Gripi, teori globalizimi apo manipulimi
Virusi i gripit të derrit është shndërruar në shqetësimin më të madh të strukturave të Shëndetësisë. Ajo që qytetarët perceptojë, përveç masave të rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, është paniku.
Në gjithë Europën janë 17.000 raste gjithsej, prej të cilave 10.000 në Britaninë e Madhe, vetëm 320 në Itali dhe 4 raste të dyshuara në Shqipëri. A është kjo një pandemi?
Flitet për 4 raste: Një student 21 vjeçar nga Gjirokastra, i cili për shkak të formës së lehtë të gripit nuk është mjekuar me tamiflu, dhe tre marinarë të huaj, të cilët tashmë janë larguar nga Shqipëria
Kjo situatë solli deklaratën e ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, 2 ditë më parë:
"Virusi qarkullon në Shqipëri, presim raste të tjera”.
Më shumë se shqetësuese, duket një thirrje për të krijuar klientelë.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, janë pajisur me një sasi antiviralësh tamiflu të gjithë spitalet rajonale dhe ruhet një stok në ISHP. Ndërkohë është porositur dhe pritet të sigurohet shpejt një sasi prej rreth 100 000 tabletash anti- virale tamiflu. ISHP ka prodhuar në muajin mars një poster për udhëtarët me 2 mijë kopje, të shpërndara në të gjithë pikat kufitare.
Gjithashtu janë prodhuar 20 000 fletëpalosje për udhëtarët dhe 20 mijë të tjera për qytetaret. Te gjitha këto janë shpërndarë tashmë. Janë vlerësuar kapacitetet e programit kombëtar të vaksinimit dhe janë përcaktuar paraprakisht grupet e popullatës me prioritet për vaksinim
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë i ka marrë të gjitha masat për një pandemi frikësuese dhe qeveria gjithashtu është e gatshme të sigurojë fonde për parandalimin e gripit, ende nuk është certifikuar një vaksinë specifike për virusin e ri pandemik, megjithëse ka filluar prodhimi i saj dhe pritet që një sasi e papërcaktuar ende, të jetë gati nga vjeshta.
E gjitha kjo ka një kosto të lartë financiare, por ajo që është thelbësore, është qetësia e popullatës. Shoqëria është njohur me gripin e derrit dhe pasojat e tij në muajin mars të këtij viti, pas shfaqjes së tij për herë të parë në Kanada. Pas disa muajve, paniku mori përmasa globale. Tani që situata në botë është normalizuar, duke kuptuar se teoritë e globalizimit të një fenomeni nuk kanë ndodhur për herë të parë, në Shqipëri trajtohet me entuziazmin e fillesave.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, inspektoi dje aeroportin e Rinasit, ku kërkoi shtimin e masave dhe ndërgjegjësimin e pasagjereve për t’u mbrojtur nga virusi i gripit të derrave.
“Kemi porositur 10 mijë doza tamiflu”,- deklaroi ministrja. Zonja Godo ka inspektuar masat e marra edhe në portin e Durrësit për parandalimin e gripit të derrave.
Reagimi i kryeministrit Sali Berisha, dje, në lidhje me virusin A/H1N1 në një konferencë për shtyp ishte një pasqyrë reale e asaj që po ndodh .
Ai u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë sepse gripi është shfaqur në formë të butë.
Z.Berisha bëri të ditur gjithashtu se qeveria është e gatshme të përballojë blerjen e medikamenteve dhe vaksinave për këtë virus.
“Po bëhen përpjekjeje për prodhimin e vaksinës, provat e para janë bërë në Australi, por besohet se do të jenë të gatshme nga shtatori. Disponojmë mijëra doza tamiflu. Natyrisht qeveria është e gatshme të importojë sasinë e nevojshme të tamiflusë, që do t’i duhet për të kuruar të sëmurët”,- u shpreh Berisha.
Agjencia Reuters dje njoftonte se virusi H1N1 ka qenë një “shpërblim” për kompaninë Glaxo Smith Kline (GSP), e cila prodhon ilaçet kundër sëmundjeve në sistemin e frymëmarrjes, vaksina dhe maska speciale antivirusale. Edhe vetë kompania pranon se virusi H1N1 erdhi si një dhuratë për të.
GSP është kompania e dytë më e madhe në botë për prodhimin e vaksinës kundër H1N1.
Si rezultat, kompania është duke pritur një rritje të prodhimit vjetor të Relenza-s deri në 190 milionë paketa trajtimi deri në fund të vitit 2009. Kjo e rrit trefishin prodhimin dhe fitimin e kompanisë, nga 60 në 190 milionë. Glaxo tani ka kontrata me 60 qeveri në të gjithë botën.
Edhe media italiane (La republika, etj.), ditët e fundit po shprehen të shqetësuara për një “industrializim” të psikozës mbi rrezikun e gripit të derrit. Gazeta e lartpërmendur, në edicionin e pardjeshëm, bënte këtë llogari: Detyrimi është që secili, në moshën 4 deri 28 vjeç në Itali të vaksinohet kundër H1N1, kur ¼ e popullsisë këshillohet që të marrë vaksinën kundër gripit, kjo nënkupton një biznes shumë fitimprurës për kompanitë e prodhimit të vaksinës dhe për organizatat e shëndetësisë që lëshojnë alarmin për një pandemi të rrezikshme. Aq më tepër që në Itali, prej rreth 60 milionë banorë, dyshohen si të infektuar vetëm 320 persona.
Pas një kohe disa mujore mbi alarmin e gripit të derrit, tani duket se po largohet frika për një realitet virusal dhe po afrohen disa pyetje mbi përfitimet kolosale financiare të kompanive prodhuese dhe distributorëve të ilaçit. Mund të vijë një ditë që ta thërrasin, jo gripi i derrit, por gripi i Mafias.



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment