Home | Letersi | Ndoc Gjetja: "Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu."

Ndoc Gjetja: "Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu."

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Në shtëpinë e poetit, në Lezhë, në 66-vjetorin e lindjes. Askush më mirë se ai vetë në vargjet "Autoportreti", nuk flet për Ndoc Gjetjen. Ka në proces vëllimin me poezi të zgjedhura nga krijimtaria 40-vjeçare

Lezhë / Çfarë bindjesh ka Ndoc Gjetja? Që "njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu." Për çfarë ka antipati? Për "burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miun". Nga se ka frikë ai? Nga "shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma."


Askush më mirë se ai vetë në këto vargje marrë nga "Autoportreti", nuk flet për Ndoc Gjetjen. I përkasin vëllimit të fundit me poezi "Dhjata ime" i vitit 1998. Prej atëherë asgjë e re nga ai.


Po e sjellim në vëmendjen e lexuesve "Autoportretin" me rastin e 66-vjetorit të lindjes së poetit që e kaloi si çdo vit në shtëpinë e tij të thjeshtë dhe të ngushtë (më saktë do ishte të thuhej e varfër, e mjerë) në lagjen "Skënderbeg" të qytetit të Lezhës.


Ai është lindur më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç.


Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur, në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik "Rrezatim", pastaj erdhën gjashtë të tjerë: "Shqiponja rreh krahët" (1975), "Qëndresa" (1977), "E përditshme" (1982), "Çaste" (1984), "Poezi" (1987), "Kthimet" (1991) dhe "Dhjata ime" (1998).


Dikur do të thoshte: "Edhe pse kam botuar shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm, që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj."


U bënë vite që Gjetja e premton këtë vëllim me poezi të zgjedhura. Nuk dihet nëse e ka vërtet në duar librin apo e premton që edhe ai vetë ta besojë se poezia vazhdon jeton tek ai, se ai vazhdon jeton, se jeta vazhdon.


Gjetjen e kanë cilësuar "poet humanist". Me siguri e kanë ndjerë këtë përmasë shumë që e kanë lexuar këtë poet që rri pa zhurmë dhe me dinjitet në rendin e poezisë bashkëkohore shqipe.


Gazeta "Shekulli" u ndodh në këtë 66-vjetor në shtëpinë e tij, për të shkëputur pak çaste nga përditshmëria e Gjetjes. Për çdo ditëlindje pret tek kjo strehë vizita nga miq, po edhe nga autoritete lokale. Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës së Lezhës, Kastriot Kodheli duke i uruar jetëgjatësi shprehu falënderime për atë që Ndoc Gjetja ka bërë për Lezhën dhe lezhjanët me penën dhe humanizmin e tij.


Bashkëkohës me poetët Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Isaku etj., Gjetja është prezantuar dikur si poet i të ashtuquajturit "grup i poetëve lezhjanë", paçka se kontributi i tij në kulturë është edhe më konkret dhe i prekshëm. Mjafton të kujtojmë revistën e famshme për kohën "Skena dhe ekrani" dhe ke thënë Ndoc Gjetja. Një revistë të atyre standardeve nuk e kemi as sot njëzet vjet pas rënies së izolimit.


Ai ka qenë 13 vjet kryeredaktor i "Skenës" dhe është i vetëdijshëm se bashkë me poezinë, është një nga dy gjërat më të rëndësishme që ka bërë si kontribut në shoqëri. Mbyllja e revistës e nxori të papunë dhe shënoi shtegtimin nga Tirana, tashmë në kthim drejt Lezhës më 1995 ku jeton sot e kësaj dite.


Vdekja e të birit më 1997, ishte goditje fatale për Ndoc Gjetjen. Pat treguar dikur se kur gëzimet dhe dhimbjet janë të mëdha nuk mundet të shkruajë njeriu një varg për njeriun e dashur. Nuk ka mundur t'i kushtojë një poezi të birit. Të paktën të botuar deri tani nuk ka, po askush nuk e di çfarë fshihet dhe ruhet në dorëshkrimet e tij.


Në ditën e 66-vjetorit të lindjes Gjetja thotë se "frymëzimet poetike vijnë në formën e gacave të ndezura të mbuluara me hi. Unë në këtë moshë kam më tepër hi që më përvëlon se sa gaca të mbuluara me hi."


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
Se nuk diti t'u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
Dhe një mjekër e thinjur nga moslejim kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me Grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.

Comments (9 posted):

Mark Gjonaj on 10 March, 2010 01:37:20
avatar
Poetin e mrekullueshem Ndoc Gjetja, e njeh tere Shqiperia, por une e kam njohur atehere kur nuk e njihte as Lezha dhe mund te kete edhe me shume se 50 vjet. Mbaje mend se ne ate kohe e kishte shendetin e paket, kam fjetur dhe ne nje dhome me te, kur ishim konviktor, ne konviktin ne brinje te Kalase se Lezhes. Vuante nga brinja qe i kishte zene uje, dhe shume here nuk kishte gjume..., si per nga shkrimet dhe shendetin ta krahasosh me Migjenin, besoj qe nuk bej gabim. Thoshnin qe atehere se ishte femije fukaraje, sic ishim nje pjese e mire e konviktorve. Ndoci, ishte nje djale shume i disiplinuar, nuk i degjohej zeri dhe asnjehere, nuk e shkepuste librin nga dora, si shokun me te mire dhe kete e vertetoi dhe koha. Besoj se te gjithe konviktoret dhe shoket e shkolles kete mendim do te kene.


Nuk e di se ku i kam lexuar ca vargje per kete njeri, por e krahason me nje nga figurat e imituara te profetit Krisht dhe kur e kam lexuar, kam thene me te vertete, ai e imitonte, me sjelljen, shendetin, me bukurine e urtesise dhe ne komplicitet me rrugen e jetes plot vuajtje e peripeci. Lezha eshte krenare qe ka nje poet te tille; Gjimnazi me ish drejtorin e tij profesor doktor mesuesin e popullit Mark Vuj. Ndoci nuk me njehe, se une kam qene me femije se ai, por ate e njehe gjithe Lezha dhe Shqiperia. Jam shume i lumtur qe mu dha mundesia te shkruaje keto rrjeshta. Thenja e tij qe lumturine njeriut ja sjelle njeriu eshte shume fillozofike. Pra oqeanin e vlerave te krijimtarise njerzore, nuk mundemi kurre ta krahasojme me perandorine shpirterore te fese; kjo eshte nje pjesez e juniversit kulturore qe ka krijuar njeriu per njeriun. I uroj nga Zemradocit edhe 100 vjet te tjera jete. Faliminderit Albdreams dhe Shekullit qe ja gjeti shtepine per kete interviste. Naten e mire.
Ehhh poetet. on 10 March, 2010 07:19:57
avatar
...raca ma njerzore e skotes njerzore
ata ndriçojne boten nga injorantet e diktatoret.
...jane ylle polare per kombin
qe duan ta orjentojne
por jo per ata popuj qe s'dine ti lexojne...
Thumbi on 11 March, 2010 07:30:13
avatar
Vetem dy gjana te mira mbaj mend prej shtetit diktatorial komunist(ktu flas sinqerisht) ato jane:
1)-Vaksinimi i gjith popullsise per gjitha semunjet ngjitse.

2)-Dhe gjith fodudhet,qe kishin biografine e mire,po me zi merrnin nje note kaluese i dergonin ne shkollat ushtarake.
Dhe ata qe e kishin trunin krejt muskul pa asnje rrudhe i dergonin ne shkollen e policise.
Kola on 11 March, 2010 01:14:17
avatar
Ja ke fut kot plako Per 50 vjet ata ishin gjithcka, Truri ishte tek ata se tek ti truri kishte fjetur.Mbaj mend se Policet skishin nevoj per shkoll sepse "friga i ruante vreshtat", ndersa oficeret po , dhe kane qene shume te zgjuar dhe te zotet. Tani mas "pilafit" mund te flasim gjthcka, por ato qe ishin te mira s'mund ti bejne askush te keqija plako. Pastaj ai ka nxjerre edhe shume intelektual si Sali Berishen, J. Topallin, I. Kadarene e me qindra e qindra intelektual te te gjtha fushave, te cilet fatkeqsisht spo mund ti konkurojne kush as sot pas 20 Vjet demokraci. Fudulla mbetet ju qe atehere shikonit diellin nga dritarja e Qenefit se keta qe ishin perpara dje jane dhe sot, vetem se kane ndryshuar ngjyren e Kostumit.O thumb, mos u merr me kete pune se ja futke vetit ma shume se atyre.
Kola on 11 March, 2010 10:28:45
avatar
Lexoje edhe ni here at qe thote thumbi se spaske kuptu gja prej gjaje.
Ai asht ka te thote se ka çuan ne shkollen e ushtarakeve se ata qe paten men dhe nota te mira mueren bursa tjera si Kadareja, Berisha, Topalli etj etj.
Ata qe paten mend dhe mundesi,diten me zgjedhe edhe bursat.Nuk u bane polic.

Po me sa duket ti Kola nuk i paske jetu ato kohe.Nejse.
Kujtesa on 12 March, 2010 02:18:57
avatar
Aty ke antipatia pas miut poeti i mire ka harru me vu se ai nuk i honeps mirditoret edhe se disa i rrine me perulje duke qene mirditor. Mirditori kunder mirditorit po asht balta e shpirtit edhe ne diaspor
LETER & ART DASHESI on 12 March, 2010 04:29:42
avatar
Shkrimtaret, poetet e Shqipteret me te
mire jane ata qe dine ti jetojne kohet
duke bere me te miren e mundeshme.
Ata qe vrapuan te nderronin "oborrin" te perkuleshin e serviloseshin para
"padronit" te ri, treguan se jane zana-
tlinj me pervoje si puthadore.
Keto 20 vite mjaftuan per sejcilin
per te treguar vlerat e verteta,per te
çfrytezuar hapsirat e reja, e per te
prezantuar indivilualitetin,intelektin
dhe personalitetin e vertete, pa ndikime
"oborresh" e "taborresh".
Respekt per Ndocin, respekt per ate
plejade te pa perseriteshme poetesh e
shkrimtaresh Lezhjane, te cilet realisht
sollen nje fryme te re ne letersine
Shiqipe qysh ne vitet 80.
Le te mos i ngaterrojme talentin e
profesionalizmin me komunizmin, ne nuk
jemi aq te pasur sa ti flakim totalisht
edhe ato vlera te arrira ne kushtet me
te veshtira. Le te denojme vetem tej-
fryrjet politizuese, e te çmojme realsht
vlerat e pa mohueshme krijuese dhe
interpretuese. Sa mire do te ishte..!
nikoll perkaj on 12 March, 2010 07:23:23
avatar
Nuk kam lexuar ndoni veper te kti poeti por mun te them se pershkrimin e jetes te njeriut e paska ber shum sakt me pelqen shum poezija qe e postuat me bet te kerkoj ndoj vepr te tij nderime
Zef Naci on 23 April, 2010 05:47:35
avatar
Kam lexu vellimin caste te Ndoc Gjetos dhe qysh atehere kam vrejt ate qe: Ndoc Gjetja eshte nje nder poetet me te mire qe ka shqiperia jone. Do te kisha shume deshire te lexoja dicka qe i perkasin viteve te demokracise. Sidoqe te jete ai eshte i madh per mu dhe asgje se ndryshon Poetin.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0