AlbDreams.net: Absurdi i një skenari me hyrje pa dalje Absurdi i një skenari me hyrje pa dalje ================================================================================ Edmond Panariti -Panorama on 09 January, 2010 02:22:00 Shtrëngimi i nofullave të presionit politik, që Partia Socialiste po ushtron mbi koalicionin në pushtet, nëpërmjet mospjesëmarrjes në Parlament, në thelb synon të krijojë një pamundësi qeverisëse. T’ia nxish jetën qeverisë, duke i bllokuar ligjet, ta futësh atë në siklet duke penguar reformat institucionale, ta provokosh dhe shantazhosh duke nxitur protesta të porositura, e gjitha kjo duket se është e mundur për një opozitë, e cila i ka të gjitha kartat për të ushtruar bllokazh dhe që ka krijuar qysh ditëve të para pas përfundimit të zgjedhjeve edhe një “casus belli” apo sebep sherri përmes stigmatizimit të “deformimeve’ të pretenduara të rezultateve të kutive të votimit. E gjitha kjo ka zënë vend, paçka se mbi kapakun e kutive të “mistershme”, rëndon pesha autoritare e firmave të 20 mijë të besuarve të saj në të gjithë vendin dhe pavarësisht se ato janë tashmë të arkivuara me vendim të kolegjit zgjedhor, të vulosura edhe prej një rezultati “tenistik” prej 7 me 0 të Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, i cili i dekretoi njëzëri rezultatet e zbardhura në proces-verbale. Ndërkaq eksponentë të opozitës, jo vetëm nuk e njohën rezultatin, por e sulmuan atë edhe me metafora të tipit mesjetar, duke e krahasuar shumicën qeverisëse me një “kështjellë” të rrethuar nga ushtritë opozitare, të cilat ja kishin ndërprerë asaj furnizimet dhe që e konsideronin vetëm si çështje kohe dorëzimin pa kushte të kështjellarëve të saj. Ndër të tjera, “rrethuesit e kalasë” po llogarisin si avantazh të tyre edhe shtrirjen e ndikimit të pasojave të krizës ekonomike globale në vend, dimrin e ashpër, ndonjë katastrofë natyrore, plasje skandalesh brenda oborrit apo të stisurit e ndonjë konflikti si ai i Orikumit, sipas modelit të revoltave të Lushnjës së 97-ës, gjë që do të rriste pa masë pakënaqësitë e banorëve të kështjellës, të cilët do të ndjeheshin të shtrënguar të ngrinin krye dhe t’u hapin portat e kalasë, mësyerjeve opozitare për të hyrë brenda dhe për të sunduar. Por çështja shtrohet se çfarë pritet të prodhojë kjo farë “shtrëngese” shtetrrethuese? Po t’i referohemi kryeministrit të vendit, apo kryetarit të kështjellës, i cilësuar si i tillë sipas fjalorit me terma templarësh dhe kryqëzatash të përdorur nga opozita, do të vinim re se ai preferoi t’u përgjigjej me të njëjtën mënyrë “shqytarëve” të opozitës, duke u shprehur pak a shumë: - “Në se vërtet mendoni se e keni rrethuar kalanë?! Provojeni ta merrni po jua mbajti”. I konvertuar në terma bashkëkohore, ky mesazh i tij duhet lexuar si: “Harrojeni marrjen e pushtetit me dhunë, për sa kohë ndodhemi në sistemin në të cilin kemi zgjedhur të jetojmë që prej 20 vitesh”. Nëse synohet marrja e kështjellës, duke i ndërprerë asaj furnizimet, ose e shprehur në termat e sotme me bllokim obstruksionist të miratimit të ligjeve, duke vështirësuar kështu edhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, edhe kësaj mundësie kryeministri ju përgjigj në mënyrë lakonike dhe jo specifike se: “Për çdo gjë nuk ka dhe nuk mund të ketë vetëm një rrugëdalje por disa të tilla”, duke e lenë të nënkuptohet se nuk ka ndërmend të mbetet peng i shantazhit. Në këtë mënyrë, në skenën e teatrit politik shqiptar po luhet me “absurdin”, ku aktorët protagonistë ndodhen në mes të “asgjëkundit”, të bllokuar brenda një tuneli ku si hyrja dhe dalja kanë vetëm një portë. Ky ngurtësim i personalizuar pozicioni që krijon “stanjacion” politik, në fakt rrezikon të prodhojë të kundërtën e asaj që synon opozita. Pavarësisht nga stuhitë brenda “gotës” që mundohet të sajojë kjo taktikë sulmi e opozitës, koalicioni qeverisës me 75 mandatet e tij, nuk rrezikohet aspak në projektin e tij qeverisës. Kjo sepse brenda marzheve të një shoqërie me shumë probleme të trashëguara, vendi po përjeton pak a shumë një situatë normale. Prandaj çdo pengesë apo vonesë në procesin e reformave kyçe për vendin, pozita do t’ia faturonte me shumë lehtësi “stërkëmbëshave” pengues të opozitës. Ajo që mund të thuhet me siguri është se populli shqiptar nuk do t’ia falte askujt, vonesën në procesin e integrimit evropian të vendi, sidomos tani që ai ndodhet fare pranë procesit të liberalizimit të vizave, si kurorëzim i një aspirate historike të tij. Nga Brukseli, në mënyrë të përsëritur është theksuar se përpos kritereve teknike të cilat tashmë duken thuajse të plotësuara, është e nevojshme edhe ruajtja e një qëndrueshmërie politike, si dhe funksionimi normal i institucioneve. Por kush po kërcënon funksionimin normal të institucioneve aktualisht? Pozita?! Sigurisht që jo, sepse ajo është në Kuvend dhe të paktën formalisht po tregon vullnetin për të realizuar reformat dhe për të arritur objektiva të prekshme dhe me afate të përcaktuara, si marrja e statusit të vendit kandidat për në BE dhe liberalizimi i vizave për shtetasit e saj. Ky kërcënim për fat të keq vjen nga “opozita” pikërisht në një kohë tërësisht të papërshtatshme dhe mbi të gjitha në vendin e gabuar, gjë që rrezikon t’i kthehet në një bumerang. Një analizë racionale e këtyre rrethanave prej udhëheqësve të opozitës do të duhej të shprehej në një kthesë 180- gradëshe të pozicionimit të saj. Kjo nuk duhet konsideruar si ndërprerje e luftës politike, por si zhvendosje të betejës brenda brazdave institucionale dhe kushtetuese. Në këtë mënyrë, opozita do të dilte nga një qorrsokak, i cili e ka shndërruar atë në një faktor endacak dhe grindavec, që po ja mpin dhe paralizon muskujt e vërtetë të aksionit të saj politik, të cilët forcën e tyre duhet dhe mund ta shprehin vetëm në Kuvend. Një rikthim i opozitës në Kuvend lipset të mos ndodhë në skadencën kushtetuese të mandateve të saj, sepse opinioni publik do ta interpretonte këtë si një gjest jo parimor dhe të sforcuar të saj. Megjithatë kurrë nuk është vonë.