Home | Politike | Qejfi i krizës.

Qejfi i krizës.

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Si iu vjen kaq qejf njerëzve për krizën?!

Provo të thuash në publik se “nuk kemi krizë”, po nuk t’u hodhën nja katër a gjashtë në grykë! Provo të ndalosh te Partizani i Panjohur ku dhjetëra presin për punë, do të të flasin vetëm për krizën. Një gazetare e njohur më tha se gjatë ditëve të përmbytjeve në Shkodër, shumë njerëz nuk e kishin “për gajle” punën e ujit në shtëpi, por flisnin pa pushim për krizën e bojkotit. Në blogjet dhe në sitet e “patriotëve” që punojnë në emigrim, përditë vërshojnë komente a këshilla për “krizën”. Nga Veriu i Italisë, në Koma, një tip shkruante se përditë punon me makina të rënda asfaltimi, por më shumë e kishte mendjen te kriza në Shqipëri. “Ça janë këta njerëz që thonë se nuk ka krizë politike?”, më shkruante një ditë, duke më sharë edhe mua që nuk më ishte dukur fort e saktë kjo fjalë. Sidomos politikanët e krahut të majtë opozitar kur dëgjojnë dikë që nuk e ka fort qejf fjalën krizë, hidhen mbi foltore dhe tunden mikrofonat. “Kemi krizë, kemi krizë!”, brohorasin. Kryetari i PS, që ka mbahet mend për një pamje delirante me sëpatë në krah që i drejtohet një shtylle në rrugë, thonë se po punon me idenë e një skenari që të shfaqet dekori i një krize përtej kuintave dhe ky ta godasë me sëpatë ku të shfaqet menjëherë fjala “krizë”. Pas kësaj, disa udhëheqës socialistë do të thërrasin: “E shikon zoti kryeministër, kemi krizë!”.

Sa qejf e kanë krizën?... Më së shumti, me një qejf shumë të madh, fjalën “krizë” e kanë përdorur forcat komuniste revolucionare, megjithëse të huajtur nga greqishtja e lashtë. Marks e Burckhardt janë dy filozofë që i dhanë ngarkesat me emfatike fjalës krizë në epokën e re. Edhe të rinjtë e Tiranës, gjatë periudhës së socializmit, fjalën krizë e përdornin si romuz ndaj vajzave që nuk arriheshin, dhe pas kësaj i quanin “kriza e kapitalizmit”. Edhe romuzi erotik ishte kopjuar nga fjalori politik me të cilin udhëheqja sulmonte shoqërinë kapitaliste. Gazetat komuniste ishin të mbushura me fjalën “krizë”, por në sensin se “ata të tjerët”, dmth., kampi kundërshtar ndodhet në krizë.... financiare, morale, politike. Nuk kishte qejf më të madh kur, që këtej, mbushej goja me fjalën “krizë” ndaj atyre të botës përtej detit. “Krizis”, fjala greke që u shënua si një kontribut në antikitet, në origjinal ishte e ngarkuar me drama, mallkime, tregime me komplote, etj., por në fusha konkrete si në shëndetësi, mosfunksionim organesh, pasaktësi njerëzore, etj... Vallë tani pse vijnë kaq shumë në qejf njerëzit kur thonë “Krizë”?! Ose, ndryshe, vallë pse mërziten aq shumë sikur t’iu thuash se nuk ka krizë...

Sa shumë përgjigje mund të ketë!...


Njëra, përshembull:

Kriza si nocion, është injektuar nga politika, thuajse si direktivë nga lart. Kjo ishte sjellje komuniste, kur njeriu nuk kishte nevojë të mendonte vetëm me mendjen e tij. Gjërat i emërtonte Partia, fjalët e rënda ishin për armikun dhe akuzat i drejtonte për andej nga kundërshtari. Ishte qejf shumë i madh kur tjetri vihej me shpatulla për muri duke imponuar vullnetin tënd. Por ndërsa në atë kohë kundërshtari politik “në krizë” ndodhej larg, i padukshëm; kësaj here “armiku” është këtu. Këtu është edhe problemi më i madh që fjala “krizë” nuk pranohet nga të gjithë dhe nuk mund t’i gëzojë të gjithë.

Përgjigja e dytë pse e duan fjalën krizë?


Edhe kjo vjen nga një sjellje e shoqërive të mbyllura kur lajmi ishte gëzim i përbashkët në turmë. Askush nuk mund të mendonte apo arsyetonte individualisht për ngjarjen apo fenomenin aty rrotull. E tha dikush “krizë”, atëherë është krizë me patjetër. Kriza, më në fund përjetohet si lajm; njerëzit që jetojnë zbrazëti informacioni i gëzohen lajmit të dhënë dhe nuk duan t’iu ikë nga duart. Tani shoqëria është e hapur, por akoma jetohet me mentalitetin e klanit e te klikës që përfaqësohen nga partia përkatëse.

Përgjigja e tretë ka lidhje me importimin e opinionit. Sa më larg të jetë prodhuar opinioni mbi fenomenin iks, aq më i besueshëm vjen te njeriu i dobët. Përderisa prodhohet nga dikush në Bruksel, apo në kryesinë e PS në Tiranë, atëherë kriza është fiks siç thuhet. Ngjarja e ndodhur në prag të viteve ’90 në Shkodër, duket se është krijuar për të shpjeguar edhe “krizën” e importuar. Në Shkodër mbërriti udhëheqësi i Partisë dhe nisi t’iu flasë njerëzve për “televizor me ngjyra”, etj. Disa fëmijë që u ndodhen pranë dhe kishin dëgjuar se po hapeshin kufijtë, nisën të thërrasin nëpër lagje: “Ej, ka ardhë axha nga Amerika...”.

Ja kështu gëzohen njerëzit edhe për fjalë pa shumë kuptim.

Comments (1 posted):

Viktor Mali on 06 February, 2010 11:52:10
avatar
Sa njeri pa personalitet kishte qene ky komunisto-antikomunisti,demokratiko-antidemokratikasi Frrok.Shkrimet e tij ne RD ne fillim te vitit 1991 kane qene vertete cilesore.Me vone filloi te degradonte,jo pse nuk la gje pa thene per PD dhe S.Berishen,por sepse shkrimet e tij shprehnin me shume shfrimet e nje manjaku dhe qejfmbeturi dhe jo mendimet e nje idealisti.Po te kthehemi e te lexojme gazeten "Koha Jone" te asaj kohe,Frroki ishte njeriu me i hidhur kunder pushtetit,me te drejte e pa te drejte.Ka qene njeriu qe Sali Berishen e konsideronte fatkeqesi kombetare.Ky Frroki ishte njeriu qe fliste me shume se askush tjetyer per krize ne ate kohe kur shumica parlamentare kishte edhe nja 20 deputete me shume se *'ka sot dhe me te cilet mund te miratonte cdo ligj.Ishte ky Frroki qe u frynte me shume se askush tjeter revoltave qe shperthyen ne Jug te Shqiperise.Ishte ky Frroki qe ne vitin 2007 botonte artikuj me lavderime per Fatos Nanon (nje njeri qe gjithe shqiptaret e njohin per pijanec.dembel e bixhozxhi) me tituj si "Presidenti qe po vjen" etj.
Tani qe ka gjetur nje qoshe ku fiton ca para te pastra e te pista po ben cmos t'i sherbeje nje pushteti qe eshte totalisht i diskredituar (as opozita nuk eshte me e mire) dhe nje njeriu qe e ardhmja do ta ndeshkoje rende.Ky prea eshte Frroki,njeriu qe nuk thote cfare duhet te thote nje mendje e shendoshe por thote ato qe thone zakonisht lakenjte.
Zot ndihmoje edhe keto vjet qe i kane mbetur.
Viktor Mali
Marseille,France

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.0