
Në zgjedhjet e vitit 2021 votuesit shqiptarë do të kenë mundësi të bëjnë dy zgjedhje. Ata do të votojnë partinë politike por gjithashtu kanë mundësi të zgjedhin edhe kandidatin e preferuar nga lista e saj.
Ndryshimet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor në vitin 2021 sollën edhe ndryshimin e rregullave të zgjedhjeve të përgjithshme.
Në sistemin tonë elektoral, partitë politike hartojnë një listë me kandidatë për deputetë për çdo qark dhe e paraqesin në KQZ për t’u miratuar.
Renditjen e kandidatëve e bën vetë partia e cila vendos në krye të saj personat që dëshiron të marrin mandatet e para dhe të sigurta të zonës zgjedhore.
Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kësaj here votuesit do të kenë në fletën e votimit edhe një vend ku votohet për kandidatin e tyre të preferuar.
Zgjedhësit kanë mundësi të zgjedhin vetëm një kandidat nga partia që ata votojnë. Nëse nuk e zgjedhin, vota i shkon partisë për renditjen që ajo i ka bërë kandidatëve. Që fleta e votimit të jetë e vlefshme mjafton që të votohet një parti, koalicion ose kandidat i pavarur.Votat preferenciale që marrin kandidatët kanë vlerë pasi mund të ndryshojnë renditjen e listës.
Kjo ndodh vetëm në një rast, kur kandidati ka marrë më shumë vota sesa mesatarja e votave që ka marrë partia për një mandat në atë qark.
Mesatarja e votave del nga pjesëtimi i numrit total të votave që ka marrë partia në një qark me numrin total të mandateve që ka qarku.
Nëse ndonjë nga deputetët që nuk ka fituar sipas renditjes së partisë, ka marrë më shumë vota se mesatarja, atëherë ai ngjitet në pjesën fituese të listës duke zbritur kandidatin e fundit që ka fituar. Nëse ky i fundit është grua, atëherë zbret kandidati i renditur sipas saj.
Duhet të kujtojmë se sipas rregullave të reja, lista duhet të ketë minimumi 30% gra dhe një në çdo tre emra të listuar nga partia duhet të jetë grua.
Ndryshimet ligjore transformuan edhe mënyrën e koalicioneve të partive. Tashmë partitë që bëjnë koalicion parazgjedhor duhet t’i rendisin kandidatët e tyre në një listë të vetme të përbashkët për çdo qark
Leave a Reply