Zahir Tanin, Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, informoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit

0
202

Nga Beqir SINA – New York City

SHBA-ja kërkon përfundimin e mandatit të UNMIK-ut
UN : Tensionet e fundit në veri të Kosovës i kanë dominuar diskutimet për Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten më 15 tetor.
Kosova tha se aksioni i fundit në veri ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, ndërsa Serbia akuzoi për sulm ndaj serbëve lokalë.
Si gjithmonë në mbledhjet për Kosovën të Këshillit të Sigurimit që mbahen çdo gjashtë muaj, edhe kësaj here vendet perëndimore në njëren anë dhe Rusia e Kina në anën tjetër paraqiten qëndrime krejtësisht të kundërta për situatën në Kosovës, mirëpo që të gjitha bënë thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun.
Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i tha Këshillit të Sigurimit se ka pasur mungesë komunikimi nga ana e Prishtinës për aksionin në veri për të zbatuar vendimin e reciprocitetit për targa në fund të muajit shtator.
Sipas tij, komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it si mekanizëm për ruajtjen e paqes, nuk iu kishte dhënë njoftim paraprak për aksionin e policisë.
“Kam ngritur zërin kundër veprimeve të njëanshme dhe që të mirren hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve dhe përfshirjen në dialog”, tha Tanin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila po i zhvillon punimet të premten (15 tetor) për të shqyrtuar raportin gjashtë mujor të shefit të UNMIK-ut.
Tanin foli edhe për aksionin e dy ditëve më herët për luftimin e kontrabandës së mallrave për të cilin tha se ende është pikëpyetje nëse KFOR-i ishte i paralajmëruar për këtë aksion.
Aksioni, sipas tij provokoi sërish trazira në atë pjesë të Kosovës.
Në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

Paqe dhe Siguri

Tensionet mbi targat e automjeteve dhe operacionet kundër kontrabandës, midis autoriteteve në Kosovë dhe Serbi, javët e fundit, mund të kontribuojnë në zbulimin e “përparimit të qëndrueshëm, por të brishtë të bërë në rindërtimin e besimit mes komuniteteve” në Kosovë dhe Serbi.

Paralajmërimi erdhi nga Përfaqësuesi Special dhe shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB -së në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, në një konferencë të radhës para Këshillit të Sigurimit të Premten(15 Tetor).

“Këto ngjarje, janë shqetësim i thellë për mua dhe duhet të jenë një paralajmërim për të gjithë anëtarët e këtij Këshilli Sigurimi të Kombeve të Bashkauara”, tha z. Tanin, duke iu referuar dy episodeve që përfshinin edhe Policinë e Kosovës.

Ngjarje të përshkallëzuara

Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina nisi një operacion policor në Kosovën veriore për të zbatuar një regjim të ri të vlefshmërisë së targave, duke shkaktuar përplasje me protestuesit që bllokuan trafikun përgjatë vijës kufitare administrative.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të armatosura me armë të rënda, u vendosën në automjete të blinduara. Në një rast, ata përdorën gaz lotsjellës dhe granata tymë hedhse për të shpërndarë protestuesit.

Thuhet se tensionet u zgjidhën për mosmarrëveshjen kufitare, pas ndërmjetësimit ndërkombëtar dhe vendosjes së trupave nga operacioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR.

Operacion kundër kontrabandës

Të mërkurën e kaluar, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u vendosën edhe një herë në veri, si pjesë e asaj që është përshkruar si një operacion kundër kontrabandës, i kryer në disa vende në Kosovë.

Gjatë ditës, operacioni provokoi protesta dhe përplasje që rezultuan në një numër të konsiderueshëm të lëndimeve, midis protestuesve, policisë dhe civilëve të papërfshirë.

Sipas raporteve të lajmeve, përleshjet përfshinin serbët etnikë, të cilët provokuan një përgjigje nga Serbia, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rivendosë rendin dhe të mbrojë serbët që jetojnë brenda Kosovës, tha Tanin në raportin e tij.

Zoti Tanin i përshkroi këto ngjarje si një kujtesë “se mungesa e mirëkuptimit dhe komunikimit politik është një faktor për përshkallëzimin e tensioneve, veçanërisht në mjedise të brishta të sigurisë të karakterizuara nga mosbesimi”.

Për të, kjo mund të përshkruhet si “një episod mavijosës, por shumë lehtë mund të ishte kthyer në një hemorragji të vërtetë”.

“Historia në rajon ka treguar në mënyrë tragjike dhe të përsëritur se incidentet e dukshme të vogla, keqleximi i synimeve dhe gabimet e drejtpërdrejta, mund të shkaktojnë një përshkallëzim të paqëndrueshëm të sigurisë që vë në rrezik jetën dhe ku nuk përfiton askushi.”

Dialogu

Përfaqësuesi Special informoi se ai ka folur për këtë si me Kryeministrin Kurti, nga Kosova, ashtu edhe me Presidentin Vuçiq, nga Serbia, si dhe aktorë të tjerë diplomatikë të përfshirë, veçanërisht ata që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, Federatën Ruse dhe Kinën.

Ai gjithashtu përshëndeti takimin e fundit midis dy udhëheqësve, më 6 tetor, gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në prani të Presidentit Francez Macron dhe Kancelares Gjermane Merkel.

“Megjithatë, do të ishte e parakohshme dhe tepër optimiste të thuash se mund të shohim një rifillim të angazhimit real ndaj dialogut, i cili mbetet forumi i vetëm në të cilin diskutimet e përgjegjshme dhe të orientuara drejt rezultateve mund të vazhdojnë”, përfundoi ai.

Osmani: Qëllimi i dialogut, njohja reciproke e jo statusi i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shteti i saj është i angazhuar me dialogun me Serbinë dhe, Kosova, sipas saj është avokuese e paqes.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tavolinën (e bisedimeve), por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në dialog ku qëllimi përfundimtar është njohja reciproke. E çka nuk është qëllimi është që ky dialog do të shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë (Serbia) për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, tha ajo.
Ajo kërkoi që Serbia të inkurajohet që të shkojë në bisedime “me mendje të hapur” dhe me ide që, sipas Osmanit, do të lëviznin përpara dialogun.
Presidentja Osmani tha se Serbia duhet “ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë”.
“Dialogu është në mes të dy palëve të barabarta, që duhet të trajtohen kështu. Por, më e rëndësishmja, ky dialog ka të bëjë me përfituesit, që janë qytetarët e të dy shteteve, për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për ta”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli edhe për aksionin kundër kontrabandës dhe theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe se aksioni i fundit në veri të Kosovës ka qenë i përbërë nga zyrtarë të zbatimit të ligjit nga komuniteti shqiptar dhe serbë.
“Lufta kundër këtij krimi është shumetnike, policë serbe e shqiptarë, prokurorë shqiptarë e serbë po e luftojnë së bashku krimit”, tha Osmani në Këshillin e Sigurimit.
Ajo citoi deklaratën e KFOR-it në të cilën thuhej se policia ka autoritet të plotë për të marrë aksione kundër krimit të organizuar dhe për ta bërë këtë nuk kanë nevojë për leje. Gjithashtu përmendi edhe deklarimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që e kanë përkrahur Kosovës në përpjekjet kundër krimit të organizuar.
Ajo tha se Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë pasi kjo e fundit për vite me rradhë detyronte qytetarët e Kosovës të ndrrojnë targat e tyre.
“Kur Kosova zbatoi reciprocitetin Serbia dërgoi ushtrinë në kufi me Kosovën”, theksoi Osmani, duke akuzuar presidentin serb Vuçiq për përdorimin e strukturave paralele në Kosovë.
“Kur ai flet për botën serbe ai mendon për Serbinë e Madhe”, tha Osmani.
Selakoviq: Serbët po sulmohen dhe frikësohen
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, në fjalën e tij i kërkoi presidentes Osmani që të tregojë respekt kur e thotë emrin e Aleksandar Vuçiqit pasi, siç i tha, “ai është edhe president i vendit tuaj”.
Selakoviq, i cili i drejtohej Osmanit me “qytetare e Serbisë” tha se ajo po injoron në mënyrë cinike raportin e shefit të UNMIK-ut, dhe se po hesht “se shteti i rremë (Kosova) është i bazuar në krime lufte”.
“Njëanshmëria e Prishtinës po shkatërron çdo përpjekje për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha Selakoviq.
Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se situata e sigurisë në Kosovë ka qenë e karakterizuar me incidente ku janë shënjestruar serbët.
”Institucionet e përkoshme vetëqeverisëse vazhdojnë të marrin hapa të njëanshëm dhe refuzojnë zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Selakoviq.
Duke folur për situatën në veri ai tha se “inkursioni i fundit i njësisë Rosu (v.j. njësitet speciale të Policisë së Kosovës) në veri të Mitrovicës është nënti i këtij lloji dhe kjo është bërë jetesë e çdo ditshme e serbëve e cila duhet të ndalet menjëherë”.
“Përmes armëve dhe gazit që është përdorur në veri së fundi ka pasur edhe viktima”, tha Selakoviq, duke shtuar se Serbia është kundër kontrabandës po Këshilli i Sigurimit, sipas tij, duhet ta dij që një qëllim i tillë është përdorur në mënyrë cinike për sulm ndaj popullatës serbe.
“Inkursionet e fundit të policisë kanë qenë për të provokuar serbët dhe për të intimiduar ata dhe të provokojnë Beogradin që të reagojë”, tha Selakoviq.
Ai tha se Serbia është e interesuar për zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mirëpo Prishtina nuk po i zbaton marrëveshjet nga ky dialog përfshirë atë për për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
SHBA: Dialogu, platforma më e mirë për të zgjidhur çështjet e hapura
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit tha se dialogu mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet, përmes arritjes së një marrëveshjeje mbi njohjen reciproke.
“Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, tha ai.
SHBA-ja po ashtu shprehu keqardhjen që thirrjet e mëparshme ndaj Këshillit të Sigurimit për të rishikuar këtë mision nuk janë dëgjuar.
Përfaqësuesi i SHBA-së tha se Uashingtoni mirëpret marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën për targat dhe tha se kjo marrëveshje është hap përpara për të dyja palët dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u bëri thirrje dy shteteve që të vazhdojnë të punojnë që të gjejnë zgjidhje për çështjet e tjera të hapura.
“Kjo marrëveshje është dëshmi që kur liderët angazhohen hapur dhe në mënyrë serioze ata mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për të gjithë qytetarët e tyre. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të punojnë mbi këtë përparim, duke e zbatuar këtë marrëveshje, duke zbatuar marrëveshjet e mëparshme, duke u përmbajtur nga provokimet dhe të zotohen sërish që të gjejnë zgjidhje në çështje të tjera, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Ai shtoi se SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar që të ruhet stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Franca dhe Britania e Madhe: Palët të vazhdojnë dialogun
Përfaqësuesja e Francës në OKB tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane.
Ajo foli për marrëveshjen që më 30 shtator, dy shtetet, nën ndërmjetësimin e BE-së arritën për çështjen e targave dhe tha se Franca inkurajon palët që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.
“Kjo krizë është një ilustrim i faktit se nuk ka asnjë alternativë tjetër, as për Serbinë apo Kosovën përveç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy shteteve”, tha ajo.
Franca bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe theksoi se është e rëndësishme “që të shmangen çfarëdo veprimesh të njëanshme që mund ta minojnë dialogun”.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe bëri thirrje që palët t’i shmangen retorikës dhe aksioneve që mund ta përshkallëzojnë situatën derisa theksoi nevojën që të dyja palët në kuadër të dialogut në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për lëvizjen e lirë.
Ajo tha se Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe në vaksinimin e popullatës kundër COVID-19.
Ajo ngriti shqetësime për, siç tha, frikësimin e votuesve serbë në prag të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit dhe organizatave joqeveritare serbe që bashkëpunojnë më institucionet në Prishtinë.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe falënderoi Kosovën për kontributin në evakuimin e afganëve nga Afganistani në bashkëpunim me NATO-n.
Britania e Madhe kërkoi rishikimin e misionit të UNMIK-ut, pasi siç tha, rrethanat tashmë kanë ndryshuar në Kosovë.
Rusia akuzon Prishtinën për tensionet në veri
Përfaqësuesi i Rusisë tha se situata në veri përbën shqetësim të madh për Rusinë. Sipas tij ajo është përkeqësuar për shkak të veprimeve të Prishtinës.
“Autoritetet e Kosovës kanë provokuar tensione. Policët janë vendosur të armatosur. Forcat speciale kanë shënjestrurar civilët me gaz lotsjellës”, tha ai.
Rusia, sipas tij, i sheh këto akte me qëllim të intimidimit dhe presion naj serbëve për t’i përzënë ata nga Kosova.
“Ne besojmë se zhvillimet e fundit dhe politikat e Prishtinës për të mos vënë dialogun në priroritet janë shumë të rrezikshme”, tha përfaqësuesi i Rusisë.
Këto, taktika të Prishtinës, sipas tij, çojnë drejt minimit të procesit të dialogut, për të cilin Rusia mendon se është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
“Rusia mbështet zgjidhjen mes Prishtinës se Beogradit në përkuthje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ai.
Ndërsa përfaqësuesi i Kinës tha se ky vend e mbështe sovranitetin e integritetin territorial të Serbisë dhe e kupton atë sa i takon shqetësimeve në Kosovë.
Ai tha se Kina e përgëzon Serbinë për përpjekjet pozitive për të gjetur një zgjidhje politike.
“Ne mbështesim të dyja palët që në kornizat e Rezolutës 144 të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut dhe konsultimeve”, tha ai.

Përfaqësuesit e Norvegjisë, Vietnamit, Nigerit, Estonisë, Indisë dhe Irlandës u kërkuan Kosovës dhe Serbisë të tregojnë vullnet politik per të bërë konsensione, të vazhdojnë dialogun më besim të plotë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.