Home | Letersi | QYTETI I DY KONTINENTEVE (Foto....)

QYTETI I DY KONTINENTEVE (Foto....)

Font size: Decrease font Enlarge font
image

(Shënime udhëtimi nga Stambolli)

Sado të gjallë ta kesh patur imagjinatën gjatë leximeve të ndryshme mbi Stambollin, arritja në ish-kryeqytetin e madh perandorak të befason gjithësesi.
    Të rrëmbyer nga pamjet në të dy anët e rrugës që të çon nga aeroporti “Qemal  Ataturk” për në qendër të qytetit, gati nuk e dëgjojmë zërin e shoferit të  taksisë që përpiqet të bëjë ciceronin në mënyrën e tij.
     -Zotërinj, po kalojmë përgjatë bregut të detit Marmarà,-thotë ai.
     Rruga kalon vërtet gjatë bregdetit,ku parqe e lulishte të shumta duket sikur rivalizojnë në bukuri me kaltërsinë e detit. Është koha e drekës. Ditë e bukur me diell, jo tepër e nxehtë. Mijëra banorë të qytetit euro-aziatik kanë dalë parqeve, kanë ndezur barbekytë e përgatisin drekën në natyrë të hapur. Familje të tëra, veçmas apo të organizuara në grup, duket sikur janë mbledhur në një piknik gjigand. Kjo pamje do na shoqëronte për kilometra të tëra, derisa hymë në rrugët karakteristike, të zhurmshme e kaotike të Stambollit.
      Koha për t’u stabilizuar në Klass-hotel që e kishim prenotuar me kohë e pastaj sërish në rrugë. Padurimi për të rrëmbyer imazhet e përshtypjet e para nga qyteti sikur na përzë nga hoteli. Marrim metronë e përfundojmë atje ku është zemra historike e qytetit. Sa për të bërë një rikonicion dhe një program të objekteve që do të vizitonim në ditët e mëpastajme. Ndalemi në sheshin që ndodhet midis dy objekteve më sugjestionuese e që kanë qenë në program që përpara nisjes për në Stamboll: Katedralja e Shën Sofisë dhe Xhamia Blu, ose xhamia e Sulltan Ahmetit. Ndodhesh midis të dyjave e nuk di ku t’i ndalësh sytë më parë. Gati nuk e beson që ndodhesh përpara dy kryeveprave të arkitekturës e dy monumenteve historike me famë botërore. E nesërmja na duket larg për t’i vizituar. Megjithatë bëjmë disa foto përpara tyre e zhytemi në rrugët karakteristike që zbresin gjer aty ku valët e Marmarasë lëpijnë brigjet. Rruga përgjatë bregut është e bukur dhe e zhurmshme.Trafiku jashtëzakonisht i dendur. Në guidat turistike kam lexuar që këto rrugë dikur ishin plot me skulptura, të cilat u zhdukën nga luftërat, nga kryqëzatat, nga zjarret e nga tërmetet. Tani në vend të tyre ka pemë e lule, që gjithësesi e zbusin egërsinë e trafikut të çmendur.
      Turistë të shumtë mbushin rrugët. Po afrohet ora e darkës dhe lokalet fillojnë të gjallërohen. Na tërheq vëmendjen njëri me muzikë dal vivo dhe zgjedhim të ulemi aty. Kamerierët, tepër të sjellshëm, na rrinë gati. Kërkojmë të provojmë pjata karakteristike të kuzhinës turke.
-    Atëhere meze,-thotë kamerieri.
-    Dakort,meze,-themi ne.

     Por i hedhim një sy edhe menysë. Më tërheq vëmendjen diçka e shërbyer në enë prej dheu e që e sillnin duke valuar akoma në tavolinë. Ishte diçka e ngjashme me mish-turliun tonë, mjaft e shijëshme. Ndërsa mezetë për të cilat foli kamerieri ishin vërtet pjata të vogla me një larmi të madhe mezesh, që të nxisnin të pije raki. Dhe në fakt në mes të pijeve në meny ishte edhe rakia.
I bindur që edhe bashkëshortja ime,Zhani dhe mikja jonë Violeta do parapëlqenin këtë pije, porosita tri raki. Këtu filloi edhe një episod i vogël komik.
    Sapo kamerieri më erdhi pranë me gotat, ndjeva erën e uzos, ndaj i thashë që kishte bërë një ngatërresë të vogël.
     -Asnjë ngatërresë, kjo është raki,-tha ai i vendosur.
     E mora gotën në dorë dhe e nuhata nga afër.Të njëjtën gjë bënë edhe dy zonjat.
     -Nuk është raki,-thamë me një gojë.-Është uzo greke.
Kamerieri u nxi sikur t’i kishim përmendur shejtanin.
     -Kjo është raki  dhe është turke, -guli këmbë ai.
      -Më sill një gotë ujë,- thashë.
Ai e kuptoi dhe solli gotën me ujë,i bindur se më në fund po kuptoheshim. Hodha ujë në gotë dhe pija u zbardh.
      .- E shikon që është uzo?-thashë
-    U binde tani që është raki?-tha ai.
  U muar vesh. Turqit i thonin uzos raki. Ndaj u detyruam ta ndërronim pijen e të merrnim verë. Megjithatë darka ishte e shijëshme, veçanërisht mezetë dhe ëmbëlsirat turke, për të cilat Zhani do më thoshte se po i merrja më qafë, duke iu prishur dietën.
     Tek po dilnim nga lokali na ndalën dy agjentë turistikë të cilët na këshilluan të programonim nëpërmjet agjencisë së tyre një shetitje 4 orëshe për të nesërmen me traget të vogë nëpër ngushticën e Bosforit. E pranuam me kënaqësi.
    Hoteli ynë ndodhej diku në afërsi të zonës universitare, në zemrën e një zone tregtare, ku kishte me qindra dyqane nga ato që shesin me shumicë. Hymë për kuriozitet në njërin prej tyre. E ata na u drejtuan në disa gjuhë,ndërmjet të cilave edhe shqip. Aty mësuam se shumë tregtarë shqiptarë vinin dhe mbushnin furgonët e kamionat pikërisht në këto dyqane.
      Na bëri përshtypje një fakt. Në orën e mbylljes, të tërë tregtarët i nxirrnin plehërat dhe ambalazhet në trotuare përpara dyqanit e qyteti dukej në kulmin e pisllekut e të kaosit.  Një orë më vonë, pasi kishin kaluar makinat e pastrimit, rrugët ishin sërish të pastra e të rregullta. Një organizim shembullor, por edhe domosdoshmëri  për një qytet me 12 milionë banorë e me miliona turistë që e vizitojnë çdo ditë.

-              LAGJA HISTORIKE SULLTANAHMET


         Stambolli ështe i ngritur mbi 7 kodra në breg të Marmarasë, përreth Bririt të Artë dhe Ngushticës së Bosforit. Kodra e parë dhe më e rëndësishmja, përbën atë që dikur ishte zemra e kryeqytetit perandorak. Këtu ndodhet zona kryesore historike e qytetit me objektet më të rëndësishme e që u merr kohën më të madhe turistëve që vijnë të vizitojnë  Stambollin. Zona mban emrin Sulltan Ahmet, në nderim të  Sulltanit Ahmet i parë, që ka dhënë një kontribut të çmuar në ndërtimin e qytetit dhe që ishte ideator i ndërtimit të xhamisë më të madhe të Perandorisë, që njihet më shumë me emrin Xhamia Blu.
       Ndër objektet e parë që vendosim të vizitojmë këtu është pallati Top Kapi,ose pallati qeveritar,ku në shekuj kanë qëndruar sulltanët dhe autoritetet perandorake e qeveritare. Në fakt nuk është një pallat i vetëm,por një kompleks arkitektural,ku ndërtesat,në bazë të një logjike të caktuar, te huazuar nga pallati Mongul në Indi, ndërthuren me kopshtet e shumta plot lule e gjelbërim. I gjithë kompleksi është i ndarë në oborre. Në oborrin e parë, në të cilin mund të futesh pa biletë, është sektori i shërbimit. Nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për vizitorë, edhe për faktin që dy objektet më me rëndësi, ato të thesarit të jashtëm dhe të prodhimit të monedhave , janë të mbyllura për vizitorët.
     Pasi kalojmë nëpërmjet Bab-us Selam (Porta e Shëndetit), ndodhemi në oborrin e Divanit (Këshillit  Perandorak), ku janë edhe ndërtesat më të rëndësishme. Këtu gjenden skuderitë private të Sulltan Mehmetit të dytë (të cilat janë të mbyllura për vizitorët, ndërtesa e Divanit dhe e thesarit të brendshëm, hyrja për në Harem dhe kuzhina e pallatit perandorak. Në ndërtesën e Divanit ndodhet një sallë më vete që quhej “Syri i Sulltanit”. Në murin e saj që e ndante nga salla e mbledhjeve, ndodhet një e çarë e vogël, nga e cila sulltani ndiqte mbledhjet e Këshillit Perandorak.
    Në oborrin e dytë zhvilloheshin edhe spektaklet më të rëndësishme me rastin e ceremonive të mëdha perandorake,siç ishte momenti kur sulltani ngjitej në fron. Kjo bëhej nën  Bab-us Saadet (Porta e lumturisë).
      Në ndërtesën e thesarit janë të ekspozuara disa nga thesaret më përfaqësuese të potencës ekonomike të kohës së perandorisë. Përmendim vetëm njërën prej tyre, diamantin në formë luge, që është i pesti në botë për nga madhësia.
       Vend i veçantë u është kushtuar armëve. Bie në sy shpata që përdorej nga ekzekutuesi për prerjen e kokave të atyre që u jepej ky ndëshkim mizor. Gjatësia e saj është mbi 2 m dhe përdorej me të dy duart. Bien në sy për pamjen tepër kërcënuese e mizore shpatat e përdorura nga sulltan Mehmeti që njihej me emrin Pushtuesi i Madh e që kishte fituar shumë fushata luftarake. Ndërsa ajo e sulltan Sulejmanit (që njihej edhe me emrin Sulejmani i mrekullueshëm) ngjan më tepër me një objekt artistik, pasi është e zbukuruar me finesë nga mjeshtrat argjendarë të kohës.
       Një vend të posaçëm zë ndërtesa e Haremit, e cila ndodhej midis apartamenteve private të Sulltanit dhe ndërtesës ku banonte komandanti i eunukëve të zinj. Në arabisht fjala “harem” do të thotë “e ndaluar”, kurse në rastin e sulltanëve fitoi kuptimin e rezidencës private ku vendoseshin kryetari i familjes (sulltani),me gruan,fëmijët dhe skllavet e shumta që ndërronin në numër sipas preferencave të çdo sulltani.Më shumë nga të tërë ka patur sulltan Abdylhazizi, 809 skllave. Haremi kishte 400 dhoma.Në qendër të tij ishte apartamenti i  sulltanit dhe i nënës së tij (Valide Sultana-Sulltanesha e madhe,që kishte një rol të madh në jetën e vetë sulltanit,deri në përzgjedhjen e skllaveve e veçanërisht të asaj që mund të bëhej bashkëshortja e ardhshme e sulltanit.
      Me emrin e haremit lidhet edhe një aspekt mizor i jetës perandorake turke e që mban emrin e kafazit. Për të mënjanuar vëllavrasjen midis trashëgimtarëve meshkuj
që pretendonin fronin, sulltan Ahmeti i parë filloi te praktikojë mbylljen e trashëgimtarëve në një zonë më vete të haremit,që mori emrin kafaz. Këtu mbylleshin vëllezërit më të vegjël, të shoqëruar vetëm nga disa shurdhmemecë e disa konkubina, ndërsa vëllai më i madh në moshë zinte fronin.Të tjerët duhej të prisnin vdekjen ose vrasjen e vëllait të madh që të mund të ngjiteshin në fron. Në fakt kjo ishte edhe një nga shkaqet që çoi në rënien e perandorisë, sepse jeta në kafaz i kthente pretendentët e fronit në njerëz anormalë e të shkëputur nga realiteti. Për shembull sulltan Osmani i dytë, që mori fronin pasi doli nga kafazi, pëlqente të ushtronte stërvitjen me hark e shigjetë, por duke qëlluar vetëm mbi trupa njerëzorë. Kështuqë mijëra vetë bëheshin pre e pasionit të tij të çmendur.
     Më i disekuilibruari përmendët sulltan Ibrahimi, i cili në një moment intrigash të brendshme në pallat hodhi dhe mbyti në Bosfor 280 konkubina të haremit, duke falur vetëm njërën, të zgjedhurën e tij, me emrin Sheqerpare. (Ja nga e paskemi emrin e ëmbëlsirës së njohur me sherbet).
      Me ndërtimin e pallatit të ri qeveritar, Dollmabahçe, që ka një pamje të mrekullueshme  mbi Bosfor, edhe haremi u transferua atje. Në një nga ambientet e tij ishte edhe dhoma e babait të Turqisë moderne, reformatorit të madh Mustafa Qemal Ataturk. Shtrati në të cilin vdiq është i mbuluar i tëri me flamurin kombëtar të Turqisë.


        Pas pallatit perandorak vizitojmë Katedralen e Shën Sofisë. E njohur edhe me emrin “Kisha e diturisë hyjnore”,ajo u ndërtua nga viti 532 sipas idesë së perandorit  Justiniani.  Për njëmijë vjet është konsideruar ndërtesa arkitekturale më e madhe në botë për të demostruar potencën dhe pasurinë e perandorëve bizantinë. Askush nuk guxonte të konkuronte madhësinë e bukurinë e saj  deri në shekullin e 16-të kur xhamitë me minaretë e tyre (veçanërisht xhamia Blu) filluan të sfidonin shkëlqimin e saj. Ajo u bë edhe frymëzimi dhe fiksimi i arkitektit më të madh të perandorisë, Mimar Sinani, për të dalë profesionalisht mbi madhështinë e kësaj kishe.
       Kisha u ndërtua brenda 5 vjetësh, por u shkatërrua thuajse tërësisht disa herë nga tërmetet, djegiet e  nga luftërat. Për ironi të fatit dëmet më të mëdha ajo i pësoi në vitin 1204 nga ushtarët katolikë gjatë kryqëzatës së katërt.Përveç dëmtimeve të ndërtesës, ata u futën të rrëmbenin me qerre pasuritë e thesaret e saj të shumta. Thyen altarin dhe grabitën pjesë të tij, përdorën mushkat për të ngarkuar pasuritë prej ari. U tallën me objektin e kultit, duke ulur në fronin e patriarkut një prostitutë.
Në këto kushte ndërhyri energjikisht sulltan Mehmeti (Pushtuesi i Madh),i cili i dha fund kësaj dhune e poshtërimi mbi kishën. Për ta shpëtuar e mbrojtur objektin, ai ngriti aty zyrën e tij dhe porositi të ndërtohej një minare prej druri (e cila më vonë u zëvendësua me minare të vërteta prej guri). Restaurimi i plotë i kishës iu besua pikërisht arkitekt Sinanit.
       Edhe pse tashmë në perandorinë ottomane sundonte feja myslimane, shpëtimi i kishës së Shën Sofisë, restaurimi i saj, kthimi në muze, mbetet një shembull i lartë qytetarie,kulture e tolerance. Ajo vizitohet sot nga mijëra e mijëra turistë nga tërë bota, të cilët ndjekin me simpati edhe « rivalitetin » arkitekturor midis kësaj kishe dhe Xhamisë Blu që ndodhet përballë saj.


      Xhamia Blu të tërheq që nga larg me bukurinë, madhështinë dhe ngjyrën e pllakave të saj të ardhura që nga Izniti. Pllakat me motive floreale e figura abstrakte kanë ngjyrë blu,prandaj edhe quhet me këtë emër.Kjo ngjyrë bëhet më evidente në darkë,me ndezjen e dritave.
      Kjo xhami filloi të ndërtohej në vitin 1609. Pati shumë kundërshtime sidomos për faktin e 6 minareve, pasi me këtë i bënte konkurrencë xhamisë së Mekës, e vetmja në botë me 6 minare. Gjithashtu kundërshtime pati për numrin e madh të pllakave,mbi 20.000, që Izniti në atë kohë gati nuk e përballonte prodhimin e tyre. Por kundërshtime pati edhe për shkak të hapësirës që do të zinte, gjë për të cilën do duhej të prisheshin shtëpitë e disa ministrave të sulltanit,që banonin në atë zonë. Megjithë këto kundërshtime, me këmbënguljen e sulltan Ahmetit,xhamia u ndërtua sipas projektit dhe përbën sot nje thesar arkitekturor, përkrah objekteve të tjera që e rrethojnë.
       Hyjmë ta vizitojmë.Në oborrin e jashtëm,një varg i gjatë çezmash,ku besimtarët që hyjnë për t’u falur lajnë duart dhe këmbët. Ndërsa turistët duhet të heqin këpucët, të mbulojnë krahët (gratë duhet të mbulojnë edhe kokën). Salla,jashtëzakonisht e madhe, e mbuluar me një tapet të trashë të tërheq me bukurinë dhe përmasat e saj. Turistë të shumtë lëvizin,admirojnë pamjet,ndërsa besimtarët falen sipas riteve të tyre. Gratë falen veç, që prapa kafazeve, në ambient të ndarë e të padukshëm për burrat.
       Kupola e madhe dhe e zbukuruar mbështetet mbi 4 kolona madhështore që kanë  formën e këmbës së elefantit. Secila prej tyre e ka diametrin 5 m.
       Në pjesën verilindore të ndërtesës ndodhet salla e veçantë që përdorej vetëm nga sultani për ritet e faljes.
        Ndërsa në pjesën veriperëndimore të xhamisë,jashtë mureve të saj rrethuese, ndodhet tyrbja (varri) e sulltan Ahmetit. Ai është varrosur aty bashkë me të shoqen dhe tre djemtë. Dy prej tyre, Osmani i dytë dhe Murati i katërt kanë qenë sulltanë pas vdekjes së të atit.
        Në rrethinat e Xhamisë Blu, në atë zonë që mbante emrin e Ipodromit, ka një sërë objektesh me interes për turistët.Ipodromi ka qenë qendra kulturore e perandorisë bizantine dhe stadiumi i garave me kuaj kishte 100.000 vende. Këtu mësojmë se kuajt e bronxtë që ndodhen në katedralen San Marco të Venezias janë marrë pikërisht nga ambientet e këtij Ipodromi.
          Natyrisht,edhe këtu gjejmë objekte të rrëmbyera gjatë fushatave pushtuese të ushtrisë perandorake e të vendosura në funksion të dekoracionit të kryeqytetit.  Një nga ato është për shembull obelisku egjiptian  që dikur kishte lartësinë 60 m, por u thye gjatë transportit nga Egjipti ne shek.IV. Tjetra është kolona gjarpërushe e marrë që nga tempulli i Apollonit në Delfi dhe që i kushtohej perëndisë së 31 qyteteve greke që fituan mbi persianët në vitin 479 para Krishtit. Ajo u suall në Kostandinopoli nga Kostandini i Madh. Tre gjarpërinjtë e bronxtë dikur kishin 3 koka që shpërndaheshin në drejtime të ndryshme. Njërën prej tyre e këputi sulltan Mehmeti (pushtuesi i madh), që ishte kundër idhujve të tillë. Kokat e tjera u këputën nëpër shekuj dhe vetëm njëra gjendet në muzeun arkeologjik të qytetit.


          Me interes janë edhe vizitat në çisternën nëntokësore të njëmijëenjë kolonave, e cila shërbente si depozitë uji për qytetin në kohë luftrash, vizita në xhaminë tjetër të famshme Sulejmanie, (e ngritur për nder të sulltan Sulejmanit), në muret e vjetra rrethuese të qytetit, në kolonën e djegur të Kostandinit etj. Por koha në dispozicion është e shkurtër dhe detyrohemi të nxitojmë. Sepse, një vizitë në Pazarin e Mbuluar (Kapali Çarshi) është e detyrueshme dhe kërkon minimumi një gjysmë dite, duke ecur me nxitim. Ky pazar është si një qytet më vete.Ka edhe hartën përkatëse,që duhet përdorur,se ndryshe humbet mes rrugëve të shumta e të ngjashme me njëra-tjetrën. Një kopje e vogël e këtij panari ka qenë dikur në hyrje të Shkodrës dhe quhej Bexhisten.
          Lëvizja këtu është kaotike. Mijëra dyqane tërheqin dhjetra mijëra blerës e turistë. Këtu është kënaqësi dhe në njëfarë mënyre gati e detyrueshme të bësh pazar kur do të blesh diçka. Shitësi në fillim të ofron një çmim të lartë, ti thua ofertën tënde e shpesh herë arrin ta marrësh me më pak se gjysmën e çmimit të fillimit. Shitësit janë të aftë e do të ta lënë një gjë në dorë se s’bën. Por edhe blerësi mbetet i kënaqur nga blerja e artikujve me çmim të ulët e sidomos e suvenirëve. Diku në afërsi të pazarit ishte një kafehane e madhe me bahçe përpara, ku pihej duhan me nargjile. Dhjetra e dhjetra burra, në tavolina të ndryshme thithnin nargjilenë e pinin çaj ose kafe. Një spektakël vërtet tërheqës. Unë nuk pi duhan, por dy shoqërueset e mija po.Ato nuk i rezistojnë tundimit e zëmë një tavolinë. Kamerieri mbetet disi i befasuar kur unë porosis kafe, kurse ato të dyja çaj dhe kërkojnë nargjilenë.Në fakt janë të vetmet gra në atë lokal. Por kamerieri e sjell nargjilenë e ato pijnë duhan me komente humori nga ana ime e me vështrime nën sy të shumë të pranishmëve.ndue_stambolli1_177289497.jpg


                                     SHETITJE MBI BOSFOR


         Ja edhe momenti i shetitjes me traget nëpër ngushticën e Bosforit që ndan pjesën europiane nga ajo aziatike e qytetit të Stambollit. Organizatorët shquhen për një korektesë të jashtëzakonshme në orar. Nisja bëhet fiks në orarin e caktuar e mund ta humbisje tragetin po të vonoheshe qoftë edhe dy minuta.Mblidhemi diku prane Urës së Gallatës, njërës nga më të vjetrat e më të bukurat e qytetit.Ajo ngrihet në lagjen Gallatë, që shquhej që herët për jetën e saj të shfrenuar gjatë natës. Bile kronikani e historiani Evlija Çelebi në shekullin e 17-të shkruante “Të thuash Gallatë është njësaj sikur të thuash tavernë”. Këtu spikat edhe kulla e Gallatës, e ngritur nga gjenovezët më 1349 në rrënojat e asaj që kishte ngritur Justiniani që në vitin 528 e që në fillim njihej me emrin Kulla e Krishtit. Ajo ngrihet në pikën më të lartë të kodrës ku është lagjja mjaft e njohur,e populluar e tërheqese.Diku në afërsi të saj ka blerë shtëpi edhe fituesi i çmimit Nobel, shkrimtari Orhan Pamuk. Kulla është 61 metra e lartë, ka afër majës ballkonin paronamik që i hap syrin nje pamjeje fantastike të qytetit, si dhe një restorant në katin më të sipërm.
       Ura është e gjatë 468 m, e gjerë 26 m dhe nuk ka këmbë pasi thellësia e ujit këtu është mbi 35 m. Ndaj ura noton mbi 22 peshëmbajtëse. Natën ajo hapet nga ora 2-4 për të lejuar anijet që të kalojnë.
       Mbi traget jemi fare pak njerëz. Fillimisht kalojmë pranë bregut lindor dhe spikeri me radio na flet për objektet historike që zbukurojnë panoramën përgjatë bregut. Pikërisht në nisje të ngushticës së Bosforit të tërheq pamja e pallatit Dollmabahçe, ose pallati i ri mbretëror, i ndërtuar nga sulltan Abdylmexhidi.Punimet e tij  përfunduan në vitin 1856.Një ditë më parë e kishim vizituar dhe na kishin rënë në sy ambientet luksoze, lulishtet e mrekullueshme, mbi 600 vepra arti,pjesa më e madhe të artistëve të oborrit. Salla e madhe e ceremonive tani është e heshtur, por aty është mbledhur asambleja e parë e deputetëve dhe kongresi i parë historik turk nën drejtimin e Ataturkut. Reformatori i  madh,Qemal Ataturk vdiq në dhomën nr 71 të këtij pallati më 10 nëntor 1938.
    Pothuajse ngjitur me pallatin janë dy objekte të tjera tërheqëse, kulla e sahatit dhe xhamia e ndërtuar për nder të nënës së sulltanit. Pastaj vijnë plot pallate të tjera, xhami e fortesa, deri tek kështjella e Rumelisë në fund të ngushticës.Ajo u ndërtua nga sulltan Mehmeti (pushtuesi i madh) për t’u prerë rrugën ndihmave qe mund t’i vinin Bizantit që në atë kohë zotëronte akoma Bosforin. U ndërtua vetëm në 4 muaj e morën pjesë 2000 punëtorë të drejtuar nga 1000 mjeshtra. Për rëndësinë që kishte si objekt strategjik në ndërtimin e saj punuan fizikisht tërë autoritetet e perandorisë me vetë sulltanin në krye.Edhe sot ajo të impresionon me pozicionin dhe bukurinë e saj.
     Pikërisht përpara mureve të saj trageti merr kthesën përgjatë bregut tjetër për t’u kthyer në bazë. Gjatë rrugës kemi soditur me kënaqësi edhe dy urat e famshme të Bosforit,që bashkojnë dy brigjet. Ato janë spektakolare me lartësinë e bukurinë e tyre dhe makinat që kalojnë nëpër to që nga trageti duken si miza. Të dy urat,që janë të varura, janë ndërtuar njëra në vitin 1973 e tjetra në vitin 1988 e janë shprehje e zhvillimeve moderne të qytetit të Stambollit.
      Ngushtica e Bosforit është e gjatë 32 km. Largësia midis dy brigjeve ndryshon.Më e vogla është  660 m kurse më e madhja 3.3 km. Thellësia e ujrave këtu shkon nga 50 deri në 120 m.
      Në anën tjetër të bregut bien në sy Fortesa e Anadollit, pallati dhe xhamia e Bejlerbeut, pallati Kuçukshu dhe kulla e Leandros. Kjo e fundit ka një legjendë të bukur. Ajo u ndërtua në shekullin e 12-të nga perandori bizantin Komneno. Në të lidhej njëra anë e kavos që u mbyllte rrugën e kalimit të anijeve. Kurse sot shërben thjesht si far. Legjenda lidhet me emrin e perandorit Kostantin.Ai kishte një vajzë.Dikush i kishte lexuar fatin vajzës dhe i kishte thënë perandorit se e bija do vdiste nga kafshimi i gjarpërit.Për ta shpëtuar, perandori e mbylli vajzën në atë kullë që ndodhej në mes të ujrave.Një ditë dikush i dërgon vajzës një shportë me fruta. Brenda shportës ishte fshehur një gjarpër, i cili e kafshon vajzën e ajo vdes.
      Shetitja e bukur me pamjet e mrekullueshme dhe muzikën e zgjedhur me shije nga organizatorët, përfundon me ngjitjen mbi belvedere në kodrën që sundon Bririn e Artë. Pijmë kafe në një lokal të bukur, për të cilin na tregojnë se e kishte blerë dikur një shkrimtar francez për t’ja bërë dhuratë së dashurës së tij, një turkeshe marramendëse për nga bukuria.Prej aty zbresim me teleferik,nga ku marrim autobuzin për në hotel.


                                NJË MBRËMJE ME  “SULLTANESHËN”


   Mbrëmja e fundit në Stamboll pati një surprizë të këndshme. Në një nga lokalet e natës diku matanë kullës së Gallatës organizohej një lloj spektakli. Lokali quhej “Sulltana-s Xhumhyrjet” dhe spektakli mund të prenotohej që nga hoteli.Prej aty na merrte një autobuz që na çonte në lokal e na kthente sërish pas mbrëmjes. Ishte si të thuash një mbrëmje mysafirë tek sulltanesha.Një  restorant ku dominonte në çdo gjë ngjyra e kuqe, në ndriçimin, në veshjen e mureve e në veshjet e personelit.
    Atë mbrëmje ishim rreth 40 “mysafirë” tek “sulltanesha”. Shërbeheshin specialitete të kuzhinës turke dhe kishte muzikë dal vivo. Ambient shumë i këndshëm.ndue_vallzim_625844085.jpgndue_vallzim2_123460121.jpg
     Rrugës në autobus, vajza që na shoqëronte na pyeti si rastësisht prej nga ishim.Kur u ulëm në tavolinë e kuptuam domethënien e asaj pyetjeje. Sapo zumë vend ajo erdhi me qiriun ne dorë e me dy flamuj të vegjël turk e shqiptar të vendosur pranë e pranë. I njejti gjest respekti edhe për mysafirët në tavolinat e tjera. Ishte jo vetëm e papritur,por edhe emocionuese.
       Atmosfera e darkës u ndez nga valltaret e vallëzimit të belit që dolën në skenën e vogël në ballë të lokalit. Ritmet e shpejta të muzikës tipike turke dhe lëvizjet e shkathta, të gjalla e sensuale të balerinave ishin në një harmoni të përkryer. Mysafirët i ndiqnin me admirim e me duartrokitje. Isha i rrëmbyer nga filmimi i spektaklit, kur vura re që bashkëshortja ime,Zhani po komunikonte me shenja me balerinën që vallëzonte.Ajo kërkonte aktivizimin e ndokujt nga publiku e Zhani i bëri me shenjë nga unë. Nuk pata kohë as të kundërshtoja, se turkesha më zuri nga duart e më tërhoqi në skenë, ndërsa mysafirët e nxisnin me duartrokitje. Imagjinoni një njeri që në jetën e tij mund të ketë vallëzuar ndonjë vals apo ndonjë tango, të gjendet papritur përballë një balerine të vallëzimit të belit. Përpara një publiku që pinte, duartrokiste e të thërriste të vallëzoje. Kurrë nuk e kisha kuptuar më mirë se në ato momente thënien “kërcen prifti nga belaja”. M’u desh ta çoja vallen deri në fund i skuqur në fytyrë më shumë se ajo pak veshje e kuqe e balerinës turke. E mora pak veten vetëm kur muzikanti që shoqëronte në tastierë e njëherësh këndonte, ja mori këngës shqiptare “Mora mandolinën” e thirri anglisht: “Thank you,Albania”.
       Spektakli vazhdoi me vallëzime të tjera beli nga balerina të ndryshme, me valle popullore që na kujtonin vallet tona të Shqipërisë së mesme e pastaj doli “sulltanesha” që organizoi ritin e zgjedhjes së sulltanit (një djalë nga salla) dhe të gruas së ardhshme të sulltanit (midis vajzave të ftuara nga salla).E tëra nën tingujt e muzikës së haremit.
      Një mbrëmje e këndshme që mbaroi vonë pas mesnate. Rrugës së kthimit do t’i thoja Zhanit, “mirë ma punove sonte”, po natën në hotel do thoja me vete “ah ç’ma prishe gjumin moj çengené”.
                                                                                         NDUE LAZRI

Comments (1 posted):

Zef Kalaj on 22 November, 2009 12:09:12
avatar
...Pershkrimi i keti eskursioni,nuk lejon asnje lloj komentimi per ata qe se kane vizituar Stambollin,vecse te nxite planifikimin e realizimit te tije...
Gezohem qe ja keni kaluar mire!
Kenaqesi te vazhdueshme ne jeten tuaj!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0