Përfaqësues të firmës "Matarresse", fituese e tenderit, takim informues me përfaqësuesit vendorë
Qeveria italiane, 40 milionë euro për rrugën Shkodër-Hani i Hotit .....por kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë dhe nga përfaqësuesit e pushtetit lokal ...............
Punimet në superstradën Shkodër-Hani i Hotit, një prej investimeve më të rëndësishme për Veriun e vendit, pritet të fillojnë shumë shpejt nga kompania italiane "Matarresse", që ka fituar tenderin. Përfaqësuesit e kompanisë "Matarresse" zhvilluan në Shkodër një takim informues me përfaqësues të pushtetit vendor, Ministrisë së Transporteve, Konsullatës italiane dhe specialistë të fushës. Gjovalin Kolombi, kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Maxhid Cungu, Prefekt i Shkodrës, në diskutimet e tyre vlerësuan zbatimin e këtij projekti, si një frymëmarrje më shumë në komunikimin tokësor me shtetin fqinj, Malin e Zi, si dhe në vazhdim me Perëndimin. Ata thanë për mediat se, arsyet e vonesës në fillimin e punimeve, janë objektive, por në ndonjë rast edhe neglizhencë e vetë strukturave lokale, qoftë në koordinimin e punës si duhet për shpronësimet e banorëve apo në ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore. "Me kënaqësi konstatoj se kompania italiane, sipërmarrësja e punimeve, ka bërë mobilizimin e kantierit, por kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë dhe nga përfaqësuesit e pushtetit lokal për t'i dhënë fund problemit të shpronësimeve, apo të ndonjë hendeku tjetër në mënyrë që punimet të fillojnë sa më shpejt", tha drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma. I pranishëm në këtë takim ishte dhe konsulli italian në Shkodër, Stefano Margucio, i cili u shpreh optimist për fillimin në një periudhë sa më të shpejtë të punimeve në këtë superstradë, duke përmbushur kësisoj misionin e saj dhe qeveria italiane, e cila ka vënë në dispozicion një shumë prej 40 milionë euro për këtë projekt. Projekti për ndërtimin e superstradës Shkodër-Hani i Hotit, me gjatësi 36 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra do të ruajë në një farë mënyre rrugën ekzistuese, duke u pasuruar me vepra arti dhe bay-passe pranë qendrave të banuara.


del.icio.us
Digg
Comments (2 posted):
Post your comment