AlbDreams.net: Në cilin kah është Topi? Në cilin kah është Topi? ================================================================================ AlbDreams & Agon on 06 February, 2010 12:19:00 Të gjithë janë sy e veshë për tryezën e pritshme mes maxhorancës dhe opozitës, e cila pritet të organizohet nga Presidenti Bamir Topi. Partia Demokratike nuk pret asgjë konkrete nga kjo tryezë, por kërkon ta shfrytëzojë këtë si një mundësi për të treguar se është e gatshme për dialog ashtu siç kërkohet ndërkombëtarisht. Partia Socialiste, ndryshe ngase mendohet, nuk pret dialog nga kjo tryezë, por marrëveshje në tavolinë. Ndonëse asnjëherë nuk është artikuluar publikisht dhe qartë, PS-ja, që prej formimit të qeverisë, ka nisur fushatën elektorale të zgjedhjeve për pushtetin lokal, që do të mbahen në mesin e vitit 2011. Pse që prej formimit të qeverisë? Duket shumë larg, por bashkëpunimi PD-së dhe LSI-së përfshiu edhe zgjedhjet e 2011-ës, ku këto dy parti u shprehen se do të hyjnë me një koalicion. Edi Rama bëri deputetë mbi 15 biznesmenë aktivë në fushën e ndërtimit, duke lidhur me këta të fundit një parakontratë: ata të blinin vota, ndërsa partia t’i jepte pushtet dhe leje ndërtimi. Në këto kushte, hyrja në Parlament do të shënonte edhe njohjen zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve dhe rënie automatike e çdo pretendimi. Pas kësaj, Rama jo vetëm që do ndihet më shumë se asnjëherë tjetër i rrezikuar në Bashkinë e Tiranës, por edhe në PS. Në një kohë që kërkesa për hapjen e kutive nuk realizohet apo ishte e menduar që në shtrimin e saj si e parealizueshme nga vetë PS-ja, Rama do të kërkojë marrëveshje. Sigurisht që PD-ja, në asnjë mënyrë, nuk do të japë marrëveshje për faljen e Bashkisë së Tiranës pasi kjo hyn në objektivat më madhore të saj, por PS-ja do tw kërkojë prishjen e koalicionit me LSI për të shmangur kështu koalicionin në zgjedhjet lokale PD-LSI. PD-ja ka bërë të qartë gjithashtu se nuk do të pranojë asnjë kompromis qoftë për faljen e Presidentit apo koalicion të gjerë me qeverisjen PD-PS. Fushata nuk është bërë vetëm në krahun e PS-së sepse edhe PD-ja me shembjen e pallateve të jashtëligjshëm si edhe me shpronësimin e disa pronave të rëndësishme në qendër të Tiranës, i ka tensionuar marrëdhëniet e biznesmenëve me bashkinë e kryeqytetit. Në këtë kuadër, Rama ndodhet përballë zgjedhjeve të vështira. Rikandidimi për kryetar bashkie është një risk i madh që rrjedhimisht në rast humbje do të sillte largimin e tij nga PS-ja. Deri në zgjidhje të dilemave, PS-së i mbetet të bojkotojë me pretekstin se zgjedhjet deformohen apo vidhen. Kërkesa e PS-së për takim dy palësh u cilësua nga politikanë karrierë se kjo është një manovër për pazare nga ana e Socialistëve pasi ishin këta të fundit që shprehen publikisht kërkesën. LSI-ja e kundërshtoi këtë gjë duke u shprehur se PS-ja po kërkon eliminimin e forcës së tretë politike në vend. “Askush, aq më pak kryetari aktual i PS-së, nuk mund të vendos kushte për të defaktorizuar faktorë politikë. Edi Rama u përpoq me të gjitha mjetet dhe mënyrat ta defaktorizonte e të eliminonte LSI-në, por dështoi dhe ka për të dështuar në çdo përpjekje për t’u imponuar në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe në kundërshtim me orientimin”,- ishte reagimi i sekretarit për marrëdhëniet më publikun pranë LSI-së, Luan Rama. Në krahun e PS-së lidhur me këtë objektiv është shprehur Ylli Manjani, i cili ka theksuar se PS-ja është nën ethet e fushatës elektorale. Manjani ka shprehur se “Rama kërkon që të shkatërrojë çdo gjë që lidhet me zgjedhjet e 28 qershorit. Ky shkatërrim do të vazhdojë derisa të vijë dikush që t’i lëshojë një copë kockë nga pushteti i ardhshëm lokal që nuk arrin ta fitojë dot me zgjedhje kështu siç është katandisur”. Përtej kësaj, tryeza e dialogut do të sjellë zhvillime të reja në politikë, më i pritshmi është qëllimi parësor i ndërkombëtarëve ndërprerja e bojkotit.