ALBDREAMS.NET

"Endërrat Shqiptare" nga 26.nentor. 2004

  • Home
  • Bota
    • World
  • Emigrantet
    • Diaspora
  • Histori
  • Kosovë
  • Kulturë
  • Malësi
  • Politikë
  • Sport Shendet
  • ALBDREAMS TV
You are here: Home / Politikë / Si u persekutuan gratë e huaja nga diktatura e Hoxhës

Si u persekutuan gratë e huaja nga diktatura e Hoxhës

June 24, 2019 by Pafragje Leave a Comment

“Thinjat e atdheut” është libri më i ri me autor Eugjen Merlikën. Libri është një përmbledhje publicistike sjellë nga botimet UET PRESS. Pinjoll i një familjeje me kontribute në historinë shqiptare, Merlika vijon të kontribuojë përmes shkrimeve mbi çështje të rëndësishme të atdheut e kohës. Më poshtë po sjellim një ndër shkrimet e ndjeshme të këtij libri që është në të gjitha libraritë.

Eugjen Merlika

Nëna – kryefjala e jetës njerëzore, burimi i saj i pashtershëm, maja më e lartë e ndjenjës, simfonia më e thellë e saj, vegimi më i ndritshëm i botës së brendshme lidhet me atë emër, që mbetet i vetëm, pa sinonime, në madhështinë e tij të paarritshme. Sa shumë është shkruar në mijëvjeçarë për nënat dhe dhembjet e tyre për humbjen apo vuajtjen e bijve, që nga “Vaji i Hekubës” deri në shekullin e shkuar që vuri në provë, më shumë se të gjithë paraardhësit, mizorinë njerëzore në shfaqjet e saj më të ndryshme, duke çuar në mbretërinë e vdekjes së dhunshme miliona bij e bija, duke sfilitur e vrarë po aq zemra nënash. Në këtë tablo të errët të shoqërisë njerëzore dhe Shqipëria pati pjesën e saj, një histori të tejzgjatur dhembjesh, të cilën znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti) me shumë bujari e zemërgjerësi merr përsipër ta lërë të shkruar, të zezë mbi të bardhë, duke na dhënë një vepër monumentale e të veçantë në gjininë e saj, për sa i përket rëndësisë që bart për sot e për t’ardhmen, në fushën e njohjes e të dëshmisë së të vërtetës historike. Vepra i ngjet një enciklopedie të vogël të dhembjes njerëzore e të dhunës shtetërore në Shqipërinë e viteve 1944 – 1991, sepse, me gjithë punën e admirueshme të autores, paraqet vetëm një pjesë të realitetit t’asaj periudhe, atë që ajo ka mundur të hulumtojë e ta prekë me dorë, nëpërmjet bisedave me personazhet e gjalla të veprës së saj. Kjo enciklopedi e vogël e barbarisë së një sistemi e ndërtuesve të tij është vetëm maja e ajsbergut e një realiteti që zgjati gati gjysmë shekulli e që paragjykoi jetën e tri brezave. Çuditërisht ai realitet mbahet ende i fshehtë në male letrash të panjohura e të pazbuluara nga njerëz që vazhdojnë të drejtojnë shtetin shqiptar.

Ata i quajnë pasuri të tyre ato letra e vazhdojnë të vënë vulën e sekretit shtetëror mbi to. Ato dosje që kundërmojnë erë kufomash dhe mbartin në vetvete të gjithë gamën e përfytyrueshme të poshtërsisë njerëzore dëshmojnë faktin se ne, në nivel politik, ende nuk kemi kurajën të ballafaqohemi me të shkuarën tonë në dritën e diellit. Ajo dëshmon gjithashtu se ne vazhdojmë ta mbrojmë atë, sepse jemi pjellë e saj, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrënjët e diktaturës, të paaftë për t’u ndarë mendërisht e shpirtërisht prej saj…

“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” është një mozaik i larmishëm fytyrash, emrash, karakteresh grash shqiptare, kryesisht të qytetit adoptiv të autores, Shkodrës, por edhe të pjesëve të tjera të Shqipërisë, ku spikasin “veteranet” e kampeve të internimit: Musine Kokalari, Zyrika Mano, Elena Gjika, Safete Sokoli, Elena Luli etj. Flitet për familjet e internuara që në fillim të regjimit si: Markagjonët, Mirakajt, Dinet, Përvizët, Kolajt, Kaloshët, Kupët, Demët, Merlikët etj., për të cilët internimi mbaroi më 1990-n, me të gjitha pasojat dramatike të një përndjekjeje, gati gjysmëshekullore, që ishte kalvari i plotë i paracaktuar për ta nga institucionet e diktaturës. Në këtë kalvar të gjatë e të larmishëm, që diktatura projektoi e zbatoi për atë pjesë të shoqërisë që nuk u njëjtësua me të, hynin vazhdimisht njerëz të tjerë, ata që “revolucionet” psikopatike të udhëheqjes e të kryetarit të saj i caktonin si viktima flijore të marrëzisë së përhershme që fabrikonte në pafundësi “armiqtë” e klasës e të socializmit. Kështu familjeve të vjetra të antikomunistëve të parë u shtoheshin, në fatkeqësinë e tyre, të tjerë “tradhtarë” të çështjes së partisë dhe kontingjentet e të dënuarve t’atyre që “synonin minimin e rrëzimin e pushtetit popullor” përfshinin atëherë dhe vetë ata që i kishin shërbyer me besnikëri e vetëdije regjimit. Kjo dukuri në libër pasqyrohet, ndërmjet të tjerash, nëpërmjet figurave të grave të huaja, t’ardhura në Shqipëri nga vendet komuniste të Lindjes për të sendërtuar ëndrrën e dashurisë për djemtë shqiptarë, ashtu sikurse para luftës vajzat italiane, franceze, austriake braktisnin vendet e tyre për të ndarë me ta jetën familjare në Shqipëri. Në këtë kuadër besoj se institucionet e dhunës së diktaturës komuniste i janë tepër borxhlinj përfytyresës së Shqipërisë në sytë e shqiptarëve, por edhe në sytë e botës. E kanë katandisur atë në formën më të keqe, duke kryer krime të përbindshme, me arrestime e dënime të grave të huaja, me padi të sajuara në kulisat më të errëta e më kriminale të Sigurimit të Shtetit. Ai shtet i shqiptarëve, që kishte shpëtuar qindra jetë hebrenjsh, duke qenë nën pushtim italian apo gjerman, me guximin e burrërinë për të pohuar vlerat e traditave të vendit si mikpritjen e mbrojtjen e “jabanxhinjve” edhe para autoriteteve gjermane që kishin mbushur Europën me kampe shfarosjeje të hebrenjve, nën udhëheqjen e “ndritur” të komunistëve enveristë, mbushi burgjet me gra të huaja të pafajshme, vetëm pse donin të ruanin familjet e tyre. Autorja na sjell dëshmitë e disa prej këtyre grave, dëshmi që përbëjnë njolla turpi, jo vetëm për institucionet dhe njerëzit që i kryen ato përndjekje mizore, por edhe për emrin e Shqipërisë në botë.

Po kujtoj këtu historinë e një gruaje daneze, Olga Schweitzer Libohova, bashkëshortja e shtetarit të njohur Myfit bej Libohova, e cila edhe mbas vdekjes së burrit, më 1927-n, vendos të qëndrojë në atdheun e tij. “Në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin, te rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra…” Kudo kjo grua, në sajë të një veprimi të tillë, sa të guximshëm e fisnik, po aq të dobishëm e njerëzor, do të kishte gjetur vlerësimin e respektin e merituar të shoqërisë e të shtetit. Ndërsa shteti komunist shqiptar, më 1945-n, i grabiti të gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe 2500 libra të bibliotekës së Myfit Libohovës, të cilët u dogjën në mes të fshatit, që ajo i kishte shpëtuar njëqind jetë njerëzish. Ky ishte “rendi i ri”, që sillnin “çlirimtarët”, duke shkatërruar gjithçka, së pari kulturën, duke ia kaluar në këtë drejtim edhe hunëve që dogjën Evropën romane, por kursyen manastiret ku ruheshin veprat e mëdha të lashtësisë greko–romake. Danezen fisnike partizanët e detyruan të jetojë në një stallë lopësh, duke e internuar pastaj në vende të ndryshme, i burgosën djalin e vetëm që u kthye nga Italia për t’i shërbyer vendit të tij. Ajo vdiq e dëshpëruar në fshatin Tresh të Lezhës më 1963-shin. Ishte ky një nga shembujt e shumtë që shkrimtarja Saraçi rendit në librin e saj dhe jo më i pamëshirshmi i tyre. Mizoria e sistemit komunist dhe e njerëzve që i shërbyen, sidomos në organet e dhunës “proletare”, nuk ka kufij poshtërsie e kriminaliteti të përfytyrueshme. Çdo emër, historia e të cilit ftillohet nga autorja, mund të ishte një subjekt romani më vete. Fatkeqësisht letërsia e viteve të kalesës u mor pak ose aspak me tragjeditë e pafund të komunizmit në vendin tonë. Frymëzimin për t’ua lënë pasardhësve ato tragjedi e patën pak penda si Visar Zhiti, Atë Zef Pllumbi, Makensen Bungo e ndonjë tjetër që, për mendimin tim modest, kanë lënë vepra artistike e, njëherësh dëshmi të fuqishme të atij procesi të gjatë historik, që në hollësi fotografohet nga Fatbardha Saraçi (Mulleti). Në këtë drejtim mendoj se mungesa e transparencës së vërtetë nëpërmjet arkivave të mbyllura, madje pjesëmarrja ende masive e protagonistëve të dhunës në organet dhe organizmat e shtetit “demokratik”, në shumëllojshmërinë e formave, ndihmon synimin e fshehjes e të minimizimit të së vërtetës tragjike të gjysmëshekullit të zi të Shqipërisë. Antikomunizmi për fasadë i shumë personave të politikës, në këta 23 vjet, ka shërbyer si gjethja e fikut për të ndihmuar atë synim.

Kuadri i dëshmive dhe personazheve jetësore të librit plotësohet me të tjera emra grash si Liri Lubonja, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, Kozara Kati etj., disa prej morisë së familjeve të nomenklaturës së lartë komuniste, të bëra fli në famëkeqen “luftë klasash”, së cilës i kishin besuar me entuziazëm që nga rinia e parë deri në çastin fatal të vendimit që merrej mbi kokën e tyre. Autorja i skicon me shumë dashuri portretet e personazheve të librit të saj, hyn në thellësi të dhembjeve, brengave, fatkeqësive të tyre, u qëndron pranë, u nxjerr në pah vlerat, forcën e karakterit, që është tipari dallues i personalitetit të tyre. Ajo mahnitet nga vullneti i tyre për të mposhtur të keqen, me të cilën përballohen çdo ditë, për të mbijetuar edhe në çaste katastrofash, duke pasur shpesh në këtë luftë të pabarabartë, në anën e tyre vetëm ndihmën e Zotit, të cilit i luten në heshtjen e vetmisë, për të gjetur shpresën e fuqinë për të shkuar përpara. E bën këtë jo vetëm si ithtare e letrave, por edhe si grua, si nënë, si një prej tyre që i ka vënë vetes një qëllim sa fisnik aq dhe të vështirë: të pasqyrojë figurën komplekse të gruas së përndjekur shqiptare në gjysmëshekullin e kataklizmës, me bindjen se është ajo si krijesë në rolin e nënës, të bashkëshortes, të motrës, të shoqes, ngadhënjimtarja e vërtetë e epokës së tiranisë. Ajo u ballafaqua më shumë se kushdo me të, i qëndroi asaj me dinjitet në të gjitha shfaqjet e saj të dhunës, në vite të gjata provash masakruese të sajuara djallëzisht për të zhbërë qenien njerëzore. Me baballarët, burrat, vëllezërit në burgje, kampe pune të detyruar e internime, të luftuara nga makina e përbindshme e partisë–shtet, të përndjekura, të fyera e të keqtrajtuara, ato femra punuan në punët më të rënda e më të vështira, ngarkuan në shpinë trastat me kursimet e pakta të tyre, përshkuan rrugët e vështira të maleve e fushave të Shqipërisë, në kërkim të një takimi disaminutëshe nën mbikëqyrjen e policëve të radhës, për të mbajtur gjallë t’afërmit e tyre në kushtet çnjerëzore në të cilët jetonin. Rritën fëmijët me njëqind sakrifica e mungesa, pritën burrat në shtëpitë e tyre duke sakrifikuar vitet më të bukura të jetës, mbetën pa u martuar, sepse u duhej të mendonin për baballarët e vëllezërit në burgje. Të gjitha këto i bënë me vetëdijen se ishte detyra e tyre, se ishin bija të një mendësie tradicionale shqiptare që jetën njerëzore e konceptonte si shfaqje të përhershme të luftës së përditshme në mbrojtje të nderit e të dinjitetit. Ky është heroizmi i vërtetë, ai që nuk vret njerëz, qoftë dhe kundërshtarë, por shpëton, rrit, edukon e formon njerëz. Nëse shpëton gjë në gjysmëshekullin e zi, është pikërisht ky heroizëm i gruas shqiptare që meriton piedestalin. Çdo shfaqje mosbesimi në këtë drejtim, i bazuar në episode apo raste të veçanta duhet quajtur e pavlefshme. Ne duhet të jemi krenarë për nënat, gratë e motrat tona që, në vazhdim të traditave pozitive të familjes shqiptare, nderuan dhe mbajtën lart vlerat më të bukura edhe në kohë tepër të vështira, kur vetë jeta njerëzore kërcënohej çdo ditë.

Shumë prej tyre sot nuk janë më, e kanë plotësuar parabolën e tyre, të tjerat janë të lodhura, të sprovuara nga jeta, nga vështirësitë, nga një shtet mospërfillës, për të mos thënë ende armiqësor kundrejt tyre dhe problemeve të tyre, një shtet që synon harresën kundrejt jetëve e vlerave të tyre. Kësaj mendësie i kundërvihet shkrimtarja me librin e saj. Ja si e shpalos ajo shqetësimin, motivin e brendshëm nxitës të punës që e shtyn të kryejë veprën e saj: “Kjo është një betejë…, çka është brenda mundësive të mia të veproj kundër të harruarit. Me qenë i harruar është një vdekje e dytë. Të harruarit e gjenocidit, të luftës së klasës, s’është gjë tjetër veçse një formë e re dhune. Është shumë e dëshirueshme që kujtimet të mbahen gjallë mbi jetën e njerëzve dhe sikur fundi të jetë pa shpresë …” Këto fjalë na kujtojnë veprën e Atë Zef Pllumbit dhe amanetin e njohur të Atë Mati Prenushit: “Rrno për me tregue”. Në atë mesazh beson edhe znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti), madje me modesti e bën atë lajtmotivin e ekzistencës së saj, një detyrë qytetare së cilës i kushton pasionin e saj, aftësinë e të shkruarit, vullnetin e hulumtimit, pjesëmarrjen shpirtërore në dhembjet e të tjerëve. E kryen detyrën me përpikërinë që ka karakterizuar jetën e saj, me dëshirën dhe vetëdijen për të dhënë ndihmesën në një projekt sa të domosdoshëm po aq të vështirë në Shqipërinë pas komuniste, atë të shpëtimit të kujtesës historike të viktimave te diktaturës komuniste. Është një projekt që i shërben së tashmes dhe së ardhmes së vendit, sepse shpejt a vonë krimi komunist do t’i nënshtrohet gjykimit të ndërgjegjes së kombit dhe asaj të historisë së vërtetë, gjykime që deri tani nuk kanë qenë të mundura, si pasojë e tabuve që mbajnë peng jetën politike dhe akademike të demokracisë pas komuniste shqiptare. Respekt e nderim autores së vëllimit “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” dhe të gjithë atyre, sado të paktë, që japin ndihmesën për sendërtimin e atij projekti./ Gazeta Liberale

Filed Under: Politikë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

SHIKONI KETU LIVE ALBDREAMS TV

RADIO ILIRIA DETROIT

STAFI I ” ALBDREAMS TELEVIZION “

KOZETA BRUÇI – ALBDREAMS TV SHQIPERI

REKLAMONI BIZNESIN

ME PAULIN NDOJEN

PAMJE NGA KELMENDI

“THE ESPRESSO HOUSE” KAFE E SHQIPTARVE

FJALE KYÇE (TAGS)

"ish" 11shtatori agolli Ambasada Ambasadat shqiptare ne bote baronesha bird debati dhjetori2014 Diaspora Frederik Ndoci Frederik Rreshpje frontid gj.uldedaj gjgjeloshi grida idhujtari ivanajt jihad Jup Kazazi – Lufta e Recit kadare Katrin Preljocaj kelmendi kostandini Leka Zogu per Kosovën letra Lufta e Koplikut Lëkura problematike marionetat mekatari mynih1972 ndre mjeda Nene Tereza oktapodi pjeter ivezaj qasemi sallakus shkolla spiunoj T'i qasemi telefonata U krye vacen Virgjil Kule çmendi

Shqiperia dikur kliko foton

ALBDREAMS MUZIKE

Flash required

PUSHIME SHQIPTARE

Perdhunimet e ushtarve turq..klik

Shqipëria në vitin 1922

POSTIMET FUNDIT

  • Shembja e mitit amerikan
  • Trumpizëm përball Sorosizëm!
  • Mos raftë me u harrua
  • Trump tek Biden: Këto lojëra të 25-të të ndryshimit do të kthehen të të përndjekin, Pal
  • Skllavëria në Mbretërinë Denkyira ishte traditë në Perandorinë Ashanti (Afrikë)
  • “I NDERPRES MARDHENJET ME TY SE JE PRO TRUMP !”
  • Trump feston ndertimin e murit në kufirin me Meksiken, arritje e imigracionit gjatë vizitës në Teksas
  • Trump e quan Impeachment një Gjueti Shtrigash “që rritë zemërimin”
  • Rëndësia e një lugë vaj ulliri në mëngjes

Archives

Kembimi Valutor

American Dollar Exchange Rate

Rëndësia e një lugë vaj ulliri në mëngjes

Shumica prej nesh e përdorin vajin e ullirit për … [Vazhdo....]

“Zëri i Masës”, tablo e Sali Shijakut

Genc DRINI Piktori i mirënjohur Sali Shijaku, … [Vazhdo....]

Korba që shiteni për pëllumba të bardhë

*** Kur mbollët Shqipërinë me drogë cep më … [Vazhdo....]

PAULIN NDOJA (LEGJENDA E PORTES SHKODRANE )

Nga Sokol PARRUCA Ishe vetem 19 vjec , kur more … [Vazhdo....]

How to Flirt Confidently in English

Every culture has a different idea of flirtation, … [Vazhdo....]

“Mall bulevardi”

"Ka qene dikur nje qytet...Ne vend te zemres , … [Vazhdo....]

Organizata Bazë e Partisë, vatër e pushkatimit politik

Konceptimi është mjaft i gjerë dhe i duhet këtij … [Vazhdo....]

Më 5 janar përvjetori i “së shkruom” Meshari dom Gjon Buzukut

Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar dom Gjon … [Vazhdo....]

Kongresi i Manastirit, i vitit 1908 ishte Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe

Kongresi i  Manastirit, Kongresi i unifikimit … [Vazhdo....]

Djathi, sekreti për një jetë më të gjatë dhe metabolizëm të shpejtë

Është lajmi më i mirë që mund ta keni dëgjuar tërë … [Vazhdo....]

Hudhër me limon për të pastruar enët e gjakut në 40 ditë

Bashkimi bën fuqinë! Kjo është një shprehje që … [Vazhdo....]

Mimozat e arta të shqipërisë – pse vlerësohen dhe si ruhen gjatë?

Të përkëdhelurat e diellit dimëror kanë çelur dhe … [Vazhdo....]

Hithra sa përvëluese aq shëruese…

Ajo të përvëlon që me prekjen e parë, por … [Vazhdo....]

Lidhjet

  • Albanians in Michigan
  • Antena.Al
  • Gazeta "Illyria"
  • Gazeta "Malesia"
  • Gazeta "Shqiperia Etnike"
  • KF "Vllaznia"
  • Koha Javore
  • Malësia ME
  • Malësia.org
  • Plave-Guci
  • Revista "DEBATI"
  • Revista "FJALA"
  • Revista "KUVENDI"
  • Shkodra Shkrimtaret
  • Shkodra Sport
  • Shkodra WEB
  • Star Plus TV Shkoder
  • Tribuna Shqiptare
  • TV "Kopliku"
  • TV "Rozafa"
  • TV Blue Sky
  • TV1-Channel
  • Ulqini Info
  • Ulqini Lajme
  • Ulqini Online
  • Zëri i Amerikës

Archives

Lidhjet

  • Albanians in Michigan
  • Antena.Al
  • Gazeta "Illyria"
  • Gazeta "Malesia"
  • Gazeta "Shqiperia Etnike"
  • KF "Vllaznia"
  • Koha Javore
  • Malësia ME
  • Malësia.org
  • Plave-Guci
  • Revista "DEBATI"
  • Revista "FJALA"
  • Revista "KUVENDI"
  • Shkodra Shkrimtaret
  • Shkodra Sport
  • Shkodra WEB
  • Star Plus TV Shkoder
  • Tribuna Shqiptare
  • TV "Kopliku"
  • TV "Rozafa"
  • TV Blue Sky
  • TV1-Channel
  • Ulqini Info
  • Ulqini Lajme
  • Ulqini Online
  • Zëri i Amerikës

ACTV _ Michigan

Kryengritja e Malësise 1911

APELI I TETË ORGANIZATAVE ATDHETARE NË SHBA PËR VOTUESIT NË MALËSI : “ VOTONI SHQIP”!

Si organizata shqiptare … [Read More...]

Prek Cali

Prek Cali ose Prenk Cali … [Read More...]

Violeta DEDA

Më fal që të deshta...

Sportakiada 2016

ALBDREAMS TV LIVE

… [Read More...]

Alida Duka

Koncert Michigan

Votimi emigranteve

PAULIN NDOJA (LEGJENDA E PORTES SHKODRANE )

Nga Sokol PARRUCA Ishe … [Read More...]

Prof. Dr.Gj.Uldedaj

Rochester 2015

Darka Shkodrane

PUBLICISTI DHE STUDIUESI NDUE BACAJ BOTON LIBRIN LUFTA E KOPLIKUT 1920 DHE NGJARJET QË I PARAPRIJNË .

Botimi i këtij libri … [Read More...]

Me Gezim Brahushen

TV Blue Sky Shkoder

Në Televizionin ACTV Michigan SHBA

[awl-slider id=42835]

S.Mani-perkujtimore

KALENDARI

January 2021
S M T W T F S
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
« Dec    

Copyright © 2021 · News Pro Theme on Genesis Framework · WordPress · Log in