Ne jemi të kënaqur, madje një pjesë e të rinjve (në mos shumica e tyre) janë akoma më të kënaqur nga rrejte sociale. Aty publikojnë pa teklif, çka mendojnë se është thelbësore ose jo për ta: Foto, video, gjellë, pijë, veshje, trupin e tyre e shumë e shumë, gjëra të tjera. Në një farë mënyre pothuaj gjithë jetën e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë të ashtuquajturit VIP-a. Pra e thënë are hapur budallallëku, ka dalë në mejdan dhe askush nuk e ndal dhe nuk la as arsye e as mendje për ta ndal. Ndoshta Montanelli, kishte të drejtë kur thoshte se duhet të kontrollohen disa postime, idiote, injorante dhe të mbushura me budallallëk, por ja që nuk mundemi. Ajo që shqetëson më shumë, sipas mendimit tim, është mënyra ose më qartë nderimi që ka shoqëria jonë për injorancën.
Nga buron gjithë ky adhurim ndaj injoranës?
Ca e bëjnë nga halli e a nga malli. P.sh., gjithë administrata e një bashkie, ministrie, agjencie, etj., ndjek me shumë vëmendje çdo aktivitete të shefes/shefit të vet dhe gjithnjë komenton, shpërndan postimet e saj/tij, dërgon me mijëra zemra e puthje, video e foto të takimeve dhe urdhëron madje gjithë fisit që të shkoj pas budallallëkut të vet. Nëse i shkruan një koment kundër ai vetë nuk është se bën shumë llafe, por gjithë enturazhi i servilit/les, fis e shoqëri, seksion a organizatë partie, turret të të jap një mësim të mirë që po shan shefen/in. Dhe këtë e bëjnë se duhet të mbajnë vendin e punës siç mundohen të justifikohen, por sepse besojnë dhe adhurojnë deri në verbëri injorancë n e shefit të tyre, që mesa duket ata e mbajnë për mendjemprehtësi të rrallë. Kjo se ata besojnë tek fjalët e shefit të madhe dhe madje i marrin e i ripërsërisin edhe vetë si papagall që të bëhet sa më shumë e besueshme. Për shembull, i pari i vendit thotë se: “Ç’të keqe ka që ke mbaruar me pesa dhe udhëheq Ministrinë e Arsimit? Nuk na duhen në krye të këtij institucioni profesorë, por njerëz që dinë nga menaxhimi i arsimit”. Nuk e kuptuat? Pra shqip fare: “Mos mësoni, por kapuni pas meje për të arritur aty ku doni”. Plot respekt për komandantin e tij Gjushi, u mëson studentëve kyçin e të qenit të suksesshëm: “Unë nuk jam si ministri. Nuk kam mësuar. Kam qenë me pesa, por kam bërë një biznes shumë të suksesshëm”. Dhe të dy kanë të drejtë, si Komandanti dhe ushtari i tij. Dil me pesa e bëhu ministër, grumbullo pasuri, sa nuk di se ku i ke, rregullo familjen me privilegje dhe punët më të mira, kujdesu që të ndërrohet veshja dy herë në ditë dhe krehja të jetë e stilit Hollivudian, pa në djall notat dhe arritjet në fushën e dijes. Po kaq pak rëndësi kanë dijet në administrimin e vendit apo edhe të bashkisë? Mjafton të dish si vidhet, bëhet para, pa metra kub-ët e betonit në gjerësi e lartësi le të rriten, mbeturinat të pushtojnë qytetin dhe shkatërrimi të ekspozohet si rikthim në vlerat më të mira evropiane. Më poshtë “apolitikët” e administratës publike, e quajnë injorancën, një universitet të dytë. Një administrator i shtetit, trendy me veshjen tip hip-hop, vështrimin plot inat e mllef, buzët e varura sikur i ka ngrënë bukën gomari, befas gjallërohet, bëhet sentimental e quan largimin shefes mëkat të madh, sepse, “puna me të ka qenë një diplomë e dytë”. A e beson edhe ky i ngratë se vërtet ashtu është? Ndoshta e deh jo, por lekët që ka fituar në saje të shefes, nuk i japin ndonjë mundësi tjetër, veçse atë të adhurimit ndaj injorancës. Sigurisht shefja/i i ardhshëm do të jetë po aq injorant, por edhe më i ditur në sytë e tij, pasi kjo/ky e/i fundit me siguri, do ti japi një përvojë të “të vyer”, baraz me doktoraturë.
Po përse injoranca u bë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë?
Për një fakt fare të thjeshtë: Ata që menduan se Zoti dhe jo populli i dha mandatin për të qeverisur, e kujtuan veten më shumë perëndi, sesa administrator të këtij vendi. Që në fillim ata u mburrën se “dobësia jonë është që nuk marrim vesh nga punët e shtetit, por do të sajojmë ndonjë gjë rrugës”. Pastaj ju turrën profesorëve dhe atyre pak njerëzve të ditur që nuk i blenë, duke i sharë e duke i etiketuar sipas qejfit. Pastaj ngritën në shkallën më të lartë injorancën. Xhamaxhinj e profilistë duralumini, njerëz që patentën e quajnë kurs pasuniversitar, bachelorin e marrin për doktoraturë, shkollën e mesme për konservator arti, mbushën sallën e të dërguarve të sovranit, duke e kthyer në vendin më, ku ndotja nga injoranca ja kalon çdo periferie të qytetit më të humbur të botës. Por ama në sytë e njerëzve, këtu u paraqitën si njerëzit më të zot. Kishe një punë në spital, ta mbaronin këta, kishe sherr me komshinjtë të pajtonin këta, doje të merrje patentë, licencë për të shitur fruta-perime, a brekë të sjella nga Brazili e Kina, t’i nxirrnin këta. Pale po të doje legalizim, a regjistrim hipoteke? Vinte vetë Komandanti ta zgjidhte. Ndërkohë çdo ditë, njerëzit që shanë më shumë barkderrat, u bënë dyfishi i atyre që më parë i merrnin në gojë. Përveçse rrumbullakosën përmasat, u kujdesën tej mase për të kuruar imazhin e tyre, që publikut t’i mbetej syri tek guna dhe jo puna, grumbulluan pasuri të panumërta, brodhën botën anë e kënd, ndërtuan vila e fshatra të tërë, na mbushën mendjen se ishin më të zgjuarit, duke na shpërndarë fjali të panumërta të tipit: “Nuk kam ndonjë shkollim për ekonominë, por e kam hobi dhe e bëj mirë; arsimi ka pësuar ndryshime epokale, që në fakt përkthehet e shkatërrova me rrënjë e themele; për herë të parë vendosim check-up-in dhe bëjmë shëndetësinë falas, duke numëruar të vdekurit në spitale etj etj”. U hodhën miletit trutë e gomarit përmes propagandës, nuk treguan asnjë lloj ndjesie për njerëzit dhe shtetit, shtinë frikën dhe terrorin dhe më e keqja e vunë në sistem urrejtjen ndaj njerëzve të ditur e të aftë. Urdhri i tyre ishte dija, ligji, aftësia, zotësia, parimi e drejta de gjithçka që ka kjo botë. Njerëzit filluan t’i adhurojnë dhe menduan: “Ja që nuk ka shumë rëndësi shkolla, as të qenit me tru. Mund të bësh biznes, politikë e të mbushesh xhepat, duke qenë injorantë e të tjerët të të quajnë nga mëngjesi në darkë të zgjuar”. Më popullorçe, të nderuar miq, mund ta përkufizojmë kështu: Injoranca është bërë një vlerë e shtuar e shoqërisë sonë.