AlbDreams.net: Kadare fiton çmimin Astuarias: Një zë kundër totalitarizmit Kadare fiton çmimin Astuarias: Një zë kundër totalitarizmit ================================================================================ Shekulli Online-Per AlbDreams nga Luigj Shkodrani on 25 June, 2009 12:31:00 Shkrimtari shqiptar shpërblehet me 50 mijë euro dhe një vepër skulpturë e Joan Mirosë nga çmimi spanjoll, në emër të Princit Felipe Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, (73 vjeç) është vlerësuar dje në Oviedo me çmimin spanjoll "Princi i Asturias", çmim për letërsinë që vlerëson angazhimin shoqëror të veprës së tij. Duke e cilësuar si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, organizatorët e çmimit thanë që Kadare "përfaqëson majën e letërsisë shqipe dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kapërcyer kufijtë për t'u ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit. " Çmimi për vitin 2009, i cili u njoftua menjëherë dje nga agjencitë kryesore evropiane të lajmeve, është një nga tetë çmimet Asturias, i cili jepet çdo vit për Artet, Sportet dhe për Harmoninë. Juria, e përbërë nga Andrés Amorós, Luis María Anson, J. J. Armas Marcelo, Blanca Berasátegui, Pedro Casals etj., e kryesuar nga Víctor García de la Concha, ka deklaruar se çmimi Princi i Asturias për Letërsinë 2009, i jepet Kadaresë "për bukurinë dhe angazhimin e thellë të krijimtarisë së tij letrare. Ismaíl Kadare tregon me një gjuhë të përditshme, por plot lirizëm, tragjedinë e tokës së tij, fushë e vazhdueshme betejash. Duke u dhënë jetë miteve të vjetra me fjalë të reja, shpreh të gjithë dhimbjen dhe ngarkesën dramatike të ndërgjegjes. Angazhimi i tij i ka rrënjët në traditën e madhe letrare të botës helene, të cilën ai e projekton në skenën bashkëkohore si denoncim të çfarëdolloj forme totalitarizmi, në mbrojtje të arsyes." Në njoftimin që i referohet vendimit të jurisë, thuhet se letërsia e Kadaresë do të tërhiqte vëmendjen për herë të parë gjatë viteve të regjimit shtypës komunist të Enver Hoxhës. Prozator, eseist dhe poet, vepra e tij do të bëhej më me nam ndërkombëtar pas azilit politik në Francë, më 1990-ën, thuhet në njoftimin e "Associated Press". Ndërsa sipas "Euronews"-it, "në fillim të viteve shtatëdhjetë, ai u zgjodh deputet pa u pyetur, më pas shtrëngohet të aderojë në parti. Por shkrimet e tij tërheqin goditjet e regjimit që ndalon botimin e veprave të tij. Kështu, ai zgjedh të mërgojë në Francë më 1990-ën." Ka lindur në Gjirokastër më 1936-ën dhe disa nga romanet e tij më të njohur janë "Gjenerali u ushtrisë së vdekur", "Pallati i ëndrrave", "Koncerti". Kandidat i rregullt për "Nobelin" në letërsi, Kadare fitoi të parin "International Booker Prize" më 2005-ën. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. "Si fëmijë, Kadare dëshmoi Luftën e Dytë Botërore dhe pushtimin e vendit të tij nga Italia fashiste, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik, deri në instalimin e diktaturës së Hoxhës më 1944-ën", - u tha në një shënim biografik me rastin e marrjes së çmimit. Po aty, ai cilësohet si studiues i shquar i traditave shqiptare dhe i gjërave të çuditshme të madhështisë ballanike, veprat e tij shpesh ngrihen rreth ngjarjeve historike, të cilat e godasin vendin e tij, si ndarja e Shqipërisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, kundërshtitë katolike dhe ortodokse dhe prishja ndërmjet Tiranës dhe Pekinit. Çmimi "Asturias" përfshin një shpërblim 50.000 € dhe një skulpturë nga artisti Joan Miro. Çmimet mbajnë emrin e Princit Felipe të Spanjës, titulli formal i të cilit është Princ i Asturias, një krahinë e Spanjës Veriore. Çmimet "Prínci i Asturias" janë të destinuara, sipas Statuteve të Fondacionit, për "për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare" . Brenda kësaj fryme, çmimi i letërsisë "Prínci i Asturias", "do t'i jepet personit, institucionit, grupit të personave apo institucioneve, puna krijuese apo investiguese e të cilëve përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për kulturën universale në fushat e Letërsisë apo Linguistikës ". Në këtë edicion konkurronin 31 kandidatura nga Shqipëria, Argjentina, Bélgjika, Kanadaja, Kuba, Kili, Shtetet e Bashkuara, Franca, Holanda, Hungaria, Irani, Irlanda, Italia, Japonia, Maqedonia, Meksika, Nigeria, Peruja, Polonia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Republika Çeke, Rumania, Uruguai dhe Spanja. Vitin e kaluar "Asturias"-in për letërsinë e fitoi shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood. Ceremonia e dorëzimit të çmimit nga duart e Princit Filip i Bourbonit, do të mbahet në vjeshtë.