
Nga Ndue BACAJ
Pak meditim mbi rrenojat e Qytezës-Hot , të lame me gjakë e lotë tash 100 vjet.
Edhe pse 26 dhjetori i këtij viti na kujton se u bënë 100 vite nga masakra serbo-malazeze mbi banorët e Hotit , rrënojat e Qytezës janë të vetmet dëshmitare okulare të “mbijetuara”, të atij krimi që dinë ta bëjnë ,(siç thoshte At Gjergji): …shkjetë, që n’drrasë të krahnorit / kanë për zemër ka nji gur vorrit. Po ti vizitosh edhe sot rrënojat e Qytezez , edhe pse nuk kanë gojë me folë , sapo të ulësh në mes tyre , të mbyllësh sytë dhe ta imagjinosh këtë krim apo masakër të 100 viteve më parë , të duket se çdo gur i këtyre rrenojave të lëshon një za, një za të thekshëm, që vjen nga thellësia e kujtesës të lame me gjakë e lotë, të tregon një histori trimërie , qendrese e paperkulshmerie, të atyre hotjanëve që u vranë trupin , por kurr zemren e shpirtin e patriotizmit të ketyre trojeve nga më shqiptaret e Shqiperisë Etnike…
Hyrje
Njëqindë-vite më parë ushtria serbo-malazez, edhe duke “shfrytëzuar” ditën e festës të Krishtlindjes me “armën” e tyre “diplomatike” , pabesinë , mashtrimin e tradhtinë arritën që me daten 25 dhjetor 1919 të hynte në Hot, dhe nga familjet hotjane që i konsideronin si pengesat kryesore në arritjen e qellimeve të tyre shovene, të marrin peng qindra hotjanë. Dhjetra nga këta do ti ekzekutonin me 26 dhjetor 1919 në Qytezen e Hotit (në Drume të Borës), ndërsa qindra të tjerët, të lidhur duarsh do t’i dergonte në hapsanën e Podgoricës , ku shkjau u kishte “menduar” një vdekje më të ngadaltë , por më të mundimshme. Kam dëgjuar nga trashigimia gojore (por edhe e shkruar…) se numri i të vrarëve hotjanë në këtë masakër serbo-malazeze “varion” nga 64 deri në 74 hotjanë, (në mesin e tyre nga ndonjë trashigimi gojore thuhet se ishin edhe dy kastratas që kishin ndodhur në Hot si miq), ndërsa thuhet se u burgosen rreth 200 vetë… Hotjanët e ekzekutuar “akuzoheshin” për të vetmin “faj” pa faj se ishin shqiptar autokton që donin pa hile trojet e veta etnike, të cilat i kishin banuar të parët , që me krijimin e jetës njerzore në këtë cep të Europës e Ballkanit, kur siç shkruan në Iliaden shqiptare (Lahuten e Malcisë) , patrioti i madh i pendë-artë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, shkjetë serbo-malazezë në ato kohë endeshin:
“… atje larg , po kah Urali ,
neper ato breshta t’larta ,
sillej shkjau si shkerbe mali ,
tuj kerkue per molla t’tharta ,
kur n’këto vise të Ballkanit ,
të parë tonë Pellazgët motit ,
………………………………
Kishin ligje e frone të mbara ,
e gjatë shtegut t’qytetnimit ,
ishin shty ata larg përpara …1.
Ngjarje historike para masakres të ushtrisë serbo-malazeze…
Malësorët e Hotit e më gjërë edhe pse tashma pa trimin atdhetar Dedë Gjon Luli (i vrarë mizorisht që me 24 shtator 1915), nuk qendruan asnjëherë duarkryq, por ishin pushkë e ngrehur në mbrojtje të trojeve shqiptare. Malësorët e dinin se një premtim shpresdhënës per mos coptimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare e kishte marrë më heret peshkopi Fan Noli (dy herë kryetar i shoqërisë shqiptaro-amerikane, Vatra) , me 4 korrik 1918 nga presidenti amerikan Voodrow Willson kur ai kishte deklaruar: “Në konferencen e Paqes do të kem një zë dhe atë do ta perdor për të miren e Shqiperisë”…2. Kishin kaluar vetëm tre ditë pas armëpushimit të 11 nentorit 1918 që shënoi fundit luftës së parë Botërore , (me 14 nentor (1918) , kur prijës, krerë e perfaqesues të njohur të trojeve shqiptare të mbetura padrejtësisht nën Malin e Zi, që nga konferenca e Londres 1913 , do të organizoheshin të mbronin të drejtat e tyre historike jo vetem me pushkë që e kishin zanat, por edhe me pendë e cila u kishte hije jo më pak se pushka… Kerkesa e malësorve per të mos mbetur nën Malin e Zi nuk do të bëhej ( si zakonisht) nga një tubim i krenëve në trojet e Malesisë së Madhe , por do të behej në Shkodrën që qeverisej nga francezi Bardi de Fortu (perfaqesues i shteteve më të fuqishme të Europes së asaj kohe që “qeveriste “ Shkoderlocen)… Disa nga emrat më të spikatur të Hotit ishin: Deli Meta – bajraktar, Luc Nishi Dedvukaj, Tomë Nikollë Hasanaj – krye i lagjes Gjonaj , Nikollë Luca Junçaj , Nikë Martini – Pepaj , Prekë Gjetja Lulashpepaj, Haxhi Mustafa – Nenhelm , Gjon Ujka Gojçaj , Gjon Nika -Skorraq, Prekë Zeka Dedvukaj etjerë që janë të shenuar në referencat.3. Ndersa pak ditë pas këtij memorandumi, me 01 dhjetor 1918 Mali i Zi futet pa emër në federaten serbo-kroate-sllovene. (sipas vendimit që kishte marrë parlamenti malazez me 13 nentor). Në Mal të Zi u hap fjala se shumë malazez ishin të paknaqur me bashkimin e Malit të Zi me federaten serbo-kroate-sllovene, ku veçanarisht do të dominojnë Serbia. Thuhej se kjo paknaqësi e madhe kishte arritur edhe në Malësi, ku mendohej se të gjithë së bashku (malazez e malësorë të mbetur në Malin e Zi) do të kundershtojnë ketë shtet të përbashkët , Serbi e Mali i Zi. Hotnit e dhanë besën në Rapshë se nuk pranojnë Serbinë të sundojnë në trevat tona.4. Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Ndërkoh Qeveria e Përkohshme e Durrësit do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Por për aresye se Turhan Pasha nuk dinte mirë shqip dha dorheqjen ….,dhe në vend të tij e mori kryesimin e delegacionit imzot Luigj Bumçi me sekretar At Gjergj Fishten…5. Edhe diplomati e ish kryeministri i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, ishte caktuar nga komuniteti i fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të perfaqësuar ata dhe Shqiperinë në Konferencen e Paqes në Paris, por ai fatkeqësisht vdiq më26 janar 1919. 6.
Në keto kushte patriotët shqiptar prej kohësh kishin themeluar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në ndihmë të kësaj levizje kombëtare disa patriot shkodranë krijuan komisionin nismëtar, që u miratua me 16 shkurt 1919 me emrin “Vllaznia” , që në të vertetë kishte per qellim të ndihmoi levizjen kombëare shqiptare… Kryetar u zgjodh patrioti dhe shkrimtari Hil Mosi,7, atdhetar i shquar dhe bashkëluftar i malësorve, veçanarsiht gjatë kryengritjes antiturke të vitit 1911. Me 29 korrik 1919 nënshkruhet një marrëveshje e fshehtë në mes ministrit të jashtën Italian T.Titoni dhe kryemiistrit grek E. Venizellos… Gjatë kesaj kohe u tentua të bliheshin me para bajraktarët e Kastratit , Shkrelit, Kelmendit , Shalës e Shoshit… Gjë që nuk e arriten as italianët e as Jugosllavët.8. Në këtë situatë, duke ruajtur qellimet për aneksimin e Shkodrës , jugosllavët , grumbulluan një grusht tradhtarësh në Podgoricë me 1919 perkrah Esat Pashës.9. Në Jugosllavi u arratisen krerët esatistë shkodranë , si: Alush Lohja , Lukë Luka , Lekë Mirashi , të cilë u vunë në krye të bandave që po organizoheshin në Jugosllavi…10. Pjesë e veprimtarisë së shtuar antishqiptare të Beogradit, në këta muaj , janë edhe mitingjet si ai i gushtit 1919 në Cetinë me pjesmarrje të madhe . Shtypi shovinist jugosllav bënte bujë se gjoja në mitingje “paskan vrapuar prej Hotit , Grudës, Kastratit e prej rrethinave të Shkodrës”. Mirpo hotianët e grudasit ishin në fakt nga më aktivët në lëvizjen kombëtare të Shkodrës e më gjërë…11. Cetina e Beogradi bënin çmos për aneksimin e Shkodres. Ata deklaronin që mbas historisë , gjeografisë e ekonomisë , dhe mbas dëshirës së popullit janë vende të mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene…12. Vlenë të theksohet se më heret Hoti kishte refuzuar në mënyrë kategorike , kerkesen e federates serbo-kroate-sllovene, për të regjistruar (djemt e burrat e aftë për armë) në ushtrinë e serbo-malazeze , si dhe kishte penguar hapjen e një shkollë në gjuhen serbe në trojet e Hotit, shkollë që do të zevendësonte shkollat që kishte hapur perandoria Austro-Hungareze në gjuhen shqipe, dhe i kishin mbyllur serbo-malazezët. Me daten 25 shtator 1919 u organizua Kuvendi i Prekalit… pastaj lidhen besen prej 10 pikave…13. Mbi bazen e vendimeve të kuvendit të Prekalit , besa u zgjat në kohë nga çdo bajrak e në mes bajraqeve dhe u zgjerua në mes Postribës e Malësisë së Madhe. Moren pjesë Hoti , Gruda , Rrjolli , Reçi , Boksi , Drishti , Suma, të cilët u mblodhen në Çesme të Koplikut… Kështu bënë shtatë bajraqet e Pukës, kurse malet e Dukagjinit e të Gjakovës “janë tuj mbledhë ndër këto ditë per me ba si Malsia e Madhe”- njoftonte në atë kohë gazeta “Populli”. Gjithnjë mbi besen e Prekalit në nëntor u lidh besa në mes Shalës , Nikaj , Mertur , Gash . Besa u shtri në Shqiperi të Mesme. Ndërsa me anën e një letre , i kerkohej komitetit të Kosovës të dergonte perfaqësuesit e tij në Lezhë , sepse do të lidhej Besa në mes të Lezhës e Malësisë së Madhe dhe me u shtri tutje,d.m.th. në Shqiperinë e Mesme …14. Gjenerali Peshiq (shef i misionit ushtarak per delegacionin jugosllav në konferencen e paqës (deri me 10 tetor 1919) , si ushtarak printe me dëshiren per të pushtuar sa më shumë troje shqiptare e veçanarisht ato të Malësisë së Madhe, ku politika jugosllave kishte dështuar plotësisht për të terhequr malësorët nga vetja… Në vjeshten e vitit 1919 , Beogradi u perpoq të zgjeronte zonën e pushtuar në drejtim të Shkodrës. Qellimi i tij ishte të krijonte një zonë homogjene pushtimi , e cila të perfshinte gjithë Shqiperinë e Veriut mbi lumin Drin. 15. Në keto kushte jugosllavët kishin organizuar një forcë ushtarake të emertuar “Detashmenti i Kelmendit “ , i cili perbehej edhe nga rekrutë shqiptar , nga zonat e pushtuara nga Mali i Zi që nga kongresi i Berlinit (1878) dhe konferenca e Londres 1913). Ky detashment me 20 shtator (1919) hyri në fshatrat Vukël , Nikç e thuajse në të gjithë Kelmendin…. Jugosllavët organizuan një takim me parinë e Kelmendit , duke u kerkuar që Kelmendi të pranojnë “ombrellen” Jugosllave , por këtij qellimi jugosllavët nuk ja arriten , pasi kelmendasit deklaruan se “duam të jemi nën sundimin e atij që ka Shkodrën”..16. Vlenë të cilësohet se dikush kishte raportuar në pushtetin malazez e serb , se bashkimi i Malit të Zi me Serbinë që ishte kundershtuar edhe nga disa malazez, kishte gjetur mbështetje te malësorët , e kryesisht te hotjanët. Për të neutralizuar këtë bashkëpunim të ”mundshëm” (por të pa faktuem me ndonjë dokument N.B.) , pushteti (serbo-malazez) kishte krijuar një ushtri speciale për të operua në Hot… në muajin shtator të vitit 1919 . Në krye të ushtrisë ishte Savo Pjetri Vujosheviq nga Rahoja. Ushtria arriti te Kisha e Hotit me 19.9.1919 dhe aty ndaluan per të pushuar. Por në atë rast kur po pushonte ushtria te kisha , nuk dihet a u gjet, ndoshta ndonjë ushtar i shtirur , apo ndonjë provokues nga vendi, shtini disa herë me pushkë në drejtim të ushtrisë. (Thuhet se kishte mbetur i vrarë edhe një ushtar serbo-malazez N.B.) Ushtria serbo-malazeze u çua në këmbë dhe ia filloi luftës në të gjitha drejtimet në fshatrat e Hotit… Në këto kushte Hoti (pjesa nën Malin e Zi) i lëshoi shtëpitë e veta dhe doli në Shqipëri , per t’iu shmangur ketij rreziku.17. Në muajin shtator 1919 nga Shkodra , me 130 nënshkrime do t’i dergohej një protestë konferencës së paqes në Paris, në lidhje me agresionet ushtarake që ndermerrte Jugosllavia ndaj trojeve shqiptare , si dhe dekleratës së ministrit të punëve të jashtme të Italisë në parlament , mbi të “drejten e kontrollit”, që i ishte njohur Italisë në Shqipëri… Nenëshkruesit ishin nga Shkodra , por edhe nga Malësia e Madhe.18. Në nëntor (1919), forcat Italiane të dislokuara në Shkodër u perpoqen të ndalonin kremtimin e 28 nëntorit (ditës së Shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë)…Italianët kishin perdorur edhe një rrugë tjetër per të penguar kremtimin e 28 nëntorit . Me 11 nëntor (1919) ata kishin organizuar një provokacion kriminal. Pasi arrestuan në Bajzë të Kastratit një grup malësorësh nga Shkreli , i sollen në qytet (Shkodër) , ku në mënyrë demonstrative i rrahen në rrugen kryesore të Shkodres, në praninë e majorit Molinero, i cili qendronte me pistoletë në dorë në vendin e ngjarjes…19. Gjatë kësaj kohe nga “detashmenti i Kelmendit” pati një dezertim masiv , të të rekrutuarve shqiptar. Ndersa 400 malësorë të armatosur , sulmuan “detashmentin e Kelmendit” me 23 dhjetor 1919 , duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme ushtrisë jugosllave , të cilët lanë në betejë 10 ushtarë e oficerë të vrarë , 61 të plagosur dhe 243 robër, bashkë me komandantin e tyre , majorin Milto Razloviç.20. Pas asaj që ushtria jugosllave pësoi në Kelmend, serbët u terhoqen edhe nga Shala pasi kishin frikë se po i priste fati i detashmentit të “Kelmendit”. Megjithatë serbo-malazezët nuk hiqnin dorë nga synimet e tyre shovene ndaj trojeve shqiptare.
Masakra serbo-malazeze…
Nga fundi i muajit dhjetor (1919) kryeministri jugosllav Davidoviç, do të kerkonte që të pushtohej zona e Bogës dhe e Shkrelit , në mënyrë që të krijohej një pykzim mjaft në thellësi, prej disa kilometrash , i cili duhej të ndikonte sa më shumë në dobësimin e lidhjeve të qytetit (Shkodrës N.B.) me Malësinë…21. Por për realizimin e synimeve të tyre shovene, serbo-malazezët kishin si piksynim të nënshtronin Hotin , me anen e një ekspedite ndeshkimore ushtarake , me qellim masakrimin e të gjithë atyre burrave (mashkujve të aftë për pushkë)… Realizimi i këtij qellimi ogurzi nuk ishte i lehtë pasi pjesa më e madhe e hotjanëve (trojeve nën Malin e Zi) të aftë për armë ishin larguar nga shtepiat e tyre dhe ishin strehuar në trojet e Hotit në Shqipëri… Ushtria serbo-malazeze nuk kishte tager ta kalojnë kufirin , prandaj vendosën t’i çojnë njerzit e vetë për të bisedua me hotën, dhe për t’i bindë të kthehen në shtëpitë e veta duke u thënë: “Kthehuni në shtepiat tuaja në besë të Zotit e Savo Pjetrit.”22. Ky“ndërmjetësim”me “besë”, në mes malazezëve e malësorëve ka pasur nevojë për “bashkëpuntorë” hotjanë apo malësorë. Siç thuhet në një “fjalë” popullore ;”çdo fis e ka një pis” , dhe ky pisi apo më shumë se një pis, serbo-malazezët duket se e kishin gjetur…U perhapë fjala se ushtria serbo-malazeze nuk ka asnjë plan të sulmoi Hotin (me popullsi katoliko-kristiane), edhe pse Hoti e kishte refuzuar dorën “bujare” të Malit të Zi dhe federates ku bënin pjesë ti bashkohen vullnetarisht, mbasi Mali i Zi dhe Serbia kishin shumicën e popullsisë (ortodokse) kristiane-si dhe Hoti … Gjithashtu “lajmësit” nuk harruan që hotjanëve tu urojnë festën e Krishtlindjes , duke u dhënë garancin e besën mos-sulmimi nga ushtria serbo-malazeze…
Por kjo “besë” kishte qenë fatale për Hotin. Ditën e Krishtlindjes, me 25 dhjetor , ushtria serbo-malazeze (në të vertet shumica ishin malazez), sulmuan në pabesi shtepiat e Hotit, (madje në të dy anët e kufirit të 1913), dhe burrat (mashkujt) që gjeten në shtepia , i lidhen duarsh dhe i grumbulluan në rrënojat e Qytezez , (Drume të Borës). Aty pasi u bënë “gjyqin”, u thonë të venë gisht apo nënshkruajnë një letër (peticion), sikur hotnit kerkojnë vullnetarisht ti bashkohen Malit të Zi , dhe letren me nëshkrime t’ia dergojnë Konferencës së paqes në Paris… Asnjë nga të arresturit nuk pranojë të nënshkruaj apo të vënë gisht , ndaj ushtarakët serbo-malazez u irrituan e terbuan , dhe ata që i menduan më qendrestarët , filluan ti vrisnin me plumb apo t’i shponin me bajonetë). 73 Hotën, (dikun thuhet 72 e dikun tjetër 74), në Drume të Borës i pushkatuan dhe i qitën në një grope kllashnice (gelqereje N.B.), dhe rreth 200 të tjerë i çuan dhe i burgosën në burg të Podgoricës. Shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën.Hotnit e burgosën dhe të lidhur i lënë pa bukë dhe ujë , që të vdisnin “ngadalë”. Thonë se nga vdekja prej urie i shpetoi një malësor bamirës nga Gruda që jetonte në Podgoricë , Pjetër Pretashi Berishaj. Pjetri mori vesh për këtë vuajtje të hotjanëve dhe ndërmori një aksion të paharrueshëm humanist, duke iu çuar bukë dhe ujë çdo ditë hotjanëve të burgosur. Dhe kështu Pjetër Pretashi u shpëton jetën hotjanëve në burgun e Podgoricës. Pasi që situata politike kishte ndryshuar pak në Mal të Zi , vjen një delegacion nga Franca për të pa situatën ekzistuese…. Delegacioni kërkon që t’ia bëjnë një vizitë burgut . Delegacioni francez shkon në burg , dhe ç’të shohin 200 hotjanë të burgosur të lidhur me zinxhirë të rëndë. Duke i parë në këtë gjendje të rëndë delegacioni francez pyeti: “ Këta njerëz të burgosur e të lidhur me zinxhirë të rëndë çfarë faji kanë bërë , a janë farë terroristash a çfarë të keqe kanë bërë në jetë ?”. Komandanti i burgut iu pergjigj pyetje të tyre duke u thënë: “Këta janë hotjanë , të cilët nuk pajtohen politikisht me ndryshimet që janë bërë, me bashkimin e Malit të Zi me Serbinë, se tjetër gabim as krim nuk kanë bërë.”. Delegacioni francez u kerkon që t’i lirojnë momentalisht nga zinxhirët dhe nga burgu, se kështu njerzit nuk persekutohen për këso rastesh…Kështu hotjanët i liruan nga burgu i Podgoricës…23. Ndersa një studiues nga Hoti (Mr.Lukë Junçaj), në një kumtesë të vitit 2011, për këtë masaker serbo-malazeze ndër të tjera shkruan: “…Ka fundi i viti 1919 Hotit do ti bëhej edhe nji pabesi tjeter të cilën unë do ta quaj Masakra e Hotit. Aty per nji ditë kapen e ekzekutohen pabesisht 74 Hotjan kryesisht nga Drumja, Kushja e Hotit, e Rapsha në pergjithesi. Disa ditë para kesaj masakre nëpër Drume kishin ardhur disa Malazez që njifeshin me vendasit per ti informuar ata, por edhe per ti tradhetua ata që mos ta lëshonin vendin sikurse këta kishin bërë me parë kur digjej Hoti. Mesazhi i tyre ishte se nëpër Hot do të kaloj ushtria Jugosllave e cila donë të shkoj për të parë dhe bërë demarkimin e kufirit dhe s’është nevoja të trazoheni, mbasi kjo ekspeditë do të bëjë punen e vet shumë shpejt dhe do të largohet. Ky ishte nji kurth tjeter që i bëhej Hotit për ta zhdukur atë nga faqja e dheut. Serbo-Malazezet të pa provokuar dhe në befasi u futen nëpër shtepijat e Hotianeve diten e Krishtlindjes. Ata grumbullojn të gjithë burrat që munden ti kapin. Ushtaret kishin ardhë në disa drejtime dhe futen në disa fshatra në të njejten kohe për të kapur sa më shumë nga banorët e tyre. Ushtaret Serbo-Malazeze lidhen shumë burra malësor të cilet i muaren me vehte në drejtim të Shqiperisë. Të lidhurit nga Drumja i çojnë në afersi të kufirit në vendin e quajtur Hamall. Aty kolaboracinisti e shishakziu nga Drumja Ujkë Gjoka i binte mustakut për të aprovuar ekzekutimin e të kapurve. Forcat sllave nuk ndalojnë në Drume por vazhdojë në territorin mbrenda kufirit të Shqiperisë në Kushe të Hotit ku po ashtu kapin kë munden dhe aty afër lagjes së Prek-Aliajve ndertuan nji kamp të perkohshem të rrethuar me tela. Aty u mbajten Hotjanet të cilet nji ditë më vonë do të eleminoheshin. Gjatë asaj nate disa nga të kapurit iken mbasi që njeri nga rojet ishte dejur me raki që kishin marrë gjatë bastisjeve. Ndër të ikurit ishin Gjeto Gjeka Junçaj e Dodë Preci Junçaj nga Drumja që shpetojn nga kthetrat Serbo-Malazeze dhe jetuan në vendin e tyre për dekada të tëra duke lënë famijle të gjëra që sot jetojnë në atëdhe dhe në Amerikë. Shumica e të kidnapuereve s’munden të iknin dhe të nesermen eskortohen nga ushtaret sllav në afërsi të vendit të quajtur Gjytetzë afer Kushes së Hotit ku i priste skuadra vrastare Serbo-Malazeze. Aty u ekzekutuan 74 veta. Të masakruarit ishin të gjithë nga Hoti, kryesisht nga Drumja dhe nga Kushja e Hotit me perjashtim të dy Kastratesve që kishin ndodhur musafirë në Hot. Trupat e të gjithë të vrarëve perfundojn në nji gropë gelqereje e cila u bë vendpushimi i perjetshem për viktimat e Masakres së Hotit”. 24.
Zef Vuji Junçaj , Zef Vaseli Junçaj , Gjeto Luka Junçaj , Bac Elezi Junçaj, Maç Çuni Junçaj , Tomë Kola Junçaj, Zog Alia Junçaj , Zef Marku Lajçaj , Gjon Preka Lakaj , Gjeto Preka Lakaj , Zef Gjetja Lakaj, Nikollë Gjetja Lakaj, Gjon Mark Bori , Mark Haxhija , Lukë Nikë Anaj , Pretash Preka Deçkaj, Gjon Lulashi Deçkaj, Zef Marku Deçkaj , Zef Mark Drekaj , Gjon Preçi Gjonaj , Pjetër Preçi Gjonaj , Lulash Zefi Gjonaj, Gjeto Zefi Gjonaj , Martin Keqi Gjonaj , Gjon Nika Pepaj , Prekë Gjoni Pepaj, Nikë Gjoni Pepaj, Nikollë Gjoni Pepaj , Pjetër Gjekë Ujkvukaj , Marash Gjekë Ujkvukaj, Dodë Prekë Drekaj . (Keta 31 emra janë të shkruar edhe në memorialin Kushe-Hot), Por ka edhe të tjer…
Me këtë rast vlenë të cilësohet se po në ketë kohë vritet mizorisht Prekë Zeka Dedvukaj me gruan e tij Lenë Dedja Dedvukaj , e cila ishte edhe shtatzanë…25. (Prekë Zeka ishte një nga nënshkruesit e memorandumit të 14 nëntorit 1918). Dy autorë malësorë (Llesh Smajlaj e Lulash Palushaj i dekoruar me urdhërin “Kalorës i Skenderbeut”), në librat e tyre kanë shkruar “diçka” për këtë masakër serbo-malazeze mbi hotjanët , perveç cilësimit të disa nga emrat e “shkruar” në memorial , në librat e tyre janë shënuar si të vrarë të kësaj kohe edhe hotjanët: Zef Martin Prela ,26. Nikë Martin Prela , Omer Haku , Kolë Gjeka , Gjergj Keri , Gjergj Luku,27. , Prekë Luca ,28. , Zef Preçi, Milan Mustafa , Mark Shkodra (nga Shkodra), Nikë Gjetja, Kolë Gjetja , 29. , Kolë Pretash Dashi, Nikollë Lulash Keri , Kolë Nikë Gjeloshi , Pjetër Kolë Ujka , Prekë Dash Pllumi, Gjekë Martini , Kolë Marash Luku , .Gjergj Lukë Mecaj , Pretash Zefi.30. (Emrat e të vrarëve të shenuar nga librat e dy autorëve malësor , nuk mund ti konsideroi pa ndonjë gabim emri , atësie , mbiemri apo reference, gjë që ka sjellur persëritje të emrit të të vrarit , gabimi per kohen apo vendin e vrasjes nga serbo-malazezët…). Është me vlera të shenohet se i revoltuar nga masakra e kryer Gjon Lucë Nika Gjonaj nga Prek Aliajt e Hotit i zënë pritë ushtrisë okupatore dhe vret tre shkije. Kjo ngjarje ishte kthye edhe në këngë. Kënga e tij fillonte me fjalët:
“Aferim o Gjon Luc Nika
Vret tre serb per pese dekika” .31.
Që kur kam qenë i vogël kam pas dëgjuar prindërit e mi (nëna bij Grudet e baba nip Hotit), që ndonjë rast flitshin për masakren serbo-malazeze në Qytezen e Hotit. Masaker e bame në pabesi për Kshnella , siç i thonin ata Krishtlindjes. Flitshin edhe me emra të vrarësh , por edhe të vdekurish në burgun e shkjaut në Podgoricë… Unë atëherë isha adolishent dhe nuk kisha këtë angazhim që kam sot, per historinë tonë sa tragjike e aq krenare. Kur unë u rrita për të “regjistruar” këto trashigimi gojore , isha tepër i vonuar , pasi ata kishin vdekur… Mua sot mu kujtuan fjalët e tyre që tregonin edhe për të vdekur në burgun e Podgoricës , pa m’u kujtua emra apo koha. Mirpo kësaj kujtese më duket se m’i vjenë në “ndihmë” shkrimtari e studiuesi trieshjanë Lulash Palushaj i cili, shenon emrat e dhjetë hotjanëve që (sipas tij…) kanë vdekur në burgun e Podgoricës, të cilët janë: Prek Gjon Gilaj, Luc Gjon Gila, Mirash Prek Lula, Gjon Nik Shabi, Lucë Gjoku, Pretash Dashi, Maç Deda, Hut Kola, Gjekë Rush Haxhi , Nikoll Lulash Meri .32. Ndersa në një kumtese të një hotjani të sipercituar të burgosurit hotjanë dhe “fati” i tyre shënohet në një kohë më të hershme, ku nga kjo kumtesë citojmë: “Në bazë të rrefimeve të disa Hotjaneve që mbijetuan këtë pabesi siç ishin: Lekë Zef Tarri Dushaj, Prelë Kola Gojçaj, Dedë Doka Junçaj, Lucë Gjoni Gojçaj, Marash Doka Gojçaj etj. aty ishte si nji kasaphane ku coptoheshin trupa njerzish. Rradhë mund të kalonte ndonji ditë pa patur të vdekur. Ju vritnin vllezerit apo kusherinjët para syve e s’mundeshin të ju delnin zot. Të vetmen gjë që mund të benin ishte të ju luteshin ushtareve me mbytë mue e jo vëllan siç kishte bë në nji rast Dedë Doka nga Ploça e Drumes. Hotjanet kalojnë disa muaj në burg ku numri i tyre zvogelohej vazhdimisht. Nga afro njiqindë malesorë, të gjallë dolen vetem 13 veta. Të vdekurit hidheshin në nji varrezë masive eshtrat e të cilëve janë humbur më vonë në kohen e komunizmit kur vendi ku preheshin trupat e të burgosurve u eskavua me bulldozderë per ndertimin e disa pallateve shtetërore. Ndër të tjerë në burg vdiqen nga torturat apo semundjet; Zef Mati Nicaj, Lekë Tomë Keri Camaj, Lekë Preli Camaj, dy vëllezër të Dedë Dokes Junçaj, Tomë Prëku Camaj e dhjetra të tjerë. Ata 13 Hotjan shpetuan falë ankeses së At Gjergj Fishtes, priftit të Hotit që i kishte bë Evropes.33. Pa tentua të kontestoi pa dokumente në doren time , se cila është koha , historia dhe referenca e vertet e të burgosurve hotjanë, dua të saktësoi se At Gjergj Fishta ka qenë dergue në veren e vitit 1902 , gjatë lirimeve shkollore në Rapshë të Hotit, për të zevendësua famulltarin e tij fshati , Pater Leonard Gojanin.34. Që nga ajo kohë e deri sot , malësorët kur duan të tregojnë një pabesi , thonë si “besa e Savo Pjetrit”… Mjerisht motmotet nga kjo masakër serbo-malazeze mbi hotjanët shënon shifren jubilare njëqindë motmote, të cilat kanë bërë punen e vet, edhe pse këto motmote kanë kaluar më shumë në mes tymit, flakës, mjegullave, acareve dhe reve të zeza e të kuqe , që suallen gjamë e shprezen vetim pa prajtë në trojet e Hotit të ndarë pergjysem , dhe trojet e tjera të Malësisë, të pushtuara e sunduara nga serbo-malazezet… Ndaj në keto kushte mbijetese, “harresa” apo gabimet në “interpertimin” historisë të kësaj ngjarje (kryesisht të trashiguar gojarisht), sot pas 100 viteve nuk janë të lehta për t’u shmangur…
Në vend të epilogut
Masakra e ushtrisë sebo-malazeze në Qytezën e Hotit, ndaj një popullsie kristiane -katolike, perveç tjerave, dëshmoi edhe gënjeshtren e madhe të serbo-malazezëve para Botës , kur kishin propoganduar “idenë” se popullsia katolike e Malesisë Madhe , Shkodrës , Lezhës e Mirditës , është dakord ti bashkengjitet shtetit Malazez me popullsi ortodokse , pra kristiane, “ide” që e kishte pergëjeshtrua edhe delegacioni shqiptar në konferencen e paqës.35. Nëse besojmë në jetën e pertejme shpirtërore , duhet të besojmë se, as trupi i këtyre shqiptarëve i kalbur në dhê të zi , e aq më pak shpirti i tyre nuk gjenë prehje e as qetësi, nëse pasardhesit e tyre nuk i kujtojnë , nderojnë e memorizojnë në historinë tonë edhe pse tepër të vështirë, e më shumë armiqësore se miqësore me fqinjët , që sot rreth gjysma e Hotit e Malësisë është e detyruar nga “historia”, të jetojnë nën shtetin e Malit të Zi… “Historia thoshte Cicerone; është dëshmia e së kaluares, drita e të vertetës , jeta e kujtesës , mësuese e jetës…”. Ndersa unë mendova ta mbyllë këtë kujtese historike me vargjet mallkim:
Mallkue kjoftë hera, në t’cilen shkjau pik s’parit /
Vuni kambën dhunuese n’tokë t’shqiptarit… 36.
(Shenim: Këtë kumtese pata filluar t’a pergatisë për diten e inagurimit (dt.7.12.1919), të memorialit në Kushe-Hot. Por pasi organizatorët e sponsorët bënë “zgjedhje” tjetër…, unë mendova ta publikoj kumtesen time në ditën e 100 vjetorit të këtij krimi e kësaj masakre serbo-malazeze. Gjithsesi jam duke pergatitur librin tim (të gjashtë) për botim, që ka si temë Luftën e “Koplikut” -1920… Në këtë libër një vend të veçant do të kenë edhe kjo ngjarje tragjike, që i parapriu luftës së“Koplikut”. Në libër jam duke u perpjekur të shkruaj sa më afër të vertetës për këtë ngjarje, si dhe të cilësoi sa më saktësisht emrat e të gjithë atyre që u vranë nga serbo-malazezët…).
Referencat:
1.At Gjergj Fishta Lahuta e Malcisë , fq.104 , Romë 1991.
2.Edwin Jacques , SHQIPTARET, historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ditët e sotme fq.403.– fondacioni amerikan Linkoln, botim i vitit 1985
3.At Anton Harapi , Andrra e Prertashit , fq.159-169 +“Posta e Shqipnisë” e dates 23 nentor 1918 , fq.89.
4.Gjon Toma Berishaj . Deçiqi Krenaria e Malësisë , fq.253, Tuz 2009.
5.Edwin Jacques, po aty, fq.405.
6.Gazeta Dielli , nr.5 , date 25 nëntor 1988).
7.Xhevat Repishti , Lufta për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1919-1920 , fq.105-106 , sh.b “Camaj Pipa” , 1998
8.Xhevat Repishti , po aty, fq.113-116.
9.Arkivi Qendror i Shtetit ,F.n. 251 , dosja ,Shqiperia në Koferencen e Paqës , dokumenti nr.205116,f.74.
10.Xhevat Repishti , po aty, fq.118.
11.Xhevat Repishti , po aty, fq.118.
12.Gazeta “Populli” , date 24 gusht 1919 ,nr.32.
13.Gazeta “Populli”nr.36 e dt.10 tetor 1919 , dhe Xhevat Repishti , po aty , fq.128.
14.Xhevat Repishti , po aty , fq.128.
15.Paskal Milo , pretendimet dhe synimet e mbretërisë serbo-kroate-sllovene ndaj Shqiperisë në Konferencen e Paqës në Paris (1919-1920) , revista “studime historike” , fq.125 , nr.4 ,1987.
16.Revista “Istorijski zapisi”, nr.3 -1966 -V.Vinover , Italjanska akcija protiv Jugosllavije na albansko-jugoslavenskoj graniçi 1919-1920 , fq.49.
17.Gjon Toma Berishaj, po aty, fq.253-254.
18.Arkivi Qendror i Shtetit, f.n. 846, dosja 27, dokument i dates 25.12 1919.
19.Gazeta “Populli” , nr.41, dt.13 nentor 1919.
20.D. Vujoviç, revista“Istorijski zapisi”, nr.1 , fq.115 , viti 1960.
21.Xhevat Repishti , po aty, fq.120.
22.Gjon Toma Berishaj, po aty, fq.254.
23.Gjon Toma Berishaj, po aty, fq.254-256.
24. Mr. Lukë Junçaj , “Hoti përballë pabesive Serbo-Malazeze në dekadën mbas Kryengritjes së vitit 1911”, Albdreams.net 25 janar 2011.
25.Bisedë e imja (N.B.) me Zef Paloken Gojçaj, e zhvilluar në Michigan SHBA, gusht 2014.
26.Llesh Preç Smajlaj , Hoti , gjurmë të pashlyera në Shekuj , fq.84-85. Hot 2008.
27.Llesh Preç Smajlaj, Hoti , gjurmë të pashlyera në Shekuj , fq.86-91.
28.Llesh Preç Smajlaj, Maratone Kujtimesh, koha larg, e afër, tregime dhe vargje, fq.101. Hot 2008.
29.Lulash N. Palushaj , Malësia e fiset e saj , pjesa e dytë , fq.60, Enti botuesh “Gjergj Fishta” , Lezhë 2010.
30.Lulash N. Palushaj ,po aty, fq.304.
31.Mr. Lukë Junçaj, po aty ,Albdreams.net 25 janar 2011.
32.Lulash N. Palushaj ,po aty, fq.60.
33. Mr. Lukë Junçaj, po aty ,Albdreams.net 25 janar 2011.
34.At Daniel Gjeçaj, Gjergj Fishta , jeta dhe vepra , fq.41 , Botime Franceskane , Shkodër 2007.
35.Sejfi Vllamasi ,Ballafaqime politike 1897-1942 ,fq.116.121 + gazeta”55” ,dt.03.10.2009.
36.At Gjergj Fishta , Nji gjamë desprimit -1914.
Malësi e Madhe, dhjetor 2019
Leave a Reply