ALBDREAMS.NET

"Endërrat Shqiptare" nga 26.nentor. 2004

  • Home
  • Bota
    • World
  • Emigrantet
    • Diaspora
  • Histori
  • Kosovë
  • Kulturë
  • Malësi
  • Politikë
  • Sport Shendet
  • ALBDREAMS TV

FREDERIK RESHPJA POETI QË NUK U THYE

August 28, 2010 by Pafragje 2 Comments

Sokol Zekaj

Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes Poeti la pak poezi, gjithsej një libër prej më pak se dyqind faqesh. Gjithsesi, kjo racë artistësh nuk është shquar ndonjëherë për sasi. Shtoji këtij fakti, faktin tjetër se për Fredin, drita jeshile u hap vonë, kur qe bërë mospërfillës ndaj disa gjërave si suksesi.www.voal-online.ch

Sot kam shfletuar librat e Frederik Rreshpjes, një poet shkodran të cilin e lexoj herë pas here dhe asnjëherë nuk e mbyll me ndjesinë se e lexova. Kam shtatë libra të Frederikut. Libri i parë titullohet Rapsodi shqiptare dhe është botuar më 1968. Atëherë poeti ishte njëzetetetë vjeç. Më pas vjen romani Zëri i largët i kasolles botuar më 1972 ndërsa një vit më pas, më 1973 del në qarkullim vëllimi i dytë poetik i tij Në këtë qytet.

Frederik Rreshpja poeti që nuk u thye

Në vazhdim një heshtje e gjatë derisa më 1994 shfaqet me Erdhi ora të vdes përsëri. Dy vjet më pas boton përmbledhjen Lirika të zgjedhura, ndërsa më 2004 dalin njëra pas tjetrës dy botime të poezive, Vetmi dhe Në vetmi. Më 17 shkurt 2006 vdes.

Miqtë që e kanë dashur dhe i kanë ndenjur pranë, e paraqesin si njeri fisnik veçse të vështirë. Dhe, është e besueshme.

Ai bënte pjesë te ata që quhen poetë të lindur. Nuk ka një poet të gjuhës shqipe që t’i qaset më bindshëm këtij përcaktimi. Ai ishte poet i gjinisë së William Blak-ut, Arthur Rimbaud-së, Sergej Eseninit etj, një racë që tek ne është disi në mungesë.

Jam lemerisur njëherë kur kam dëgjuar një shkrimtar por edhe poet (pretendimi i tij) shqiptar me gradë akademik të thoshte: unë mund të shkruaja si simbolistët francezë (Rimbaud, Verlain, Mallarme) por s’do më kuptonte lexuesi ynë!

Në fakt libri i parë i Frederikut, është i kopsitur mirë sipas kërkesave të asaj kohe. Ishte mesi i viteve ’60. Shteti komunist përpunon ambiciet e veta për të kontrolluar dhe shtypur mendimin e lirë dhe ndërgjegjen e njerëzve, madje edhe vetë natyrën e lirisë, për ta kthyer individin në masë.

Në këto kushte që e rrethojnë nga jashtë, dhe kur energjia e brendshme krijuese kërkon terren, poeti bën lëshime në temat e tij. Nga ana artistike, ai është në kërkim të vetvetes, të zërit të vet të brendshëm, brenda atij pylli të vështirësive që ekzistonin, teksa ndihet i prirur kah tonet e larta, kah epika e gjërave.

Libri i dytë me poezi Në këtë qytet, është një kapërcim i ndjeshëm drejt cilësisë. Zëri është zbutur dhe ka marrë ngjyrime interesante, ndonjëherë uitmaniane. Dihet se arti në atë kohë duhej të pohonte lumturinë, një ndjenjë që siç thotë Valery-a “nuk është e prirur me u kthye në fjalë për shkak se është qëllim në vetvete”.

Por poeti ia ka dalë të zotërojë një alkimi përmes së cilës përpunon lëndën e vet. Dhe megjithëse kjo lëndë është përgjithësisht e imponuar, ai arrin të japë efekte të vërteta artistike. Për të nuk është i rëndësishëm sinqeriteti por krijimi. “Anila, zog i lumtur që ikën mbi çatitë e ditëve / Rinia jote erdhi si një lajm i madh që i bie portës.” shkruan poeti te poezia Letër Anilës.

Vetëm në një gjë kishte besim dhe bindje: poezia. Ai nuk ishte i varur as te një krah i politikës, as te një shkollë e artit, as te një mik i bardhë as te një mik i zi. Ai ishte një shpirt i pakufizuar dhe, si i tillë çmonte lirinë. Kaq. Unë me njerëzit rri për edukatë – do të shprehej në një intervistë. Njëherë, kishte udhëtuar nga Shkodra në Tiranë, dhe aty në Lidhjen e Shkrimtarëve, pritësit e pyesin për një shkrimtar, mik të tij: ç’thotë X-i? Përgjigja qe: mirë, i shkreti, por nuk ka talent.

Libri i dytë u shkrua dhe u botua në fillim të viteve ’70 në kohën e shkurtër të liberalizmit. Pak kohë më pas, ai do mund të cilësohej si i papërshtatshëm për shkak të ekuivokeve dhe ambiguiteteve, por edhe të risive të cilat ishin të mistershme për sistemin, dhe nuk do të botohej. Ja një shenjë moderniteti, mbivendosje metaforash, nga ky libër: dëgjoj erën si fryn nëpër fjalët e mia të cilat befas u bënë të gjelbëra/.

Ky libër ka shumë dritë, ngjyra dhe shpresë, të gjitha në lëvizje të përhershme. Këtu bën pjesë edhe balada e bukur Kata. Atëherë autori sapo i kishte kaluar të tridhjetat.

Nëse krejt jetën e poetit do ta qasnim me një ditë astronomike, atëherë kjo periudhë do të ishte dita, ndërsa vitet e pas nëntëdhjetës, mbrëmja, e mbase edhe nata e tij. Poezitë që i përkasin kësaj të fundit, kanë shumë hije dhe trishtim, dhe pak dritë e optimizëm.

Duket sikur as edhe dhimbje nuk ka mbetur më, por vetëm hi. Në fakt kjo mund të thuhet vetëm në kuptimin fizik të gjërave, sepse në poezi tashmë, alkimia e poetit është bërë vetë magjia, ndërsa ajo çka ka humbur me kalimin e viteve është artificialiteti pasi edhe vetë artificet letrare janë bërë lëndë.

Kemi vetëm poezi: emocione intensive estetike, imazhe që transpozohen nga një varg te tjetri, ironi, paradokse. Shfaqja e kësaj poezie determinuese në jetën letrare shqiptare, menjëherë sapo ra diktatura, mbetet edhe sot një mister.

Dikur poezia e tij jo rrallë kishte trajtë ditari, takime dhe përvoja me njerëz dhe vende. Kishte kronikë dhe gjeografi. Kjo lloj poezie ka shumë pika komunikimi me publikun. Tani temat pothuajse janë zhdukur. Ka mbetur veçse lënda e pandërrueshme e brendësisë së shpirtit, një lëndë thelbësore që merr trajtë në lëvizjet dhe fiksimet dhe përsëri lëvizjet e një imagjinate të pakushtëzuar.

E gjithë hapësira astronomike është transpozuar në hapësirë shpirtërore. Perceptimi i botës nuk bëhet më përmes përvojave empirike por përmes shkrepjeve intuitive.

Nëqoftëse në vitet shtatëdhjetë, shkruante një poezi për Anilën për të bërë diçka të bukur dhe të pranueshme, në periudhën e dytë gjërat kanë ndryshuar. Tash, edhe kur shkruan për dhimbjen e vet, nuk e bën këtë për t’ua bërë të ditur të tjerëve. Ai në fakt shtiret, siç thotë Pessoa, sikur ndien dhimbje nga dhimbja që ka.

Shkruan poezi jo për të realizuar vetveten sepse kjo do t’i mbetet përgjithmonë e parealizuar siç ka dashur dikur, por veç për të kujtuar një pasion të vjetër. Veçse ky kujdes për kujtesë, është vetë qenia e tij ekzistenciale. Tashmë kur i ka kaluar të pesëdhjetat, sjell ndër mend se dikur nuk trembej nga gjinitë e gjata të letërsisë: romane, poema. Tani në një intervistë kujton Eluarin të ketë thënë: “por le të pyesim nëse ai luftoi më parë se bota ta mundte atë”.

Dhe, në të vërtetë poeti ynë luftoi duke ndjekur natyrën e tij.

Imagjinata e tij e njësuar me vetë qenien, funksionon përbukuri ndër skaje të fshehta dhe të pazbuluara. Gjërat nuk kanë më një kuptim, një tingull, një ngjyrë. Sipas William Blake-ut, këto janë punë të arsyes, jo të poezisë. Poezia e tij bëhet polifonike dhe multikolore. Ajo është tashmë ekzistenca e gjërave që nuk ekzistojnë.

Vetë leximi i saj bëhet pjesë e të krijuarit. Askush nuk i ka ditur këto gjëra kaq mirë sa Frederiku. Mirëpo kjo e bën poezinë të jetë elitare d.m.th ia pakëson asaj pikat e komunikimit me publikun e gjërë i cili, duhet thënë, e ka më të lehtë t’i qaset logjikës së thjeshtë të përvojave se lojës valavitëse të imagjinatës. E megjithatë, “talenti mendon, artisti sheh” thoshte përsëri William Blake-u. Frederiku është poet i përfytyrimeve dhe vegimeve.

Poeti la pak poezi, gjithsej një libër prej më pak se dyqind faqesh. Gjithsesi, kjo racë artistësh nuk është shquar ndonjëherë për sasi. Shtoji këtij fakti, faktin tjetër se për Fredin, drita jeshile u hap vonë, kur qe bërë mospërfillës ndaj disa gjërave si suksesi. Në Francë, që për ne është një yll, Jean Cocteau qe autodidakt por e kurorëzuan akademik, ndonëse edhe ky, jo se qe shumë i përshtatur me shoqërinë ku jetoi.

Për të një grua e njohur pati shkruar: ai ecte me krenarinë e një shpendi të egër që rastësisht ka rënë në një oborr me shpendë. Për ata që e kanë njohur, kjo është si e thënë për poetin tonë.

Rreshpja nuk qe nga ata artistë që përmes pasaportës së artit bëjnë karrierë diku tjetër, dhe as nga ata që japin “gjeninë në jetë, talentin në vepra”. Në socializëm – i persekutuar, në demokraci – i shpërfillur jo domosdoshmërisht për faj të të tjerëve, i paaftë për tu sistemuar në jetë, veprën e vet e krijoi në kushtet e mjerimit dhe dhimbjes, plot plagë shpirtërore, ndonëse fakti që adhuronte De Radën na thotë se do të kishte preferuar klimën e butë, të qetë, me prirje orfeike.

Poezi brilante, të kursyera në fjalë, që rrallë i kalojnë njëzet vargjet, gjithmonë të mbyllura në një unitet të pacënueshëm, ato nuk janë të vështira për tu kuptuar por janë elitare për shkak të rafinimit të thellë artistik, të mbivendosjes së imazheve e të metaforave, mendimit obskur dhe shkrepëtitjes së largët, prandaj nuk është popullore, ndonëse kjo është shenjë e vërtetë e modernitetit, vlera të cilat ne jo se i kemi me tepri, përkundrazi.

Ajo nuk synon të artikulojë jetën njerëzore në gjerësi por është një zë i mahnitshëm i ndijimeve si shprehje shpirti universal. Po jap si shembull njërën, Rekuiem, nga libri Erdhi ora të vdes përsëri, botuar më 1994:

Noton në përrua me gjethe mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë

Me sytë e verdhë në heshtje.

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës

Lugina me hënë e lyer

Dhe drerët e erës venë kujën me dhembje

Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi si kjo ditë

Qefinin me gjethe të tharë

O dimri i drerëve me brirët në erë

Kë vjeshtë të qajmë më parë?

Mëkati i kësaj poezie është se, duke qenë universale, lënda që mbart nuk na çon te ndonjë gjeografi e njohur as te ndonjë kohë e njohur, ku ne të lidhim sentimentet tona empirike, e megjithatë është e rrallë përnga cilësia e realizimit, përmes një gjuhe që këndon si muzikë, gjithmonë e shkruar saktë dhe pastër. Siç e ka vënë në dukje studiuesi gjerman Hans Joachim-Lanksch, ndryshe nga ç’bën me jetën, kaosin e poezisë së vet, ai e organizon në mënyrë të përkryer.

Ai bënte pjesë në elitën artistike mbarëshqiptare. Në fakt ai jetoi gjithnjë në skaj të shoqërisë ndonëse nuk kishte asgjë nga veset për të cilat shoqëria e pastër e mallkon njeriun. Por gjendja e tij shpirtërore ishte gjithmonë në mungesë pasi ai jetonte në hijen e perëndisë së Humbjes. Këtej vijnë ngjyrimet e forta të poezisë së tij e cila duhet thënë nuk bie në dekadentizëm por ka natyrë të lartë dhe fisnike.

Sidoqoftë, nuk ka shenja të mjaftueshme se Frederiku lexohet nga nxënësit apo studentët, pra se kërkohet konsiderueshëm në programet e shkollave. Këtë e ndiej sepse punoj në një bibliotekë.

Tashmë është orë e vonë e natës. Nga Dajti ku prapë këto ditë ka rënë borë, vjen një erë e ftohtë që fërshëllen përmbi ndriçimin e krejt Tiranës, e më tej kodrave. O dimri i drerëve me brirët në erë! pëshpëris këtë varg të Frederikut. Mbi tavolinë kam shtatë librat e tij, të gjithë të botuar sa ishte gjallë, atëherë kur ai ishte poeti më brilant i gjallë i gjuhës shqipe (mendimi im).

Por sot nuk kemi në dorë një botim integral dhe dinjitoz të veprës që la. Po, edhe nëse dëshiron një libër të tij çfarëdo, nuk e gjen dot.

Mandej, duhen hulumtime dhe studime për këtë vlerë kombëtare të cilat them se nuk do të mungojnë pasi zëri i tij nuk mund të ketë përgjigje tjetër nga njerëzit e letërsisë dhe artit përveç pohimit.

Mes lexuesve që ka, numri i adhuruesve të tij është ndoshta nga më të lartët. Ka fituar Çmimin Kombëtar të Poezisë dhe është përfshirë në disa antologji serioze të poezisë shqipe. Ka qenë në vëmendjen e studiuesve dhe poetëve, qysh në gjallje dhe më pas. Sot e kujtojmë në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes. Poezia e tij Rozafa e flijuar mbyllet me këto vargje:

O Medaur! Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua

Tani që ra hëna e syve të mi!

Gjërat e rëndësishme kërkojnë sakrifica sublime. Këto e ushqejnë pandërprerë vetëdijen tonë historike, shpirtin tonë të pandërrueshëm. Frederik Rreshpja pati një mision për të përmbushur për të cilin luftoi dhe sakrifikoi por nuk u thye, duke lënë pas, në radhën e krijuesve të mëdhenj bashkëqytetas, një vepër cilësisht dinjitoze, të bekuar.

Autori është poet, fitues i Çmimit Penda e Argjendtë 2004

—

Poezi nga FREDERIK RRESHPJA

TORS

Dil nga mbretëria e gurit!
Kam kaq kohë që trokas tek mermerët.
Njëmijë vjet dhe dymijë vjet.

Jemi puthur nëpër iliadhet e vjetra
Kur lires i binin homerët.
O hënë e shiut, e verbëra madhështore!
Bëjë një iliadë për mua
Kur të rrëzohet edhe Troja e fundit.

Rri kyçur në gur zemra ime
Njemijë vjet dhe dymijë vjet.

DASHURI E HUMBUR

Dola nga guernika e kësaj nate
I vrarë egërsisht,
Kali i zi i pikëllimit
Në shtegun e vjetër më priste.

Kali i zi i pikëllimit ç’më rrëzoi
Dhe rashë si në ballada;
Gdhendur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytin e natës.

I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë,
Vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.

ARLEKINËT

Ikën arlekinët e trembur nën çatinë e përrallës
Kur putha për herë të parë.

Qau vajza e vogël: por kushedi
Ndofta qante fëminia. Në kopsht
Nga dritarja e përrallës, arlekinët
Vështronin të trishtuar, tërë lotë.

Nuk desha t’i tremb arlekinët e mirë,
Nuk desha por nuk bëj ndryshe
Si nën çdo mollë, bile nën çdo dru
Kurdoherë një eve më priste.

QIELLI I DJALËRISË

Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
Ra mbi korijen me përralla;
Nga kashta e kumtrit bie dhe bie
Tërfili i artë i qiejve.

Këmbanat e yjeve lëkunden me hare
Prerë nga hëna e majit.
Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
U zhduk pas portës së ylberëve.

Zhduket pas portës së ngjyrave djalëria
Dhe mua trishtimi më mbulon
Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,
Në një botë që nuk më kupton.

POETI NË SHKRETIRË

Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.
Rallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve
Ikën e hutuar nga peisazhi arabik.
Ai rri aty me kokën në duart e shkretirës.
U bën me dorë avionëve.
Pret një dallëndyshe që s’ka për të ardhur kurrë.

KËNGË LAHUTE

Më zuri gjumi i balladave
Dalin etërit pleq në prag të rapsodive
Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet.

O ti zogu i zi i amanetit,
Për ku vrapon të bësh shi, o zog?
Dy-tre shira ranë e u bë dimër,
Dy-tre net u deshëm dhe u harruam.

Do të ngrihem e do të marr dynjanë
Por gjumi i balladave nuk më le.

Dy-tre shira ranë e u bë dimër,
Dy-tre net u deshëm dhe u grindëm.

UL KOKËN I LODHUR

Më thërret një mjegull ulur diku
Mbi korijen e fjetur që premton mars
Dhe pikëllimi i dëbores me gjuj te burimi.

Mbrëmja rend drejt qiellit
Hëna rend drejt një shtëpie reshë.

O akuarel i lëvizshëm! Ti mua më thërret
Por më erdhi tepër vonë thirrja jote.

Koka ime e pabindur tek një alarm gjethesh
Që hedh përsipër dy grushta nate
MUZIKË NË LËVIZJE

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.
CAKU

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
Se duhet të shkelin në udhë pa krye,
Mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
Pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
Pa policë trafiku e manekinë mode,
Pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
Për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
Trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
Ciasin gomat si në përplasje veturash,
Thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
Non stop-in rraskapitës me theks modern,
Në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
Pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
Me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
Sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
Që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
Gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
Me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.

QIEJ MERMERI

Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje.

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë.
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë.

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë.
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.

NJERËZIT E GURIT

Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
Vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
Zbutnin gjithandej gratë e egra,
Shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
Nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
Shpellat i thellonin me britma pasioni,
Përjetonin vdekjen sipas tyre
Dhe sosnin në skulptura naive.

KTHIM NË VENDLINDJE

Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhëtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më…
Tani
ti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen
në muzg trëndafilat e thurur me diell
Ah tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë
Në ajër
shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mij sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani edhe mermeri i zërit tim është i thyer
Tani që erdhi mbrëmja
statuja e nates troket në dritaren e vjetër xhamthyer.

***

VDEKJA E LORËS

Rri në muzg sikur të janë rrëzuar kohërat përsipër,
gati për përjetësi.
Nuk më flet. I ke premtuar vdekjes, e kuptoj.
Por ti në këtë botë erdhe për mua, jo për qiejt.
Kemi qenë përherë bashkë, që të rinj,
Dhe tani më le!
Mua më trishtojnë stinët. Ti e ke ditur,
dhe me botën më ndan një udhë me kilometra vetmi
Kemi thënë gjëra që s’kanë për t’u kuptuar kurrë.
Kemi ecur në tërë shekujt, para piramidave,
emrat tanë kanë qenë gdhendur
edhe kur nuk kishim shkëmbinj.
Por këto s’kanë për t’u kuptuar kurrë.
Si ungjijtë.
Të dy kemi qenë gjithmonë të bukur, por ti tani
Je akoma më e bukur, kështu me pak vdekje në sy.

7 mars 2005

DJEMTË E RRUGICËS DHE PLAKU

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?

Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njërëzve u thirri: – Djemtë u rritën!
Lule-vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.

– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë te na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

LIRIKË INTIME

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?

Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

SIMBIOZË

Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.

KARNAVALET

Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.

TAKIM ME VINÇENS PRENNUSHIN
In memoriam

“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektarë sa shpejt kishte rilindun.

Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.

STINA E GËZUAR

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

PËRGJITHMONË

O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

AVE, NËNA IME!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.
Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi
Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!

Filed Under: Letersi Tagged With: Frederik Rreshpje

SHIKONI KETU LIVE ALBDREAMS TV

RADIO ILIRIA DETROIT

STAFI I ” ALBDREAMS TELEVIZION “

KOZETA BRUÇI – ALBDREAMS TV SHQIPERI

REKLAMONI BIZNESIN

ME PAULIN NDOJEN

PAMJE NGA KELMENDI

“THE ESPRESSO HOUSE” KAFE E SHQIPTARVE

FJALE KYÇE (TAGS)

"ish" 11shtatori agolli Ambasada Ambasadat shqiptare ne bote baronesha bird debati dhjetori2014 Diaspora Frederik Ndoci Frederik Rreshpje frontid gj.uldedaj gjgjeloshi grida idhujtari ivanajt jihad Jup Kazazi – Lufta e Recit kadare Katrin Preljocaj kelmendi kostandini Leka Zogu per Kosovën letra Lufta e Koplikut Lëkura problematike marionetat mekatari mynih1972 ndre mjeda Nene Tereza oktapodi pjeter ivezaj qasemi sallakus shkolla spiunoj T'i qasemi telefonata U krye vacen Virgjil Kule çmendi

Shqiperia dikur kliko foton

ALBDREAMS MUZIKE

Flash required

PUSHIME SHQIPTARE

Perdhunimet e ushtarve turq..klik

Shqipëria në vitin 1922

POSTIMET FUNDIT

  • Shembja e mitit amerikan
  • Trumpizëm përball Sorosizëm!
  • Mos raftë me u harrua
  • Trump tek Biden: Këto lojëra të 25-të të ndryshimit do të kthehen të të përndjekin, Pal
  • Skllavëria në Mbretërinë Denkyira ishte traditë në Perandorinë Ashanti (Afrikë)
  • “I NDERPRES MARDHENJET ME TY SE JE PRO TRUMP !”
  • Trump feston ndertimin e murit në kufirin me Meksiken, arritje e imigracionit gjatë vizitës në Teksas
  • Trump e quan Impeachment një Gjueti Shtrigash “që rritë zemërimin”
  • Rëndësia e një lugë vaj ulliri në mëngjes

Archives

Kembimi Valutor

American Dollar Exchange Rate

Rëndësia e një lugë vaj ulliri në mëngjes

Shumica prej nesh e përdorin vajin e ullirit për … [Vazhdo....]

“Zëri i Masës”, tablo e Sali Shijakut

Genc DRINI Piktori i mirënjohur Sali Shijaku, … [Vazhdo....]

Korba që shiteni për pëllumba të bardhë

*** Kur mbollët Shqipërinë me drogë cep më … [Vazhdo....]

PAULIN NDOJA (LEGJENDA E PORTES SHKODRANE )

Nga Sokol PARRUCA Ishe vetem 19 vjec , kur more … [Vazhdo....]

How to Flirt Confidently in English

Every culture has a different idea of flirtation, … [Vazhdo....]

“Mall bulevardi”

"Ka qene dikur nje qytet...Ne vend te zemres , … [Vazhdo....]

Organizata Bazë e Partisë, vatër e pushkatimit politik

Konceptimi është mjaft i gjerë dhe i duhet këtij … [Vazhdo....]

Më 5 janar përvjetori i “së shkruom” Meshari dom Gjon Buzukut

Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar dom Gjon … [Vazhdo....]

Kongresi i Manastirit, i vitit 1908 ishte Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe

Kongresi i  Manastirit, Kongresi i unifikimit … [Vazhdo....]

Djathi, sekreti për një jetë më të gjatë dhe metabolizëm të shpejtë

Është lajmi më i mirë që mund ta keni dëgjuar tërë … [Vazhdo....]

Hudhër me limon për të pastruar enët e gjakut në 40 ditë

Bashkimi bën fuqinë! Kjo është një shprehje që … [Vazhdo....]

Mimozat e arta të shqipërisë – pse vlerësohen dhe si ruhen gjatë?

Të përkëdhelurat e diellit dimëror kanë çelur dhe … [Vazhdo....]

Hithra sa përvëluese aq shëruese…

Ajo të përvëlon që me prekjen e parë, por … [Vazhdo....]

Lidhjet

  • Albanians in Michigan
  • Antena.Al
  • Gazeta "Illyria"
  • Gazeta "Malesia"
  • Gazeta "Shqiperia Etnike"
  • KF "Vllaznia"
  • Koha Javore
  • Malësia ME
  • Malësia.org
  • Plave-Guci
  • Revista "DEBATI"
  • Revista "FJALA"
  • Revista "KUVENDI"
  • Shkodra Shkrimtaret
  • Shkodra Sport
  • Shkodra WEB
  • Star Plus TV Shkoder
  • Tribuna Shqiptare
  • TV "Kopliku"
  • TV "Rozafa"
  • TV Blue Sky
  • TV1-Channel
  • Ulqini Info
  • Ulqini Lajme
  • Ulqini Online
  • Zëri i Amerikës

Archives

Lidhjet

  • Albanians in Michigan
  • Antena.Al
  • Gazeta "Illyria"
  • Gazeta "Malesia"
  • Gazeta "Shqiperia Etnike"
  • KF "Vllaznia"
  • Koha Javore
  • Malësia ME
  • Malësia.org
  • Plave-Guci
  • Revista "DEBATI"
  • Revista "FJALA"
  • Revista "KUVENDI"
  • Shkodra Shkrimtaret
  • Shkodra Sport
  • Shkodra WEB
  • Star Plus TV Shkoder
  • Tribuna Shqiptare
  • TV "Kopliku"
  • TV "Rozafa"
  • TV Blue Sky
  • TV1-Channel
  • Ulqini Info
  • Ulqini Lajme
  • Ulqini Online
  • Zëri i Amerikës

ACTV _ Michigan

Kryengritja e Malësise 1911

APELI I TETË ORGANIZATAVE ATDHETARE NË SHBA PËR VOTUESIT NË MALËSI : “ VOTONI SHQIP”!

Si organizata shqiptare … [Read More...]

Prek Cali

Prek Cali ose Prenk Cali … [Read More...]

Violeta DEDA

Më fal që të deshta...

Sportakiada 2016

ALBDREAMS TV LIVE

… [Read More...]

Alida Duka

Koncert Michigan

Votimi emigranteve

PAULIN NDOJA (LEGJENDA E PORTES SHKODRANE )

Nga Sokol PARRUCA Ishe … [Read More...]

Prof. Dr.Gj.Uldedaj

Rochester 2015

Darka Shkodrane

PUBLICISTI DHE STUDIUESI NDUE BACAJ BOTON LIBRIN LUFTA E KOPLIKUT 1920 DHE NGJARJET QË I PARAPRIJNË .

Botimi i këtij libri … [Read More...]

Me Gezim Brahushen

TV Blue Sky Shkoder

Në Televizionin ACTV Michigan SHBA

[awl-slider id=42835]

S.Mani-perkujtimore

KALENDARI

January 2021
S M T W T F S
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
« Dec    

Copyright © 2021 · News Pro Theme on Genesis Framework · WordPress · Log in