Parathënieshkruesit
“ Poezia duhet të jetë po aq e re sa një flluskë, dhe e vjetër sa një shkëmb” Ralf Valdo Emerson ( Rreth disa dukurive në botimet e viteve të fundit të emigrantëve në Amerikë )
Parathënie janë shkruar dhe do të shkruhen, edhe pse, në përgjithësi autorët e mirë nuk i aplikojnë në librat e tyre parathëniet. Ndoshta, shumë me thane, një përcjellje të librit e bëjnë me shënimin autorial. Parathëniet, i kemi lexuar në librat e përkthyer nga autorë të huaj, qofshin këta edhe të njohur, por që nuk kanë ndikuar në mosleximin e veprës. Parathënia e një libri është si të thuash subjektin e nje filmi shikuesve, pa hyrë në kinema.
Të rrallë do të ishin ata që shkojnë në kinema, kur e dinë subjektin. Kështu do të ndodhte edhe me librin. Por, është sugjestioni, e papritura, narracioni, dhe në veçanti, mjeshtria e zhvillimit të një subjekti, që e mban lexuesin deri në fund të librit në intrigën e tij.
Vetëm të shkruash, apo diç më shumë?
Vitet e fundit sëmundja e shkrimtaromanisë është zhvilluar shumë. Gjithnjë është fjala për “ shkrimtarët e diasporës”. Emigrojnë afër moshës pesëdhjetë vjeçare e më shumë, pa pasur të shkruar asgjë, qoftë edhe një varg ose një rresht të botuar. Disi nga malli ( e drejtë kjo), pak nga mania për të rënë në sy të bashkatdhetarëve, pasi kanë bërë ca para menjanë, u mbushet mendja se janë dikushi edhe ne këtë fushë. O burra të botojmë! Mblidh e shtrydh ato pak vargje, mblidh e shtrydh ato pak para të mbetura nga kursimet dhe vrapo në Shqipëri për të gjetur shtypshkronjën. Mirëpo, që të bëhesh i njohur, ose që të besojë lexuesi, duhet parathënia. Edhe kjo e lehte, paguaj ose gjëj një mik për dikë që ka botuar, i cili është pak më i njohur se paguesi dhe u bë! Deri këtu në rregull. Nuk duhen më shumë se dy- tre muaj që iks përson të vetëthirret poet (!). Me shumë marifete dhe germime në internet, me dy-treqind dollarë e do të jetë anëtar i klubeve ndërkombëtare. Në librin e dytë e ka shumë më të lëhtë t’i besojë aftësisë së tij krijuese. Tanimë biografia krijuese është rritur së tepërmi. Nuk i thonë shaka të jesh anëtar i shoqatës ndërkombëtare të poetve a shkrimtarëvë! Zot, na ruaj, se deri nesër nuk do ketë shkallë për t’u ngjitur. Ku do të shkojnë ata pas kësaj shoqate?! Mik pas miku dhe gërmim pas gërmimi do të gdhijnë anëtarë të një antologjie ndërkombëtare, ndërkontinentale, ku ende nuk ka hyrë as Kadareja? Epo, kësaj i thonë arritje!
Megjithëse fort mirë e dinë se krijimtaria e tyre nuk mund të klasifikohet e denjë ( e realizuar artistikisht ) as për t’u botuar në almanakun e katundit prej nga vijnë.
Vrapimet nuk kanë fund.
Mediokrit mburrin njëri-tjetrin
Të jesh mediokër është më mirë se të mos jesh hiç. Nga kjo ka gjasa që ngushëllohen të patalentuarit, që vetëm harxhojnë letër dhe para, pa i dhënë asgjë lexuesit të asnjë niveli. Megjithatë, degjon shpesh prej ndonjerit thënien e mësuar nga të tjerët “ kam lexuesin tim”. Por, edhe sikur të jetë kështu, poeti nuk duhet të bjerë kurrë në nivelin e lexuesve pa nivel, por duhet të mendojë se si të ngrejë lexuesin në një nivel më të lartë kulturor. Edhe po ta zëmë se është kështu, asnjë lloj lexuesi nuk mund të ketë një vepër, që nuk ka nivelin minimal artistik.
Jo rrallë ndodh që një krijues, edhe pse me moshë i bën elozhe një kruijuesi tjetër me vlerësimin hiperbolik: “ Gjigandi i lëtërsisë shqipe”. Parë se kush e vlerëson dhe cili është niveli kulturor i vlerësuesit, i vlerësuari, jo vetëm që duhet të ndjehet keq, por natyrshëm duhet të reagojë prej një të pavërtete. Asnjëra dhe as tjetra nuk ndodhin. i vlerësuari kalon një hap më tej, duke lejuar një mikun e tij të shkruaj një libër për të, me një titull po hiperbolik “ Iks përson më shumë se poet ”. Më shumë se poet është veç krijuesi, i cili krijon botën fizike dhe shpirtërore, ndërsa poetët veç fantazojnë, duke rikrijuar një botë të krijuar.
Deri këtu asnjë e keqe. Gjithësekush ka të drejtë të shkruaj, por jo gjithësekush ka të drejtë të botojë broçkulla, që nuk mund të klasifikohen asesi për art. Le të kulturohen më parë, të lexojnë shumë më shumë se një lexues, edhe pse mund të mos kenë diploma, mund të jenë krijues të pranueshëm. Të shkruash poezi pa nivelin minimal të kulturës gjuhesorë, le poetike , do të thotë të shkosh për të rrëzuar një lis pa sopatë.
Konkretisht
Një ditë më ra në dorë një libër. Rastësisht ndodhesha me një mikun tim dhe ai e kërkoi për ta parë. “ Ky u shpall libri më i mirë i vitit , - më tha. Kush e shpalli?- pyes unë. Nuk e di ti? Në panairin e librit,-vazhdoi ai. Në panairin që u bë në New York. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan e shpalli”. Përnjëherë m’u kujtua se kisha lexuar diçka në gazetën “ Illyria”. E mora librin, edhe pse e njihja autoren, së cilës i kisha botuar disa poezi në revistën “ Kuvendi “, që nuk kishin lënë gjurmë tek unë.
Pa i ardhur keq, dhe duke i kërkuar ndjesë, pasi ai libër mund të kish qënë i kujtdo, po i përmend titullin, duke menduar se është në të mirë edhe të autores, edhe pse në biografinë e saj mësova se ish e diplomuar në lëtërsi dhe, për më tëpër, kishte punuar mësuese në një nga gjimnazet më të mira të Tiranës. Bëhët fjalë për librin poetik “ Mjellmat po vijnë’ me autore Këze ( Kozeta ) Zylo.
Fillimisht, si në çdo libër, lexova parathënien. Afro dhjetë faqe parathënie me vetëm superlative nga i njohuri , Prof. Peter Prifti. Edhe pse nuk e njihja profesorin për poet, i besova shijes së tij, ndonëse shembujt ilustrativ që kishte marrë nga libri, nuk e justifikonin gjithë atë punë. Që në fillim u ndesha me disa vargje, që më sollën gjendje të keqe tek shembulli i marrë nga poezia “ Një lot pëllumbi”. “… një lot pëllumbi pikoi,/ në qelqin e gotës sime,/ e unë me gjuhën time/ e lepiva, ç’shije kishte.”
Nuk kam ndërmend të analizoj librin, pasi veç tri a katër poezive, si: “ Copa dhimbjesh”, ( përjashto titullin), “ Në gjoksin tim” dhe poezia më e realizuar, “ Sytë e kuajve”, edhe pse, në mos qofsha gabim, e botuar më parë nga Aranit Roshi. Edhe vetëm këto tri poezi të kish shkruar poetja, nuk janë pak. Por, në përgjithësi libri vuan nga proliksiteti, sëmundje kjo e disa autorëve të shoqatës me tri “ Sh”. Ja disa vargje për të ilustruar prozaizmin model:
Shumë gjera kanë ndryshuar shumë,
Unë nuk orientohem dot,s’di ku!
Kur ika lashë popullin në mitingje,
Që kërkonin paret që kishin shitur dhe dreqin,
Kioska që mbinin si kërpurdhat anës Lanës,
Bunkjerët hijerëndë, që na përpinin brënda,
Kur jepeshin alarmet komuniste,
Nga frika e fantazmës imperialiste!
Deri këtu mjafton për të përligjur prozaizmin model. Veç fjalë të renditura në vargje. Le ta provojmë në prozë:
“Kur ika lashë popullin në mitngje, që kërkonin paret që kishin shitur dhe dreqin”.
Për të mos u zgjatur, shihet se këto lloj poezish mund t’i shkruajë kushdo, edhe nëse nuk ka pikë talenti, mjafton t’i lind ideja për të shkruar!. Më e keqja është se këta poetë, nuk kujdesen as për titujt,( një titull prej këtij libri është: “ Me të hy vetja në qejf ”).
Por më e bukura e të bukurave, poezia më gjashtë vargje: “ E në vazhdoftë kështu…”dinakët përherë,/dhelpra mbetën./të urtët dele perendie/ e në vazhdoftë kështu/ as edhe buka s’ka më shije!”
Mund të thuhet edhe kështu: “ Epo, vargje të lira janë!” Mirëpo edhe vargjet e lira nuk janë krejt të lira, nëse nuk e kanë poezinë, ritmin e brendshëm, mjeshtrinë e të shprehurit, nëpërmjet një leksiku të zgjedhur. “ Të shkruash vargje të lira,- do të thonte Robert Frost,- është si të luash tennis pa rrjeta.”
Duke i munguar poezia, të paktën në këtë libër, arrin të shkëpusë parathënie e prapathënie nga autorë si Ismail Kadare, Peter Prifti, Helena Kadare, Sadik Bejko etj. Të paktën këta të katër, po ta kenë lexuar librin, jam i bindur se nuk do të kishin shkruar vlerësime të tilla.
Vlerësime të tjera të komunitetit letrar të shqiptarëve të Amerikës ka edhe ne ketë libër, por që janë vlerësime fluturake, si ato të Dalan Luzaj dhe të Gjekë Marinaj, që nuk kanë asnjë vlerë t’i citosh.
A ka raste të tjera
Plot! Parathënie të tilla dhe komente për libra shumë të dobët do të kërkohen mësëshumti jashtë kontinentit. Ka botime qe nuk kanë asnjë vlerë, me autorë që nuk e dinë ç’është poezia si përkufizim, ndërsa shkruajnë në kopertina librash antarësimin në disa shoqata ndërkombëtare. T’u hapësh librat, do të gjësh vargje si këto: “ …në dorë mbanit të ndezur një copë llastik/ecnit për një pa udhër dhe komandë/… këpucët tuaj që nuk ishin kurrë këpucë/vecse një copë llastik..” më tej.. “ si turjelë viteve ju futen/ ndërtesën e saj të bardhë/ e hodha tej” ose ajo me titull: “ Ta rruaj pak hunden” etj etj… bukuri leksikore nga libri “ Shungullima e heshtjes”, Ndue Hila, botim i vitit 2008. Ky “poet” nuk mund të klasifikohet si i tillë, as si vajtues lagjeje, jo më kandidat i “ Pen Amerikan Center”, për librin e të cilit Gjekë Marinaj, si “gjigand i letërsisë shqipe” do të shkruante me superlativa. Të paktën të heshtësh është shumë më mirë, se të padisësh paaftësinë tënde!
Zot, na ruaj nga marrëzi të tilla!
Për parathënie dhe analiza të pamenduara dallohen veçmas; Klajd Kapinova, Gjekë Marinaj, Fatmir Terziu ( Londër ), Sotir Lashova e ndonje tjetër.
Shembull tipik i një parathënieje të tillë është ai i Ftamir Terziut, për librin: “ Lule që rritemi në gur”, me autor Mëhill Velaj. Libri i mësipërm është i treti për autorin, por që nuk ka asnjë levizje në ngjitje nga botimi i mëparshëm, “ Metamorfoza e rruzullit”.
Pra, është nxitim i autorit per të dalë me libër, kur nuk është gati. Nëse parathënieshkruesi e njeh poezinë e autorit, për të cilin shkruan, nuk do e deklamonte me superlativa, që edhe autori nuk do t’i duronte. Do të ishte e mira, që ta sugjeronte poetin, se ku duhej mbështetur nga krijimtaria e tij e mëparshme. Vetëm kështu do të ndihmohej konkretisht një autor. Në librin “ Metamorfoza e rruzullit” ka poezi që kanë arritje teknike, por që kanë edhe mdjenjën, si psh: “ Ecja jonë në kohë”, “ Dhembja e ndarjeve”, “ Eshtrat tanë”, “ Epitet”, “ Fragment historie”, dhe më e bukura “ Kosova në udhën e krijimit”, “ Përgjigje poetike…” e ndonjë tjetër, që nuk janë pak për një libër. Poezi të tilla duhet të ishin më shumë në librin pasardhës.
Parathënieshkruesi, në rastin konkret bën vlerësime apriori, si: “ Kështu kjo poezi ( poezia e autorit P.J.) ka vlera të reja, vlera që ngrihen në nivele të kënqashme, në një gjuhë të veçantë që kushtëzohet nga arti i fjalës…. Më poshtë; “ …është gjuha e tij tipike një kombinacion metaforik dhe koheracion historik i gatuar me brumin e vlerave shqiptare… apo vazhduar më tej me shprehje si: “ ngarkesë emocionale, kuptime të firgurshme, gjuhë të larmishme, rrëgull letrar, magazinim historik, nivel të lartë, larmi figuracioni etj. etj, “xhevahire” hiperbolizuese e befasuese, kur në fakt librit i mungojnë shumë prej këtyre vlerave. Ndoshta parathënieshkruesi ka dashur që të jetë ashtu, ose ka shkruar një parathënie për të treguar se sa i aftë është të shkruajë kritiken letrare.
Autori Velaj nuk ka dhe aq nevojë për këto. Si çdo autor tjetër, më shumë është e nevojshme të dish anët e tua të paplota, se ato që janë realizuar. Të shkruash një parathënie pa thënie, veç këtë kam lexuar. Një mjegull e dendur, pa asnjë shembull të plotë. Në përgjithësi poezia vuan nga moralizimi, përshkrime pa nerv, këshillat e drejtpërdrejta, çka duhet të dalin nga arti, jo nga fjala e pazgjedhur, siç fjala vjen poezitë: “ Dinjiteti”, “Më kot presim”, “ Një”, “ Koha ikën”, “ Toka jonë”, “ Liria”, “ Formula e lindjes”, “ Pesë fjalë…” , “ Poeti nuk plaket kurrë”, “ Mos e merrni iken”, “ Udhëzime biblike”, “ Këshilla fishtiane”, etj.
Nëse poeti Velaj do të ishte nisur të krijojë poezi si: “ Rri edhe pak, të lutem”, “ Riogrande” dhe “ Në barin tim “ Spazzio”, dhe të kishte ruajtur masën, duke mos i përfshirë në libër disa poezi me mangësi të theksuara, libri do të kishte dalë më me vlerë. Në vargje të ndryshme gjën metafora të realizuara si psh: “ veç një pjergull shumë e vjetër/ qan qan me mall”, kurse krejt ndryshe është me vargjet e shkruara lehtë: “ për ty zgjohem në mëngjes/dhe shikohem në pasqyrë,/ për ty krihem me kujdes/dhe lyhem me erë të mirë”, ose: “ pa ato llërët tuaja/ vëllëzer minatorë,/s’do të kishte avionë,/s’do ecnin vaporrë” fq. 101. Këto vargje janë së tepërmi naïve për të qënë poezi. Me këto vargje dhe të tjera, të duket një poet tjetër nga ai i poezisë “ Fantazma e një gruaje”, e cila përveç gjetjes, ka edhe një trajtim artistik, edhe pse në vargun e lirë.
Duke parë këto disnivele, mendoj se edhe redaktorët kanë mangësitë e tyre të padiskutueshme.
Shpirti poetik dhe i njeriut të mirë Velaj duket, kështuqë me një punë më sistematike dhe më një përzgjedhje të kujdes’shme, do të arrijë në nivelet që sjellin art e jo vetëm fjalë për lexuesit.
Vrapime për të mbërritur askund
Poetët e SHSHSHA-së, mundohen të vrapojnë si marathonomaku në një garë që nuk të çon askund, përjashto dy-tre krijues, qe me sinqeritetin dhe punën e tyre e ruajnë veten nga superlativat dhe shkrimet e pamenduara, që të “ tjerë” i shpërndajnë nëpër disa faqe internetike.
Për më tëpër SHSHSHA-ja nuk ka në shoqatën e saj as gjysmën e krijuesve, që jetojnë e krijojnë në Amerikë. Edhe bash për këtë duhet ta pyesin veten: Pse?
Siç shihet, parathëniet e pasthëniet, vetëlëvdatat dhe shkrimet analitike për njëri-tjetrin e kanë dobësuar së tepërmi edhe atë pak veprimtari të kësaj shoqate.
Nisur nga tema, e shoh me vend të mendoj që, jo të gjitha botimet kanë nevojë për parathënie. Në disa libra poetik që zura, si: “ Lypësi i kohës” i Dritëro Agollit., “ Pjalmi i luleve” i Mimoza Ahmetit, “ Antipastorale” i Luljeta Lleshanakut, “ Zogu i zi” i Eqerem Bashës, “ Si shkohet në Kosovë” i Visar Zhitit, “ Se ti gjithëmonë seç bën ca gjëra” i Skender Rusit, “ Kalimi” dhe “ Gjallë unë pashë” të Preç Zogajt, “ Dhjata ime” i Ndoc Gjetjes, “ Ferrparajsa” i Xhevahir Spaiut, “ Zbathur “ i Flutura Açkës e disa të tjerë, janë botuar pa para-pasthënie.
Artin e vërtetë e vlerëson vetëm koha, nëse i qëndron apo jo asaj!



del.icio.us
Digg
Comments (2 posted):
kritikat tua jane me shum vende dhe shume te vlefeshme per çdo krijues.
Ne lidhje me parathenjet qe shofim neper libra te krijueseve te ndryshem, dehiroj ti krahasoj me nje anektode,por qe ka ndodhe me te vertete:
Vdes nje burre ne Dukagjin dhe sipas zakonit fidhon vaji.I vdekuni kishte qene nje nder njerzit me te humbur te Dukagjinit.Per habine e te pranishemve,vajtori ne vajin e tije e quan nje burre trim,bujare,besnik,i pashem, mikprites etj etj.
Ne funde te vajtimit,afrohen disa shoke dhe i thone:-O burri i dheut çka na bane tu na rrejte,po ti se paske njfte hiç kush ka kene ky.
Vajtori krejt i qete ua kthen:-Sha Zoten,une i thaçe njato qe duhet me i pase burri, ne qofte se aji nuk i ka pase faqja e zeze asht me ta se une skam çka i baj.
Pra keshtu eshte edhe historia e shume autoreve te parathenjeve,qe pa asnje pike pergjegjsie kerkojne te mbulojne halen me rane si maca.
Mos i harro vitet e para te krijimtarise tuaj...mendo sikur cdo krijues letrare i cfaredo parametri qofte,eshte nje qelize ne letersine botrore...Futeni ne arshive mendimin e te "medhenjeve",perfytyronje vehten ne boten e komunikimit te lire...
Ju uroj suksese ne veprimtarine e rradhes.
"Sofra e Kurbetit"
Michigan
Post your comment