Historia e letërsisë dhe kritika letrare
Këto studime sigurisht se mund të ndihmojnë shumë në një shkrim cilësor të historisë së letërsisë shqipe, nëse ajo do të shkruhet me qëllime të shëndosha, për të vënë kuptime cilësore në një mjedis letrar të çoroditur
Një histori e letërsisë mund të shkruhet drejt vetëm atëherë kur asaj i paraprin një kritikë letrare sistematike. Pa këtë ndërlidhshmëri, s'mund të ketë rezultate të qëndrueshme dhe të pranuara gjithandej. Në këtë kontekst ajo që mendoj se duhet të shtrohet si temë diskutimi në sensin e debatit për rivlerësimin e letërsisë shqipe, në literaturën shqipe, mbetet pyetja nëse kritika letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj, sa ajo i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë? Dijetari i letërsisë, Northep Fraji, shkruan se: "Artet janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë". Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi ka mbështetje të gjerë në studimet letrare, atëherë mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje të gjerë, që prek relacione të komplikuar mes shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë. Segmente të rëndësishme të mendimit për letërsinë, apo më mirë të themi kritika letrare shqipe ende nuk ka arritur t'i riparojë gabimet e trashëguara dhe kjo përbën një pengesë në rrugën e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto kritika letrare shqipe, ende nuk e luan funksionin e saj për të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar, por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit që pengon rivlerësimin e letërsisë shqipe dhe në këtë sens rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Ndërsa në aspektin tjetër ky fakt pengon letërsinë shqipe të vlerësohet si dukuri estetike. Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht. Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo çmim të krijojnë brezin pasardhës të kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara letrare. Por, kriza e defamiljarizmit (nocion i formalistëve rus) nga dogmatizmi, për mendimin tim ka krijuar një paradoks tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka një segment dogmatizmi në vete. Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare. Në fakt, sot nuk ndihet ndonjë uniformitet në studimet letrare, ndërkaq ka një shumësi shkollash dhe vlerësimesh letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore. Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse që gjithsesi do të ndihmojë në shkrimin cilësor të historisë së letërsisë shqipe. Dy dekadat e fundit ka pasur një shtim cilësor të studimeve të rëndësishme letrare për autorë dhe dukuri të caktuara letrare. Në këtë periudhë kemi një sfond të pasur dhe cilësor studimeve letrare, që janë fokusuar tek letërsia e vjetër shqipe, tek letërsia e arbëreshëve të Italisë, tek autorët e shumtë të ekskomunikuar, (Fishta, Koliqi, Harapi, Haxhiademi, Santori, Kuteli, Zorba, Pipa, Camaj), apo tek autorët e tjerë të rëndësishëm: Reshpja, Podrimja, Pashku, Pllumbi etj.


del.icio.us
Digg
Comments (1 posted):
Post your comment