Studiues dhe përkthyes
Pamjet që na serviri këto ditë STOP-i ishin tronditëse. Duke e parë atë reportazh për kalvarin e një qytetari shqiptar, një koleksionist ikonash me emrin Gjergji Thimo, përtej tronditjes, çdo homo sapiens-i i lindin natyrshëm disa pyetje. Dhe këto pyetje duhet t’i lindin edhe fanatikut më të madh të partisë, edhe militantit më të flakët, edhe anëtarit më konservator dhe ashikut më të thekur pas liderit dhe partisë: Së pari, a thua i shohin udhëheqësit tanë, që bëjnë shiun dhe diellin, këto pamje? Nëse i shohin, zotëria Gjergji Thimo, u duket viktimë apo xhelat? A thua u bie në mend apo në shqisa gjëma që iu shkaktua këtij individi shqiptar? E dinë ç’do të thotë të shkatërrosh jetën e një njeriu, të fëmijëve të tij dhe të krejt familjes? U lëviz ndonjë muskul emocional kur e shohin shqiptarin të katandisur në Jozef K. (personazh i Kafkës, që të lëçiturit e qeverisë ia kanë dëgjuar namin, por nuk kanë arritur të përfitojnë asnjë mesazh human nga vepra “Procesi”)? Cili kongregacion ka një santuf fizio aq cinike e vrastare që sakrifikon koka njerëzish dhe kryqëzon familjen në emër të ikonave, qofshin ato edhe të vjedhura dhe për tregti apo trafik? Pse kjo ndjeshmëri dhe auto dafe ndaj objekteve kulturore dhe pandjeshmëri deri në dashuri ndaj drogës, kultivimit dhe trafikimit të saj? Pse nuk ruhen ikonat si mjete dëshmi edhe hetimi, por me urdhra të pushtetit ekzekutiv nuk dihen sa ku shkojnë? Ç’u bë me një pjesë prej tyre? Ku do të jetë ajo gjykata e epërme dhe ai Pilati me Ecce homon e tij? Mos vallë jetojmë në një vend, ku siç thotë Migjeni, “në vend të barit mbijnë qimet e derrit dhe në vend të drurëve brinat e një kafshe prehistorike”. Ku një zhgan i vogël pasunarësh cinikë e vrastarë, me bark shekullor të pangishëm e kanë ndërtuar lumturinë e tyre mbi kryqëzimin tonë? Së fundi: A ka prej këtyre pasunarëve tanë që bëjnë shiun, diellin e sidomos breshërin, që posedojnë në muret e praruara të shtëpive të tyre luksoze ndonjë nga ikonat e rrezikziut që banon i përgjakur e i rrahur në një bodrum? Në qoftë se kanë nga këto ikona, a thua u tremben shikimeve qortuese të shenjtorëve që i vështrojnë nga lartësia e mureve ku janë varur. Apo nuk u bën përshtypje as vështrimi përdëllyes i Jezusit të varur në kryq.
Prill 2017
Leave a Reply