Eh, atëherë…
( Vendlindjes time, Mollë-Kuqe )
Thyhen ditët mbi shkëmbinjtë,
Vetmia kullat po i plas!
Krojet rrjedhin lotë të hirtë
Malet ne po na vijnë pas.
Nëpër kodër udha më nuk zbret
Dhe kryqi më nuk marrka frymë
Përroi i bardhë me shumë siklet
Vrapon i mbytur në zemërim.
Lisat në majë ngryken me qiellin,
Kudo që shkojmë na ndjekin degët.
Mesditat s’ digjen as nuk djegin,
Të vetme qënkan plakur netët.
Udhëtojnë muajt e s’po ndrinë,
Festat shkojnë pa ardhur kurrë.
Mbi tokë s’po shkelka malli ynë
E hija jonë s’po shkon për udhë!
Asnjë oxhak nuk nxirrka tym
Në fshatin tim pa jetë, pa këngë.
Mësuar qielli me vetminë,
Mezi i mban kullat në këmbë!
Flenë arinjtë në shtëpia,
Çatitë korbat po i shqyejnë.
Po vdesin gurët nga mëria,
Heshtja dyert po i brenë!
Nuk dalin tufat me këmborë,
Renditur nga përroi në majë
Dhe bujku më s’do mbjellë e korrë
Siç kishte mbjellë e korrë më parë.
Kokat e deshve në themele,
Këto shtëpi s’po mund t’i mbajnë.
Me një ofshamë e një përkdhelje
Dikur i mbante një çoban!.
Në Lak të Drenit dhe Suk Bukur
E ka humb fyellin Lala Prengë.
As nip-stërnipi nuk është dukur,
T’ia lidhë plagët me një këngë.
Në Kodër të Kuvendit burrat
Dikush t’i thirr duhet njëherë,
T’i shohin tokat edhe kullat
E ky mjerim të mos i zërë!
Dhe palnat shtuan gjatësinë,
Se nuk kërkohen për një djep.
Aty ku ne nuk mund po vijmë,
Ulen dhimbjet këmbë mbi këmbë!
Troket mëngjesi veç në prill,
Kur bora ka ndërmend të shkojë.
Mesditën mbrëmja e ka lidhë,
Krejt fshatin lënë e ka pa gojë!
Te Kroi i Lacit afër shkollës,
S’do shkojnë më nuset me buljerë,
Dhe as te ara e Ndue Nikolles,
Nuk do prashisin si çdo verë.
Në Mollë të Kuqe s’ka një dasëm,
Nuk qan këtu asnjë fëmijë,
Se paska më një metër basëm
As për flamurin kuq e zi.
As lindje më nuk do të ketë
Nëpër shtëpi që po harrohen,
Asnjë ofshamë nuk rri në këmbë
Mëngjesit gjelat s’i gëzohen.
Në gurë të kullës, bash në derë
Një vit i gdhendur seç ka mbetur
Një shqiponjë që s’fle një herë
Nga dora e gjyshit tim e gdhendur.
Shumë prej gjyshërve t’këtij fshati
Vështrojnë në shpatin përtej përroit
Dhe s’i kanë më armët që i pati,
Asnjë prej tyre për kaprojt!
E bash aty ku ngrohu globin
Dashuria e një ofshame
Thurin rrjeta për të ftohtin
Mijëra fije merimange.
Ku ish ndezë oxhaku vetë,
S’kishte më asnjë thëngjill.
Gjyshet kishin shkuar krejt,
Asnjë portë se kishin mbyllë!
Më afrohej portë e fshatit,
Sapo zbres nga Kodra e Krisë,
Lidhur si zinxhir i fatit
Në një tel të çiftelisë.
Te babgjyshi s’mund të shkoj,
Varrin s’di kur do t’ia gjëjmë.
Thonë se hapi i tij kaloi,
Një në diell e një në henë.
Ndaj shqiponja nuk ka frikë,
Në derë të kullës rrin e rrin.
Po pret hapat tanë një ditë,
Që të vdesë në fluturim.
Do këndojnë arat dhe krojet,
Do mrizojnë kodrat në përrua.
Nuset do t’i ngjallin trojet,
Kullat kanë për të nusëruar.
Eh atëherë, oho, sa mirë
Gjithë kulltarët do të mbrrijnë
Gjyshër-gjyshet do të ngrihen
T’gjitha kullat do të krihen,
Do te rrjedhin krojet verë,
Do lulzojnë qershitë dy herë…
Janar, 2010



del.icio.us
Digg
Comments (5 posted):
si jetima kemi mbete
nga nje gote raki ta pime
me harru ku jemi trete,,,,do te kishte kendua rrapsodi i madh Sali Mani.
Nuk besoj se autori i kesaj poezie kaq te bukur do ta kishte imagjinua se, ma me deshire nje dite do te kishte dashte me pa kullen e tij te vjeter se sa kullen e bardhe qe qeveris boten
,,,pershendetje,,,
Nje "telajo" qe ke deshira ta kundrosh,ta kendosh nen ze...faleminderit.
Urimet te presin ne fund te cdo poezie...
suksesin vendose vete...te gjithe jane dakort...!!!
Post your comment