Kombëtarja shqiptare ka debutuar me një barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, shtëpinë e re kuqezi. Mund të kishte marrë më shumë, nëse në minutën e 81-të nuk do të kishim atë shpërqendrim të vetëm të qendrës së mbrojtjes, ku Bendtner, tërë kohës në hije, driblon Canën e Mavrajn dhe i jep mundësinë e artë L.Vibe të barazojë shifrat. Më herët kishte shënuar në pjesën e parë Ermir Lenjani, që mund të konsiderohet edhe lojtari më i mirë në fushë. Duke qenë se pjesën e dytë danezët u zgjuan dhe dominuan me aksionet e tyre, ndoshta kaq merituam, duke e mbyllur në “paqe” me danezët, me të cilët ndajmë edhe kreun e Grupit I kualifikues, me nga 4 pikë pas dy ndeshjesh. Ky është barazimi i dytë radhazi me skuadrën e Morten Olsenit, ndaj së cilës dështuam të rigjenim fitoren pas 51 vjetësh. Tashmë duhet menduar për një transfertë tepër të nxehtë, me Serbinë në Beograd, më 14 tetor, ku luhet më shumë se futboll. Në këtë derbi ballkanik shkojmë si kryesues, por të konsumuar jo pak fizikisht, cka u vu re thuajse te të gjithë lojtarët kuqezinj në cerekorëshin e fundit të sfidës me danezët.
Kujtojmë se ndaj danezëve kemi vetëm një fitore minimale në vitin e largët 1963, në kualifikueset e Europianit, falë golit të të madhit Panajot Pano në minutën e tretë. Më pas, në tetë ndeshjet e tjera, kuqezinjtë janë mposhtur, duke pasur një bilanc total negativ: 9 ndeshje, 1 fitore, 2 barazime, 6 humbje. Golavarazhi: 4-19.
Stadiumi “Elbasan Arena”
Ndeshje kualifikuese për “Euro 2016″, Grupi I
SHQIPERI-DANIMARKE 1-1
Golat: Lenjani 38′ / Vibe 81′
SHQIPERIA: E.Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, Lenjani, T.Xhaka (Rama 82′), Abrashi, A.Lila (Curri 86′), Kapllani, Balaj. Trajner: De Biazi
DANIMARKA: Schmeichel, Kjær, Bjelland, Ankersen (Bech 71′), Boilesen, Krohn-Dehli, Kvist, Eriksen, Højbjerg (Kahlenberg 79′), Bendtner, Yurary (Vibe 46’). Trajkner: Morten Olsen
Gjyqtarë: V.Kassai, G.Ring, V.Toth (Hungari)
De Biazi i beson filozofisë se formacioni fitues nuk ndryshohet. Ndaj edhe e bën këtë me 11-shen që hedh në fushën e blertë ndaj Danimarkës. Ka vetëm një lëvizje të detyruar. Mungesa e Odise Roshit të dëmtuar kompensohet nga aktivizimi i Andi Lilës. Gjithcka tjetër, edhe në aspektin taktik, është njësoj si në Aveiro, ku Shqipëria arriti të marrë një fitore të paharrueshme 1-0 në kualifikuesen e parë në grup, me rezultatin 1-0, falë eurogolit të Bekim Balajt. Pra, mesfusha kuqezi është e mbipopulluar me lojtarë, e cila duhet të bëjë filtrin e parë të ofensivës daneze. Synimi i De Biazit është të forcojë dy krahët, që duhet të angazhohen maksimalisht në planin difensiv dhe ofensiv. Lila dhe Lenjani janë në këto role. I pari nuk lë shenjë, ndërsa i dyti është më i miri, së bashku me Taulant Xhakën, një rikuperues i shkëlqyer topash dhe iniciues pasimesh të përpikta. Bala pozicionohet në majë të sulmit kuqezi, nga i cili pritet më së pari goli. Ansi Agolli feston 32-vjetorin në një ndeshje të rënësishme, edhe si një ogur i mirë për stadiumin “Elbasan Arena”, që shijon për herë të parë të qënit shtëpia e re e kombëtares.
Pjesa e parë – Ndeshja nis e qetë dhe shumë e kujdesshme për të dyja palët, që studiojnë njëra-tjetrën. Lenjani bën krosimin e parë në minutën e 4-t, por mbrojtja mike largon topin në këndore. E para në këtë ndeshje, që nuk sjell ndonjë rezultat, edhe pse pretendojmë për një penallti. Lenjani pengohet në zonën daneze, por Viktor Kasai vijon lojën. Goditja e parë në portën e Berishës vjen në minutën e dhjetë, edhe pse ishte e lehtë, thuajse në formë pasimi. Danezët organizohen mirë në mesfushë, e qarkullojnë dendur dhe tokazi topin, ndërsa mundohen të infiltrojnë topa pas krahëve të mbrojtjes sonë. Të gjithë futen në aksion, të gjithë në pasime, duke krijuar epërsi numerike kur sulmojnë. Kjo i detyron tanët të bëjnë jo pak gabime në ndërtimin e manovrës sulmuese në 30 minutat e para. Mungon fantazia, sepse i tillë është formacioni që ka hedhur De Biazi. Në lojë mungon Meha dhe Rama, lojtarë kreativë dhe driblues.
Lojtarët tanë vuajnë në organizim, nuk arrijnë të dalin dot nga gjysmëfusha e tyre. Komandën e kanë danezët, që janë tepër të qartë e të saktë në veprimet e tyre. Eriksen tenton në minutën e 19-të me një goditje nga distanca, por mbi traun e portës kuqezi. I vetmi që e sheqetëson kundërshtarin nga kuqezinjtë është Lenjani me inkursionet e tij nga e majta. Ai i jep mundësinë skuadrës të dalë përpara hera-herës. Krahu tjetër është “i vdekur”, me Andi Lilën. Xhaka bën goditjen e parë në kuadrat për tanët, në minutën e 32-të. Kundërpërgjigjet “flakë për flakë” Poulsen, që teston gadishmërin e Berishës, i cili grushton topin në këndore. Dukej se presioni në rritje i nordikëve të Morten Olsenit do të sillte rezultat, por Shqipëria shfrytëzon në maksimum mundësitë e krijuara, si në Averio. Minuta e 38-të bën që të shpërthejë “Elbasan Arena”. Taulant Xhaka rikuperon bukur një top në mesfushë, në dyluftim me kundërshtarin, dhe e pason shpejt për te Lenjani, që përparon disi dhe nuk heziton të godasë nga rreth 25 metra. Topi devijohet paksa edhe nga një mbrojtës danez, duke bërë që portieri mik, djali i legjendës Peter Shmajkël, të mos e ndalojë. Rrjetë dhe Shqipëria e sheh veten në epërsi. Bala ka mundësinë për të dyfishuar shifrat në limitin e kohës së rregyullt të pjesës së parë. Xhaka merret vesh shumë mirë me Agollin në të majtë dhe ish-lojtari i Tiranës kroson diagonal, tokazi. Sulmuesi shkodran godet pa u menduar dy herë, si në rastin e golit ndaj Portugalisë, por këtë herë nuk ka shënjestrën e duhur. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të kuqezinjve, që u shfaqën disi të ndrojtur, por ndoshta kjo kishte të bënte më shumë me kujdesin dhe përqendrimin e lartë karshi një kundërshtari që mund të të godasë në cdo moment.
Pjesa e dytë – Nis me një zëvendësim te danezët. Trajneri Olsen kërkon të rregullojë dicka në formacionin e tij, posaqërisht në sulm, teksa i duhet të rikuperojë disavantazhin tashmë. De Biazi vijon me të njëjtën 11-she. Ai u ka kërkuar të tijve të vijojnë me këtë stil loje në pushimin 15-minutësh, por pa u tërhequr shumë në gjysmëfushën tonë. Fati është me tanët në minutën e 55-të, kur Cana bëhet shpëtimtari i portës sonë. Një pasim i bukur i infiltruar nga danezët e zë në befasi mbrojtjen tonë, e cila aplikon pozicionin jashtë loje gabim, duke e nxjerrë sulmuesin kundërshtar të vetëm me Berishën. Eriksen superon edhe “gardianin” kuqezi, por goditja e tij drejt rtrjetës ndesh një pengesë tjetër. Zhytja e kapitenit të Shqipërisë është vendimtare, duke e devijuar topin në shtyllë e prej andej sërish në lojë. Dtrithërima për kombëtaren tonë. Danimarka duket qartë se nuk pajtohet me rezultatin, ndaj është dominuese me aksionet e shumta të saj. Në minutën e 60-të kemi mundësi të artë për të dyfishuar shifrat. Lenjani kroson nga e majta, ndërkohë që Bala dhe Lila ngatërrohen me njëri-tjetrin në goditjen me kokë, duke minimizuar mundësinë e shënimit, pak metra larg portës kundërshtare. De Biazi vendos të bëjë lëvizjen e parë, duke bërë zëvvendësim kokë për kokë në sulm. Del Bala dhe futet Cikalleshi në minutën e 69-të. Kavajasi, i freskët fizikisht, ka për detyrë që ta mbajë nën presion mbrojtjen daneze. Madje ai jep një assist për Lenjanin në minutën e 72-të, që përparon bukur, godet fort tokazi, por ngjitur me shtyllën pingule. Autori i golit kuqezi është njeriu që e shtyn përpara kombëtaren shqiptare, i jep frymëmarrje asaj në krahun e majtë. Olsen i bën të tria zëvendësimet, por skuadra e tij e ka të pamundur të cajë “murin” kuqezi, të ndërtuar nga De Biazi. Tanët tërhiqen të tërë në gjysmëfushën kuqezi kur sulmojnë danezët, duke mos lejuar hapësira për kundërshtarin. Gjithsesi, kjo nuk ndodh në minutën e 81-të, kur Bendtner bën cfarë të dojë me mbrojtësit tanë të qendrës, e nxjerr topin për te Vibe, i futur në pjesën e dytë, i cili barazon shifrat. Ndëshkohemi nga një shpërqendrim në momentin më të padëshirueshëm, kur gjithcka po shkonte sipas planeve kuqezi. Disa minuta lojë edhe për Valdet Ramën, por që nuk arriti të ingranohet dhe të bëjë dicka, I vendosur të në djathtë të mesfushës, në vend të Lilës, që pak më tej ia lë vendin Currit. Tashmë mendojmë të mbrojmë barazimin, një rezultat përfundimtar që ndan nga një pikë për të dyja skuadrat, të cilat vijojnë të ecin me të njëjtin hap, si kryesuese të Grupit I, me nga 4 pikë secila.
Armenia dhe Serbia ndahen me barazim
Ndeshja tjetër e grupit I, e luajtur në orën 18:00 mes Armenisë dhe Serbisë ka përfunduar në barazim 1-1. Vendësit kanë shënuar të parët me anë të Robert Arzumanyan në minutën e 73-të, ndërsa serbët kanë barazuar në fund të kohës së rregullt, me Zoran Tosic. Pra, dy skuadrat kanë ndarë nga një pikë mes tyre, aq sa kanë për momentin në Grupin I kualifikues. Kujtojmë se Armenia ka humbur edhe një penallti në këtë ndeshje, teksa Marcos Pizzelli ka gabuar në minutën e 83-të, kur mund t’i dyfishonte shifrat e të vinte suksesin në shina të sigurta. Kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese për Serbinë, me të cilën do të ballafaqohemi më 14 tetor në Beograd.
Renditja, Grupi I
Nr |
Skuadra |
Nd |
Fit |
Brz |
Hmb |
G.Sh |
G.P |
Glv |
Pike |
1 |
Shqiperia |
2 |
1 |
1 |
0 |
2 |
1 |
+1 |
4 |
2 |
Danimarka |
2 |
1 |
1 |
0 |
3 |
2 |
+1 |
4 |
3 |
Armenia |
2 |
0 |
1 |
1 |
2 |
3 |
-1 |
1 |
4 |
Serbia |
1 |
0 |
1 |
0 |
1 |
1 |
+0 |
1 |
5 |
Portugalia |
1 |
0 |
0 |
1 |
0 |
1 |
-1 |
0 |
Leave a Reply