Malësi e Madhe, përkujtohet 65-vjetori i lëvizjes antikomuniste
Si përcillet nga historianët ngjarja që kujtohet si nisja e luftës kundër komunizmi (Ne vazhdim Monumenti i Prek Calit ne Shkoder)
Është zhvilluar dje në Bajzë të komunës Kastrat të rrethit Malësi e Madhe aktiviteti përkujtimor me rastin e 65-vjetorit të kryengritjes së parë antikomuniste, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Evropën. Në fjalën e tyre historianët pjesëmarrës kamë himnizuar qëndresën e parë antikomuniste të janarit 1945 në Malësi të Madhe. Përfaqësuesit e familjeve të përfshira në këtë lëvizje kërkuan një vëmendje më të madhe nga historianët shqiptarë ndaj kësaj ngjarjeje, për ti dhënë vendin që e ka merituar në sajë të sakrificave të banorëve të kësaj zone. Ndërkohë i pranishëm në këtë aktivitet ishte deputeti Gjokë Uldedaj, i cili përshëndeti në emër të Parlamentit, si dhe këshilltari i Presidencës, Agron Gjekmarkaj, i cili përshëndeti në emër të Presidentit të Republikës, Bamir Topi.Në fjalën e tij deputeti Uldedaj theksoi se e kishte pritur me kënaqësi ftesën që i ishte bërë për të marrë pjesë në 65-vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste. “Fatmirësisht ky nder e respekt i takon Malësisë së Madhe. Këto burra të jashtëzakonshëm ia rritën nderin dhe respektin Malësisë së Madhe. Është detyra e jonë që ti vlerësojmë e të lartësojmë emrin e tyre”, u shpreh deputeti Uldedaj.
Ndërsa përfaqësuesi i presidentit Gjekmarkaj theksoi: Kam kënaqësinë e veçantë të përcjell përshëndetjet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili ka një konsideratë të veçantë për Malësinë e Madhe dhe banorët e saj. Natyrisht respekti i tij shkon më tej. Ai ka respekt për traditat dhe në mënyrë të veçantë për lëvizjen antikomuniste të kësaj zone, që është një nga majat më të larta të historisë së shqiptarëve. Të investojmë tek kujtesa, memoria kombëtare si rruga më e mirë për të nderuar martirët, që na dhanë krenarinë në një kohë të vështirë, të cilët e rreshtuan historinë Shqipërisë krahas atyre vendeve që e kundërshtuan komunizmin dhe nuk e pranuan atë në një kohë kur terrori dhe dhuna tkurrte jo vetëm njerëzit, por edhe natyrën.
Lëvizja
Sipas shkrimeve të historianit Ndue Bacaj lëvizja antikomuniste e Malësisë u zhvillua në kushtet kur Shqipëria po "pushtohej" nga një ideologji e re, por me prapavijë të vjetër dukshëm antishqiptare, ku çdo vonesë do të kishte pasojat e pariparueshme për fatet e mjeruara e sakatuara të shqiptarëve. Në janar të vitit 1945 kur fara e kuqe komuniste e mbjellë nga të dërguarit sllavë sapo kishte filluar të mbijë edhe në Malësi, malësorët dhanë të parët kushtrimin”. Të rroken armët e shkatërrohet kjo farë e huaj që po rritej për të zezën e Malësisë e Shqipërisë. “Malësorët e dëgjuan kushtrimin ndaj rrokën armët dhe arritën që përkohësisht ta çlirojnë Malësinë, por fatkeqësisht kushtrimi nuk u ndigjua nga pjesa tjetër e Shqipërisë e për rrjedhojë Kryengritja u shua. Por edhe pas këtij kobi që mbuloi vendin e shqiponjave idealet e ndezura në janarin e vitit 1945 nuk u shuan kurrë edhe pse për ato u pagua mjaft shtrenjtë me jetë njerëzish, vite tepër të gjata burgosjesh e internimesh si dhe persekucioni të pashembullt në luftën e gjatë të klasave. Për malësorët dhe historianët e zonës, padyshim që kjo lëvizje ishte kryengritja e parë antikomuniste, kushtrimi më antikomunist jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën”.
Historiani Ndue Bacaj shkruan për këtë lëvizje se organizimi filloi në ditët e fundit të vitit 1944, kur burrat e urtë e trima që Malësia e më gjerë i donte e i respektonte kishin bërë takimin solemn në Malin e Shkrelit e në Bajzë të Kastratit për tu organizuar e dhënë besën njëri-tjetrit që komunizmin ta luftojnë me armë në dorë siç kishin luftuar çdo pushtues tjetër, edhe pse rreziku ishte tepër i madh e me pasoja për këta burra që kurrë nuk e kishin bërë fjalën dysh kur ishte puna për të mbrojtur trojet, zakonet, jetën, nderin, besën, burrërinë e fenë e të parëve kristianë e muhamedanë, e që pushtuesit komunistë jo vetëm nuk i njihnin, por kërkonin ti përdhosnin përgjithnjë. Sipas historianit Bacaj, fjalët e njërit nga drejtuesit e kryengritjes antikomuniste më datë 24 dhjetor 1944 trimit të urtë Gjon Martin Lulati në takimin e zhvilluar në shtëpinë e Gjok Tom Kokajt me bashkëluftëtarët e organizatorët e kryengritjes do të kumbonin në veshët e kryengritësve më shumë e plumbat e renegatëve komunistë. Gjon Lulati në atë natë të paharruar ndër të tjera tha: "Vëllazën, mirse u bashkuam në këtë kuvend burrash malësorë, i cili që tashti na thërret që me guxim e trimni, por edhe me zgjuarsi e besë që kurrë su ka munguar, të bisedojmë në mes vedit e të caktojmë detyra për secilin që pa humbur kohë të shkojmë, fis në fis, katund në katund, shpi për shpi për të përgatitur ditën e kryengritjes. Por për këtë ne e dimë se malësorët e më gjerë janë të gjithë me ne, por për ta përforcuar këtë kisha dashtë me e dijtë të gjithë se çfarë është komunizmi, dhe çfarë do të thotë të sundojë ai, se po ta dini mirë si e di vetë ma parë do të pranojshin të gjithë me u mytë në Vire (një thellësi e ftohtësi e pashoqe të liqenit të Shkodrës). Për këtë duhet ti sqaroni njerëzit se komunizmi ju grabit, tokë, bagëti, shtëpi e pasuri, ju prish kisha e xhamija, ju ban të mohoni nanën, babën, vëllanë e motrën, ju ban mos me njoftë kushri, fis as kumari. Ju grumbullon si bagtia në një vathë e ju çon me punue e jetue në rresht tuj u grahë e rrahë hori i horave që e vënë komunizmi në krye të huqametit të vet. E kur tu teket këtyre horave komunistë edhe ju vret e pret, ju fut në burg, e trupin tuej ju a qet qenve, për mos me u gjet as kurrë vorret tuaja. Prandaj duke pasur parasysh këto të këqija që skanë fund ju baj thirrje që edhe nëse vdesim sot, të vdesim me nderë e për hatër të fëmijëve tanë që të jenë pa komunistë nesër...". Në këtë Kuvend qëndronin edhe trimat e maleve, patriotët Mirot Paloka, Mark Gjok Kokaj, Kol Gjok Kokaj, Tom Lek Daka, Mark Luc Gjoni, Gjok Nikoll Voci, Zef Ded Nika, Pjetër Gjok Doda, Palok Gjokë Hoti e Pjetër Gjokë Hoti, Kol Llesh Malaj, Zef Gjon Malaj e Mark Nikoll Malaj, Gjergj Prek Malaj,etj.
Figurat kryesore të lëvizjes, detajet
Si u organizua e gjithë lufta kundër komunizmit

Historiani Bacaj shkruan se ndërkohë në Shkrel përgatiste terrenin për kryengritje oficeri famëmadh Llesh Marashi, i cili padyshim ishte edhe figura kryesore që do të drejtonte krejt kryengritjen e Malësisë në ditët e ardhshme të janarit 1945. Kryengritja po përgatitej të fillonte edhe në Kelmend ku si prijës ishte legjendari Prek Cali, por kryengritja po përgatitej edhe në Mirditë, në Shkodër, Postribë e mbi të gjitha në zonën e Nënshkodrës që njihet me emrin si kryengritja e Berdicës, por që në fakt pjesëmarrësit që përgatiteshin për këtë kryengritje ishin nga të gjitha katundet e zonat e rrethit Shkodër, nga ku shpresonin se do të dëgjonin edhe trevat e tjera shqiptare, duke marrë trajtat e një kryengritjeje mbarëkombëtare. Mjerisht planet e kryengritjes sado sekret që të ishin ato shpesh po dekonspiroheshin e raportoheshin tek komunistët nga vigjilentët e tyre spiunë, të cilët po dëmtonin jo pak interesat e kryengritjes, por pa vonuar edhe të tyre e familjes tyre. Gjithsesi në këto kushte po lindte nevoja e fillimit të kryengritjes jo kur ishte planifikuar nga pjesa më e madhe e veriut të Shqipërisë në fillim të pranverës, por menjëherë në janarin e egër nga moti i stinës dhe boja e kuqe komuniste që po invadonte me shpejtësi Malësinë e Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj situate që në ditët e para të janarit deri me datën 10 janar 1945 Llesh Marashi e Mirot Paloka kishin grumbulluar disa malësorë trima, të cilët i kishin organizuar në çeta të përqendruara në Katund e Kastrat, të cilat stërviteshin e strehoheshin nga familjet bujare të zonës, ku dallohet për bukë dhanë familja e Nikoll Vat Ivanit. Siç thashë më sipër as ky organizim nuk i kishte shpëtuar syrit vigjilent të spiunëve komunistë, fatkeqësisht edhe malësorë, si rezultat me datën 10 janar te kisha e katundit Kastratit u bë përpjekja e parë me armë në mes kryengritësve e komunistëve, ku pasi zgjati disa orë dhe forcat komuniste u thyen mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq pa vonuar dëshmori i parë i kësaj kryengritjeje Kol Shotaj, i cili luftoi trimërisht me armë në dorë kundër bishave të kuqe që si manekin ishin indoktrinuar e importuar nga parcelat e jugut. Me të dëgjuar këto krisma që paralajmëruan stuhinë organizime çetash antikomuniste pati deri në Reç e sa për Kelmendin ai tashmë ishte përfshirë i tëri. Në këtë kohë edhe në zonën e Nënshkodrës antikomunistët e njohur Jup Kazazi e Abaz Ermenji ishin të strehuar në fshatin Trush në shtëpinë e Xhurretajve, ku kishin bërë shumë takime me vendas antikomunistë si me vëllezërit Xhurretaj ku spikaste Shaqir Xhurreta, por edhe trimat Ded Shabani prej malit Kolaj, Sadik Mema, Nikoll Zefi, Veli Xhepi e Sait Cani prej Trushit. Tjetër Kuvend ishte zhvilluar po në Trush në shtëpinë e Dedë Gjondashit ku kishin marrë pjesë Ded Shabani me trimat e tij, por edhe nga Lezha Xhemal Mlika që përfaqësonte parinë antikomuniste atje. Nga këto takime sipas të mbijetuarve në qendër të vëmendjes ishte lidhja e koordinimi i veprimeve me kryengritësit Malësorë Prek Cali e Llesh Marashi, si dhe me Gjonmarkajt e Mirditës. Qëllimi ishte që kryengritja të shpërthente në një kohë që mbasi të merrej Shkodra me krijue një zonë e lirë deri në Portin e Shëngjinit ku shpresonin se do të zbarkonin forcat aleate antikomuniste të Evropës Perëndimore e Amerikës. Për të arritur këto që në mbrëmjen e 14 janarit të vitit 1945 te kisha e Beltojës u mblodhën qindra burra trima të betuar kundër komunizmit, të cilët ishin nga katundet Trush, Berdicë, Melgushë, Mali i Kolajve, Ana e Malit, Beltojë e tjerë, të cilët ishin të gatshëm me msye "pushtetin" komunist të instaluar dhunshëm në kryeqendrën veriore të Shqipërisë, Shkodrën e pushtuar në këto ditë tragjike. Për të realizuar çlirimin e Shkodrës nga komunistët shqiptaro-sllavë po më 14 janar 1945 si masë paraprake ishte prerë lidhja telefonike me pjesët e tjera të Shqipërisë, si dhe bllokuar rruga kryesore që lidhte Shkodrën me Tiranën me mjetet rrethanore, e të gjitha këto do të bënin që kryengritësit e Shkodrës e Nënshkodrës të takoheshin në Shkodrën e çliruar, me forcat kryengritëse të Malësisë së Madhe që do të çlironin Malësinë nga forcat komuniste nga ku besohej se Evropa e Bota do të dëgjonte thirrjen e kushtrimit për të shkatërruar farën bolshevike që rrezikonte krejt kontinentin. Gjithsesi në këtë organizim çlirimtarësh dalloheshin figurat patriotike e antikomuniste Abaz Ermenji, Ded Shabani, Jup Kazazi, Halit Gerbeti, Arif Selimi e mbi të gjitha trimi legjendar Hasan Isufi e tjerë... Natyrisht gjatë kësaj kohe në Malësi të Madhe ziente lufta për organizimin e përgatitjen e kryengritjes që tashmë po bëhej e pashmangshme e me rreziqe të sigurta për malësorët, të cilët nuk donin tia dinin më, por donin vetëm të luftonin për të dëbuar e dëmtuar komunizmin sllav që paralajmëronte fundin e "Botës" shqiptare e malësore... Më datën 21 janar Llesh Marashi që ishte dhe udhëheqësi kryesor ushtarak i kryengritjes ishte i strehuar në shtëpinë e Luket Marashit, nga ku komunistët të mirinformuar kërkonin ta kapnin të gjallë. Por përpjekja tjetër e kryengritësve ishte lidhja me Prek Calin, e për këtë u nisën nga qendra e kësaj kryengritje vetë trimat Gjon Martin Lulati e Mirot Paloka me disa kryengritës. Gjatë rrugës në Grishaj këto forca u ndeshën ballë për ballë me forcat komuniste, ku pas luftimesh të ashpra fituan kryengritësit e Shkrelit e Kastratit, të cilët zunë robër 15 partizanë komunistë, të cilët vetëm sa i çarmatosën e ju falën jetën, ndonëse ata kishin plagosur luftëtarin e lirisë Gjokë Hotin (nipin e Gjon Martinit). Pas kësaj beteje fitimtare, kryengritësit arritën në Bajzë ku takuan priftin e famullisë Pater Çiril Canin, i cili në shenjë alarmi u ra kumonëve të kishës, ku brenda një kohe tepër të shkurtër u grumbulluan te kisha qindra kastratas trima e antikomunistë që me armë në dorë zhvilluan një betejë të pashoqe kundër forcave të ndjekjes e komandës komuniste të instaluar në Bajzë. Këto luftime të ashpra bënë që të kenë edhe viktima nga të dyja palët, ku për fat të keq të vrarët ishin të gjithë malësorë, nga kryengritësit ranë me armë në dorë trimat Lulash Cuk Curri nga Jerani dhe Zef Toma nga Shkreli, ndërsa nga forcat komuniste u vranë të gënjyerit nga "droga e kuqe" Jonuz Naçi nga Aliajt dhe Myftar Sokoli nga Reçi. Në këtë betejë u arrit që të merret jo vetëm posta ushtarake e komunistëve, por edhe komuna si institucion, ku për këtë ndihmoi padyshim sekretari i komunës, intelektuali me banim në Shkodër Luigj Gjekë Kastrati, i cili nuk pranoi të bashkohej me forcat komuniste, por madje "keqinformoi" pushtetin komunist në Shkodër, duke mos u treguar situatën reale në Malësi të komunistëve, natyrisht për këtë e pagoi më vonë me jetën e tij, por kështu ai më mirë preferoi një vdekje me nder se një jetë me faqe të zezë. Pas kësaj që u arrit në Bajzë forcat çlirimtare të Malësisë u rritën në mënyrë të mahnitshme, duke krijuar kështu një kryengritje të madhe antikomuniste, ku pjesëmarrësit u shtuan nga të gjitha trevat e Malësisë. Nga këtu u nisën këto forca për çlirimin e Koplikut që në atë kohë ishte N/Prefekturë, ku pas disa luftimesh u arrit të merrej koj qendër e rëndësishme, ku nga forcat komuniste u kapën rreth 20 robër, të cilët pasi u çarmatosën u mbajtën në gjendje arresti në dyqanin e Lekë Gjeloshit të Pjetroshanit në Koplik, por që as nuk u dhunuan e as nuk u pushkatuan. Këto ditë janari ishin vërtetë të stuhishme për Malësinë e më gjerë pasi tregonin trimërinë e guximin e kësaj treve legjendare ndër shekuj për tu ndeshur me këlyshët e ujkonjave sllave që kishin lindur në tokat mjerisht shqiptare. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve ishte çuar në vend amaneti i të parëve për të pritur me pushkë çdo pushtues qoftë ky edhe me emra shqiptarësh. Data 25 janar 1945 i gjen kryengritësit në formacion luftimi tek Ura e Rrjollit përballë forcave të shumta komuniste që për fat të keq nuk kishin arritur që "kryengritësit" e Shkodrës e Nënshkodrës ti ndalonin, pasi kryengritja e Berdicës siç njihet kishte dështuar aksidentalisht, ose më saktë ishte tradhtuar mizorisht nga këlyshët e kuq që ditën hanin tek antikomunistët e natën lehnin tek komunistët.
Forcat antikomuniste malësore ishin ndarë në tre formacione luftimi, në krahun e djathtë qëndronte Gjon Martini me trimat e tij, në krahun e majtë qëndronte me trimat Mirot Paloka, ndërsa në qendër të Urës së Rrjollit ishte vendosur me "luanët" e tij Llesh Marashi. Lufta tashmë ishte ndezur me tërë arsenalin e saj, "luanët" malësorë luftonin pa u trembur kundër mijëra forcave komuniste për shumë orë, deri sa ranë në krye të betejës trimat legjendarë Gjon Martin Lulati e Mirot Palok Kokaj, si dhe u plagos luftëtari Gjon Nikë Preçetaj. Pas kësaj beteje të pabarabartë ku forcat kryengritëse malësore mbetën të izoluara u detyruan të tërhiqen, por për të vazhduar përsëri rezistencën. Pas kësaj krimineli sadist Mehmet Shehu për të gënjyer malësorët shpalli amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje, por duke përjashtuar, drejtuesit e kryengritjes Llesh Marashin, Rrok Kantin (nipin e Lleshit), Pejtër Gjokën (Bajraktarin e Vrishit), si dhe po të ishin gjallë Gjon Martinin e Mirot Palokën... Në fakt pas kësaj në mal mbeti vetë komandant Llesh Marashi me disa bashkëluftëtarë të tij, por duke parë fatin tragjik të shokëve të tij të rinj, ai vendosi të dorëzohet e sakrifikohet vetë për të shpëtuar shokët. Siç dihet Lleshi u ekzekutua nga komunistët me varje, por shokët e tij të dorëzuar më parë e tani edhe pse kishte dalë amnistia pësuan kalvarin e tmerrshëm të makinës kriminale komuniste që i preu në besë, por ku ka besë komunizmi? Konkretisht po citojmë disa nga ata burra që morën pjesë në mbledhjen e 24 dhjetorit 1944 e në kryengritje, por që sipas amnistisë ishin falur, por pabesia komuniste u mori jetën, duke i lënë shpesh ashtu si i paralajmëronte komandanti trim i Kastratit Gjon Martin Lulati pa varr, e ata janë Gjokë Tom Kokaj, Kol Llesh Malaj, Mark Nikoll Malaj, të cilët pushkatohen më datën 8 shkurt 1945... Por pa vonuar do të pushkatoheshin edhe trimat kryengritës, Luigj Kastrati, Tom Lek Dakaj, Gjon Nikoll Voci, Ndok Nikë Preçetaj, Mark Lucë Gjoni e së bashku me ta edhe Prek Cali e trima të tjerë.
Hakmarrja
Gjithsesi pas kësaj Malësia e Madhe pësoi kalvarin më kriminal që një regjim gjakatar kishte kryer, për këtë mjafton të kujtojmë se rreth 167 burra malësorë u pushkatuan, vetëm se donin lirinë e Shqipërinë, ndërsa vetëm periudha pas kryengritjes (1945-1952) shënon emrat e 47 viktimave. Interesant është se dy nga emrat e kryengritësve që luftonin kundër komunizmit me malësorët janë kosovarët vëllezër Shemsi Feri e Hamdi Feri (nipat e patriotit Jakup Feri), të cilët kishin lënë Kosovën nga shtypja serbe, por që edhe në Shqipëri kishin gjetur po ideologjinë serbe që zbatohej në mënyrë të tmerrshme nga lakejt e komunizmit. Pasi kryengritja e dështuar e Bërdicës ka lidhje me kryengritjen e Malësisë ja vlen të themi disa fjalë edhe për trimat që pësuan fatin e mjerë të shokëve malësorë nën regjimin komunist që po instalohej.
Batalionet kriminale të komanduara nga krimineli Shefqet Peçi do të provonin siç thoshte Mithat Frashëri "Se komunizma ska as më të voglin dyshim se e keni kuptuar edhe vetë, se është sëmundje e tmerruar si tërbimi i qenve e ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por e më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut...". E kështu të tërbuar komunistët do të pushkatonin e vrisnin shqiptarë nga më shqiptarët, si Hasan Isufin bashkë me të vëllain Ahmetin, si dhe pasi ta kapnin të gjallë do ta pushkatonin pas pak ditësh edhe Ademin, të cilët ranë heroikisht duke luftuar në malin e Kolajve. Të akuzuar për ngjarjen e Berdicës do tu pushkatojshin prej katundit Berdicë, Taip Halili e Rexhep Halili (babë e bir), Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dani, Hider Dyli, Martin Rroku, Pjetër Darragjati, në prani të popullsisë do tu pushkatojshin pa gjyq Pjetër Harapi e Pjetër Loroja. Pa vonuar u pushkatua edhe lezhjani Xhemal Mlika dhe Arif Selimi i Vukatanës, i cili nuk pranoi kurrë të tregonte vendin ku ndodheshin Kazazët që kërkoheshin nga komunistët me siguri si më vonë ndodhi të pushkatoheshin. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë të përmenda më lart në organizimet e mbledhjet për kryengritjen e Bërdicës kaluan nëpër vitet e tmerrshme të Mathauzenit shqiptar që quheshin burgje apo më lehtë kampe internimesh. Duhet theksuar se në Lëvizjen e Bërdicës spikatë emri i një femre shqiptare nga Lushnja, Neta Fuga, e cila kishte "braktisur" ushtrinë komuniste, për tu bashkuar me shqiptarët e patriotët që dhanë kushtrimin për të mbrojtur atdheun nga invazioni i ideologjisë së kuqe sllave, edhe pse kjo fatin e saj e parashikonte mirë në duar të xhelatëve komunistë që nuk kursenin as fëmijët e të moshuarit pa lëre femrat...
Tashmë komunizmi pas shtypjes së kësaj kryengritjeje antikomuniste të Malësisë së Madhe e deri përpjekjet e vëllezërve të tyre të Nënshkodrës e më gjerë; filloi të forcohet jo vetëm në trevat e tjera të Shqipërisë, por edhe në simbolet antikomuniste shqiptare në Malësi e Shkodër, kur padyshim kalvari çnjerëzor ka qenë më i tmerrshmi i të tmerrshmëve që njeh historia e gjithë diktaturave të të gjitha kohërave, të paktën që nga mesjeta e vonshme e këtej...
Përgatiti: Virtyt Abdyli



del.icio.us
Digg
Comments (10 posted):
Le te jet kjo e mbramja periudhe qi dahet Malesia (si ka ana Malesise Shqipnis e Malesise qi fatkeqsisht i tokon Mali te Zi) vellau me vellau.
Ajo kje e para qe ngriti Flamurin e Kastriotit qe nga koha e tij, kje e para per ta luftuar ideologjin sllave e kanceroze per kombin shqipetar e cila semundje na la gjadhe por te sakatosur, e MALESIA E MADHE QOFTE E PARA GJITHMONE ATY KY E DONE E MIRA GJITHESHQIPETARE.
Ata gjithmone na kane mashtrue tu u betue mbi te verteten dhe beja ne rrene i ka çue aty ku i çoje.
Desha te pergezoj ne menyre te veçante historianin dhe studiuesin malesore,N. Bacin,per punen e madhe e shume te lavdrueshme qe po ban per te zbardhe historine e lavdishme te malesoreve heroik, me emna me data dhe me fakte.
Edhe pse pa titujt pompoz e akademik te diktatures komuniste, N. Baci,historine e njef dhe e thote pa shtremnime.Historia nuk ka nevoje per tituj,ate e shkruan njerzit e thjeshte pa shum shkolle, me gjakun e tyne.E shkruan herojte tane tu fale jeten per Malesine e Madhe.Dhe asht ndere e fisnikeri per ate pene qe u kujton lavdine dhe,pse ajo pene mund te mos kete marre tituj te rreme akademik e lavdrime prej regjimit komunist.
I lavdishem asht aji qe i merr titujt dhe nderimet prej popullit.Ne M.e Madhe,N.Bacaj, ato i ka marre prej popullit te tije....pershendetje E.Miculi
1.Eshte e vertete se ka patur nje tentative per kryengritje (ne te vertete ne Kelmend nuk ka patur kryengritje,por thjeshte rrembim te armeve si reagim ndaj nje mashtrimi se po vijne komunistet t'ju vrasin etj.-pasi me pare ishin bere pergatitjet nga vete fshataret per t'i pritur ne shtepi ato forca qe do te vinin,pra ishte bere nje marreveshje per kete).Ne te ashtequajturen Kryengritje te Malesise kane marre pjese shume njerez.Disa prej tyre kane qene inicuesit dhe shumica kane qene njerez te genjyer,sic ndodh gjithmone dhe sic ka ndodhur edhe me kryengritjet kunder Zogut (rreth 10 te tilla ne te gjithe vendin per v15 vjet sundim).
2.Frymezuesit dhe drejtuesit e kryengritjes (Llesh Marashi,Jup Kazazi,Abaz Ermenji,Gjek Selca dhe Gjomarkajt) kane qene jo nderi por turpi i kombit,bashkepunetore te italianeve e gjermaneve dhe qe kishin lyer duart me gjakun e shqiptareve.Keta do te ishin denuar edhe po te kishin qene ne France apo Angli dhe te kishin bere cfare bene ne Shqiperi.
3.Nuk eshte fort ne nderin e Malesise se Madhe qe ate qe nuk e bene kunder pushtuesve italiane e gjermane u perpoqen ta bejnme ndaj vete shqiptareve ( ne fakt ketu nuk duhet permendur togfjaleshi "Malesi e Madhe" sepse shumica e popullsise nuk u perzie ne ato pune.Mendoj se jo vetem Malesia e Madhe,por e gjithe Shqiperia do kishte bere me mire te kishte qene me e organizuar kunder tukut qe na mbajti 500 vjet nen sundim dhe kryengritjet tona kunder tij jane vetem fargmentare.
4.Gjon Lulati na paraqitet si akademik e dijetar i madh kur ne fakt ishte vecse nje fshatar injorant (si gjithe paraardhesit tane) dhe fjalet qe i atribuohen atij jane genjeshtra me bisht.Thuhet se demek ai ka thene se do te prishin kisha e xhamija.E nga mund ta dinte ai nje gje te tille kur kjo nuk kishte ndodhur ende askund ne bote.Gjithashtu,ai gjoja paska thene se komunistet do ju bejne te mohoni nene e babe,moter e vella et.Edhe nese e ka thene,kjo rezultoi nje genjeshter (si shume te tjera) dhe koha po tregon se mohimi i familjes dhe i brezave po ndodh sot e jo atehere.
5.Lavderohet pater Ciril Cani (sic eshte lavderuar me pare edhe prifti i Shkrelit ) per t'i rene kumones per te mbledhur njerezit per lufte.Kush ka njohurite me elementare te Kristianizmit e din se ky veprim eshte ne radhe te pare i denueshem nga vete feja e krishtere.Keshtu qe nuk ka vend per t'u cuditur pse njeri apo tjetri prift e ka pesuar kur ka preferuar te zhveshe veladonin e te rrembeje shpaten ("Kush rremben shpaten,nga shpata do te vdese"-Ungjilli).
6.Po te kishin patur me shume mend banoret e asj krahine (ashtu si te gjithe Shqiperise) do te kishin ditur se instalimi i ati regjimi nuk varej fare prej tyre dhe as prej shqiptareve.
7.Pohimi se malesoret u sulmuan nga forca shqiptare-serbe eshte nje genjeshter e mirefillte e njerezve te ligj por dhe pa mend.
8.Lidhur me te derguarit e pushtetit qendror me duhet te them se qe te dy vijne nga familje komunistesh (madje njeri ka patur xhaxhane Hero i Popullit) dhe mos u perpiqni t'i beni te tere te persekutuar.Pushtetet e pas 1990 vecse po tallen me te persekutuarit duke iu premtuar reabilitime e shperblime e duke u marre voten (sigurisht edhe duke iu dhene disa dekorata si PPSH dikur).
Sipas shkarrashkruesve te sotem na del se gjithe populli ishte kunder atij regjimi dhe se vetem nje grusht njerezish pro tij.Mos u tallni me veten tuaj zoterinj!Duhen denuar te gjitha mbrapshtite e atij regjimi (dhe te ketij te sotmit qe e beri hajdutin e rrugacin pasanik e sundimtar dhe te ndershmin sherbetor) por,sic thote Bibla "Jepi Zotit cfare eshte e Zotit dhe jepi Cezarit cfare eshte e Cezari".
Keto kisha per historianet e krahinave e te katundeve.
Viktor Mali
Marseille,France
E simas teje a i vrane ne darsem tu hanger mish dashi apo me pushke ne dore?
Kure partizanet shkuan ne Reç dhe e kthyen at zone ne nje baze te tyne, ishin te pa hangun e te pa pime, rrinin gjith diten nen hardhiat e mbushuna me ***** e fiqet e pjekun por nuk e preknin nje kokerr me dore.
Te habitun prej ketij gjesti malsoret vendas shkojne dhe pyesin hoxhen.
Hoxhe efendi, si ka mundesi qe keta kopila(partizanet)pa hanger pa pi me dit e net dhe se kepusin nje kokerr ***** a fik me e hanger?
Hoxha(qe ne ket moment nuk po me kujtohet emni i tije)pergjegjet:
Eh more vllazen, keta kopila nuk kane hadh te marrin kokrrat,keta duan ti marrin fiqet e hardhiat me gjith rranje.
Pra Malesoret e pa shkolle kishte se kush i mesonte e nuk jetonin ne hane...
Na e ndau foshnjen prej gjinit
trojet tona i ndane me mur,
dysh e ndane shqipen n'famur.
N'kambe Prek Cali del perballe,
thote s'i l'shoj k'to bjeshke per t'gjalle
"KY KELMEND NDERA E MALSISE
KURR NUK NDAHET PREJ SHQIPNISE"
Sali Mani
Post your comment