
Karriera e suksesshme, i ka dhënë mundësinë që ta përjetojë të njëjtin emocion edhe para dy vjetësh. Si finaliste e festivalit të këngës magjike, u ftua në ceremoninë e mbjelljes së pemëve dekorativë në qytetin e Durrësit, së bashku me kryeministrin Berisha. Ai, jo vetëm e kishte takuar por i kishte shqiptuar edhe emrin: - Hë, Elvana si je? Ndjeu një befasi që edhe sot nuk e ka shlyer nga kujtesa. I duket sikur edhe ftesa e kësaj radhe, i ka ardhur nga kjo ditë takimi... Një ftesë që i krijoi edhe shansin e madh, për të parë të gjitha qytetet e vendit. Jo vetëm bashkëmoshatarët, por edhe trefishi i moshës së saj, nuk ka mundur të njohë nga afër atdheun e vet. Edhe për këtë, mirënjohës i është Partisë Demokratike. Sepse arriti të shohë, Ersekën, Leskovikun, Përmetin, Ballshin, Krumën, Bulqizën, Rrëshenin, Pukën, Burrelin, Çorovodën, Gramshin... gjithë Shqipërinë. Por, ndjeu se kishte fansa edhe më shumë se sa mendonte para nisjes së këtij turneu.
Në moshën nëntë-vjeçare u ngjit në skenë duke besuar te pasioni dhe talenti i saj. Vazhdimisht e kanë duartrokitur prindërit, por asnjëherë nuk e mbështetën për të ecur në udhën e artit. Për Elvanën i ati dëshironte mjekësinë, ndërsa e ëma ekonomikun. Aq më tepër kur dhe rezultatet në shkollën e mesme i kishte premtuese. Por nuk ishte e lehtë ta shkëpusje Elvanën nga dashuria e parë dhe e vetme. Gjithsesi, për të dy palët ishte e vështirë t'i bindeshin njëri-tjetrit. Në të shumtën e rasteve më shumë komplimentoheshin se sa mirëkuptoheshin. Edhe atëhere kur Elvana vendosi të konkuronte për të vazhduar Akademinë e Arteve, i ati e mbështeti duke i vënë një kusht jo dhe aq të lehtë. - Nëse e ke ndarë mendjen që do vazhdosh atë degë, unë dua që të dalësh e para në konkurim, në të kundërtën as mos të të gënjejë mendja se do të të ndihmoj me ndërhyrje miku apo të lejoj të vazhdosh me rezultate mesatare. Kjo bëhej për ta ftohur për degën e artit, po aq sa edhe për t'i kujtuar se të duam po aq të zonjën sa Migena, vajza tjetër që fitoi pikët maksimale në të njëjtin konkurim si ky i Elvanës. Më i vështirë se sa programi konkurues, ndjehej ky presion psikologjik. Gjithsesi, ajo nuk iu shmang testimit. Pas tre ditësh, bashkë me të atin shkojnë të shikojnë listën e fituesve. Filluan të hedhin shikimin nga fundi i listës, pasi ndjenin emocione. Një përshkrim i gjatë me sy dhe gishtin tregues... Kur nuk shpresonin dhe ishin zhytur në ankth dyshimi, hasën mrekullinë. Emri i Elvana Gjatës ishte i pari... Detyrimisht s'kualifikoheshin dëshirat e dy prindërve për mjekësi dhe ekonomik. Kështu, nisi studimet për degën e regjisurës. Natyrisht, angazhimet e shumta artistike kanë bërë që ajo më shumë se sa studente të bjerë në sy si këngëtare. Madje shumë e suksesshme.
Interesant është fakti që shoqërues "i parë" i Elvanës nuk është e ëma, Dodona, por i ati, Fatmiri. Kjo zgjidhje mund të jetë bërë ndoshta ngaqë ai, ka kohë më të lirë për t'u kujdesur për të bijën. Ndoshta edhe për arsyen tjetër që edhe autoriteti dhe ashpërsia janë domosdoshmëri në udhën e artit. Jo se çalon mirëkuptimi prind-fëmijë, sepse në këtë familje ky binom është për t'u marë si shembull, por sepse rregulli dhe etika, duhet të ecin një hap me artin. Ndër vite kishte ekzistuar një opinion dyshues për artistët, por edhe në vitet e demokracisë, në jo pak raste, ekranet ishin mbushur me pamje jo të pëlqyeshme. Edhe prindërit e Elvanës i janë trembur këtyre imazheve. Madje, kur ajo ende nuk kishte bërë emër si këngëtare, kishte dëgjuar "ultimatumin" e të atit:
- Në skenë dil për të kënduar e jo për t'u zhveshur!
Nuk e kundërshtoi të atin, por shpeshherë me logjikën e moshës, e bënte veten të pafat që kishte një "baba fanatik". Kalonin vitet dhe kjo porosi iu shndërrua si hajmali. Një këshillë e shenjtë, për të rritur autoritetin dhe personalitetin si artiste, jo me banalitete por me punë dhe mjeshtëri artistike. Natyrisht, edhe skena ka kërkesat e veta, por pa kaluar në ekzagjerime të shëmtuara. Ndaj dhe i ati, më shumë se për anën artistike shfaqej "kopetent" për paraqitjen e jashtme. Me humor, Elvana kujton një rast nga interpretimi në festivalin e këngës magjike. Sapo doli nga skena, menjëherë telefonon prindërit për t'i pyetur si u paraqit. Në telefon i doli Fatmiri, i cili nuk u mendua shumë për përgjigjen: - Kënga shumë e bukur, ti shumë e keqe! E quajti shumë të saktë vlerësimin e të atit. Në atë skenë kishte zbuluar më shumë se sa duhej trupin... Edhe vetë nuk u ndje mirë, kur e pa veten në televizor të nesërmen, paçka se doli në finale.
Migena, është më artiste se unë, shprehet me kënaqësi ajo. Menduam se do të ishte thjesht një kompliment për motrën, kjo thënie e Elvanës. Me sa duket, fama e saj, ka mjegulluar emrin e Migenës, e cila vazhdon studimet në vitin e fundit për kanto, në Essen të Gjermanisë. Tre vjet me rezultate të shkëlqyera, çka i ka siguruar vazhdimin e masterit dhe lidhjen e një kontrate me një teatër gjerman për interpretime në produksionet operistike. Pra, siç shihet gjermanët kanë zënë radhë me kohë, për të bërë të tyren artisten shqiptare... E vonuar lavdia dhe emri i kësaj sopranoje të talentuar, për arsye të vazhdimit të studimeve. Madje, edhe në familjen Gjata besim dhe krenari ka qenë Migena dhe jo Elvana... Thonë se i ka ngjarë të gjyshes nga babai që ka patur një zë të ëmbël dhe kumbues. Zëri i saj dëgjohej vazhdimisht me kënaqësi jo në skena, por në ...kishën e fshatit. E si për t'i dhënë akoma edhe më shumë autoritet këtij zëri, të thonë se gjyshja e tyre bie diçka edhe me Vaçe Zelën, duke qenë nga i njëjti fshat i Lushnjës. Nuk kemi pse t'i paragjykojmë këto merita që i adresohen gjyshes së tyre, pasi profesionalizmi i saj u dëshmua në zbulimin e talentit të mbesës së vet, Migenës. E sigurtë në bindjet e saj, një ditë e çoi për ta dëgjuar sa bukur këndonte në Pallatin e Pionierëve. U surprizua drejtuesja e grupit të muzikës, mësuese Sllavica, kur dëgjoi Migenën e vogël. Nga ajo ditë gjyshja e çonte dhe e priste deri sa mbaronte provat. Por jo vetëm kaq. I trokitën në derë edhe mjeshtres, Suzana Frashëri. Nuk kanë për t'ja harruar kurrë atë çka ajo bëri për vajzën e tyre. Mbas mbarimit të Liceut me rezultate të larta, konkuroi për Akademinë e Arteve. 100 pikë fitoi duke dalë e para. Në të katër vitet, rezultatet i pati të shkëlqyera. Më pas fiton çmimin e tretë në edicionin e parë të konkursit "Jorgjie Truja". Falë këtij suksesi iu afruan dy muaj specializim në Verona të Italisë. Talenti i Migenës, u shtoi prindërve dëshirën dhe sigurinë për të parë edhe më larg... Dhe nuk gabuan. Gjermania i bëri ata të ndjeheshin edhe më të lumtur dhe krenarë për bijën e tyre. Por edhe i ka lodhur kjo udhë e gjatë nëpër të cilën ka ecur Migena. Jo vetëm fizikisht, por edhe materialisht. Kurse për piano, solfezh, kanto...
Edhe pse i shpërblyer ky stërmundim as që bëhej fjalë të ndiqej e njëjta gjë edhe për vajzën e dytë, Elvanën. Mirëpo sot, ndërsa Migena herë pas here pëshpërit: "I ndristë shpirti gjyshes time, atje ku është!", Elvana në çdo bashkëbisedim e skenë nuk rresht së falenderuari dhe shprehur mirënjohje për motrën e vet. Sepse është pikërisht Migena ajo që e futi në udhën e këngës.... I bënte përshtypje zëri i Elvanës kur këndonte në shtëpi. Ndoshta më shumë nga dhembshuria se sa nga siguria dëshironte që edhe ajo të regjistrohej në ndonjë kurs për muzikën. Por as që guxonte ta hapte këtë muhabet në familje, pasi të gjitha kursimet e shtëpisë i hanin kurset e saj. Një ditë ëndërronte, ditën tjetër i shkatërronte... Lumturoi kur dëgjoi se në Pallatin e Pionierëve do të fillonin përgatitjet për festivalin e zërave të rinj. Kërkoheshin fëmijë interpretues. Kjo e para, regjistron të motrën edhe pse askush nuk e kishte dëgjuar nëse kishte zë apo jo. U testua Elvana 9-vjeçare dhe fitoi, çka dëshmon edhe për një vesh muzike absolut të Migenës. Pas dy javësh përgatitjeje, vjen dita e konkurimit në festival. E nëse këto dy javë kishin shpëtuar pa u diktuar nga prindërit, tani ishin ato që i ftojnë për të asistuar në shfaqje. U surprizuan nga ky skenar i vajzave të tyre dhe më shumë kureshtar se sa të inatosur ikin për të ndjekur interpretimin e vajzës së vogël. Bashkë me emocionet e daljes për herë të parë në skenë, Elvana mendonte se si do të përballej me prindërit. Pasi mbaroi këngën nuk iku te prindërit, por u struk diku prapa skenës në pritje të shpalljes së rezultatit. Juria e shpall fituese të çmimit të tretë... Në çast, prindërit çohen menjëherë dhe kërkojnë vajzën e tyre për ta përqafuar. Me lot në sy nga gëzimi, përjetojnë emocione të forta, në krahët e njëri tjetrit. Nga kjo ditë, Elvana nuk u pengua më për të vazhduar këngën... Ja pse i është mirënjohëse të motrës, Migenës. Dhe jo vetëm me fjalë. Jo se kishte gjë të ndarë me familjen, por iu lut prindërve që pagesën e shkollës për motrën ta mbështeste edhe ajo. Fati dhe shansi i dhanë emër dhe famë, por dhe para. Dhe përsëri ndjehet borxhli ndaj motrës...
Një virtyt tjetër i Elvanës për t'u krenuar jo vetëm familja, por edhe fansat e shumtë të saj.



del.icio.us
Digg
Comments (4 posted):
ky artikull eshte budallallek me 100 brire,po syte e mi s'ti jap dot qe t'i shohesh
dmth elvana si perfundim u shit diku apo jo, ne mos njeri tjetri, melken do e marre. dhe sa prekese ato fjalet e farmacistes, ncncnc, jo nje kokerr,po krejt kutine ta nap , i tha? bobo, kulmi i gazetarise.
Vetem lista me pseodonimet tuaja ktu ne Albdreams flet per pashtershmerine tende intelektuale.
Lum Kombi qe te ka se na ke shpetu vollahi. Nuk di ku do te kishte perfundu raca shqiptare pa ty.
Po mos flej shume se endrat e keqija te bejne dam...
Post your comment