Home | Politike | Prometeu i Dajtit

Prometeu i Dajtit

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Në Dajt, dje, nuk u zbulua Prometeu, por viktimat e simbolit të tij.Disa nga shkaktarët e vrasjeve në Dajt tani figurojnë si baballarë të deputetëve që bojkotojnë demokracinë.

Eshtrat e 19 njerëzve, viktima të sistemit komunist, padyshim, u zbuluan në një varr masiv. Vendi ku ishte hapur varri, ndodhet në atë shpat mali ku dikur nuk dëgjohej e shtëna e armës; megjithatë dihej se ku ishte “ai vendi”. Një makinë e zezë e tipit sovjetik Gaz-69 shihej që merrte rrugën andej nga Kinostudio, dhe atëherë dihej se një armë do të zbrazej pak më lart, por asnjë zhurmë nuk do të dëgjohej. Natyra i ka krijuar çerdhe, si lules, ashtu edhe vdekjes dhe djallit. Njëri nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste, mik i ngushtë i Enver Hoxhës, është pushkatuar po me urdhër të Enver Hoxhës, një natë të errët dhe pa zhurmë, pikërisht në atë “çerdhe” të përshtatshme për vrasje. Ky që po udhëtonte për herë të fundit mbi makinën e zezë tip sovjetik Gaz 69, mbante në gjunjë fotografinë e madhe të Enver Hoxhës dhe e puthtë. “Ky burrë nuk e di çfarë po bëjnë me mua sonte, ndryshe do të gjëmonte Dajti nga zemërimi i tij”. Udhëheqësi komunist që kishte marrë dënimin me vdekje, gjatë Luftës së Dytë, kishte qenë një prej atentatorëve më të spikatur por edhe kishte strehuar udhëheqësin e Partisë “Tarasi”. Kur Tarasi po e dërgonte për ta pushkatuar në Dajt, ai përsëri puthte fotografinë e udhëheqësit. Kushedi sa prej 19 viktimave të gjetura dje, kanë prekur Ferrin duke mbajtur shpresë të Udhëheqësi!...

Ajo që ndodhi në hapësirën që nga Selia e Komitetit Qendror të Partisë (aty ku sot ndodhet Kryesia e Kuvendit) deri në shpellën që gëlltiti jehonën e të shtënave të armëve dhe jetë njerëzish, ishte vërtet një absurd. Njeriu vetë ishte futur në absurd. Ky është “Prometeu” i Dajtit. Prometeu i Dajtit nuk lidhet me Prometheun e Mitologjisë së Greqisë së lashtë. Ky Titan, biri i Iapetus dhe Themis, u ngjit në Olimp dhe i vodhi zjarrin Zeusit. Prometheu i Komunizmit ka lidhje me zanafillën e marksizmit dhe me idetë e vetë Marksit. Heroi i Marksit është Prometeu, simboli që sipas tij ndryshon njeriun. Nuk dihet nëse komunizmi pas Marsit ishte marksizëm apo jo, por simboli “promethe” për të ndryshuar njeriun mbeti gjithë kohën në qendër të çdo pune të komunizmit. Aty ku njeriu nuk ndryshonte, dmth., nuk bëhej “njeri i ri” sipas syrit të Partisë, atëherë përdorej makina e zezë për ta transportuar njeriun në Dajt. (Edhe Prometheu i Marksit ishte menduar si një titan në mal).

Kur u groposen viktimat e Dajtit?


Hamendjet se ishte viti 1956, apo viti 1975, apo viti 1979, apo viti 1990..., përmbajnë të vërteta, secila. Në vitin 1956 një Plenum i veçantë i Komitetit Qëndror të PPSH sapo e kishte shpëtuar udhëheqësin prej një “komploti”. Shpëtimtari më i madh ishte udhëheqësi që u vra në Dajt më 1975 duke puthur portretin e Enver Hoxhës. Komplotistët kishin shkuar para tij në Dajt. Të jetë vallë, varri i atyre viteve?! Apo është varri i atentatorëve në ambasadën e Bashkimit Sovjetik. U tha se një bombë kishte synuar miqësinë shqiptaro- sovjetike, dhe për këtë faj u pushkatuan dhe u dënuan përjetë disa deputetë. Edhe këta deputetë kishin pasur disa denoncues, që më vonë vetë ata shkuan në Dajt. Apo vallë këta i përkasin dimrit të vitit 1979? Në Janar të 1979, piramida politike vendosi që në nder të Mehmet Shehut, mijëra qytetarë- ushtarë të urdhërohen që të bëjnë rrugën e Brigadës së Pestë Sulmuese. 18 njerëz vdiqën në atë inkursion honorifik dhe u varrosen rrugës. Por kjo nuk përputhet me disa të vërteta më të vogla, sipas të cilave një lum i ftohtë kishte rrëmbyer disa nga kufomat e ushtarëve. Ndërsa në vitin 1990, përsëri u tha se shumë njerëz ishin zhdukur në malin me Gropa ose ishin pushkatuar në Dajt. Këta kërkonin ndryshimin e sistemit komunist dhe përpiqeshin të largoheshin nga vendi.

A ndryshoi njeriu, sipas Prometeut?


Shumë nga ata që manifestuan durim dhe mosndryshim të menjëhershëm, u gjetën dje në Dajt. Të ëtjerët kanë humbur përjetësisht. Një njeri i zakonshëm i ishte ngjitur malit të Dajtit për të kërkuar eshtrat e të atit, por gjeti eshtrat e 19 të tjerëve. I kërkuan të dëshmonte më shumë, por tha vetëm fjalët e zakonshme se kërkonte të atin. Poshtë në Tiranë po zhvillohet një betejë për të shkuar në parlament ose jo. Komunistët e viteve të diktaturës, edhe pas ndryshimit të regjimit, vazhduan të mbetën të pandryshuar. Shteti nuk ka krijuar mundësitë e duhura për të gjetur viktimat, as shkaktarët. Disa nga shkaktarët e vrasjeve në Dajt tani figurojnë si baballarë të deputetëve që bojkotojnë demokracinë. Në këtë rast, njeriu që nuk ndyshon, nuk është prekur. Në demokraci nuk ka Promethe, ka vetëm njerëz që nuk ndryshojnë. Këta mbeten me të njëjtën ide dhe qëllime djallëzore.

Comments (2 posted):

Mark Gjonaj on 08 February, 2010 01:31:50
avatar
Cfare eshte ky shkrim shkarravine. Perse nuk jane serioz kur shkruajne nje ngjarje, aq me teper kur germohet mbi nje varr masiv. Frrok Cupi nuk e ka problem qe tallet keshtu, se me kane thene se eshte dhendrri i ish Sekretarit te Pare te Mirdites. Ky shkrim me teper diskrediton ushtaret e mediave se sa regjimin e kaluar. Kujt i nevojiten keto lloje shkrimesh?
Ma ne fund. on 08 February, 2010 08:55:34
avatar
Me kujtohet gazeta Rilindja Demokratike kure ishte ne duart tua se sa bukur shkruante.Tash kure rradhehere e lexoj me duket sikure lexoj Zanin e Popullit te Enverit.
Ky shkrim ne kundershtim me dy shkrimet e ma parshme ne ket web qe ishin thuajse partiake, me ngjadhe simpatine e dikurshme.
Thua te verteten kure thua se shteti nuk ka krijua mundesite e duhuna per te gjete viktimat dhe shkaktaret e tyne, veçse me zhgenjen kure nuk e thua pse se ka ba nje gja te tidhe deri me sot.
Kush te frigeson?
Apo thjeshte se je pjestare dhe eksponent i ketij shteti?
Apo se diktatura ne metoda te ndryshme vazhdon edhe sot e kesaj dite?
Apo se demokracia asht aqe e kamuflueme saqe te thuash te verteten asht po aqe e rrezikeshme sa dhe ma pare?
A nuk do ishte ma mire per nje intelektual demokrat te distancohet me ket dhoj demokracie?
Pershendetjet e mia edhe pse e di qe kurr nuk do u kthesh pergjegje pytjeve qe te bana.
E.Miculi.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.0