Sun, February 5, 2012

Motive banale.

Edison YPI

E sheh atë vajzën, atë që rri vetëm pranë dritares, atë zeshkanen, atë
brunen, atë morenën, atë atje në brinjë të banakut, atë me Sy të Zinj,
me vështrimin larg, me dritë prej Madone ? Nëqoftëse të ka mbetur
merak se s’ke parë kurrë një femër të tillë, të tillë që të deh ose të
bën esëll, të sëmur ose të shëron, të çmend ose të sjell në vete, që
trondit politikën, që rrënon ose ngre ekonominë, shkund bursat,
përcakton aleancat, nis luftën, shpall paqen, një femër pra brenda së
cilës është e shkuara, e ardhmja dhe e tashmja, bashkë me rrjedhat,
fatet dhe faktet e tyre, ja ku e ke. Ndoshta ti s’më beson, sepse ti
pak ndien dhe pak kupton, por është pikërisht kështu si po të them.
Tjetri që dëgjonte ngrinte vazhdimisht supet.
Në tavolinën ngjitur një djalë duke i pëshpëritur mikeshës së vet:
Ta kam thënë dhe po ta përsëris; Unë me ty jam dhe me ty do jem për
gjithë jetën. Por rasti i asaj atje është krejt i ndryshëm nga i yti,
është krejt tjetër gjë. Ta them këtë që të mos bëhesh kot xheloze, se
në fund të fundit edhe mund të mos ta thosha kaq hapur. Ja, shihe
vetë. Ajo është nga tjetër botë, ajo vjen nga tepër larg. Nga andej ku
as unë as ti, as vemi as vijmë dot. Ajo nuk është “e këtejme”, ajo
është “e përtejme”. Ajo është dhe s’është, ajo hyn dhe del, ajo vete e
vjen, prej andej këndej dhe anasjelltas, kur të dojë dhe sa herë të
dojë, gjëra këto që as unë as ti dhe asnjeri tjetër nuk i bën dot.
E dashura e tij, tek dëgjonte, thoshte me vete: O Zot çfarë budallai
më ka rënë për hise. Ç’janë këto andej e këndej. Ky po më çmend. E
ç’më duhet mua ky? Ndonjë ditë unë do ta vras këtë. Por nuk i tha
asgjë me zë.
Dy vajza pak më tutje:
Vetëm ne të dyja që e urrejmë ashpërsinë mashkullore mund ta gjykojmë
si duhet atë pranë dritares. Shih çfarë kryevepre. Shihja linjat,
format, lëvizjet, gjestet, rrezatimin. A e kupton se asaj s’i lypset
as të flasë as të heshtë, por vetëm të ekzistojë? Për këtë krijesë kot
ta vrasësh mendjen nga cili qiell ka zbritur, se ajo është qielli
vetë.
Po, ke shumë të drejtë, ia pret tjetra. Këta budallenjtë këtu rrotull
që ia kanë ngulur sytë e veshët e të tëra, me siguri janë duke vrarë
mendjen a është a s’është e bukur. Mënyra si e perceptojnë këta është
për të qeshur. Këta nuk kuptojnë se termi “femër e bukur” është tepër
relativ dhe gjerësisht spekulativ. Dua të them se në rastin e saj
bukuria s’ka të bëjë fare. Ajo as s’është as i lypset të jetë, as e
bukur as e pabukur. Ajo është tjetër gjë. Ajo është e tëra ekuilibër,
simetri e gjallë e kohës dhe hapësirës, perfeksion i formave, sinkron
i lëvizjeve, gjesteve, emocioneve. Sipas meje, brenda saj ndryhen
sekretet më të thella. Për shembull, çfarë do ekzistonte nëse nuk do
ekzistonte ekzistenca?! Si është boshllëku absolut, me çfarë është i
mbushur ai boshllëk?! Mistere të frikshme këto, që vetëm po t’i
mendosh çmendesh. Apo tjetri mister gjithaq turbullues: Pse jeta është
më e dashur në rrethanat më të vështira, që, vështruar cekët, do duhej
të ishte e kundërta.
Ndërkohë që mikeshat llafosnin të tilla, nga tavolina tjetër erdhi një
pëshpërimë që mikeshave u shkaktoi të qeshura të mbytura:
Unë këtë e mbars me herën e parë!
Dy miq mbështetur në banak.
Ajo atje or mik, nuk është as lumturim as dëshpërim. Ajo është, si të
thuash, një ekstazë e përhershme edhe e trishtë edhe e gëzueshme, një
orgazëm e pandalshme edhe sfilitëse edhe çlodhëse.
Ke shumë të drejtë, ia pret tjetri. Ajo është një kohë edhe e ndalur
edhe e pafundme, një hapësirë edhe e pa cak edhe e asgjësuar. Dua të
them, është diçka e pa definueshme. Shihja Sytë e Zinj, shihja qafën,
lëkurën, buzët, flokët, ballin, kurmin, shihja të gjitha. Shihja, po
të them! Të gjitha, ose pak ose aspak të dëshmuara prej artistëve,
shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, arkitektëve. Shih sidomos
tendosjen e saj në përgjithësi. Ajo vajzë është e paarritshme për mua,
por po të ndodhte mrekullia, domethënë po të ndodhtë që unë të
martohesha me të, të betohem, jo femra apo meshkuj, por edhe djaj po
të dilnin, nuk do bëja më pak se 13 fëmijë me atë çudi e shkuar
çudisë.
Me të dëgjuar këtë, njëri prej dy tipave që ishin ulur ë një tavolinë
në qoshe, nga ata që në të kundërt me dy femrat që urrenin ashpërsinë
femërore, u ishte gërrditur butësia femërore, duke kthyer kokën nga
fanepsja qiellore pranë dritares, brofi e tha;
Ne të dy, megjithse fëmijë nuk bëjmë, atë vegim e adhurojmë.
Ca të tjerë me radhë:
Njëri gjithë kohën duke ndjekur bebëzat e të zinjve të saj, për të
parë atje të pasqyruar veten e vet. Sa duket s’ia arrin, se
vazhdimisht kërkon, ose ndoshta ia arrin, por s’ngopet së pari, veten,
jo atë.
Tjetri duke u kotur i eksploron kurmin duke udhëtuar symbyllur ngadalë
nën fustan’ të hollë mbi lëkurë.
Një i tretë, ndonjë inxhinier ky, me sy të shqyer bën qasjen e kurbave
të kurmit me harqe urash, barqe avionësh, vargje kodrash.
Një i katërt, harruar i tëri pas qafës së saj, me anë të kamerierit,
guxoi t’i dërgonte një pusullë. Në pusullë shkroi: O Perëndi, që je e
tëra përtej veshjeve, përtej krehjeve, përtej parfumeve, pasarelave,
reklamave, modave, revistave, madje përtej botës, a e di kush je?! Je
ajo së cilës artistët sa më tepër i afrohen, ajo aq më tepër,
pafundësisht dhe dëshpërimisht u largohet. Kështu që ata kurrë nuk
mund të të prekin. O perri’ e ujërave të përrenjve, o hije e brymave
të mëngjeseve, o përgjakje e perëndimeve, besomë; Para teje jam gjithë
kohën vertikal. Pa ty jam lapidar i ndyrë komunist. Me ty jam kryq i
shenjtë. Të lutem bëmë edhe ti një shenjë. Një shenjë si je vetë, të
habitshme dhe të fortë, të hatashme dhe të lartë. Ajo, e lexoi,
buzëqeshi lehtë, dhe tha me vete: Rri gjithmonë drejt, vertikal,
përpara meje dhe të gjithave. Zoti të ruajttë nga lapidarët komunistë.
Një milion herë më mirë kryq i shenjtë. Por s’u përgjigj, as me
pusullë, as me vështrim.
Një i pestë që nuk ngopet me pamjen e saj statike, por do ta shohë në
lëvizje, po bën tjetër gjë. Ia ka ngulur sytë xhamit të derës së
kafenesë. Sheh atë, imazhin e saj duke u zhvendosur e rrotulluar, duke
u dukur e zhdukur, sa herë hapet e mbyllet dera.
Një i vetmuar me gotë në dorë i ka kthyer kurrizin. Ky, Atë, preferon
ta shohë të pasqyruar mbi qelqen e gotës nën thyerjet e ylberta të
dritave. Për ta bërë sa më interesante hipnozën, vazhdimisht tund
lehtë gotën, duke provokuar brenda saj një cunam të vogël. Mbi dallgët
e cunamit të gotës së ëndërrtarit, morena lëviz, brunja vozit,
zeshkania ngjitet e zbret.
Ishte një magji e tillë që, të tërë, me klientë me kamerierë, me
banakierë, po e shihnin të mahnitur me frymë të ndalur dhe do të
dëshironin të vazhdonte me shekuj.
Por nuk zgjati shumë.
Xhelozja, ajo së cilës, me paturpësinë më të madhe, në prezencën e
vet, i dashuri guxonte t’i fliste për një tjetër “të këndejme” dhe “të
andejme”, duroi sa duroi, dhe më së fundi ia flaku të dashurit
filxhanin e kafesë kokës. Mirëpo, për dreq, filxhani i hedhur së
këndejmi, së andejmi përfundoi mbi xhaketën e pastër të njërit nga ata
që po flisnin për hiret e asaj pranë dritares që trondit politikën, që
rrënon ose ngre ekonominë, nis luftën, shpall paqen etj. etj. Ky, i
tmerruar, ra nga karrigia. Karrigia e tij përmbysi tavolinën e atij të
pusullës pa përgjigje. Tavolina nga fluturoi pusulla fatkeqe, ndoti
duke shqetësuar së tepërmi ëndërrtarin e cunamit në gotë. I ndoturi
uluriti në kupë të qiellit. Dhe aq u desh. Vertikali që s’pranonte
kurrë të ishte lapidar por vetëm kryq, s’duroi dot më. Një të nxjerrë
koburen nga brezi dhe e zbrazi. E zbrazi në ajër, qyqari. Por atij që
gjithë kohën udhëtonte nën fustanin e të magjishmes duke i eksploruar
asaj kurmin, s’u mor vesh pse iu duk se i ngrehuri, pa i dhënë ndonjë
rëndësi nëse lapidar apo kryq, me kobure deshi ta vrasë. Dhe një të
nxjerrë edhe ky koburen, dhe vrau, të dy, edhe lapidarin edhe kryqin.
Ai që shihte xhamin e derës bëri të dalë nga dritarja. Por xhamat e
dritares, ndërkohë të krisur nga të shtënat e kobureve, e çanë aq keq
sa e mbytën në gjak, dhe mbeti edhe ai i vdekur. Atij që kërkonte
pasqyrimin e vetes së vet brenda bebëzave të zeshkanes, duke parë tërë
këtë batërdi, në fillim i mbeti fryma, dhe pas pak i ndali zemra,
domethënë iku te të shumtët edhe ai. Thonë, së kur njeriu vdes, në
bebëza i mbetet pamja e fundit. Ruajtën a s’ruajtën gjë bebzat e tij
brenda, as kjo s’u muar vesh. Xhelozja, ato të dyja që urrenin
meshkujt, ata të dy që urrenin femrat, kamerierët dhe banakierët,
bashkë dhe me nja dy a tre të tjerë që në atë kafene hynë kot, mbetën
gjithashtu të vdekur.
Krejt e qetë, duke ecur ngadalë përmes pellgjeve të gjakrave dhe
kufomave, me kujdes të madh që trupat e pajetë të mos i lëndonte, e
fundit dhe e vetmja që doli, qe Ajo, morena e fundbotshme.
Të nesërmen televizionet thanë: U vranë për motive banale.

www.edisonypi.com

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Leave a Reply

 
 

Muzikë

 
Flash required