
Kur vij në Triesh kthehem në origjinë
Gjekë Gjonaj
I lodhur nga koha e pandemisë në Ulqin në fund të vjeshtës dhe në fillim të dimrit vendosa të largohem nga jeta e përditshme e qytetit të përgjumur për të kaluar disa orë të paharrueshme mes natyrës së virgjër malore në vendlindjen time të dashur në Triesh. Këtë udhëtim e bëra për t’u çmallur me vendin ku jam lindur dhe ku jam rritur. Ku kam kaluar fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë,ku më kanë jetuar të parët e mi, mëmë e atë , vëllezërit e motra, kushërinj e farefis, shokë e miq e bashkëvendës të tjerë. Për të gjitha këto dhe kujtime të tjera nga vendlindja me kalimin e kohës më merrrë shumë malli. Kjo ndjenjë sa vjen e më shtohet për çdo ditë e më shumë. Sikur të isha diku larg-larg në mërgim, në Evropë, Amerikë apo në kontinente tjera. Sepse kudo të jeshë jashtë vendit ku ke lindur e ndien veten të vetmuar dhe të përvëluar për shtëpinë e vjetër lindjes me arkitekturën e veçantë të kohës. Të merrë malli për rrugët e vjetra lokale , për shtigjet, për kapërcenjtë, për ograjat , për gurët e guralecat e fshatit, për gërmushat. Për ujin e kthjethtë të krojeve dhe burimeve të pakta. Për kaltërsinë dhe gurgullimin e lumit Cem. Për shijen e gatimeve tracionale. Për bardhësinë e borës. Për grigjën e dhënëve, vathën e bagëtive , për blegërimin e deleve, lehjen e qenve e kokorisjen e pulave. Për të mbjellat e pranverës dhe korrjet e vjeshtës. Për kotecin e drithërave. Për lojërat dhe vallet popullore. Për ndejat e përbashkëta pasdarke. Pë kremtimin e festave tradicionale fetare e fisnore. Për pritjen dhe përcjelljen e miqëve. Për shoqet dhe shokët e shkollës. Për mësuesit që na i mësuan shkronjat e para të gjuhës sonë të bukur e të ëmbël shqipe. Për ajërin e pastër të maleve të zonës. Për aromën e bimëve e luleve shumënmgjyrëshe të gërshetuara me flladin e freskët nën hijet e lisave dhe drunjve të tjerë. Të gjitha këto dhe meditime të tjera m’u ringjallën në momentin kur pas udhëtimit dy orësh nga Ulqini u ndala për një pushim të shkurtër në Qafë të Rozdecit, prej ku e shikon Trieshin e bukur si në pëllëmbë të dorës. Nga kjo pikë vrojtimi më mbërtheu një ndjenjë e pakapërcyeshme nostsalgjike. Para vetes shoh një peizash magjik, i cili më shoqëron në ato memente me të papritmat e tij që më lënë pa fjalë. Bukuritë e relievit malor nuk më ndalen gjatë gjithë kohës. Sa herë që vij këtu kthehem në origjinë, mbase ky është Trieshi për mua. Kthimi te vetja. Kthimi te prindërit dhe vajza ime tashmë të ndjerë, të cilët njëri pranë tjetrit prehen të qetë në varrezat familjare në fshatin Nikmarash, bashkë me gjyshin dhe gjyshen. Kthimi në fjalët që më kujtohen nga fëmijëra, shumica e të cilave më kanë ikur nga vemendja dhe nuk i mbaj mend të gjitha.
M’u kujtuan ata burra e burrëresha që kanë lindur dhe rritur në këtë mrekulli të natyrës, mes tri maleve të larta, mes këtyre thepave , shkrepave e qetave të cilët kanë derdhur djersën e gjakun në këta gurë të kufirit dhe kanë ndërtuar shtëpi, kanë mbajtur familje, kanë shkolluar fëmijë dhe me shekuj kanë mbrojtur këtë truall të shenjtë, nga sulmet e pushtuesve të huaj.
Rruga e re e rikonstruktuar dhe e asfaltuar nga Podgorica e deri në Triesh, falë donacioneve në shumë prej mbi 700.000 $ të mërgimtarëve trieshjanë në Shtete të Bashkuara të Amerikës tashmë e ka shkurtuar largësinë në këtë cep të Malësisë, që është harruar prej shumë vitesh nga shhteti dhe është vetmuar nga shpërngulja e popullatës. Kjo rrugë, dikur në gjendje të mjerë, në ditët e sotme është udhë e ndërtuar me parametra bashkëkohor e mirëseardhjes për çdo mysafirë. Sepse Trieshi nuk është vetëm imi. Ky vend me njerëz të mirë, bujarë e mikpritës e dashamirës është edhe i juaji. Trieshi i do mysafirët. Edhe ju do ta doni Trieshin kur ta vizitoni. Andaj shkoni në Triesh vetë dhe do të bindeni për çfarë theksova. Çdokush që vjen këtu si individ apo si grup është i mirëseardhur dhe i mirëpritur me kënaqësi të madhe. Kështu ka qenë më përpara. Edhe sot njerëzit gjithashtu janë shumë të sjellshëm, të dashur dhe të pasur shpirtërisht. Mirëpo të vish në Triesh s’ka të bëjë thjeshtë me dëshirën time të tashme apo të hershme , por me bindjen se kjo trevë shqiptare simbolizon një dimant të vogël me vlera të mëdha të historisë së kombit tonë, që e ka pasuruar trungun kombëtar në të gjitha fushat e aktivitetit të tij.
Nga leximet modeste që i kam bërë literaturës tone historike , di se rrënjët e Trieshit në histori shtrihen në disa epoka historike. Në fakt Trieshi ishte një nga ato treva të vogla shqiptare, që i parapriu luftërave për çlirimin e shqiptarëve nga zaptimi shumëshekulllor i ushtrisë osmane turke dhe vuri themelet në pavarësinë e Shqipërisë. Ai pati shumë merita edhe në periudhën midis dy luftërave botërore. Në atë periudhë kohore banorët e tij u bënë njerëz të njohur në historinë e popullit tonë, siç ishin vëllezërit Ivanaj e Athanas Gegaj në fushën e arsimit. Në rrjedhën e viteve u shfaqën në skenën shumëmngjyrëshe të Trieshit një numër i madh intelektualësh që hapat e parë i hodhën këtu , të cilët rrezatuan me karrierën individuale me profesionalizëm në të gjitha fushat. Janë të shumtë ata trieshjanë të shquar që janë dhe po bëhen pjesë në historinë e sotme ku shpresoj se , nëse më lejon shëndeti, do kthehem më thellë dhe më gjerë për t’i përshkruar, duke qenë i vetëdijshëm se historia e Trieshit është shumë më e larmishme sesa kaq.
Këto vlera të vendlindjes sime që i rrëfeva shkurt, ndoshta vetëm janë parathënia e atrye që më duhet të pasqyroj në të ardhmen për këtë trevë të lashtë historike, që duhet të rinisë gjallërinë. Kam bindjen se ky truall, ashtu si ka ditur të jetoj në rrebeshet e kohërave të egra të kohës, me siguri do të dijë që të gjejë një të ardhme më të mirë. Këto shkëndija shprese i pashë duke biseduar me disa trieshjanë gjatë vizitës që i bëra këtij vendi në këto ditë të trishta pandemie,ku nuk të duhen maskat.
Trieshi me histori unike, me trashëgimi të pasur materiale e shpirëtrore, me një thesar vlerash natyrore të paeksploruara deri më tani, me një zhvillim të infrastrukturës mund të kthehet në një burim të ardhshëm për banorët e kësaj zonë. Gjërat bëhen njëra pas tjetrës. Besoj se Komuna e Tuzit në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi dhe të mërgimtarëve trieshjanë do të bëjnë investime të tjera për të përmirësuar ekonominë e tyre .
Leave a Reply