Shorti, Shqipëria e nis dhe e mbaron me Rumaninë
Shqipëria do t’i nisë eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 atje edhe ku përfundoi fushatën kualifikuese të Euro 2008, në Bukuresht dhe me të njëjtin kundërshtar, Rumaninë.
Pikërisht Rumania, ndaj së cilës jemi përballur 15 herë në ndeshje ndërkombëtare (2 fitore, 1 barazim e 12 humbje), do të jetë edhe kundërshtari i parë në fushatën Europianit të Polonisë e Ukrainës. Një takim i fiksuar, më 4 shtator të këtij viti. Në përballjen e fundit kundër rumunëve, më 21 nëntor 2007, pësuam edhe humbjen me të thellë ndaj tyre, 6-1, e që solli edhe largimin e ish-trajnerit kroat Oto Bariç.
Do të jetë një tjetër trajner kroat i Shqipërisë, Josip Kuzhe, ai që do të përballojë Rumaninë gati katër vjet më pas, ku Kombëtarja jonë do të bëjë të pamundurën për të larë turpin. Fundi i eliminatoreve na ofron në “Qemal Stafa” (12 tetor 2011) sërish Rumaninë.
KALENDARI
Pas një serie të gjatë prej 8 humbjesh në ndeshjet e para të eliminatoreve të Kampionateve Europiane – madje pa shënuar qoftë edhe një gol të vockël, 26 të tillë të pësuar – Shqipëria në dy ndeshjet e fundit ka barazuar në premierë: kundër Zvicrës në Tiranë (1-1, trajner italiani Xhuzepe Dosena) dhe Bjellorusisë në Minsk (2-2, trajner kroati Oto Bariç). Rumania është një nga tre skuadrat më të forta të Grupit D, përfshirë këtu Francën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Pas sfidës së vështirë në Bukuresht, kuqezinjtë e Kuzhesë do të “relaksohen” kundër Luksemburgut (8 shtator 2010), ndaj të cilëve fituam “bolshëm” në dy përballet e fundit në Euro 2008: 2 fitore të pastra, 2-0 në Tiranë dhe 3-0 në Luksmeburg, e me një promotor goli, Edmond Kapllanin, autor i tre golave nga 5 të shënuar kundër tyre. Shqipëri-Bosnjë (9 tetor) është dhe ndeshja e parë e luksit në “Qemal Stafa”. Bosnja, një kundërshtar ndaj të cilit në statistika jemi dominuese (3 ndeshje, 2 fitore, 1 barazim), është tani një “kockë” e fortë edhe për Francën, dy herë kampione të Europës dhe Rumaninë.
Katër ditë më pas Shqipëria udhëton drejt Bjellorusisë, ndaj të cilëve kemi barazuar 2-2 në Minsk. Kjo ndeshje mbyll edhe vitin 2010, ndërkohë që do të jetë sërish Bjellorusia skuadra që hap edhe serinë prej 7 takimesh të vitit 2010. Në përballjen e fundit kundër Bjellorusisë në Tiranë humbëm 4-2. Tetë qershori e gjen Shqipërinë në Bosnjë, ndërkohë që tre muaj më pas mbërrin në Tiranë (3 shtator 2001) edhe favoriti kryesor i grupit tonë, Franca, ndeshja më e shumëpritur e këtij edicioni.
Në takimin fundit midis dy ekipeve në kryeqytetin shqiptar, të zhvilluar dhjetë vite më parë (17 nëntor 1990), Franca fitoi 1-0 me golin e Bolisë. Pas një ndeshje pa shumë stres kundër Luksemburgut në transfertë (“Nese nuk marrim gjashtë të plota kundër tyre për mua do të jetë një dështim”, -tha Kuzhe), do të luajmë në Paris, atje ku për herë të parë dhe të fundit u shpartalluam 5-0 (30 mars 1991) dhe nga grupi i lojtarëve u arratisën shtatë futbollistë, përfshirë edhe Rudi Vatën.
Nga grupi ynë prej gjashtë skuadrash, e para kualifikohet direkt, ndërkohë që e dyta do të luajë play-of (me përjashtim të rastit, që nëse e dyta jonë është më e mira e të gjitha grupeve do të kualifikohet direkt). Situata para ndeshjes së fundit në grupe: Francë-Bosnjë dhe Shqipëri-Rumani, mund të jetë e tillë, që Shqipëria të jetë faktor përcaktues, ashtu siç ndodhi në rastin e Botërorin 2006, kur vendi ynë “dhuroi” Turqisë kualifikimin për të qenë pjesë e play-ofit të Botërorit, por që falë një goli të Valon Behramit, ishte Zvicra ajo që morri pjesë në finalet e Gjermanisë.
TRAJNERET
Në dhjetë përballjet debutuese të kampionateve europiane, Loro Boriçi është trajneri që ka zhvilluar më shumë ndeshje, 3 të tilla, por duke i humbur gjithë të gjitha: Danimarkë-Shqipëri 4-0 (Euro 1964, 29.06.1963), Gjermani-Shqipëri 6-0 (Euro 1968, 08.04.1967) dhe Poloni-Shqipëri 3-0 (Euro 1972, 14.10.1970). Humbje kanë pësuar edhe Shyqyri Rreli (Austri-Shqipëri 5-0m Euro 1984, 22.09.1982); Agron Sulaj (Austri-Shqipëri 3-0, Euro 1988, 15.10.1986); Bejkush Birçe (Islandë-Shqipëri 2-0, Euro 1992, 30.05.1990); Neptun Bajko (Uells-Shqipëri 2-0, Euro 1996, 07.09.1994) dhe Astrit Hafizi (Gjeorgji-Shqipëri 1-0, Euro 2000, 05.09.1988). Gjithsesi të gjitha ndeshjet si për ironi të fatit janë zhvilluar në transfertë.
Vetëm dy trajnerët e fundit që kanë drejtuar Shqipërinë në kualifikueset Europiane kanë arritur rezultate pozitive: italiani Xhuzepe Dosena barazoi 1-1 kundër Zvicrës në Tiranë (12.10.2004) dhe kroati Oto Bariç barazoi 2-2 kundër Bjellorusisë në Minsk (02.09.2006). Kroati Josip Kuzhe do të jetë trajneri i tetë i Shqipërisë në fushatat kualifikuese. Por, a do të ndjekë ai shembullin e trajnerëve shqiptarë (8 humbje në 8 ndeshje) apo atyre të huaj (2 barazime në 2 ndeshje) kjo mbetet për tu parë pas 90 minutave kundër Rumanisë në Bukuresht, më 4 shtator 2010.
KALENDARI I NDESHJEVE
4 shtator 2010
Rumani-Shqipëri
8 shtator 2010
Shqipëri-Luksemburg
9 tetor 2010
Shqipëri-Bosnjë
13 tetor 2010
Bjellorusi-Shqipëri
26 mars 2011
Shqipëri–Bjellorusi
8 qershor 2011
Bosnjë-Shqipëri
3 shtator 2011
Shqipëri-Francë
7 shtator 2011
Luksemburg-Shqipëri
8 tetor 2011
Francë–Shqipëri
12 tetor 2011
Shqipëri-Rumani
Ndeshjet e para
në kualifikueset europiane
Euro 1960
Nuk morëm pjesë
Euro 1964
29.06.1963
Danimarkë-Shqipëri 4-0
Trajner: Loro Boriçi
Euro 1968
08.04.1967
Gjermani-Shqipëri 6-0
Trajner: Loro Boriçi
Euro 1972
14.10.1970
Poloni-Shqipëri 3-0
Trajner: Loro Boriçi
Euro 1976
Nuk morëm pjesë
Euro 1980
Nuk morëm pjesë
Euro 1984
22.09.1982
Austri-Shqipëri 5-0
Trajner: Shyqyri Rreli
Euro 1988
15.10.1986
Austri-Shqipëri 3-0
Trajner: Agron Sulaj
Euro 1992
30.05.1990
Islandë-Shqipëri 2-0
Trajner: Bejkush Birçe
Euro 1996
07.09.1994
Uells-Shqipëri 2-0
Trajner: Neptun Bajko
Euro 2000
05.09.1988
Gjeorgji-Shqipëri 1-0
Trajner: Astrit Hafizi
Euro 2004
12.10.2004
Shqipëri-Zvicër 1-1
Trajner: Xhuzepe Dosena
Euro 2008
02.09.2006
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
Trajner: Oto Bariç
Bilanci: 10 ndeshje; 0 fitore, 2 barazime, 8 humbje. Golaverazhi: 3-29
KUNDËRSHTARËT
FRANCA
Themelimi i federatës së futbollit: 1919
Trajner: Rajmond Domenek (?)
Kapiten: Patrik Vieira
Renditja FIFA: 7
Pjesëmarrje në evropian: 7 (1960, 1984, 1992, 1996, 2000, 2004, 2008)
Bilanci me Francën: 2 ndeshje; 0 fitore, 0 barazim, 2 humbje; Golavarazhi: 0-6
RUMANIA
Themelimi i federatës së futbollit: 1909
Trajner: Razvan Lucescu
Kapiten: Kristian Çivu
Renditja FIFA: 38
Pjesëmarrje në europian: 4 herë (1984, 1996, 2000, 2008)
Bilanci me Rumaninë: 15 ndeshje: 2 fitore, Shqipëria, 1 barazim, 12 fitore Rumania. Golavarazhi: 9-42
BOSNJË-HERCEGOVINA
Themelimi i federatës së futbollit: 1992
Trajner: Safet Sushiç
Kapiten: Emir Spahiç
Renditja FIFA: 48
Pjesëmarrje në evropian; Asnjë
Bilanci me Bosnjën: 3 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 0 humbje; Golavarazhi: 5-0
BJELLORUSIA
Themelimi i federatës së futbollit: 1989
Trajner: Bernd Stange
Kapiten: Aleksandër Hleb
Renditja FIFA: 80
Pjesëmarrje në evropian: Asnjë
Bilanci me Bjellorusinë: 2 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 1 humbje; Golavarazhi: 4-6
LUKSEMBURGU
Themelimi i federatës së futbollit: 1908
Trajner: Guj Hellers
Kapiten: Xhef Straser
Renditja FIFA: 128
Pjesëmarrje në evropian: Asnjë
Bilanci me Luksemburgun: 3 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 0 humbje; Golavarazhi: 5-0



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment