POEMË PËR URËN E TABAKËVE
Ura e Tabakëve në Tiranë
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Si në një rit pagan
Fluturoj mbi të,
ec, nxitoj,
vrapoj,
kërcej mbi të,
hallakatem,
tërbohem,
me flatra,
me flokët që m’i merr era…
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Nga Berna
Nga Baseli,
brigjeve të Lumit Rin,
brigjeve të Lumit Aare,
buzë Ligjenit Léman,
nga çdo metropol Evropian,
në gjumë,
zgjuar,
në ëndërr,
zgjëndërr,
në delirin
e mallit
në rebelimin tim
memec…
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Një herë në ditë,
dhjetë herë,
njëqind herë
kur e kam Malin e Dajtit
pas shpinës,
kur jam me të
sy më sy…
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Në mëngjez,
në mesditë,
në mesnatë,
në dimër,
në shi,
në vapën e gushtit,
në mbrëmjet e majit,
sa herë që humbas
në kaosin
e urbanizimit
të tranzicionit çakall
të çakejve,
Ura e Tabakëve
Është ciceronja
Që më nxjerr
Nga ngujimi
i ankthit…
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
I hyp, i zbres,
kur kam mbathur
sandale, pandofla,
çizme dimri,
këpucë elegante,
me taka të larta e
e të holla
Apo kur jam çmbathur
Zbathur
E gishtrinjtë
M’i çukasin gurët
E Urës së Tabakëve
Kur unë e kalëroj
Njëqind herë
në ditë
Kudo qofsha
Qofsha 20 mijë milje larg
Qofsha 13 vite larg
Unë prapë e prapë
Kaloj e çkaloj
Mbi Urën e Tabakëve
kur iki,
kur shkoj,
kur nisem,
kur nuk kthehem,
kur kthehem me mendje
Ura e Tabakëve
harku magjik
i një violine Stradivari
Far
I përjetshëm
I nënvetëdijës time.
8 Mars 2009
JAM SHI NË TIRANË
Jam shi në Tiranë
Që bie rrëke
Nëpër rrugët
Mbi pluhurin
e harresës
Ku janë shkërmoqur
pluhur
Si fosile antike
ditët e mia
Jam shi në Tiranë
I gjithi lot
Që gjarpëron
Mbi xhamat
e dritareve
Të shtëpisë time
Nga ku shoh
Orenditë e heshtura
Të mbuluara
nga pluhuri
jo metaforik
Prej mospranisë 11 vjeçare…
Jam shi në Tiranë
që bie me shtamba
kuturu
Që bie vrullshëm
dhe me dënesë,
që bie
bubullueshëm
dhe me kryeneçësi
që bie
si një lumë
i rrëmbyeshëm,
si Drini
pa fré,
për të përmbytur kohën
që më la të ikur prej Tiranës…
Reinach, 22 Prill 2007
KUR VJEN QERSHORI – VRITET BARDHYL AJETI
Kur vjen qershori ikin mëritë,
Groposen dyshimet, varrosen pezmet
Kur vjen qershori gjumi bëhet zgjim
Zgjimi ngjizje dashurie
që merr me fluturim fushat e mbjella
dhe bëhet grurë për bukën e bardhë
Që mbush tavolinat e shtëpive
për të ngopur barkun e atyre fëmijëve
që Helàs,
nuk i lanë të lindin kurrë
Kur vjen qershori zemrat puqen si sqepat
E dallandysheve që ndërtojnë folenë
Në strehën e shtëpisë ku të pret nëna
Kur ikim dhe kthehemi
Sa herë herë që vjen Qershori...
Kur Qershori vjen
Mendimet e zeza marrin arratinë
Duke i ikur msheftas rrugës plot
Metafora
Që të afrojnë pragun e derës të shtëpisë
ku si Shën Mari qëndron përjetësisht
Nëna
Kur vjen qershori
Fëmijët shumohen si
Fijet e barit që ndrisin prej xixëllojve
Të syve të njeriut
gjatë një përqafimi dehje me trupin e jetës
në çastin më të bukur
që nuk guxon ta prekë askush
qoftë ky edhe vetë djalli
Kur vjen qershori –
Askush nuk beson se vjen vdekja
Me shkëmbinj shiu –
sepse në qershor shiu është
Lot gëzimit i agut të manushaqtë
Që i bën menjëherë nuset nëna
dhe reinkarnon jetën
Askush nuk dyshon se mund të vdesë në qershor
Sepse në qershor dyshimet zhduken
Si jehonat e zërit që përplasen si krah zogjsh nëpër
Foletë e fshehura degëve të rilindura të pyllit…
Tutje larg nëpër shpatullta e malit…
Aq më pak Bardhy Ajeti
Nuk besonte kurrë se mund të vdiste në qershor
Se mund t’i vinte vdekja në qershor
Me sytë e zgavërta të djallit
Në sfurkun e vetmisë
Sepse ishte besimtar i lirisë
Dhe liria nuk të lë kurrë vetëm,
se liria të shpëton, futet në zjarr për ty vetëm
të të heqë prej thonjve të vdekjes…
Gjithçka mund të bënte në qershor Bardhyl Ajeti
Gjëra që e lidhnin pazgjidhshmüerisht me jetën
Vetëm të vdiste jo, vetëm për të vdekur nuk i shkonte mendja kurrë
Bardhyl Ajetit
Aq më tepër kur qershori për shqiptarët e shumëzon si fëmijët
dëshirën për ta jetuar jetën
Bardhyl Ajeti mendonte se nuk ishte koha e tij për të vdekur
Kur posa kishte jetuar dehjen e 27 qershorëve
Dhe ishte në hyrje në qershorin e 28 të jetës së tij
Që mbeti i vrarë - pa stinën e verës, vjeshtën dhe dimrin,
që mbeti i varë në mes të rrugës, kur metaforat e shpresës
si gurë kilometrikë ia largonin vetminë
që e la të vritet në mes të rrugës që e çonte tek shtëpia
kur e pret nëna edhe sot e kësaj dite e mbuluar
nga velloja e pikëllimit kur dëgjon krakitjen
e cfurkut të djallit që edhe sot e kësaj dite
në mënyrë të llahtarëshme hedh vallen
mbi njollat e gjakut të Bardhylit
që nuk i lan dot shiu i fajit…
Kur vjen Qershori…
Qershor 2007
MIRËMËNGJEZ PARIS !
Mirëmëngjez Paris !
Sot
jemi
gëdhirë
të dy
në një shtrat
Të dy të përgjumur
nga mosfjetja.
Unë bëj sikur
të jem
një pariziane e thekur,
ndërsa ti bën sikur të jesh
pjesë monotone
e përditshërisë
time…
Dal në rrugë
Si të jetë diçka
Rutinë
Marr taksinë
Sheshi Konkor 1)
Sheshi Vandom 2)
Harku i Triumfit
Del Etual 3)
Palé Ruajal 4)
Në një Kafé
buzë Senës
porosis kafe me qumësht,
si në poezinë
e Zhak Preverit
dhe pastaj
filloj të llogaris
një dhe një bëjnë dy
unë dhe ti Paris –
Por llogaritë s’më dalin
Dhe filloj nga a para
Një dhe dy
bëjnë dy Paris,
unë banorja jote efemer
ndërsa ti dhe Sena eternel,
Paris...!
1)La Place de la Concorde – Sheshi Konkord
2)La Place Vandôme – Sheshi Vandom
3)L’Arc de Triomfe de L’Etoile – Harku i Triumfit të Yllit
VAJZA E VOGËL ME EMRIN LULE
Trupi i vajzës së vogël
me fytyrë të tejpashme si uji
Drithërohet prej frikës
nëpër ujërat e ftohta
të Danubit
Frika që ia ka copëtuar zemrën
deri në çastin e fundit
Dhe nuk e ka lënë
kurmthin e njomë
që të humbasë
shtjellat.
Sa u mundua
vajza e vogël
që t’i mbetej një trumbë
kockash të imta
prej yjesh
ngulur në token e panjohur
që mos t’ia merrte uji i mallkuar
nëpër rrjedhën e ankthit
që e çonte aq larg shtëpisë
Vajza e vogël
me trupthin e zvogëluar
prej frikës
nga nata që e rrëmbeu
prej shtëpie
duke ia grisur dhe shqyer lodrat
prej të cilave ajo shpëtoi
vetëm vizatimin e fundit
të saj
ku me lapsat me ngjyra
kishte vizatuar
lule dhe shtëpinë e saj
në Kosovë
Vajza e vogël
që i mungon Kosovës
dhe që sot
do të ishte tetë vjeçe
por që mbeti
përjetësisht vetëm 5 vjeçe
me zemrën që vazhdon
t’i dridhet
si një fije bari,
nëpër ujërat e ftohtë
të Danubit të largët
larg shtëpisë,
ku çdo gjë është e huaj
dhe e akullt
më e akullt
se edhe vetë harrimi
Vajzë e vogël
që unë po të quaj LULE
Si ato lulet
që kishe vizatuar
në vizatimin tënd të fundit,
Të cilat unë i parafytyroj
më të bukurat e botës,
dhe që të gjitha lulet
që i shoh në natyrë
më duken krejt artificiale,
të pakuptimta, përderisa
ti vajza e vogël
me trupthin e holluar
prej ujrave të akullta të Danubit
ike duke zgjatur duart drejt nesh
që të të shpëtonim
dhe ne ishim aq të pafuqishëm
si të ishim njerëz prej qirinjsh
Ti krenoheshe me ne
vajza me trupthin e shkrirë
prej vetmisë
nëpër ujërat e akullta
të lumit të vdekjes
ndërsa ne ishim aq larg teje,
dhe ishim aq të pafuqishëm
aq sa ti je sot,
një trumbë eshtrash transparente
që shpirti yt i ka ruajtur aq shumë
duke iu lutur Zotit
që të t’i shpëtojë
prej lumit të frikshëm
e të t’i sjellë
të paktën në Kosovë…
Lotët e mi për ty vajza 5 vjeçare
me emrin Lule
e mbushin Danubin e zbrazur
prej urrejtjes
dhe mbushin
Drinin, Valbonën
sepse të lamë
në duart e tmerrit
të të rrëmbenin
prej duarve tona të thata
Të qarat e tua
më ndjekin në çdo çast
Të qarat e tua të lemerisura
Ma kanë zhdukur përgjithmonë
gjumin
sepse nuk munda të të shpëtoj
dhe të lashë
në duar kuçedrash
Asnjëri prej nesh
nuk i shkoi pranë
që t’ia zbuste frikën vajzës së vogël,
trupthi i së cilës ishte
zvogëluar edhe më tepër prej mungesës
sonë
nëpër ujërat e akullt të Danubit
që ia mbyti të qarat
e fundit vajzës së vogël
5 vjeçe me emrin Lule…
Medet…
1999-2000
E MBYTUR ORANZH
Jam zhytur
Në oranzhin
E vjeshtës Berneze
Jam mbytur
Në oranzhin
E vjeshtës
Berneze
Oranzh kam flokët
Mollëzat e gishtave
Fjalët, ahmat,
gjithçka oranzh
Asgjë nuk mund të ndaj
nga kallja në oranzh
as frymën, as gjakun
Trajtat
lakimet
notojnë në oranzh
mbyten në oranzh
askush
nuk e dallon dot
pikëllimin tim oranzh
as gjymtyrët e mi
as mbytjen time
sepse plluskat
e fundit
të frym&e




del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment