Në krye të deputetëve të PS njeriu "non gratta" në SHBA
Tetë deputetë refuzuan në shenjë proteste pjesëmarrjen në votimin për zgjedhjen e kryetarit të grupit.Rama i bën karshillëk Perëndimit, "politika e re" zgjedh në krye njeriun e urryer të diktaturës
Partia Socialiste do të përfaqësohet në tempullin e demokracisë me njeriun që rezulton të jetë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si politikan i inkriminuar dhe i korruptuar. Nëpërmjet një mbledhje sekrete të kryesisë, ku u shmang pjesëmarrja e kundërshtarëve të Ramës, ky i fundit vendosi emërimin e Gramoz Ruçit në postin e kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke e kthyer partinë kryesore të opozitës në duart e gardës së vjetër të lidhur ngushtë me regjimin diktatorial. Zgjedhja e Ruçit, i cili është shpallur person non-gratta në vitin 2003 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një urdhri të Presidentit Bush për moslejimin në territorin amerikan të politikanëve të inkriminuar dhe të korruptuar, është mesazhi më domethënës që Rama u dërgon jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë për atë se çfarë përfaqëson aktualisht Partia Socialiste. Tashmë, fytyra bolshevike e Ruçit do të jetë imazhi me të cilin do të prezantohet Partia Socialiste jo vetëm në Kuvend, por edhe në takime të ndryshme ndërkombëtare, duke shmangur këtu SHBA, ku Ruçi është person non-gratta. Në vitin 2003, Gramoz Ruçit iu refuzua viza nga ambasada amerikane në Tiranë për të udhëtuar drejt SHBA-së, ku do të merrte pjesë në Konventën e Republikanëve. Ky refuzim lidhej me akuzat e shumta që rëndojnë mbi Ruçin për vrasje të protestuesve në vitin 1991 në Shkodër dhe për përfshirje në afera korruptive e kriminale në bashkëpunim me banda të krimit të organizuar. I njohur fillimisht si aparatçiku i frikshëm i diktaturës komuniste dhe më vonë Sekretar i Parë Komiteti partie rrethi dhe më pas si shef i Sigurimit të Shtetit në postin e ministrit të Brendshëm, Ruçi ka arritur nëpërmjet interesave mafioze që ndan me Ramën të ketë në dorë frenat e Partisë Socialiste në sallën e legjislativit. Në vitin 2003, Partia Demokratike kërkoi një komision hetimor lidhur me shpalljen e kryetarit të atëhershëm të Grupit socialist person non-gratta nga SHBA për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Me përzgjedhjen e Ruçit në mesin e personaliteteve të tjera brenda PS-së që mund të kishin fituar këtë post, Rama kërkon t'i bëjë karshillëk Perëndimit e veçanërisht Shteteve të Bashkuara, duke përforcuar mesazhin që e artikuloi pak muaj më parë se "nuk kemi nevojë për të huajt". Këtë mesazh Rama e ka artikuluar në mënyrë të përsëritur veçanërisht pas mospranimit të rregullave të demokracisë pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ruçi arkitekti i linjës anti-perëndimore në PS
Gramoz Ruçi aktualisht mund të thuhet se është kryetari "de facto" i Partisë Socialiste në kushtet kur kryetari zyrtar i saj ka demonstruar mungesë të theksuar prirjesh politike dhe ka zgjedhur ta drejtojë partinë, duke qëndruar jashtë Parlamentit. Zgjedhja e Ruçit në krye të grupit të PS-së vjen si një shpërblim që Rama po i bën atij për lojën e kungulleshave me Maqo Lakrorin për riuzurpimin e postit të kreut të PS-së. Ruçi njihet si njeriu i puçeve në Partinë Socialiste, duke i dhënë shkelmin e fundit kryetarit në ikje e duke u rreshtuar përkrah fituesit. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ishte ky bolshevik i vjetër, arkitekti i bojkotit dhe linjës së ashpër anti-perëndimore që çoi në izolimin total të Partisë Socialiste nga komuniteti ndërkombëtar. Para kërkesave dhe këshillave të BE-së, OSBE-së, SHBA-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që PS të hyjë në Kuvend, Ruçit nuk i duket fare e pavend që të shprehet për BBC-në se, "ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të mazhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez. Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa, apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato". Bolsheviku tipik i Partisë së Punës, i njohur si një nga xhaketat e vjetra në PS apo xhaketë e kthyer, duket se dominon politikën shterpë të partisë kryesore të opozitës, e cila sheh dhunën si mjetin e vetëm për të rrëmbyer atë që shqiptarët do t'ia refuzojnë për shumë kohë, drejtimin e vendit.
Majko, i tradhtuar prej Ramës bojkoton mbledhjen e grupit
Tetë deputetë të Partisë Socialiste bojkotuan dje procesin farsë të zgjedhjes së kryetarit të Grupit parlamentar, i cili ishte paracaktuar në një mbledhje të ngushtë të kryesisë socialiste. Gramoz Ruçi me propozim të Ramës kandidonte pa asnjë rival për këtë post, gjë që ka reflektuar edhe ndrydhjen e tejskajshme të demokracisë së brendshme në partinë kryesore të opozitës. Deputetët kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë proces jotransparent, i cili vjen në shkelje të hapur me statutin e Partisë Socialiste. Mes deputetëve që kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë votim ishte edhe Pandeli Majko, i cili aspironte për këtë post. Majko kishte marrë një premtim të qartë nga Rama për këtë post në këmbim të mbështetjes politike në ditët e vështira kur ai duhet të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së. Por sipas të gjitha gjasave, Rama ka shfrytëzuar naivitetin politik të Majkos deri në këto momente kur pozitat e tij duken më të forta në krye të PS-së dhe ka emëruar Gramoz Ruçin si drejtues të grupit. Ndërkohë, nga debati për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të Grupit parlamentar të PS-së janë shmangur të gjithë deputetët e njohur si kundërshtarë të Ramës, pavarësisht eksperiencës politike që ata kanë në partinë kryesore të opozitës. Duket se zgjedhja klienteliste dhe në kundërshtim flagrant me statutin e partisë e drejtuesve të Grupit parlamentar pritet të shkaktojë një valë tjetër përplasjesh në Partinë Socialiste. Burime brenda selisë rozë bëjnë të ditur se Rama ka vendosur në listë njerëzit që e kanë mbështetur atë, pavarësisht se në shkelje të statutit, të rivijë në krye të PS-së. Ndërkohë në grupin e të pakënaqurve është edhe ish-drejtuesja e grupit deri në zgjedhjet e qershorit, Valentina Leskaj. Ajo pritet të mënjanohet edhe nga posti i numrit dy të grupit, post të cilin Rama pritet t'ia japë Arta Dades. Mësohet se Rama u ka komunikuar në takime të veçanta në zyrën e tij deputetëve ndarjen në komisionet parlamentare sipas profilit që ata kanë. Nga këto konsulta janë shmangur deputetët kundërshtarë të tij, të cilët de facto konsiderohen të përjashtuar nga Grupi parlamentar i PS-së. Pa u menduar dy herë, me një metodë të pastër prej diktatori, Rama u ka prerë në mes karrierën politike disa personazheve të njohur në Partinë Socialiste. Mësohet se Kastriot Islami është fshirë nga delegacioni i përhershëm në Këshillin e Evropës, ku ai ka dhe disa detyra të vjetra në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Ai do të zëvendësohet nga kolegia e tij, Arta Dade. Është ende e paqartë nëse Islami do të jetë anëtar i ndonjë komisioni si përfaqësues i PS-së. Të njëjtin fat duket se do të kenë edhe Marko Bello, Ben Blushi, Arben Malaj dhe Andis Harasani.
Rregullorja e re kthen PS në kazermë ushtarake
Partia Socialiste po kthehet gradualisht në identitetin e paraardhëses së saj, Partisë së Punës, pavarësisht se kanë kaluar dy dekada që nga ndërrimi i emrit. Një rregullore e re e Grupit parlamentar të PS-së pritet ta kthejë partinë kryesore të opozitës në një grup masonik që drejtohet nga një drejtues i pagabueshëm dhe i pakontestueshëm që mund të urdhërojë dhe ekzekutojë edhe ndëshkime për të pabindurit. Burime nga selia rozë bënë të ditur se pavarësisht disa ndryshimeve që iu bënë sot këtij dokumenti për shkak të gjuhës së ashpër dhe ndjesisë së keqe që përcillte, përsëri momenti më i rëndë i saj që lidhet me ndëshkimin e deputetëve nuk ka ndryshuar. Ndëshkimi parashikohet për ata deputetë që shprehen kundër vendimit politik të marrë më parë nga Grupi parlamentar. Ky dokument që synon të zëvendësojë statutin e Partisë Socialiste, për shkak të pamundësisë së ndryshimit të tij pasi kjo do të nxiste debate të reja në parti, adresohet pikërisht mbi deputetët kundërshtarë të Ramës. Me anë të kësaj rregulloreje, Rama synon të përligjë vendimin ekstrem për përjashtimin e deputetëve që nuk u binden verbërisht urdhrave të tij për lojëra me hyrje-daljet në Kuvend. Ndërkohë, sipas kësaj rregulloreje, do të jetë Rama ai që do të koordinojë nga jashtë radhën e deputetëve që do të flasin për çështjet jashtë rendit të ditës apo për çështje që janë në diskutim. Deputetët që duan të flasin në seanca duhet të marrin paraprakisht lejen e Ramës dhe do të raportojnë pranë tij se për çfarë temash do të flasin. Sipas rregullores, asnjë prej atyre që nuk e ka shkruar emrin në listë, nuk lejohet të flasë në seancën e radhës. Deputetët do të vlerësohen për punën e tyre, në varësi të interpelancave që realizojnë, artikujve apo intervistave që botojnë në media, ndërkohë që nuk do të tolerohen mungesat e shumta në mbledhje grupi apo seanca parlamentare. Kjo rregullore e kthen Grupin parlamentar të Partisë Socialiste në një repart ushtarak, ku çdo deputet duhet të presë urdhrin e komandantit të munguar për të folur apo për të mos folur për çështje të caktuara. Kjo përveçse e bën qesharake jetën parlamentare të Grupit të PS-së, i shndërron deputetët socialistë në gurë shahu të pavlerë dhe njerëz pa dinjitet, që duhet të marrin leje nga Rama për të shprehur mendimet e tyre. Praktika të tilla të sjellin në mendje periudhën e errët kur e gjithë partia kontrollohej nga një njeri i vetëm dhe askush nuk kishte kurajën të thoshte atë që mendonte. E implantuar në partinë kryesore të opozitës, e cila pretendon të drejtojë vendin, kjo praktikë përbën rrezik eminent për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment