AlbDreams.net: Eh, atëherë… Eh, atëherë… ================================================================================ Pjeter JAKU on 08 February, 2010 10:25:00 Thyhen ditët mbi shkëmbinjtë, Vetmia kullat po i plas! Krojet rrjedhin lotë të hirtë Malet ne po na vijnë pas. Nëpër kodër udha më nuk zbret Dhe kryqi më nuk marrka frymë Përroi i bardhë me shumë siklet Vrapon i mbytur në zemërim. Lisat në majë ngryken me qiellin, Kudo që shkojmë na ndjekin degët. Mesditat s’ digjen as nuk djegin, Të vetme qënkan plakur netët. Udhëtojnë muajt e s’po ndrinë, Festat shkojnë pa ardhur kurrë. Mbi tokë s’po shkelka malli ynë E hija jonë s’po shkon për udhë! Asnjë oxhak nuk nxirrka tym Në fshatin tim pa jetë, pa këngë. Mësuar qielli me vetminë, Mezi i mban kullat në këmbë! Flenë arinjtë në shtëpia, Çatitë korbat po i shqyejnë. Po vdesin gurët nga mëria, Heshtja dyert po i brenë! Nuk dalin tufat me këmborë, Renditur nga përroi në majë Dhe bujku më s’do mbjellë e korrë Siç kishte mbjellë e korrë më parë. Kokat e deshve në themele, Këto shtëpi s’po mund t’i mbajnë. Me një ofshamë e një përkdhelje Dikur i mbante një çoban!. Në Lak të Drenit dhe Suk Bukur E ka humb fyellin Lala Prengë. As nip-stërnipi nuk është dukur, T’ia lidhë plagët me një këngë. Në Kodër të Kuvendit burrat Dikush t’i thirr duhet njëherë, T’i shohin tokat edhe kullat E ky mjerim të mos i zërë! Dhe palnat shtuan gjatësinë, Se nuk kërkohen për një djep. Aty ku ne nuk mund po vijmë, Ulen dhimbjet këmbë mbi këmbë! Troket mëngjesi veç në prill, Kur bora ka ndërmend të shkojë. Mesditën mbrëmja e ka lidhë, Krejt fshatin lënë e ka pa gojë! Te Kroi i Lacit afër shkollës, S’do shkojnë më nuset me buljerë, Dhe as te ara e Ndue Nikolles, Nuk do prashisin si çdo verë. Në Mollë të Kuqe s’ka një dasëm, Nuk qan këtu asnjë fëmijë, Se paska më një metër basëm As për flamurin kuq e zi. As lindje më nuk do të ketë Nëpër shtëpi që po harrohen, Asnjë ofshamë nuk rri në këmbë Mëngjesit gjelat s’i gëzohen. Në gurë të kullës, bash në derë Një vit i gdhendur seç ka mbetur Një shqiponjë që s’fle një herë Nga dora e gjyshit tim e gdhendur. Shumë prej gjyshërve t’këtij fshati Vështrojnë në shpatin përtej përroit Dhe s’i kanë më armët që i pati, Asnjë prej tyre për kaprojt! E bash aty ku ngrohu globin Dashuria e një ofshame Thurin rrjeta për të ftohtin Mijëra fije merimange. Ku ish ndezë oxhaku vetë, S’kishte më asnjë thëngjill. Gjyshet kishin shkuar krejt, Asnjë portë se kishin mbyllë! Më afrohej portë e fshatit, Sapo zbres nga Kodra e Krisë, Lidhur si zinxhir i fatit Në një tel të çiftelisë. Te babgjyshi s’mund të shkoj, Varrin s’di kur do t’ia gjëjmë. Thonë se hapi i tij kaloi, Një në diell e një në henë. Ndaj shqiponja nuk ka frikë, Në derë të kullës rrin e rrin. Po pret hapat tanë një ditë, Që të vdesë në fluturim. Do këndojnë arat dhe krojet, Do mrizojnë kodrat në përrua. Nuset do t’i ngjallin trojet, Kullat kanë për të nusëruar. Eh atëherë, oho, sa mirë Gjithë kulltarët do të mbrrijnë Gjyshër-gjyshet do të ngrihen T’gjitha kullat do të krihen, Do te rrjedhin krojet verë, Do lulzojnë qershitë dy herë… Janar, 2010